DOSSIER

Jetëshkrimi pa hije i Presidentit Ibrahim Rugova/ Nga protestat e ‘81 te Konferenca e Rambujesë, lideri i zhvillimeve historike të Kosovës

12:16 - 20.01.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

SPARTAK TOPOLLAJ




HISTORIAN DHE DIPLOMAT

Ka qenë një fat i madh që në trojet e Kosovës u lind një burrë i madh, atdhetar demokrat e intelektual i rrallë, luksoz e paqësor, si dr. Ibrahim Rugova, i mbiquajtur “Gandi i Ballkanit”.

Më 2 dhjetor të 1944, në Cerrcë të Istogut, nga prindër Ukë dhe Sofë, që prejardhjen e kishin nga dy degë të fisit të njohur për atdhetari, Kelmendi, lindi Ibrahim Rugova. Gjyshi Rrustë, me dy vëllezër, Ibrishin dhe Xhemën, ishin vrarë në luftë me serbët dhe Rugova nuk i njohu kurrë ata, madje ai nuk njohu as të atin, i cili, në janar të 1945, pra, kur Rugova ishte vetëm njëvjeçar, ishte rrëmbyer dhe zhdukur bashkë me babanë e Rugovës nga OZNA (Shërbimi Sekret Komunist Jugosllav), që i parapriu UDBA-s.

Mësimet e para i mori në Istog, ndërsa të mesmen e bëri në Pejë më 1967. Studimet universitare i përfundoi më 1971 në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Filozofik, Dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Për talentin dhe seriozitetin e treguar, e mbajtën si redaktor në revistën studentore “Bota e Re”, ndërsa më pas te revista shkencore “Dituria”, 1971-1972. Punoi edhe në revistën “Fjala”, të gjitha këto në kryeqytet, ku edhe shpejt u bë i njohur në rrethet intelektuale. Pasionant edhe pas gjuhëve të huaja, kishte mësuar mjaft mirë frëngjishten, ndaj edhe në vitin akademik 1976-1977 shkon për studime pasuniversitare në Paris në “École Pratique des Hautes Êtudes” me profesorin e njohur Roland Barthés, ku edhe doktoron në Prishtinë më 1984, kurse me 1986 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve e Shkencave të Kosovës, për gati 20 vite dhe për disa vite, edhe kryeredaktor i organit të saj “Gjurmime Albanologjike”.

Rugova ishte pjesë e demonstratave të fuqishme, të shqiptarëve, kryesisht rinia universitare, gjatë pranverës 1981, ku pati dhjetëra të vrarë. Më 1998, zgjidhet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila shpejt u kthye në një qendër të rezistencës, ndaj sundimit komunist serb e jugosllav dhe shërbeu si një bazament politik atdhetaro-intelektual, për themelimin e së parës parti politike opozitare të shqiptarëve në Jugosllavi, Lidhjes Demokratike të Kosovës, bërthama e së cilës zgjodhi njëzëri në krye të saj dr. Ibrahim Rugovën. Kjo ndodhi më 23 dhjetor 1989 dhe vlen të theksohet se jemi vetëm dy ditë para se të ekzekutohet diktatori komunist rumun dhe miku i ngushtë i Milosheviçit, Nikolae Çaushesku me bashkëshorten monstër Elena, një Nexhmije Hoxha-Xhuglini rumune. Një muaj e gjysmë më parë, më 9 nëntor 1989, ishte shembur Muri i Berlinit dhe gati një vit më pas u bë edhe bashkimi i Gjermanisë (3 tetor 1990). Mbetet ende e pashpjegueshme që edhe sot e kësaj dite kalohet disi tangjent në historinë moderne të Evropës ky akt i madh dhe i guximshëm i shqiptarëve në ish-Jugosllavi, që me dr. Rugovën në krye, themeluan të parën parti politike opozitare me regjimin stalinist të Milosheviçit, njëkohësisht të parët në vendet e Lindjes Komuniste në kontinent, që patën këtë kurajë të madhe.

ibrahim-728x430

Në paranojën dhe dëlirin e tij të madhështisë serbe, Sllobodan Milosheviçi, i frymëzuar nga teoritë dhe doktrinat e Garashaninit, Gjorgjeviçit, Çubrilloviçit, Andriçit apo promemoriet e Akademisë Serbe, festoi me “madhështi” në një akt të paprecedent, më 28 qershor 1989, 600-vjetorin e betejës së humbur të serbëve dhe një koalicioni krerësh feudalë ballkanas, përfshi shumë shqiptarë në Fushë – Kosovë (15 qershor 1389) kundër turqve, në të cilën u vra sulltani Murat I (nga shqiptari Marash Nikollë Kopili) dhe princi Lazar i Serbisë, i kapur rob nga osmanët.

