DOSSIER

Kujtimet e ambasadorit nga takimi me Gorbaçovin/ Bashkim Zeneli rrëfen bisedën: Çfarë më tha për kontaktet me Ramiz Alinë dhe PPSH

09:58 - 21.01.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në librin e tij “Miqësi e trazuar”, ambasador Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”, sjell një bisedë interesante me Mihail Gorbaçovin në Athinë ku ish-udhëheqësi komunist reformator tregon se sa e njihte Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.




Midis të tjerash, Gorbaçovi tregon se asnjë marrëdhënie, asnjë lloj shkëmbimi, qoftë edhe me ndonjë letër, nuk ka pasur me PPSH dhe regjimin komunist të Tiranës. Sipas ambasador Zenelit, libri me kujtime i Mihail Gorbaccovit me 1200 faqesh, nuk e përmend Shqipërinë në asnjë vend, kur flet gjerësisht për marrëdhëniet me të gjitha partitë e vendeve të bllokut socialist të Lindjes.

BASHKIM ZENELI

Ai vit, viti 2004, në atë verë të nxehtë, do të ishte viti i madh sportiv i Greqisë. Ekipi përfaqësues i futbollit do të shpallej kampion i Europës, dhe mbas disa javësh do të zhvilloheshin Lojërat Olimpike.

Dhe nuk mund ta quaj vetëm vit i madh sportiv. Ishte viti, vera e një feste të madhe popullore, gëzimi i madh i grekëve. Dhe këto vite, vinin jo përherë, vinin rrallë… Greqia në vitin 1987, pra 17 vjet më parë ishte shpallur kampione e Europës në basketboll, në Stadiumin e Paqes dhe të Miqësisë. Dhe në përfaqësuese do të luanin të famshmit Nikos Galis, Panagiotis Fasoulas, Panagiotis Giannakis etj., që do të bënin emër në historinë e basketbollit të mirënjohur grek. Nga basketbollistët e shquar, disa do të merreshin më vonë edhe me politikë, do të zgjidheshin edhe deputetë…

Në një nga ditët që në Portugali zhvillohej kampionati Europian i futbollit, zoti Apostolopolous, do të organizonte dasmën e djalit të tij. Dhe më kishte ftuar me Engjëllushen. Ishte i ftuar edhe z. Leonard Solis, me të shoqen Dianën. Doktori i njohur ishte mik shumë i ngushtë i z. Apostolopolous. Dhe si përherë, për të gjithë ata që e njohin, i gjallë, i zgjuar, me kulturë, me kujtesë të madhe, me humor të jashtëzakonshëm i prirur gjithmonë vetëm për të mirë, dhe në atë dasmë, në shumë rrethe njerëzish, të njohur e të panjohur, do të bëhej protagonist i bisedave dhe batutave plot humor. Lëvizte sa nga njëra tavolinë, në tjetrën, në tavolinat e larta dhe përplaste gotën, derisa do të uleshim në tavolinat që na ishin rezervuar. Ishim ulur bashkë edhe me disa miq grekë.

Në njëfarë mënyre, për grekët në atë dasmë, por edhe për ne, mendja ishte tek futbolli. Në hapësirën e madhe të lulishtes, ishin vendosur disa ekrane të mëdhenj. Do të fitojë Greqia, ja më ndigjoni mua… do t’ shihni, u thoshte dr. Solis miqve grekë në tavolinë. Greqia do të ndeshej në gjysmëfinale me ekipin e Republikës Çeke. Ekipi grek kishte mundur në ndeshjen e parë ekipin e Portugalisë, me rezultatin 2 me 1; ishte mundur nga Rusia 1me 2 dhe kishte mundur Francën 1 me 0, me një gol të shkëlqyer me kokë nga futbollisti i shquar Angelos Haristeas, që do të linte të “ngrirë” portierin e madh francez, Fabian Bartez…

