DOSSIER

“Ju tregoj agjentët e Sigurimit që më arrestuan në Elbasan dhe hetuesit e gardianët e burgjeve, që më torturuan në qeli, në Spaç e Zejmen, si…”/ Dëshmia e rrallë e Muhamet Pojanit

17:32 - 28.01.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Memorie.al / Muhamet Pojani, ish-i burgosur politik, na sjell një dëshmi të gjallë nga Burgu i Spaçit, një nga kampet e punës së detyruar nga më ç’njerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Të burgosurit politik kanë përjetuar torturat më të tmerrshme mbi kurriz dhe punën më të rëndë fizike në minierë. Mbijetesa ishte i vetmi lajtmotiv në këtë burg. Muhameti, u burgos bashkë me dy vëllezërit e tij dhe duke përjetuar një kalvar vuajtjesh në burgje dhe kampe pune, deri në vitin ’91. “Ai që e ka provuar, e di çfarë do të thotë të punosh në minierat e Spaçit, me komunistët mbi kurriz. Njerëzit më injorantë, policë që rrinin gjithë ditën dhe fërkonin duart.  Thoshin: – “E njoh për trim atë që nuk bën normën”. Të godisnin me bishtin e kazmës, nuk donin t’ia dinin fare ku të gjuanin.  Kjo ishte parulla e tyre: “Ose normën ose shpirtin”, llaf tjetër s’kishte. E kështu, arritëm deri në këtë pikë…! Me vëllain, shkoja punoja unë nëpër galeri. E ndihmoja nga burgu në burg. I çoja 5 lekë, aq sa merrja”, dëshmon ndër të tjera Muhamet Pojani, në këtë intervistë të tij, e marrë nga arkiva e familjes Doko.




Z. Muhamet, ku keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Unë kam lindur në 21 qershor 1951 në qytetin e Korçës. Familja ime vjen me një traditë të shquar patriotike, punëtorë, të ndershëm, njerëz që donin lirinë dhe nuk donin dhunën. Vlerat e komunizmit i përbuznin, nuk i shikonin dot me sy, nuk kishin asgjë të përbashkët me ta. Megjithatë, siç dihen këto punë, prej 50 viteve e këtej, na ndoqi ky kalvar pa pushim. Prindërit e mi i morën, i hoqën nga rrethi i Korçës.

Ku të gjenin vrimë e të futeshin, punonin nëpër gurore, nëpër tymra. Si mos më keq. Duke menduar çdo ditë, se po e arrestojnë sot, se po e arrestojnë nesër. S’kishe besim te kjo punë. Mamaja ime kishte tre vëllezër nëpër burgje, në periudhën e 1945-46. Përfundimisht, njërin e vrasin pa gjyq. Njërin prej tyre e vrasin me gjyq dhe tjetrin e dënuan në burgun e Burrelit, ndenji 5-6 vjet dhe vdiq atje.

Ne ishim nga 10 vjeç, nga 7 vjeç, qante hallin me ne nëna sikur na kishte shokë. “Kështu ma kanë bërë, kështu ma kanë bërë” – thoshte nëna, dhe ne vetvetiu pastaj, morëm një urrejtje për atë regjim, sa nuk i shikonim dot me sy komunistët. Jo se po bënim ndonjë gjë, po gojën se ndaluam asnjëherë, dhe çfarë donin të bënin, na bënë. 

Pse u arrestuat ju?

Babai punonte në këto furrat e gëlqereve, me sforco me lodhje të madhe arriti sa u bëmë ne në një moshë 17–18-vjeçare, pastaj na rrëmbyen këta (sigurimi i shtetit), merr njërin, merr tjetrin. 40 vjet burg kemi bërë ne si vëllezër. Arrestuan djalin e madh, e dënuan me 9 vjet fillimisht. E çuan në Spaç, atje e dënuan përsëri në revoltën e Spaçit dhe bëri 25 vjet burg.

E lanë 4 vjet në burgun e Burrelit, pastaj prapë e dënuan me 10 vjet të tjera. Me gjithë këto vite s’di se ku do i çonin. Më 21 qershor të vitit ’80-të, më arrestojnë mua, ditën e ditëlindjes time. Pas 9 muajve, më dënojmë me 7 vjet burg dhe 5 vjet internim. Nga kjo periudhë, bëj 2-3 vjet burg në Spaç. Nga Spaçi, më dënojnë në Zejmen të Lezhës, duke më dënuar edhe njëherë tjetër me 11 vjet burg.

