OPINION

Lamtumirë fashë?

09:40 - 30.01.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kriza energjitike na u shfaq kërcënueshëm një vit e katër muaj më parë, në fund të shtatorit 2021. Erdhi me tre kuaj të Apokalipsit: me çmimet e rritura katër herë në bursat ndërkombëtare(nga 78 euro për megavat-orë në 330 euro), me një verë tejet të stërzgjatur dhe të nxehtë nga ngrohja globale, si dhe me një klimë pa rreshje për tetë muaj rrjesht(prill-tetor). Kryeministri shpalli gjendjen e jashtëzakonshme energjitike më 3 tetor 2021. U ndërprenë investimet themelore në sistem, në mënyrë që të gjitha fondet e mundshme të shkonin për të siguruar me çdo çmim energji nga importi. Pa e kuptuar rrezikun, shumë syresh nga ne thanë:”Ç’pati ky?! Po e bën për shou?”. Në fakt, vendet e tjera të rajonit, që nuk reaguan menjëherë me masa të forta në buxhet dhe në kapacitetet e tyre prodhuese dhe importuese, u gjendën në vështirësi të medha. Kosova pësoi ndërprerje të gjata disa orëshe të energjisë. Çmimet e larta rekord në bursat ndërkombëtare për energjinë elektrike, vijuan gjatë gjithë periudhës tetor 2021-janar 2022. Me mbi 180 milionë euro(20 miliardë lekë) të dhëna nga qeveria për të blerë energji në periudhën tetor-dhjetor 2021, arritëm të mos kemi kufizime të energjisë, por edhe të mos e rrisim çmimin fundor për qytetarët dhe biznesin e vogël, i cili ngeli me kokëfortësi 9.5 lekë për kilovat-orë. Pas 24 shkurtit 2022, me nisjen e luftës në Ukrainë, pas invazionit ushtarak të Putin, për shkak të përdorimit të kufizimeve deri në zerim të furnizimit me gaz natyror të Rusisë për Bashkimin Evropian, si armë për ta bërë të mos mbështeste Ukrainën, çmimet e energjisë elektrike u çmendën krejt. Më 18 mars 2022, çmimi mesatar ditor i një megavat-ore në bursën e Budapestit arriti në 386 euro, më 11 qershor 432 euro, ndërsa më 8 gusht 1 mijë e 44 euro! Çmimeve të çmendura iu shtuan edhe dy kuajt e tjerë të Apokalipsit, moti i zgjatur i nxehtë(praktikisht verë pesëmujore maj-shtator 2022) dhe një vit hidrik tejet i thatë. Në fund të shtatorit 2022, qeveria deklaroi planet për të vendosur fashën e energjisë në tetor, me çmimin e rritur mbi 5 herë përtej nivelit 800 kilovat-orë në muaj(fasha). Për fat, koha na ndihmoi dhe mbajti e ngrohtë, si dhe qytetarët nisën ta kursenin energjinë dhe të mos e shpërdoronin aq sa më parë(tek ne mbi një e pesta e energjisë shpërdorohet, si në shtëpitë tona, dhe në institucionet shtetërore). Duke shkelur mbi pavarësinë formale të një institucioni si Enti Rregullator i Energjisë, qeveria iu rikthye vendimit të saj dhe nuk e vendosi fashën. Ndërkohë, mori me qera dy termocentrale lundruese(baxho), të cilat, po të viheshin në punë, na siguronin 114 megavat-orë prodhim, ose sa 15 përqind të nevojave që kemi, ose sa të katër hidrocentralet e vegjël shtetërore të Ulzës, Shkopetit, Bitricës 1 dhe Bistricës 2, që më 13 qershor, një qeveri në ikje ia shiti një kompanie private, duke kryer një krim ekonomik për fatet e furnizimit me energji të mbarë vendit për gati dhjetë vjet! Rikthimi i rreshjeve të dendura në gjysëm të nëndorit 2022, i shoqëruar, për fat të keq me përmbytje në Shkodër dhe Lezhë, risolli shpresën se dimri 2022-2023 mund të kalohej pa fashë. Shirat, si dhe menaxhimi me nikoqirllëk i tre hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit(nga shitjet-krim ekonomik të qershorit 2013, na kanë ngelur shtetërore vetëm tre hidrocentralet mbi lumin Drin, Vau i Dejës, Komani dhe Fierza), e përmirësuan gjendjen. Kjo, pasi të tre hidrocentralet shtetërore japin 79 përqind të prodhimit tonë si vend, sidomos për shkak të madhësisë së liqenit te Fierzës prej 7 mijë hektarësh dhe me kapacitet 3.2 miliardë m3 ujë. Ky liqen përbën hambarin energjitik të Shqipërisë. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare vendosi të mbushë Fierzën me ujë me çdo çmim, duke importuar energji, edhe në fillim të rreshjeve të dëndura të nëndorit, më 17 nëndor. Jo pak prej nesh e quajtën veprimin si një absurditet dhe plot me hije për abuzim e korrupsion, por në fakt ishte vendimi i duhur. Në fillim të janarit 2023, Shqipëria kishte gjendjen e rezervës hidrike(sasia e ujit në liqenin e Fierzës kryesisht, e aftë të sigurojë prodhim vendas) 49 përqind më shumë se 1 janari 2022, ose rezerva energjitike më e madhe e 20 viteve të fundit për nisjen e një viti. Me mbushjen e Fierzës dhe me të dy muajt, nëndor e dhjetor 2022, të cilët kaluan me temperatura të moderuara(në Ultësirën Perëndimore, temperatura më e ulët nuk zbriti kurrë nën zero), vendi rifilloi prodhimin e energjisë me kapacitet të plotë dhe konsumi ishte më i ulur se kurrë më parë në këtë periudhë, pasi nuk u detyruam të përdornim energji elektrike për t’u ngrohur! Të tre hidrocentralet tona shtetërore të Drinit, po prodhojnë energji elektrike pa rreshtur që pas datës 18 nëndor 2022, jo vetëm për të furnizuar vendin, por edhe për eksport. Korporata Elektro-Energjetike fitoi 12 milionë euro nga shitja e energjisë vetëm për këtë muaj, janarin 2023. Reshjet e datave 18-20 janar 2023, edhe pse, për fat të keq, sërisht përmbytën Shkodrën dhe Lezhën, sollën nivelin e Liqenit të Fierzës në kuotën maksimale të tij. Ja përse, me siguri shumë të lartë, edhe pse do të jemi të detyruar të importojmë gjatë kësaj vere, me të ardhurat nga shitjet dhe me 80 milionë eurot dhuratë të Bashkimit Europian për emergjencën energjitike, mund t’i themi “lamtumirë!” vendosjes së fashë së energjisë për 11 muajt e mbetur të këtij viti.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.