DOSSIER

“Luajta 20 vjet dhe përfitova vetëm një banesë dhomë e kuzhinë e një frigorifer ‘Obodin’, pas presioneve se…”/ Historia e legjendës së futbollit beratas

08:07 - 31.01.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Uvil Zajmi




Historia e jetimit që u bë yll në vitet ‘70’ – ’80-të dhe shënonte sa herë ishte i sëmurë. Bomberi që Loro Boriçi nuk e donte në kombëtare sepse, ishte i shkurtër. “Kovaçi gol”, një libër unik nga Vlash Pambuku për goleadorin, legjendën që i shënoi 43 portierëve gjatë karrierës së tij. I gjithë qyteti, nga të vegjëlit në kopshte, nxënësit në shkolla, ndërmarrjet, të rritur, gra e burra, jetonin me golat e tij. Nga fëmijëria jetim, pastaj familja, sëmundjet, momentet dhe golat spektakolarë, përballjet në derbi me “Naftëtarin”, një karrierë e konvertuar në një banesë dhomë e guzhinë si dhe një frigorifer “Obodin”, të vetmet që mori në 20-të vite karriere si futbollist. Kryente shërbimin ushtarak me detyrë ndërlidhës, kur u shpall goleadori më i mirë shqiptar. Çfarë bën sot ish-mekaniku i Ujësjellësit, njeriu simbol i Beratit, “Pantera” e “Tomorrit”, goditja e të cilit ka ndëshkuar çdo skuadër?

Një histori e rrallë e futbollistit që, nuk luajti asnjëherë me përfaqësuesen e Shqipërisë…?!

Trokitje në mesnatë në shtëpinë e tij…!

Drejtori Kinemasë së qytetit të Beratit shkon me automjetin e Kino-Kinemasë, në fshatin Mbrakull, për të shfaqur një film për fshatarët. Në darkë, pasi ka përfunduar shfaqja dhe janë ulur duke pirë, dikush i thotë se; Kovaçi ka dy ditë që nuk ka dalë në stërvitje dhe nuk luan të dielën ndaj “Partizanit”. Kaq ka mjaftuar që, drejtori Jani Semani, të braktisë darkën dhe në mesnatë ka trokitur në derën e shtëpisë së Kovaçit. E shqetësuar, i ka dalë Bukuroshja, gruaja e tij: “Pse keni ardhur në këtë orë”? “Kovaçi ku është”? ka pyetur Jani. Ai e dëgjoi bisedën dhe doli menjëherë: “Pse nuk ka dalë në stërvitje, këmbën si e ke”? “Mirë e kam i përgjigjet Rimi, por varet nga trajner nëse luaj apo jo”. “Cili trajner shprehet Jani, trajner jemi ne” dhe u larguan duke kënduar nga entuziazmi që Kovaçi do të luante.

Mit edhe për të vegjlit!

“Jam në studion time dhe po përgatisim materialin për Lojërat Popullore, dhe për të ndjekur punën, kam ftuar edhe një grup me fëmijë nga kopshti 10 korriku. Papritmas dikush me njofton se ka ardhur Kovaçi e kërkon t’ju takojë. Fute brenda e them, dhe sapo ai duket në derë, të gjithë fëmijët ngrihen në këmbë për ta nderuar duke bërtitur: “Kovaçi, Kovaçi”. Ishte një moment rrëqethës, shumë emocionues. Edukatorja e habitur mbushi sytë me lot. Edhe për fëmijët fama e tij ishte e madhe”, – tregon Vlash Pambuku, publicisti dhe fotografi i njohur i qytetit. Analiza, që u ndërpre pa filluar. Në Berat, me “Lokomotivën” do të luhet një ndeshje tejet e vështirë. Paradite në 10.30, është programuar të zhvillohet analiza, në mjediset e stadiumit të vjetër, që ishte plot me tifozë edhe pse ndeshja fillonte në mesditë në orën 16.00.  Ndërsa trajneri morri shkumësin për të formuluar taktikën në një dërrasë të zezë, Kovaçi i thotë: “Profesor çfarë analize do bësh, kur gjysma e stadiumit është e mbushur? Analizën do të bëjmë vetë ne lojtarët në fushë”. Pasi e dëgjoi, kuptoi mesazhin, Guxim Mukli uli dorën, la shkumësin, ndërpreu analizën dhe bëri më shenjë që lojtarët janë të lirë, për të vazhduar shëtitjen në bulevard, sa të vinte ora e drekës.