MB-GORBACOV_frame_0-1280x720

Në dasmë edhe këndohej e kërcehej, nën tingujt e muzikës aq të bukur greke, por edhe të këngëtarëve më të njohur grekë, por edhe “mendja” ishte tek ekranet e televizorit… Sidomos kur loja e rregullt përfundoi në barazimin 0 me 0, e tërë vëmendja ishte aty. Do të dalë Greqia në finale- përsëriste dr. Solis,-ja, keni për të parë … Jam i sigurt që e gjithë Athina, pse jo, e gjithë Greqia, në ato orë të mesnatës, sytë i kishte tek ekranet e televizionit. (Në fakt, që mbas ndeshjes me Rusinë, kur shpresat për të vazhduar më tej u rritën shumë, athinasit do t’i shihje deri në mesnatë, nëpër sheshe dhe rrugë tek gëzonin dhe shpresonin.

Dhe do të vinte minuta e 105, kur mbrojtësi i njohur i ekipit grek, Traianos Dellas do të shënonte atë gol të fitores së madhe. Të gjithë dasmorët u ngritën në këmbë duke brohoritur dhe duke u përqafuar me njëri-tjetrin. (Doktor Solis ndihej krenar që e kishte thënë që Greqia do të fitonte…) Në dasmë kishte tani një entuziazëm të madh.

Z. Apostolopolous erdhi mbas së disatës herë, i gëzuar sa nuk ka, për të trokitur gotat me ne: Ja ministri dhe ambasadori na sollën fat- do të fliste gjithë kënaqësi i zoti i dasmës. Tani edhe dasma u ndez. Vallëzimet e këngët nuk pushonin.

Këndonte njëri këngëtar dhe e shoqëronin të gjithë. Toni Voskopolous, aq i dashur për grekët, një ndër këngëtarët më të njohur të Greqisë, me mikrofon në dorë do të shkonte tavolinë më tavolinë. (Në librin tim, “Për Gjermaninë histori diplomatike dhe kujtime”, kam shkruar se në këtë dasmë ishte i ftuar nga z. Apostolopolous edhe ish-Presidenti rus, Mikail Gorbaçov, fitues i çmimit “Nobel” për paqen në vitin 1990, ish-sekretar i përgjithshëm i PKBS që nga 11 marsi i vitit 1985 deri në vitin 1991. Dhe kam shkruar në faqet e librit të mësipërm për takimin me të… duke u ndalur në bisedën që do të rridhte më shumë për Gjermaninë, pasi i thashë se më parë kisha qenë ambasador aty.

Në ndeshjen e saj të gjashtë, në ndeshjen finale kundër Portugalisë, përsëri Haristeas do të shënonte në minutën e 56-të, duke e shpallur Greqinë kampione të Europës në stadiumin “Estadio da Luz” të Lisbonës. Ekipi kampion me trajnerët e tyre “Oto i dytë”, Otto Rehageli gjerman dhe ndihmësi i tij grek Giannis Topalidis, do të priteshin si heronj, nga aeroporti deri në Stadiumin e vjetër Olimpik 75 mijë vendësh, në atë stadium historik ku u zhvilluan, në vitin 1896, Lojërat e para Olimpike Moderne).

Ndërsa sot, në këto kujtime për Greqinë, do të përpiqem të riprodhoj më shumë faqe shënime që kam mbajtur nga ajo bisedë, atë që folëm për Greqinë, për marrëdhëniet tona me fqinjin jugor, për opinionin e Mikail Gorbaçovit për të kaluarën dhe të sotmen e Greqisë dhe të popullit grek. Do të më pyeste, midis të tjerash, se si i kemi marrëdhëniet me Greqinë… dhe pa nisur t’i përgjigjem do të vazhdonte: “…se këto marrëdhënie janë të rëndësishme, jemi fqinj dhe me fqinjët duhet gjetur gjithmonë gjuha për miqësi dhe bashkëpunim… Unë e dua Greqinë, e kam dashur gjithmonë për të kaluarën e saj historike, për antikitetin e mrekullueshëm… kam pasur marrëdhënie miqësore me udhëheqësit më të lartë grekë në kohën që udhëhiqja Bashkimin Sovjetik…”. I tregova se marrëdhëniet me qeverinë e PASOK-ut, por edhe tani me qeverinë e kryeministrit Karamanlis kanë qenë shumë të mira. Ato po forcohen nga dita në ditë…