Qysh në shtator – tetor 1989, një grup intelektualësh vendosën themelimin e LDK, ku veç dr. Rugovës që, siç theksuam, u zgjodh njëzëri kryetar, bënin pjesë në kryesi, sekretari i Përgjithshëm Jusuf Buxhovi, prof. Fehmi Agani, dr. Bujar Bukoshi, avokat Nekibe Kelmendi, prof. Mehmet Kraja, prof. Ali Aliu etj etj. LDK-ja hartoi një program politik kombëtar dhe demokratik, të gjithanshëm e institucional, për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike, shumë e rëndësishme kjo, po të kemi parasysh faktin, se ishim në kulmin e egërsisë së regjimit stalinist serbomadh të Sllobodan Milosheviçit, i cili kishte organizuar qysh prej 21 marsit 1989 deri në dhjetor 1990, gjenocid antishqiptar me helmimin masiv të 7421 fëmijëve dhe punonjësve në shkolla, me lëndë helmuese luftarake, Sarin, Tabun, Saman etj., të prodhuara në Potoci të Mostarit dhe që i përkitnin Armatës Popullore Jugosllave.

Ata arrestuan dhe torturuan dr. Flora Brovina Begu, që denoncoi krimin gjenocidal, por ajo nuk u përul kurrë. Propaganda e fuqishme e Beogradit, përkrahur nga Moska dhe lakejtë e saj, jo pa sukses, e quajti aktrim kolektiv të shqiptarëve, simulim histerik konvulsiv etj., që synonte argumentimin e së drejtës separatiste të tyre nga Serbia Por, personalitete të shkencës dhe mjekësisë, si edhe të politikës, vërtetuan, se kemi të bëjmë me helmim masiv. Kështu, prof. Bernar Benedeti, prof. Aubin Hendriks, dr. Bernar Kushnér, Stipe Mesiç e plot të tjerë. Ky ishte një krim i denjë për Hitlerin, Sadamin apo të tjerë diktatorë dhe faktori ndërkombëtar përgjithësisht dhe çuditërisht heshti.

E në mes të kësaj klime politike të nxehtë dhe të nxehtit përvëlues të korrikut ’90, më datën 2, delegatët e Kuvendit të Kosovës, u penguan të hynin në sallën e Institucionit, nga Policia Federale, ndaj dhe kryetari Iljaz Ramajli, vendosi me miratimin e të gjithë përfaqësuesve të popullit të Kosovës që Kuvendi të mbahej me çdo kusht, qoftë edhe në ambient të hapur. Kështu, aty u lexua Deklarata Kushtetuese, hartuar nga prof. dr. Gazmend Zajmi. Kjo deklaratë me 5 pika themelore i hapi rrugën mbajtjes më 7 shtator 1990 të Kuvendit të Kaçanikut, i cili Kosovën e shpallte njësi të barabartë konstituive të Federatës, si Republikë e Kosovës, të drejtën për referendum më 1991 dhe organizimin e zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale më 1992. Deklarata u nënshkrua nga 114 delegatët dhe vetëm 1 delegat e la firmosjen për të nesërmen, më 3 korrik. Ndërkohë, u formua në ekzil edhe qeveria e dr. Bujar Bukoshit, i cili qëndroi nga 1991, gati 10 vite Kryeministër.

Financat, Arsimi dhe Shëndetësia, ishin tri dikasteret kryesore ku Presidenti Rugova dhe Kryeministri Bukoshi përqendruan gjithë vëmendjen dhe punën e madhe plot vizion e përkushtim, pa lënë mënjanë përgatitjen e FARK- ut (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës). Rol luajti fondi i 3 %, mbledhur nga qeveria “Bukoshi” ndër vite, nga të ardhurat e emigrantëve kosovarë në të gjithë botën si kontribut. Një ngjarje e rëndë dhe tejet tronditëse ndodhi më 7 mars ’93, kur vritet mikja e madhe e kombit shqiptar, norvegjezja Berit Backer dhe më e pabesueshmja ishte se paradoksalisht, vrasësi ishte …shqiptar (një i sëmurë mendor).