Fama në Rumani edhe pasi e ka lënë futbollin!

Kupa Ballkanike, edicioni 1991-‘92, ndeshja e parë në Berat, në të parin përfaqësim të “Tomorit” në këtë trofe, por Kovaçi nuk luan se është dëmtuar, sidoqoftë një fitore 2-0 ndaj ekipit rumun “Otolul Galati”. Ndeshja e kthimit në Rumani, 4-0 për vendasit, Në darkën zyrtare, një ditë para ndeshjes, drejtuesi i klubit vendas në fjalën e rastit, shprehet: “Ishim në Berat dhe pamë një qytet të bukur dhe një tifozeri të zjarrtë që ne në Rumani nuk e kemi. Megjithatë, takimin nesër do e fitojmë ne, pasi këtu ju mungon tifozeria dhe nuk keni Kovaçin”. Ata nuk e dinin se pas atij dëmtimi, kishte disa muaj që ai e kishte lënë futbollin, por fama dhe emri që kishe lënë mbrapa kishte mbërritur deri në Rumani.

Edhe i sëmurë shënonte…!

Në Berat, vjen “Labinoti” me plot pretendime, ndonëse me frikën e një disfate që vetëm Kovaçi mund t’ja shkaktonte dhe e gjithë strategjia taktike nga elbasanasit, ishte ndërtuar për një “izolim” të tij që ai të mos shënonte. Ndërkohë, i gjithë populli e dinte të sëmurë dhe mjekët i kishin bërë kartelën për ta shtruar në spitalin e qytetit. Pjesa e parë në një terren të rënduar me shi e baltë, 0-2 për “Labinotin”. Kovaçi kishte zënë një kënd aty dhe ndiqte lojën që zhvillohej në stadiumin e vjetër, ndërkohë që tifozeria nis të bërtiste dhe në kor, kërkonin aktivizimin e tij. Trajneri, Sajmi Dauti, bashkë me mjekun, i drejtohen spektatorëve, duke u thënë se: “Ju e dini që ai është i sëmurë dhe nuk mund të luajë”? Por, dëshira, tensioni i krijuar në shkallë e detyrojnë të zhvishet. Merr një fanellë të bardhë por pa numër dhe kërkon të futet në lojë. Sapo ka hyrë, populli i ngrit në këmbë, por arbitri ka konstatuar se nuk ka numër, dhe e ka ndërprerë ndeshjen. Me shpejtësi drejtuesit e skuadrës, kanë vrapuar në dhomën e zhveshjes, kanë marrë një qymyr nga soba e ndezur dhe kanë shënuar në fanellën e tij, numrin 10. Loja vazhdoi dhe Kovaçi realizoi dy gola spektakolar, dhe barazim 2-2 në fund të 90-të minutave, pas të cilave populli u fut në fushë, ndërsa mjeku nuk harroi ta kujtonte: “Kovaç nesër në spital”!.

Tomori i goleadorve

Sa qytete me traditë futbollistike në Shqipëri, do ta kishin zili listën e goleadorëve beratas, një detaj i rëndësishëm edhe për historinë e kampionateve kombëtare të Kategorisë së Parë, madje auto etnike. Nuk janë pak: I pari është Rim Kovaçi, shënuesi më i mire i sezonit 1979-‘80 me 18 gola. Pas tij, në kampionatin 1986-’87, në krye renditet Arben Arbëri me 14 gola. Për të vijuar në edicionin 1990-‘91, kur shënuesi më i mire i kampionatit’ është i shquari Kliton Bozgo, me 29 gola. Në sezonin 1999-2000, në krye sërish një “gjak beratas”, goleador: Klodian Arbëri me 18 gola. Pa harruar Ahmet Qoljen, njeriun e golit historik 1-0, kur luante me “Partizanin” ndaj “17 Nëntorit”, që njihet si dita kur u “shemb stadiumi””. Apo Bardh Buzin, dentistin e njohur, më pas dinamovit. Me to edhe Nevruz Hodon, titullar i “Partizanit” të viteve ‘60-të. Nga ai Klub kanë dale dhe kanë qenë protagonistë të tjerë, emra të njohur si: Miço Ndini, Suvorov Seferi, Astrit Ziu, Hektor Buza, Sajmir Dauti, Arjan Bakiri, Pandi Sare, Naim Allaj, etj., që të paktën për një ndeshje të vetme, e kanë veshur atë fanellë.