Qeveria jonë e ka vlerësuar dhe e vlerëson Greqinë si një partnere dhe aleate strategjike. Kryeministri grek, z. Karamanlis, menjëherë mbas marrjes së detyrës, ftoi në Athinë si të parin kryeministër, atë shqiptar, z. Nano. Sot, marrëdhëniet midis të dy vendeve vlerësohen si model i Bashkëpunimit Rajonal…

Prania e afro 800 mijë shqiptarëve në Greqi dhe integrimi përherë e më i mirë i tyre në shoqërinë greke, por edhe prania e minoritetit grek në Shqipëri, u jep marrëdhënieve tona një dimension të ri, edhe më politik, edhe më human… Në këtë moment z. Gorbaçov më ndërpreu dhe, disi i habitur, më pyeti: “… e ndigjova mirë apo jo… 800 mijë shqiptarë në Greqi, po që kur janë këtu?.. Kur kanë ardhur? “Kanë ardhur mbas viteve ’90 dhe Greqia i priti me dyer të hapura” – “Këtë e mësova tan, – do të vazhdonte z. Gorbaçov,- ndoshta kurrë nuk do ta kisha mësuar… Dmth, mbas viteve ’90 kanë ardhur gati një milion shqiptarë …

Pa më thuaj ambasador, sa keni mbetur në Shqipëri, sa është populli sot?” – “Mbi një milion e gjysmë shqiptarë janë larguar nga vendi – do t’i shpjegoja – mbas viteve ’90, për një jetë më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre… Rreth 400- 500 mijë janë në Itali, e pastaj në të gjithë Europën Perëndimore, por edhe në SHBA…”.

-“Edhe njëherë… më besoni se po habitem për këtë numër kaq të madh të shqiptarëve në Greqi, se Shqipëria është një vend i vogël, nuk është as Gjermani e as Francë… Këtë fakt duhet të dini ta shfrytëzoni sa më mirë, në interes të të dy popujve… Më vjen mirë që më folët për marrëdhënie shumë të mira, por të vazhdoni pa ndërprerje për t’i çuar ato edhe më përpara. Udhëheqjet e të dyja vendeve duhet të punojnë shumë që, ju thatë se ka edhe një minoritet grek në Shqipëri, diçka kam ndigjuar, por nuk mund të them se e njoh mirë këtë fakt… Për minoritetet, kudo që janë, ka shumë rëndësi që t’u plotësohen sa më mirë të drejtat e tyre të ligjshme…

Ndigjo, ambasador, shumë shtete, edhe më parë, por edhe sot, nuk shkojnë mirë, kanë problem dhe përplasje, pikërisht për minoritetet… Është një çështje, me shumë të drejtë, e ndjeshme… Në rininë time unë kam lexuar shumë për Greqinë… Në Bashkimin Sovjetik ne kemi pasur të përkthyer shumë nga autorët e famshëm grekë të lashtësisë. Por edhe poetë grekë të këtij shekulli…

Unë kujtoj shumë mirë se kur kam qenë në udhëheqje të Bashkimit Sovjetik, në Byronë Politike, në Moskë do të vinte shpesh poeti i madh që kanë këta, Janis Ricos. Por ai ftohej në shumë vende të tjera të ish- kampit socialist… Ja tani po afrojnë Lojërat Olimpike… Po sa vjet ka ky popull që i organizon ato…?” – 2800, – ndërhyra. – “Nu vok tak… 2800 vjet! Çfarë tregon kjo? Ato nuk ishin thjesht disa gara sportive të kohës; ato ishin mesazh paqeje dhe lirie… Dhe më pas, po këta, zhvilluan një shekull më parë Lojërat Olimpike Moderne… Janë një popull që duhet nderuar e respektuar… Antikiteti i tyre është edhe sot shumë i njohur. Ndigjo ambasador, grekët kanë luftuar shumë edhe kundër nazifashizmit… Sigurisht, pa dashur të bëj krahasime, nuk mund të them se kanë luftuar aq shumë sa popujt e Jugosllavisë që kanë miliona njerëz të vrarë.