Cila ishte aktakuza dhe ku e vuajttë dënimin?

Akzua ndaj meje, ishte: “Agjitacion e propagandë” dhe “Ke bërë thirrje të burgosurve për revoltë”. Më marrin atje, më dhunojnë për vdekje, rrihem nga 40 burra me dru, për një orë pa pushim. Pas një ore, me tre-katër seanca, vinin doktorët, më thoshin: Ngrije beben e syrit, edhe ma bënin me një copë tel: “A do lëvizi bebja e syrit? Aaa, i punuaka instinkti?- thoshin dhe vazhdonin prapë. Katër herë kështu, më bën pleh.

Më dënuan edhe 11 vjet të tjera, në birucat e Lezhës. Kështu që, nuk kishim asnjë shpresë, asnjë gjë se mund të dilja gjallë që andej. Kur erdhën familjarët dhe më panë atje, nuk panë fëmijën e tyre, po panë 50 kile njeri, një i vdekur. I lidhja pantallonat deri lartë me kopse, se pa rripa pa gjë. Më kishin nxirë komplet. Burg pas burgu, shkova në Spaç prapë. Punë të vështira në ato galeri. Ai që e ka provuar, e di çfarë do të thotë të punosh në minierat e Spaçit, me drejtuesit komunistë oficerë e policë mbi kurriz.

Njerëzit më injorantë, policë që rrinin gjithë ditën dhe fërkonin duart. Thoshin: – “E njoh për trim atë që nuk bën normën”. Të godisnin me bishtin e kazmës, nuk donin t’ia dinin fare ku të gjuanin. Kjo ishte parulla e tyre: “Ose normën ose shpirtin”, llaf tjetër s’kishte. E kështu, arritëm deri në këtë pikë…!

Me vëllain, shkoja punoja unë nëpër galeri. E ndihmoja nga burgu në burg. I çoja ato 5 lekë që merrja, ia çoja atij. Merrja këtej matanë nga internimi, se s’kisha ça të bëja, u shkatërrua fare shtëpia, s’kishim shtëpi. Këtë shtëpinë që kishim, e dhanë me qira, nuk e di sa lekë, se thanë këta janë të vdekur, kush do vijë më aty. Herë ua jepnin ato barakat, herë s’ua jepnin, nuk ishte problem.

Cili ka qenë hetuesi yt?

Hetuesi im ka qenë Viktor Martini.

Kur je arrestuar dhe ku të dërguan në fillim?

Unë u arrestova më 21 qershor të ’80-ës, më marrin te kinemaja “Vullnetari”, duke ardhur nga puna, se punoja te Fabrika e Tullave te dyshi q i thoshin. Kishin lënë një agjent edhe i kishin thënë: Fute në lokal që gjoja do pish një birrë dhe atje e marrim, mos ta marrim nga rruga. Hyra atje unë edhe m’u turr një Ndue Dema dhe disa agjentë të këtyre, nja pesë a gjashtë. Mark Pezhani, ka qenë një polic.

M’u hodhën si ato shqiponjat në kurriz. “Je i arrestuar” – më futën brenda. Kur shkova në burg, më thanë: “E gjete vendin armik? Ne kështu e kemi tani, vjen vetë lepuri në qerre”. Po mirë i thashë unë, çfarë ju kam bërë unë për armiqësi. Kë shemba, kë vrava, kujt i hodha dinamit, kë pushkatova unë që qenkam armik? “E dimë ne, çfarë ke thënë”. Po pse me gojën time do merresh ti?

Për këtë punë luftuake ti, se çfarë kam thënë unë, se kam thënë unë një fjalë. Edhe unë, po ju them një fjalë që ta dish mirë ti (qafsha fëmijët, kështu i kam thënë): Bëj çdo lloj hetuesie, kërko çfarë të duash nga unë, meqë më more këtu, unë dy fjalë do të them që t’i dish që tani…! ‘As ju kam dashur, as nuk kam për t’ju dashur kurrë’. Dëgjoje mirë këtë fjalë: ‘As ju kam dashur, as nuk kam për t’ju dashur kurrë’. Merre shpirtin tim kur të duash dhe harroi ato hetuesitë e qelbura që bëni ju.