Rivaliteti në “Tomori” – “Naftëtari”!

Derbi midis skuadrave “Tomori”, “Naftëtari” dhe “Apollonia”, “Traktori”, kanë qenë dhe mbeten unikale për futbollin kombëtar, pasi në pak kilometra, në distanca të afërta luanin, përballeshin katër skuadra. Në veçanti, ai “Tomori”-“Naftëtari” i fundviteve ‘70-të. Vetëm 20 km. i ndante qytetet, ku rivaliteti ishte i madh, midis tifozerive në shkallë dhe lojtarëve në fushë. Ndërkohë që gjatë gjithë javës, i bashkonte një strehë, ajo e Kombinatit të Tekstileve “Mao Ce Dun”, ku aty punonin pjesa më e madhe e popullsisë e tifozerisë të dy qyteteve. Debatet fillonin në ditën e parë të javës, për të mos ndaluar gjatë saj. Rivaliteti në derbin me Kuçovën, është i lidhur edhe me të tjera histori sportive që të dyja Klubet e kanë thuajse të njëjtë: Skuadra e futbollistë që janë alternuar duke provuar Kategorinë e Parë, rënien në të dytën, të regjistruara në sezon të ndryshme. Edhe në shkëmbimet e lojtarëve, kanë patur marrëdhënie të mira: Dashnor Dume, i njohuri kuçovar për shumë vite, ka luajtur me “Tomorin”. Ose Vladimir Skuro, legjenda e “Naftëtarit” të famshëm, ka veshur fanellën beratase në një ndeshje ndërkombëtare. Ka qenë një derbi që në historinë e tij, është shoqëruar me gola, protagonistë, me të gjitha rezultatet, ndonëse me dëshirën e një “Naftëtari”, për të mundur rivalin, por ka qenë “Baba Tomori”, triumfues i shumë betejave.

Golat në derbi!

Janë disa gola spektakolarë që Kovaçi ka realizuar në këtë derbi të famshëm: Gjithmonë në fushën e vjetër, pasi aty është luajtur për shumë vite, kur nga arbitri është dhënë një goditje dënimi. Suvorov Seferi, ka harkuar dhe nga 16 metra, me trinë të plotë, Kovaçi ka goditur portën, një gol i jashtëzakonshëm, ndaj të cilit portieri, Fatmir Ismaili i “Naftëtarit”, nuk ka bërë as më të voglën lëvizje dhe 1-0. Do të luhet në Kuçovë, por ai është me tërheqje dhe gjatë javës e gjithë tifozeria kuçovare shpreson të mos luajë, pasi e kishin problem. (Në rastet kur luante, analiza e tyre fokusohej në faktin se kush do ta mbulojë Rim Kovaçin). Kur ka dalë në nxehje, ndonëse me tuta, të gjithë kanë shtangur, pasi kanë kuptuar se “pantera” do të luante. Trajneri Mukli, me guxim e aktivizoi dhe profecia e tij tregoi se, nuk kishte gabuar: “Tomori” fitoi 2-0 dhe goli i parë ka firmën e Rim Kovaçit.

Në kombëtare, Loro Boriçi nuk e pëlqente! Të jesh në elitën e golashënuesve pikërisht në kohën e gjigantëve në këtë rol si Pernaska, Murati, Minga, Kola, e të mos luash asnjëherë me skuadrën kombëtare, është një rast i rrallë, kjo vetëm për një fakt e motiv të veçantë: Trajneri Loro Boriçi, nuk e pëlqente Rim Kovaçin, për nga shtat lartësia. “Lojtar i shkurtër”- deklaronte gjithmonë, kur e pyesnin për të. Vetëm një herë e ka grumbulluar me kombëtaren “B”. Luajti 10-të minuta përballë ekipit “A”, duke shënuar të vetmin gol të miqësores, por fanellën kuqezi nuk e provoi kurrë nga faktori fizik sepse nuk plotësonte elementin trupor.

Raportet me arbitrat, Pregja e donte!