310_1110368819

E njoh shumë mirë atë luftë dhe kam një simpati të veçantë për atë heroizëm… Kam dëgjuar ose kam lexuar diku, se nazistët gjermanë kanë djegur e rrafshuar një fshat të tërë këtu në Greqi, brenda disa orësh… kanë vrarë burra, gra, fëmijë e pleq… kanë djegur gjithçka… kanë bërë masakër… Një histori tronditëse, po nuk po më kujtohet tani emri i atij vendi… Po nuk ka shumë rëndësi tani emri…” –

“Mos e keni fjalën për Kallovritën z. President? – e pyeta”, – “Po, po, drejtë, për Kallovritën”. – “Aty, – vazhdova – brenda një dite janë vrarë 1400 vetë… Grekët e njohin dhe e respektojnë shumë këtë ngjarje dhe e përkujtojnë me nderim… Grekët, në përgjithësi, e respektojnë shumë historinë e luftës kundër fashizmit… Meqë po flasim për luftën z. president, ne kemi edhe sot “një relikte” nga lufta e dytë botërore… (dhe i fola për luftën italo-greke) kemi një “gjendje lufte”… – “Si z. ambasador, ç’është kjo që po më thoni, si ka mundësi, si mund të jetë kështu?” – I fola gjerësisht për këtë çështje dhe duke më ndigjuar me vëmendje, në esencë më tha se “unë po çuditem… kjo nuk është e mundur, si mund të ketë “gjendje lufte” mes jush. Kjo nuk është e mundur.

Pavarësisht se më thoni se kjo nuk po pengon zhvillimin e marrëdhënieve, jam plotësisht dakord se është një “relikte” e së kaluarës, por një relikte që do hedhur poshtë…” Dhe duke vazhduar për “Kallovritën”, z. Gorbaçov do të shtonte se “…ju me siguri e dini, ne kemi mbi 22 milionë të rënë në luftën kundër fashizmit… unë vetë kam në familjen time disa të rënë… kjo duhet të nderohet e të kujtohet, sidomos nga brezat që vinë. Por, sigurisht duhet të shohim përpara… Ndaj them, z. ambasador, më kuptoni, se, sidomos me fqinjët duhet punuar me shumë vullnet për të pasur përherë marrëdhënie të mira… Nuk ka rrugë tjetër, për t’u “ngatërruar” është shumë e lehtë, por për të ndërtuar marrëdhënie të mira, është e vështirë…

Më vjen mirë që po më flisni për marrëdhënie të mira të Shqipërisë me Greqinë… Është e rëndësishme, se Greqia është vend anëtar i NATO-s dhe BE-së. Dhe kjo do shfrytëzuar… Ballkani nuk është pa probleme, që nga vitet ’90, kur nisi edhe shpërbërja e Jugosllavisë, por sidomos mbas luftërave në Kroaci dhe Bosnjë, por më vonë, edhe në Kosovë… Unë i ndjek këto zhvillime, jo vetëm të Rajonit, por edhe më gjerë.