“Mirë se këtu do jemi, sa kanë thënë kështu si puna jote”, ma ktheu ai. Filluan pastaj pas 9 muajve, vinin përditë, vinin dy muaj, pastaj iknin përsëri. Para dy muajsh, kur isha futur brenda, s’dinin çfarë po bënin, se kështu të linin vetë ata. Vijnë natën nja 4-5 burra, ora 2 e natës ndoshta, nuk e di sa ishte ora, edhe më thanë:

“Ne tani po vijmë nga turizmi, hëngrëm nga një pulë, pimë ca birra edhe erdhëm të bisedojmë pak me ty”. Në një kohë që unë kisha dy muaj që s’isha ngopur me bukë të thatë asnjëherë, me bukë thatë, asnjë gjë tjetër.

“Erdhëm të bisedojmë pak me ty”, më thotë ai. Po mirë, i thashë unë, meqë paskeni ngrënë pula, se ju kështu i quani gjithë natën, birra dhe pula këtë quani. Edhe unë po them: Mirë bëre që erdhe. Ta kam thënë një fjalë tani që erdhe të bisedoje me mua: Po ishte për punë ndjenje, unë nuk ju kam dashur e nuk do ju dua kurrë, biseda të tjera nxirrni. “Me kë ke llafosur”? më pyesnin. Me të gjithë kam bërë muhabet. Me kë kam dashur, kam folur.

“Po kush janë ata”? Atë nuk e mëson kurrë. Bëj ç’të duash me mua, ja ku më ke këtu. “Përfundimisht, ti qen bir qeni, ti do koburen”, më thanë ata gjithë egërsi. Erdhën dhe dy herë te tjera, më futën një, Shkëlqim Lubonja, një hetues tjetër nga Kolonja ishte ai. Iku ky si shef hetuesie, edhe solli atë si hetues. Ky kishte dhe një lidhje me këta të fisit tonë.

Më tha mua: “Do dënohesh”. E di, i thashë unë, që do dënohem, po pse erdhe këtu? Ka burrë që më liron mua nga këtu? Më nxjerrin në gjyq. Kam pasur unë provokime sa të duash, nxirr letra me gjak nga hetuesia, lajmëro shtëpinë për ndonjë llaf, për ndonjë gjë. Më kontrollonin ata spiunët e birucave, dhunohesha lidhur, zgjidhur.

I di shpirti im çfarë kam kaluar gjatë asaj periudhe. Megjithatë, ça të tregosh…! Mua më duket kur tregoj këto, sikur u bëj qejfin atyre që i dëgjojnë. Ai që i dëgjon nga këta, i bëhet qejfi se, janë aq të poshtër, sa nuk ngopen me ne, as me një gjë. Këtu i ke, nëpër këmbë të gjithë.

A jetojnë sot hetuesit dhe torturuesit e tu?

Po, janë avokatër, janë nëpër punëra, janë në shtet prapë, punojnë në shtet pa problem. Ndërsa ne askund. Unë kam një këtu nga Spaçi, e kam të njohur, e ke dhe këtu nëpër këmbë. Rifat Shkëmbi, ka qenë Shef Shtabi i repartit të atij burgu, që bënte sikur bënte dardha boksi me të burgosurit. Ai është në bashki, punon pa asnjë lloj problemi.

Është njeri i madh, ka roje, se çfarë bën se di, po e di që është vërdallë. Këtyre nuk i thotë gjë njeri. Këta janë përkrahur nga shteti, se ai nuk futet në punë. Ne nuk themi ta vrasësh, ta presësh, po lëre në rrugë të paktën. Lërë të punojë murator, të bëjë ça të dojë. Këta nuk pyesin, i japin poste, i japin vend.

Kjo është më e keqja në këtë vend. Viktor Martini rri avokat, nga hetues që ka qenë që shante: Armiku, armiku, tani del dhe mbron armiqtë, mbron hajdutët, është avokat, do para. Edhe të gjithë ata janë tani avokatë, të gjithë ata që kanë qenë hetues. Çfarë sheh ti nga këto avokatët, shumica kanë qenë hetues.

A vinin familjarët tuaj t’ju shihnin në burg?

Ata janë tërhequr zvarrë nëpër “Skoda”, nëpër automjete transporti piriti, bakri, hip e zbrit. Edhe kur hapnin dyqanet të blinin, nuk i shihnin dot të blinin me lekët e veta. Nuk ia jepnin gjënë që ta blinte. Tërë natën përjashta, nuk i thoshin që ka një kasolle jashtë…!? Llogarite çfarë i ftohti bën në Spaç, në ato male.