Nuk ka qenë aq i “sjellshëm” me arbitrat, kundërshtarët, madje kartonin e kuq e ka provuar disa herë. Shkak ishin ndërhyrjet e rënda, mbulimet e ashpra, por edhe temperamenti impulsive i tij. Kjo ndodh zakonisht me goleadorët, ndaj të cilëve përdoren të gjithë mënyrat për t’i ndaluar. Fidai Pupa në Berat, ndërsa loja po mbaronte 0-0, ka dhënë një 11-të metërsh, për një ndërhyrje të gabuar të Kastriot Hysit të “Partizanit”, ndaj tij. Por edhe kartoni kuq i dhënë nga Tef Prela për Kovaçin, pas një proteste të ashpër ndaj tij, në një takim sërish me “Partizanin”. Por, me të famshmin ,Ramiz Pregja, ka patur marrëdhënie shumë të mira.

Dy kujtime nga “Tomori”

Me stadiumin “Tomori” e lidhin shumë episode, por dy janë ato që i veçon e që mbeten ndryshe nga të tjerat: Goli ndaj kombëtares në ndeshjen miqësore dhe çasti kur dorëzoi përfundimisht fanellën. Më 15 maj 1985, ditën e përurimit të stadiumit në prani të një numri rekord spektatorësh, zhvillohet miqësorja, “Tomori” –Kombëtarja Shqiptare. Një takim spektakolar, i cili mbyllet 3-1 për vendasit, me gola të shënuara nga i zakonshmi Kovaçi, Mile e Matrapazi. Momenti tjetër është i lidhur me ditën kur u shkëput nga futbolli në vitin 1990. Sërish në një mjedis të tejmbushur, para takimit “Tomori”–“Skënderbeu”, është zhvilluar një ceremoni emocionuese, kur Përparim Kovaçi i ka dorëzuar fanellën me numrin 10, një tjetër sulmuesi beratas, Kliton Bozgos, që edhe ai do të ketë famë e do të bëhet i shquar, madje edhe jashtë kufijve shqiptarë.

Të luash për një banesë!

Rim Kovaçi ishte pa shtëpi, ndonëse kishte kohë që sistematikisht i jepnin fjalën por, asgjë konkrete edhe pse i njohur kishte kërkuar të kontribuonte me punë vullnetare për të marrë një hyrje, siç veprohej në ato vite. Në prag të ndeshjes me “Besëlidhjen”, skuadra qëndronte e grumbulluar në Hotel “Turizmi”. Duke shfrytëzuar një takim me Abdyl Pilafin (Sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit), i kërkoi që ti jepnin shtëpi. Ai nuk ktheu përgjigje, ndërkohë që Kovaçi në shenjë proteste, u largua e nuk qëndroi me skuadrën në grumbullim. Të nesërmen, në shtëpinë me vëllezër e motra ku jetonte i vjen trajneri dhe e pyet; pse ishte larguar pa njoftuar. “Nuk kam shtëpi dhe sot nuk luaj” – ishte përgjigja. Por, refuzimi, mosbindja kishte patur “sukses”, pasi drejtues të pushtetit lokal, i kanë shkuar të nesërmen, duke i thënë: ”Eja në ndeshje dhe luaj se, do të marrësh shtëpi”. Protagonisti i padiskutueshëm i takimit, në një stadium të tejmbushur, vjen momenti kur arbitri Namik Jareci ka akorduar një 11-të metërsh për “Tomorin”. Portieri i ”Beslidhjes”, vlonjati Birçe, për ta provokuar dhe acaruar, i thotë në vesh se; ke për ta humbur. Por, Kovaçi me qetësi, e vendosi topin te pika e bardhë dhe si zakonisht, goditje e pa gabuar dhe rrjetë. Aq mbaroi ndeshja 1-0, me golin e tij. Të nesërmen u mblodh Komiteti Ekzekutiv i Rrethit dhe votuan për t’i dhënë një hyrje, banesa që ka edhe sot, një dhomë e kuzhinë.

Për një frigorifer “Obodin” më shumë!