Vendet që kanë dalë nga një sistem i gjatë diktatorial, nuk e kanë të lehtë të mësohen më me vendosmëri dhe përgjegjësi për ndërtimin e demokracisë e të shtetit të së drejtës… Them se Kroacia dhe Sllovenia, në Rajon janë më përpara në këtë drejtim… Edhe kur ishin nën Jugosllavi, ishin më pranë perëndimit, me aq sa mund të ishin, sigurisht… Unë kam njohur nga afër udhëheqësin kroat Markoviç apo atë slloven Kuçan. Ishin më ndryshe nga Dollanc, Duranoviç, Planiç, Moisov, pa folur fare për Milosheviçin… Në vitin 1985, kur unë mora drejtimin e Partisë, kam pasur takime me të gjithë udhëheqësit lindorë, deri në fund, deri në rënien e socializmit…

Nuk kanë qenë të gjithë njësoj: ka pasur nga ata që kanë qenë deri në fund shumë dogmatikë, konservatorë e që nuk po kuptonin fare që duhet të ndryshonin, se ai sistem kishte marrë fund… Kështu ka ndodhur, kjo është e vërtetë, me këto çështje jam marrë gjatë në fund të viteve ’90…” Me kujdes i ndërhyra duke i thënë se vërtet me të gjitha vendet ish-socialiste, me udhëheqësit e tyre ka pasur kontakte dhe i ka thirrur në Moskë për ndryshimin… po me udhëheqjen shqiptare pse nuk ka pasur asnjë kontakt… Unë kam lexuar me shumë vëmendje librin tuaj me kujtime të vitit 1995. – “E paske lexuar, ambasador,… më vjen mirë, më vjen mirë se paske ndjekur nga afër të gjitha ato zhvillime deri në rënien e socializmit. Është voluminoz, por sigurisht kujtimet janë të vështira për t’u shkruar: çfarë do të shkruash, pse do të shkruash, çfarë ke për të thënë, çfarë mesazhesh do të japësh dhe në këtë tërësi duket sikur flet thjesht për jetën e punën tënde, por duhet kujdes që ato të jenë pjesë e natyrshme e asaj që do të thuash…”.

– Dhe vazhdova se “Librin e kam lexuar në vitin 1999, në Bonn dhe kanë kaluar tani 5 vjet, sa më kujtohet më ka bërë përshtypje… në 1200 faqe as edhe një fjalë për Shqipërinë, ndërkohë që keni shkruar, edhe me detaje jo vetëm për ish vendet socialiste, por edhe për Azinë, Kinën, Vietnamin, Korenë, Kilin, Argjentinën, Libanin, Kubën, Palestinën, Angolën e partitë e tyre. Keni folur, me sa kujtoj, edhe për lëvizjen komuniste në Greqi… Keni folur sidomos për udhëheqësit socialdemokratë gjermanë V. Brand, J. Rau dhe, zoti president, asnjë fjalë për udhëheqjen e PPSH…”. “E shikon, e paske lexuar vërtet me vëmendje, – m’u drejtua z. Gorbaçov,- është shumë e vërtetë që unë nuk kam shkruar për Shqipërinë dhe udhëheqjen e saj, qoftë edhe mbas vdekjes së Enver Hoxhës…

Kjo ka disa arsye: së pari Shqipëria kishte dalë nga kampi socialist dhe sidomos ishte shkëputur nga Moska që në vitin 1961… Por ishte shkëputur pak vite më vonë edhe nga Traktati i Varshavës… Nuk ishte më nën “orbitën” tonë… Ndiqte vijën e saj në ndërtimin e socializmit, me një vijë të veçantë dogmatike dhe izolacioniste. Udhëheqja e Shqipërisë ishte deri në fund staliniste dhe vepronte me prerje kokash ndaj kundërshtarëve të vet. Kjo nuk ndodhte në vendet socialiste të Europës, si te ju…

Nga ana tjetër, nuk mund të flitej për marrëdhënie partiake me udhëheqjen e Shqipërisë, kur midis nesh nuk kishte as marrëdhënie diplomatike… Asnjë vend i kampit socialist nuk i preu kurrë marrëdhëniet diplomatike me Bashkimin Sovjetik… Gjithashtu dua të shtoj se marrëdhëniet tona me ish-vendet socialiste, me njërin më shumë e me tjetrin më pak, ishin të mira edhe për arsyen se ato ishin anëtare të Traktatit të Varshavës dhe influenca jonë, të paktën deri në vitin ’87-’88, ishte e padiskutueshme…

