AKTUALITET

Futbollisti nga Korça që u bë ylli i volejbollit botëror, rrëfimi i Suxhos në “Panorama TV”: Më refuzuan grekët se isha shqiptar, kam qarë në Lojërat Olimpike

19:01 - 24.01.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Donald Suxho është një nga emrat më të shquar të sportit shqiptar pasi ka bërë karrierë si në nga volejbollistët më të spikatur në botë në fillimin e viteve 2000. Kulmin e karrierës ai e ka me përfaqësuesen e SHBA, teksa ka marrë pjesë me të në Lojërat Olimpike, duke fituar edhe turnetë Panamerikane apo World League.




Një karrierë të cilën Suxho e ka treguar me një intervistë speciale për ”Panorama TV”, gjatë emisionit “Panorama Sport”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores Vjosana Nozllaku, ai ka zbuluar etapat dhe disa momente speciale të jetës së tij.

“Suxho është një djalë i lindur në Korçë me një ëndërr të vogël, që të bëhej volejbollisti më i mirë në botë. Ia arritëm ato gjëra me punë. U rrita në vitet ‘70-‘80, jam rritur me volejbollin korçar, me babain si trajner te Skënderbeu. Në vitin 1995 ikëm në Amerikë për një jetë më të mirë dhe aty ndryshoi jeta shumë.

Babai ndikoi te të gjitha, pasi unë kam luajtur futboll në fillim. Babai ishte trajneri i Skënderbeut për femra dhe meshkuj. Në moshën 12 vjeç më kaloi nga futbolli në volejboll. E kam kaluar jetën në palestër. Ishte një vendim shumë, shumë i vështirë për mua që të ndërroja futbollin me volejbollin se luanim shumë, çdo ditë te lagja me çunat dhe të ndryshosh sport… Por babai më tha arsyen që isha i shpejtë dhe u zgjata shumë dhe më tha që do të kisha sukses.

Kur u hap Shqipëria, sporti ishte më mirë para vitit 1991. Kishte shumë ekipe, kishte investime e kushte më të mira. Por më pas ndodhi lufta e shumë gjëra të tjera.

Si është pallati i sportit “Asllan Rusi” në krahasim me atëherë? Këtu kemi luajtur ndeshje fantastike me Skënderbeun, Partizanin e Dinamon. Ka ndryshuar shumë pak. Unë kam dëshirë që qeveria e sektori privat të investojnë për sportin. Atëherë kishte ngrohje, tani nuk ka. Nuk ka akoma dushe të ngrohta, dhe më vjen keq se të gjithë këta të rinj bëjnë çdo ditë sport dhe nuk është eksperiencë e mirë për sportin. Shpresoj të investohet nga shteti dhe federata për të rritur sportin shqiptar.

Para se të ikja në Amerikë, në vitin 1994 kemi qenë në kamp në Greqi, kemi qenë 10 çuna. Ikëm në mal, 15 orë në këmbë, për të shkuar në Selanik, për të bërë provë për të luajtur volejboll. Atëherë nuk kishim marrëdhënie të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë. Bëmë stërvitje dy orë dhe na çuan në shtëpi menjëherë. Ajo ka ndikuar 100% se më erdhi shumë inat se nuk panë vlerën time si sportist, por më panë si shqiptar dhe unë isha çun i ri, nuk kisha asnjë mendim kundër grekëve, për mua ishte sport. Shkova të bëja sport dhe me hoqën si shqiptar.

Në 2004 kemi luajtur në Lojërat Olimpike në çerekfinale me SHBA ndaj grekëve në Athinë. Ai trajneri që më ktheu në 1994 mua, erdhi dhe më tha “Ti je Donaldi që ka qenë atëherë?”. “Po”, i thashë, “shumë faleminderit se më ke dhënë inat dhe shpresa që të bëhem lojtari më i mirë në botë”.

Jeta në Amerikë? Ishte shumë e vështirë në fillim, nuk dinim gjuhën mirë, dinim anglishten shumë pak. Atëherë nuk kishim televizor, internet, që të dinim si është Amerika, si ndjehen atje. Kemi vajtur në mes të borës në Boston dhe që pas një jave ishim të gjithë në punë, 100 punë në ditë, e gjithë familja. Viti i parë ishte shumë i vështirë, vetëm punë natë e ditë, nuk luaja. U mërzita e thashë po kthehem në Shqipëri, por aty ndryshuan gjërat se kërkuam ndihmë nga kisha, nga shkollat në Amerikë dhe pata një shans të shkoja në stërvitje, të prekja topin dhe nga aty e pashë ëndrrën amerikane që realizohej.

Në Amerikë nuk e dinin kush është Shqipëria, e ngatërronin me Albani apo Armeninë. Por janë shumë punëtorë dhe unë çdo ditë që shkoja në stërvitje, vetëm ulja kokën, bëja punë, pa qarë e qeshur. Këtë e vlerësuan shumë dhe më dhanë një shans.

Si ishin Lojërat Olimpike? Lojërat Olimpike ishin duke qarë, sidomos në Athinë. Kurrë nuk e kisha menduar, ne as nuk e mendonim të shkonim në Amerikë dhe të shkosh 10 vite më vonë në Lojërat Olimpike e të jesh aty me emra të mëdhenj si Brajant e Xhejms… Dhe në Greqi, në vendin që 10 vite më parë ika në këmbë në mal… Kam qarë gjatë gjithë ceremonisë së hapjes. Ka qenë një eksperiencë fantastike se janë më të mirët në botë, për atë kompeticion bëjmë punë si sportist.

Mesazhi për shtetin shqiptar? Investoni, investoni për të rinjtë e Shqipërisë se e ardhmja e çdo shteti në botë është rinia dhe sporti. Mbledh njerëzit bashkë, i heq nga rrugët, i ve këtu. Unë kam dëshirë që qeveria dhe institucionet të investojnë më shumë”, tha ndër të tjera Suxho në intervistën e tij.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.