Në sezonin 1988-‘89, Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Beratit, është Hysen Shahu, tifoz i “Dinamos”, por edhe shumë dashamirës i futbollit. Kovaçi kërkonte një frigorifer, por Krenar Suku, që shpërndante ato, (shok fëmijërie i Rim Kovaçit), refuzonte t’ja jepte. “I kam për kopshte e çerdhe”- i thoshte. Pa e zgjatur, duke parë se nuk po e siguronte një të tillë, i troket në zyrë Hysen Shahut. Pasi e dëgjoi, reagimi tij ishte i menjëhershëm. Ngriti receptorin, morri në telefon dhe urdhëroi ti jepnin frigoriferin e ëndërruar. Një “Obodin”, që e morri me paratë e ruajtura në vite (45 mijë lekë kushtonte). Dëmtimet, problemet shëndetësore që nuk i harron. Ndaj “Partizanit” në Tiranë, i sëmurë me të “verdhin” ka luajtur në një ndeshje të vështirë, madje mbrojtësi i majtë i të kuqve, nuk e ndalonte dot, duke i grisur edhe fanellën. Pastaj dëmtimi i rëndë: ‘Roturë menisku’ i këmbës së djathtë. Me ndërmjetësinë e vëllait të Astrit Ziut, që ishte mjek i skuadrës, u vizitua nga ortopedi i njohur Panajot Boga, në Spitalin Ushtarak, i cili sa e pa, i tha për ta operuar, por, Kovaçi nuk pranoi. Atë javë në Gjirokastër kundër “Luftëtarit”, ishte titullar në fitoren 2-1 (1 gol i tij), por në minutën e 80-të doli nga fusha pasi ishte e pamundur të vazhdonte të qëndronte. Pastaj me një vullnet të madh, duke ngritur pesha, ndërmjet punës, forcoi ligamentet dhe ndërhyrjen kirurgjikale nuk e bëri asnjëherë. Por edhe nga mëlçia ka vuajtur shumë, i ka qëlluar të aktivizohet edhe kur i kishte 450 tranzaminancat. “Si ke luajtur me këtë mëlçi”?! -konstatuan mjekët kur e vizituan në spitalin e Beratit. Pastaj stop 6 muaj, qëndrim në spital, në shtrat dhe rikuperimi për një kohë te gjatë.

Vlash Pambuku dhe “Kovaçi gol”…!

Mund të jetë një libër i rrallë, pasi nuk ndeshemi shpesh me të tilla botime. “Kovaçi-Gol”, ky është titulli i librit të Vlash Pambukut, gazetarit, fotografit, arkivistit njeriut simbol të sportit dhe më gjerë në Berat e gjithë Shqipërinë. Pasi botoi “Enciklopedia Sportive e Qytetit tim”, një tjetër libër me vlera për nga statistikat, personazhet, fotot, një libër gjithëpërfshirës në më shumës e 700-faqe, Pambuku, tashmë mbi 85-vjeçar, por shumë aktiv, realizon një tjetër vepër, “Kovaçi Gol”, ku në rreth 170 faqe të librit, rrëfehet jeta, karriera e Përparim Kovaçit, si dhe 70 foto të aktivitetit sportiv të tij. Me Vlash Pambukun, është e lidhur një pjesë e madhe e historisë sportive të Beratit, nga shkrimet e para në vitin 1963, deri në kronikat javore informuese te “Sporti Popullor” për çdo disiplinë sportive, që zhvillohej në Berat. Libri shoqërohet edhe me karikatura që janë pasqyrë e një tjetër profesion të tij.

Çfarë bën sot “pantera” e Beratit?!

Legjenda Rim Kovaçi, e la futbollin 36-vjeç, me 20 vite karrierë mbi shpinë. Pas 90-ës vazhdoi me ekipet zinxhir, pastaj në stafin e skuadrës së pare, në krah të Kiçi Miles. Bashkë me golat e shënuar, kujton me nostalgji të gjithë, trajnerë, shokë skuadre, arbitra, tifozët, “IFA”-ën, autobuzin e skuadrës, Shpëtimin, kamerierin e Turizmit, fushën e vjetër, dhomat e zhveshjes, pasi pak luajti në stadiumin e ri, apo “Dinamon”, skuadrën që nuk i ecte. Në dhomën e çdo hoteli, ka qëndruar vetëm me Agim Matrapazin, mikun e tij. Tifoz i Brazilit, Karekës dhe “Realit”. Mbeti vetëm “Mjeshtër Sporti”, pasi atë të “Merituar”, nuk ja dhanë. I datëlindjes 1955 e ndërtoi karrierën me punë e djersë, pa menduar se një ditë do ta mbulonte fama e një futbollisti shumë popullor që vijon edhe në ditët e sotme. Me arsim të mesëm me profesion mekanik, ka qenë punonjës i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të qytetit, ku ka punuar për shumë vite, bashkë me 5-orë-shin që ishte një nga privilegjet e pakta të kohës. Kovaçi ka mbetur i thjeshtë, edhe në ditët e sotme, nuk ka as makinë apo luksin e një ish-futbollisti të njohur. Jeton me gruan në shtëpinë që i dha në vitet ‘80-të, Komiteti i Partisë së rrethit./memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.