Me ndërmjetësimin e Komunitetit të Saint’ Egidios, por edhe me rolin paraprijës të Lordit Owen, Thorvald Stoltenbergut, Tadeusz Mazowieckit dhe Elizabet Rehn, u mbajt edhe takimi i parë Milosheviç-Rugova, ku u nënshkrua dhe Marrëveshja për Arsimin më 1 shtator 1996. Kjo Marrëveshje pati rëndësi të madhe se për herë të parë Federata Jugosllave dhe Serbia detyrohen të njohin Rugovën si partner të barabartë dhe President të ligjshëm të Kosovës. Por, dr. Rugova, ky pacifist konsekuent, nuk ishte indiferent ndaj faktit se qysh nga fundi i viteve ’80, në Kosovë dhe në diasporë kishte filluar paralelisht edhe organizimi për një kryengritje të armatosur çlirimtare nga sundimi i egër serb, e cila do të jetë e para e këtij lloji në Evropën e pasluftës II Botërore. Herët ishte krijuar në Zvicër një grup i fshehtë i vogël, i quajtur Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, i cili organizoi njësitet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në kulmin e saj, mbërriti në 18.000 luftëtarë të inkuadruar në brigada. Më saktë se askush, këtë histori e ka përshkruar James Pettifer, profesor në Universitetin e Oksfordit, me librin e tij serioz, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Për herë të parë në publik, zyrtarisht si përfaqësues të UÇK-së, Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, dolën në ceremoninë e varrimit të mësuesit Halit Geci, më 28 nëntor, vrarë nga Armata dhe Milicia serbe, pas luftimeve të ashpra në Vojnikë dhe Llaushë të Skënderajt, ku komandanti legjendar Adem Jashari dhe forcat e tij, më 25 dhe 26 nëntor 1997, iu shkaktuan humbje të rënda forcave ushtarako-policore të Serbisë. Këtu është shumë e rëndësishme të ndalemi për një sqarim, pasi të majtët e LPRK-së apo edhe ata në Shqipëri janë munduar ta paraqesin ndryshe të vërtetën për heroin Adem Jashari.

Ai së pari ka qenë pranë Presidentit Rugova dhe dy grupe të mëdha të njerëzve të LDK-së, erdhën në Shqipëri, ku u përgatitën dhe u stërvitën nga Ministria jonë e Mbrojtjes. Këto faktohen me dokumente dhe fotografi. Në grupin e parë prej 54 vetash, ishin edhe dëshmorët Salih Çeku dhe Tahir Pajaziti (rënë në pritë serbe, mes rrethanash tejet të dyshimta), ndërsa në të dytin, midis 55 të përzgjedhurve, ishte edhe legjenda Adem Jashari, i lindur si për një koincidencë të bukur më 28 nëntor (1955) dhe rënë duke luftuar heroikisht në Prekaz të Drenicës, Komuna Skënderaj, më 7 mars 1998, bashkë me rreth 60 të afërm nga familja Jashari dhe Lushtaku. Po kaq, 62 mbetën të vrarë nga forcat e Njësisë Speciale të Policisë. Më 15 janar 1999, kriminelë ë Armatës, kryen Masakrën e tmerrshme të Reçakut, me 45 civilë, përfshi fëmijë, gra dhe të moshuar, zbuluar dhe denoncuar botërisht, nga Ambasadori amerikan i OSBE , William Walker. Më 6 shkurt 1999, në periferi të Parisit, në Chateaux de Rambuillet, u mbajt e famshmja Konferencë e Rambujesë, e para ku u diskutua mbi Statusin e ardhshëm të Kosovës.

Në krye të Delegacionit patjetër që do të ishte Presidenti Rugova. Edhe pse serbët, nën nxitjen dhe presionin e Rusisë u larguan. Konferenca e organizuar nga NATO, mbetet historike. Forcat e FARK-ut (Rugova-Bukoshi) rreth 3.000, gradualisht u integruan në UÇK e po kështu edhe Batalioni “Atlantiku” 1800 – 2500 luftëtarë që erdhën nga SHBA-ja. Bombardimet e NATO-s zgjatën 78 ditë. Takimi i dytë Rugova-Milosheviç i Pranverës 1999 në Beograd, ishte një takim i sforcuar apo si të thuash me detyrim. Dr. Rugova mori me vete prof. Aganin.