Sado që vetë roli i Traktatit të Varshavës ishte dobësuar dhe unë, edhe për këtë kam shkruar gjatë, se e ardhmja e tij do të ishte shpërbërja… kështu edhe ndodhi… Shqipëria ishte larguar nga Traktati i Varshavës mbi dy dekada para rënies së murit të Berlinit… Unë duhet të pranoj, ndonëse në atë kohë nuk isha në udhëheqjen më të lartë të Partisë, se ai ishte një veprim i guximshëm i udhëheqjes shqiptare… Unë mendoj se ishte thjesht për arsye ideologjike…

Sepse ndryshe Shqipëria do t’i bashkohej Perëndimit… Dhe mbeti as me Lindjen, as me Perëndimin… U lidh me Kinën, por as kjo nuk zgjati shumë… Unë edhe mbas vdekjes së Enver Hoxhës, kur kisha vetëm një muaj, në mos gabohem, që isha zgjedhur sekretar i përgjithshëm, nuk pata, në asnjë nivel, marrëdhënie me udhëheqjen shqiptare… Ne u përpoqëm në disa raste për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por kjo u realizua vonë… Do t’ju them edhe diçka z. ambasador: Në vitin 1987, unë fola për kursin si të Partisë dhe të shtetit, për Gllasnostin dhe Perestojken …

Sigurisht, edhe më parë kisha hedhur disa ide për ndryshim… kishte rezistencë të fuqishme në Parti dhe në Dumë (Parlament)… Dhe në vazhdim të atyre që thashë më sipër, tek udhëheqja e Partisë në Shqipëri, edhe mbas vdekjes së Enver Hoxhës, nuk pamë ndonjë ndryshim kursi. Ajo ishte ndalur në ndonjë operacion kozmetik…

Por ndryshe nga udhëheqësit e Polonisë, Hungarisë e deri diku edhe ato të Çekosllovakisë, Honeckeri në RDGJ, Zhivkovi në Bullgari e Çaushesku në Rumani, kanë qenë deri në fund kundër Perestrojkës… Në këto rrethana, unë nuk kam pasur absolutisht asnjë kontakt me udhëheqjen e Partisë në Shqipëri… Kjo është historia z. ambasador, kjo është e vërteta. Një gjë duhet të them: populli sovjetik e ka dashur dhe e ka vlerësuar përherë popullin shqiptar… Uroj që Shqipëria të ecë me hapa të shpejtë drejt forcimit të demokracisë… Do të dëshiroja shumë të vizitoja një ditë Tiranën…”.

Pastaj, u kthyem përsëri, natyrshëm te dasma… Z. Gorbaçov do të thoshte se “unë nuk do ta harroj kurrë këtë dasmë kaq të bukur, të gëzuar dhe me një muzikë të mrekullueshme. Edhe ne rusët kemi dasma të bukura; rusët kanë një botë të madhe shpirtërore, por në dasma e teprojnë me pijet…”. U ndava me z. Gorbaçov, me ndjesinë dhe respektin se ishte ai që frymëzoi dhe nxiti ndryshimet në Lindjen komuniste, që frymëzoi rënien e Murit të Berlinit dhe që mbështeti pa asnjë rezervë ribashkimin gjerman… (Duke hedhur këto kujtime, shfletova dhe një herë librin me kujtime të Mihail Gorbaçovit që kisha lexuar vite më parë. Nuk kisha gabuar aspak se, në 1200 faqet e librit nuk kishte as edhe një fjalë për udhëheqjen e PPSH dhe kontaktet me të. Me këtë sy e rilexova, nga faqja 837 deri në faqen 1100 të librit, z. Gorbaçov flet për marrëdhëniet e tij me të gjithë udhëheqësit komunistë të vendeve të ish kampit socialist, apo me drejtues grupimesh e lëvizjesh legale dhe ilegale, deri në Azi, Afrikë, Amerikën Latine etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.