Megjithatë, sakrifikonin bukën e vet, pensionin, çfarë merrnin, ato pak lekë. Ata e dinin se si i mblidhnin, edhe vinin atje. Kur vinin atje, me lot vinin, me lot iknin. Shikonin vitet tona, se vitet iknin. Se njeriu kur shkon 25 vjeç, 30 vjeç, 45 vjeç, se sa është jeta, 100 vjet është jeta?!

Çfarë do bëjnë këta njerëz? Nëna këtë mendon, t’i rregullojë fëmijët… Thoshte: Ishalla vjen këtë vit, ishalla vjen këtë vit, por ti asnjë vit nuk vije, nuk dilje nga burgu. Derisa thyen qafën ata, dhe ndodhi ajo që ndodhi.

Edhe vëllai juaj i vogël ka qenë në burg?

Edhe ai ka qenë në burg. Atë e akuzuan se do merrte armë në Degë të Krastës, edhe atë e futën në burg, e mbajtën dy vjet, se erdhi fundi.

Si e përjetuat ardhjen e demokracisë?

Për ne ishte një gjë shumë e madhe. Unë isha në Sarandë, në Shën-Vasil. Isha strehuar atje, kisha nja 3 vjet që rrija atje. Na kishin shkëputur nga malet e këtej, se minierat nuk e di çfarë erërash ju vinte atyre, edhe na bllokuan në kampe të tjera. Isha në Qafë Bari, pastaj më çuan në Sarandë, pas ri dënimit që mora.

Ika atje, edhe kisha 3 vjet që rrija atje. Oficerët ishin më të butë, dinin të komunikonin. Policët ishin më të mirë, gati aty-aty po bëheshin grup, bënin biseda me ne. Kur erdhi ’90-ta, për ne ishte një gjë shumë e madhe. Nuk është pak të presësh me vite të tëra, gati 50 vjet, të ndryshojë një kuçedër, që t’i presësh kokën kuçedrës, edhe mos e quash gjë. Unë kur kam dalë, unë e kam në kujtesë akoma.

Atë ditë dola, aty ka qenë një çezmë afër një dyqani, ne ishim nja 80 veta në autobus. Në 10 janar të ’91-it, u turrën të gjithë ata çunat që ishin të gjithë te klubi, ça do pimë, siç janë këto kënaqësitë e momentit. Unë nuk e di se çfarë më tha Zoti, po kisha nja 2-3 mijë lekët që i kisha kursyer. Duke ndenjur, turma më thoshin: Hajde pimë një kafe, hajde pimë një gotë raki.

Unë me vete: Po ça rakie, ku do shkojmë tani o qyqër që nuk kemi asnjë gjë, burra 37-38 vjeç, as zanat, as punë, as shkollë, as shtëpi, s’kishim asgjë. Unë kisha vetëm nënën, ajo rrinte e sëmurë, i thoshte motra hajde tek unë, thoshte nuk e mbyll shtëpinë, unë kam tre çuna, se ne ishim të tre në burg.

Po shikoja kështu, edhe më dolën lot, kot vetë. Ata më thoshin: “Ça ke, ça ke”? I thashë nga shpirti: o Zot ma merr shpirtin, vetëm fukara mos më lër. Kur erdha këtu pa drita, një vend i zymtë, sikur kishte rënë predhat e botës, s’po gjeja dot shtëpinë time.

Pas sa vitesh burgu po ktheheshe në shtëpi?

Pas 11 vitesh, gjej mamanë aty shtrirë, sëmurë, ishte bërë pelinë. Kishte marrë fuqi 5-6 orë para se të vija unë. Ishte ëndrra më e madhe, ama gëzimet janë shumë të shkurtra. Njeriu vuan shumë, po gëzimet i ka shumë të shkurtra. Kur e shikon kështu, sikur e mbledh mendjen dhe nuk të duket gjë… por është një çmenduri e madhe të vish mbas gjithë atyre viteve, pa e ditur dhe duke pasur gjithë ato vite për të bërë akoma.

Se mos të ndodhte kjo që ra ai sistem komunist i ndyrë, s’do dilnim kurrë ne. Filluam punët tona, gjithë sekush mendonte të bënte ndonjë gjë, se ne nuk kishim asgjë në shtëpi, as gra nuk kishim. Iu hymë atyre punëve. Zoti na i pruri mbarë, iu futëm punëve tona, punuam. Kemi arritur tani, t’i themi Zotit shyqyr që na le gjallë dhe shëndoshë. Shyqyr që hoqëm atë qelbësirë vend. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.