Ai e dinte mirë se ç’mund të bënte Milosheviçi dhe e njihte si paranojak atë, se ai kish dëshmuar, çfarë kriminel ishte në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci me gjenocidin, masakrat dhe krimet e tmerrshme të luftës, ndaj bëri sa mundi ta shmangte çmendurinë e këtij karakteropati bipolar stalinist e hitlerian bashkë ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj atij vetë. Natyrisht, krerët e SHBA, BE dhe vetë Papa Gjon Pali II, që e njihnin delirin kriminal të tij i kërkuan Sllobos mos t’i prekej asnjë qime floku Presidentit Rugova, i cili, siç na e përshkruan qartë gazetarja e njohur gjermane e “Der Spiegel”, Renate Flottau, po mbahej si gjysmë peng!!! Kështu u pranua që një avion i NATO-s ta sjellë në Romë dr. Rugovën. Milosheviçi vërtet liroi Rugovën, por kurrë s’pranonte të lironte edhe Kosovën e pushtuar edhe mbajtur me dhunë, me tanke e autoblinda!

Ultimatumin e fundit atij ia dhanë Riçard Holbruk dhe Gjenerali Uesli Klark, por Milosheviçi, as në ëndrrën më të keqe nuk do besonte ta shihte bombardimin e NATO-s dhe SHBA me avionët dhe helikopterët më modernë, të ngritur nga bazat amerikane Aviano e Sigonella në Itali, apo nga aeroplanmbajtëset në Adriatik pajisur me raketat KruizTomahouk, që nuk kursyen as vetë Beogradin. Një rëndësi të madhe për vetë atë çka përfaqësonte në Europë dhe në botë emri i gjeniut tonë Kadaré luajtën në këto momente kruciale, tri intervistat e tij në gazetat italiane “La Repubblica”, “La Stampa” dhe në më të madhen dhe autoritaren gazetë franceze, të përditshmen “Le Monde”, në 2-3 ditët e para të majit.

Me shpresën e kotë se do të mund të bindte NATO-n, SHBA-në dhe Perëndimin, të ndalnin bombardimet apo të përçaheshin mes tyre, Milosheviçi luajti “kartën” Rugova, i cili ishte një lloj pengu te serbët. Diversioni dhe qëllimi i trefishtë i tij me lirimin e Rugovës dhe lejimin që ai dhe familja e tij të udhëtonin për në Romë dështuan me sukses të plotë se Rugova nuk mund të keqpërdorej siç parashikoi Sllobo.

Avioni “Falcon” i ushtrisë italiane i solli ata në Aeroportin Çampino pasditen e 5 majit 1999 dhe u takua me Kryeministrin Massimo D’Alema dhe kërkoi publikisht të ndërhyhej fort për të ndalur dhunën dhe krimet e Armatës Jugosllave, Milicisë dhe paramilitarëve serbë të Arkanit me shokë në Kosovë. Rugova me mbi 60 % të kosovarëve krah tij, patjetër ishte partneri më i besueshëm për Perëndimin, i cili nuk u josh nga skenari djallëzor i Milosheviçit, të cilit Rugova s’mund t’ia falte kurrë ato që ai i kish bërë dhe vazhdonte t’i bënte popullit shqiptar të Kosovës. Klinton, Bler, Kohl, Shrëder, Shirak, Berluskoni, Prodi, D’Alema etj., mbështetën fuqishëm bombardimet, ndaj shqiptarët iu mbeten mirënjohës përjetë atyre. Grekët u deklaruan kundër. Federata Jugosllave dhe Serbia u dorëzuan pa kushte. Më 9 qershor 1999, Milosheviçi i gjunjëzuar me turp urdhëroi tërheqjen e Armatës, Milicisë serbe dhe paramilitarëve vendas apo mercenarëve dhe të nesërmen u firmos Marrëveshja e Kumanovës.

Në Kosovë hynë forcat e NATO-s, pritur si çlirimtarë, por djallëzisht njësitë ruse pushtuan Aeroportin e Prishtinës, nga i cili më pas u detyruan të tërhiqen. Në fushën e betejës ranë mbi 1.500 luftëtarë, ndërsa të vrarët civilë ishin mbi 10.000 dhe rreth 1. 700 prej tyre janë ende të pagjetur, për të cilët “çuditërisht” ata që i vranë, si Vuçiçi me shokë, nuk “mbajnë mend” se ku i kanë varrosur! Dhe ndërkombëtarët rrinë e vështrojnë tash e 25 vjet dhe vazhdojnë llastimin e Serbisë?! Milosheviçi, Sheshelji, Karaxhiçi, Mlladiçi dhe pak të tjerë kriminelë të mëdhenj dolën para Gjykatës së Hagës, si të akuzuar për gjenocid e krime lufte dhe morën dënime relativisht jo të rënda, në proporcion me krimet që urdhëruan?

