AKTUALITET

BIRN: Opozita kërkon hetim për lidhjet e Ramës me ish-zyrtarin e FBI-së nën akuzë

19:24 - 24.01.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përfaqësues të opozitës kërkuan të martën hetime në Shqipëri për përfshirjen e kryeministrit Edi Rama në komunikimet me një ish-zyrtar të lartë të FBI-së, i cili po hetohet në SHBA nën akuzën se ka përfituar shuma të mëdha parash nga një oligark rus dhe nga një shqiptar, si dhe ka përfituar udhëtime me shpenzime të mbuluara në Tiranë dhe vende të tjera në Ballkan.




Sipas hetimit që po zhvillohet në SHBA, Charles McGonigal rezulton se ka vizituar Tiranën në mënyrë të përsëritur, është takuar me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, me një politikan në Kosovë dhe dy politikanë në Bosnje, si dhe ka marrë së paku 225 mijë dollarë nga një shqiptar me vendbanim në Nju Xhersi, i cili i ka siguruar këto para dhe të tjera përmes një rrjeti kompanish.

Ish-kryeministri Sali Berisha i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK që të hetojë lidhjet e Ramës me këtë aferë dhe paralajmëroi kërkesën për hetim parlamentar për ato që ai i quajti “lidhjet obskure të Edi Ramës, Dorian Duçkës, Agron Nezës në këtë aferë të gjithanshme agjenturore, mafioze, të shumëllojshme”.

“Në një vend ku ka drejtësi, natyrisht krijohet një grup hetimor menjëherë  dhe vendosen lidhje të menjëhershme me vendet partnere për një hetim,” tha Berisha në një konferencë për mediat, duke akuzuar SPAK-un se i shërben partisë në pushtet nëse nuk hap hetimet për rastin.

Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta komentoi daljen e emrit të Ramës në akuzën për McGonigal, duke e cilësuar marrëdhënien e Ramës me SHBA-të të pasinqertë.

“Nga Bilali te Charles, skandal pas skandali tregon qartë se ky nuk ka qenë një raport vlerash por aferash nga Rama. Raport korrupsioni dhe instrumentalizimi i këtyre marrëdhënieve, me qëllim helmimin e miqësisë amerikano-shqiptare,”deklaroi Meta para mediave të martën.

Ndërsa deputeti Gazment Bardhi bëri të ditur se ai i është drejtuar zyrtarisht SPAK për të hetuar kryeministrin për korruptim të zyrtarëve të huaj.

“Korruptimi i një zyrtari amerikan të FBI për të sajuar rrethana të rreme për kundërshtarët politikë është jo vetëm krim, por akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Asnjë Kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista për të korruptuar zyrtarë amerikanë  të lidhur me Rusinë për të goditur kundërshtarët politikë,” tha Bardhi.

McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë. I pari referohet në aktakuzë si Personi A, një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë. Personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigal, mes të tjerash që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.

Vetë Rama i pyetur pak kohë më parë për lidhjen me McGonigal tha publikisht se e kishte mik.

I pyetur nga BIRN, zëdhënësi i Ramës, Endri Fuga deklaroi të martën se “akuzat për Charles McGonigal nuk kanë asnjë lidhje me takimet e zyrtarit të FBI në atë kohë me KM Rama, në Shqipëri apo SHBA.”/BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.