I vetmi që shpëtoi nga dënimi ishte Sllobodani, të cilin e dënoi ZOTI teksa ia mori jetën në burgun Scheveningen të Hagës, ku u gjet i vdekur në qelinë e tij, mëngjesin e 11 marsit 2006, një javë pas vetëvarjes po aty të kriminelit Milan Babiç, kreu serb i Krajinas, dënuar me 13 vite burg. Milosheviç vuante nga diabeti, hipertensioni dhe ishte kardiopat, por Beogradi dhe Moska i qëndruan versionit se ai mund të ishte eliminuar me “luks”, mbasi antibiotiku Rifampicin që merrte ishte i dëmshëm. Kështu, Lavrovi e deri Gorbaçovi, por edhe Daçiç dhe vëllai i Milosheviçit, Borislavi, ambasador në Moskë, këmbëngulnin në këtë budallallëk, por një komision special mediko-legal, e hodhi poshtë.

Me rëndësi të veçantë mbetet dëshmia tronditëse e Presidentit Rugova në gjyq, që u përball si burrat me Milosheviçin, kryekasapin e Ballkanit, të cilin e gozhdoi me shpatulla për muri. Dr. Rugova kishte një dashuri të ligjshme dhe të pakufishme për Shqipërinë, sidomos kur ajo shembi regjimin stalinist të Hoxhës e Alisë dhe vlerësonte lart rolin e Shqipërisë Demokratike për lirinë e Kosovës. Ai erdhi shumë herë në Shqipëri, por ndryshe nga hera e parë, nën survejimin e rreptë, të pabesë dhe absurd të Sigurimit të Shtetit, të gjitha ardhjet e tjera, ishin si ato të vëllezërit e tij. Presidenti Rugova mori pjesë qysh në Kuvendin e Parë të PD-së dhe e përshëndeti atë (Shtator 1991).

Natyrshëm ndihem krenar që pata fatin dhe nderin të takoj, njoh dhe të miqësohem me Dr. Rugovën, Ghandin e Ballkanit, qysh 32 vite më parë, madje së bashku me miqtë e mi, zotërinjtë Genc Kadri Bardulla dhe Shkëlqim Sulejman Hoxha, nën shoqërimin e djemve trima Elshani të Prizrenit, ishim të parët nga PD-ja, që mbërritëm në Prishtinë të Zyrat e LDK, ku u pritëm nga kryetari Rugova, Prof. Agani dhe Kryesia e LDK dhe i dorëzuam mesazhin e kryetarit të PDSH-së, Prof. Dr. Berishës, duke marrë me vete prej tij, pritjen e ngrohtë vëllazërore dhe mesazhin e përgjigjes për Kryetarin Berisha. U takuam shpesh gjatë 15 viteve me këtë burrë të madh, por i pashlyer, ashtu si takimi i parë, po në Prishtinë, ishte edhe takimi i fundit me Atë, më 2005, teksa organizova vizitën e Mandelës Pjetër Arbnori në Kosovë.

Na priti vëllazërisht dhe na mbajti për drekë e pas saj, teksa pinim kafet, me një qetësi të admirueshme, na dha lajmin e hidhur, se mjekët gjermanë dhe amerikanë, sapo e kishin diagnostikuar, pas analizash të hollësishme dhe rezonancës magnetike, se ishte prekur nga kanceri metastatik i pulmoneve, ndaj të cilit nuk bënë efekt medikamentet më të fundit e më të fuqishme, madje as edhe kimioterapia. Tronditja jonë s’kish si të mos ishte në raport të zhdrejtë me qetësinë e tij, teksa na dha këtë lajm të hidhu.

Presidenti Rugova ishte një burrështetas i madh dhe personalitet i shquar i Kombit Shqiptar e më gjerë! Jo më kot, ai u mbiquajt “Ghandi i Ballkanit” dhe u prit, u nderua dhe u vlerësua nga shumica e krerëve më të mëdhenj të shteteve e qeverive. Ai diti të vlerësojë me objektivitet personalitetet kosovare, të Luftës dhe pasluftës, ashtu si edhe figurat e mëvonshme. Në shumë kuptime, mund të themi se ai ishte i ngjashëm me Shenjtoren tonë, Nëna Terezë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.