DOSSIER

“Ftohen familjet, far e fis, ose shokët dhe çdo qytetar, që di emrat e martirëve të 4 shkurtit 1944, t’i njoftojë ata …”/ Çfarë shkruante gazeta “Bashkimi”, më 3 shkurt ’45?

07:31 - 03.02.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Astrit Jegeni




Pjesa e parë

-Ngjarja e 4 shkurtit ’44, në optikën e gazetës “Bashkimi”, të dëshmive të sekretarit personal të Xhefer Devës dhe kolegut të tij, ministrit Musa Gjylbegu, si dhe dokumenteve të panjohura arkivore, shqiptare dhe gjermane!-

Memorie.al/ Vazhdimisht vrasjet masive të kryera nën pushtetin e urrejtjes e hakmarrjes, mbartin në kohë dhimbje pa fund dhe ndjenja e hakmarjes dhe e shpagimit, nuk shuhet kurrë. Fatkeqësisht, politika këto data të zeza i ka manipuluar për interesat e saja të pa arsyeshme e vulgare. Ne shqiptarët në këto 50-60 vjet, kemi disa shembuj të tillë vrasjesh massive, të tipit “ndëshkimor” të bëra në situata të tensionuara politike, si: “4 shkurti 1944”, “Vrasjet e Shefqet Peçit në Lumë të Kukësit”, në vitin 1944, “Vrasjet e Shefqet Peçit në Lumë të Kukësit”, në vitin 1944, “Vrasjet në Gurëz të Kurbinit për Rexhë Deliun”, në vitin 1946, “Vrasjet në Mirditë për Bardhok Bibën”, në vitin 1949, “Bomba e ambasadës sovjetike” në vitin 1951, etj.

Duke i bërë publike shkaqet, motivet, personazhet që kanë marrë pjesë në këto vrasje, si viktimat ashtu dhe vrasësit, besojmë se ndërgjegjësojmë njerëzit dhe mundohemi t’i japim mendësinë se këto vrasje masive, në fund të fundit, janë shprehje e një qytetërimi që s’ka vlerë dhe që ka nevojë të rishikojë vlerat e veta. Duke i shpjeguar këto ngjarje, larg pragmatizmit banal të politikës, unë shpresoj se, duke i ditur ngjarjet ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë, do të ndërgjegjësojmë te qytetërimi ynë një logjik veprimi, më të arsyeshëm e më të kontrollueshëm. Në këtë mendësi, po japim një studim modest për vrasjet e 4 shkurtit 1944.

“4 Shkurti”, sipas gazetës “Bashkimi”, shkurt 1945

Që studimi ynë modest të marrë një përgjigje sa më e afërt me të vërtetën e kësaj ngjarje, po citojmë pjesë nga gazeta “Bashkimi” që është në një farë mënyre hetim zyrtar për vrasjet e 4 shkurtit të vitit 1944, dhe që ne mendojmë se është i vetmi hetim që, është bërë nga regjimi komunist, për këtë vrasje. Nga kontradiktat për të vërtetat që ka pjesa e parë e studimit, me pjesën e dytë, lexuesi do të ketë mundësi të nxjerri vetë përfundimet logjike e të drejtë, për vrasjet e 4 shkurtit 1944.

Theksoj se, ndryshimi midis pjesës së parë të studimit tonë e pjesës së dytë, është se pjesa e dytë, ka një hetim normal dhe ka bindëshmërinë tonë, ndërsa pjesa e pare, është një hetim gazetaresk dhe si e tillë, përmban në thelbin e saj doza mosbesuese për këtë variant, në disa element të rëndësishëm të kësaj ngjarje.

Në gazetën “Bashkimi” të datës 3-4-5 shkurt 1945, shkruhet një informacion i pasur për përkujtimin e “4 shkurtit 1944” e cilësuar nga historia komuniste, si: “Masakra e 4 shkurtit”. Ne po citojmë pjesë nga kjo gazetë, për të na ndriçuar mendjen për të vërtetën e kësaj dite vrasjesh.

Gazeta “Bashkimi” në datën 3.2.1945, në faqen e parë, në fund djathtas me shkrim të theksuar, jep këtë lajmërim, si më poshtë. “Ftohen familjet, far e fis, ose shokët, dhe çdo qytetar, që di emrat e martirëve të 4 shkurtit 1944, t’i njoftojë brenda ditës së sotme, pranë Këshillit Nac. Çl. të Qytetit të Tiranës”.

Kjo ftesë e gazetës për qytetarët e Tiranës, për të dhënë të dhëna është një tregues se pushteti komunist, nuk dinte diçka të saktë rreth kësaj ngjarje, thjesht deri në atë ditë që bënte njoftimin, ajo e ka propaganduar këtë ngjarje nën efektet emocionale e tronditës, që ka lënë kjo ditë te kryeqytetasit por, që në të vërtetë nuk dinte as numrin e të vrarëve as, shkaqet e, as emrat e viktimave të kësaj dite.

Thjesht, dihej se janë bërë vrasje masive në Tiranë e, pashembullt deri në atë ditë të luftës civile që është bërë në Shqipëri, nga krahu kundërshtar i komunistëve. Në një deklaratë të gjatë, me titullin “për 4 shkurtin”, të botuar në gazetën “Bashkimi”, të firmosur nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare, më tej kishte shumë fjalë për kujtimin e të vrarëve dhe për hakmarje që do të bënin komunistët, ku shkruhej se janë vrarë rreth 80 vetë dhe po në këtë deklaratë, jepen vetëm emrat e Todi Shkurtit, Vangjel Capos, Hasan Çeliku dhe Mihal Koçi.

Emra të tjerë, kjo deklaratë e organit më të fuqishëm të Shqipërisë së asaj kohe, (siç ishte gazeta “Bashkimi”) nuk përmend. Në shtypin shqiptar të kohës, vazhdimisht është shkruar për këtë vrasje të 4 shkurtit, me shifrat 104 ose 80 vetë. Shifra të cilat ne si vërtetojmë dot të dokumentuara, por as regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, nuk i ka vërtetuar asnjëherë gjatë gjithë pushtetit të tij 45 vjeçar.

Po në këtë gazetë, (“Bashkimi”, dt. 3-4-5 shkurt 1945), ka disa artikuj për këtë eveniment të shkruajtur nga Sejfulla Malëshova por në fushën e emocioneve dhe përjetimeve de, nuk ka asnjë shifër të saktë, për të vrarët apo emrat e tyre.

Një artikull tjetër po emocional, për kujtimin e “4 shkurtit” të firmosur nga Demo Koti (besojmë se do jetë pseudonim), me titullin: “Kush mungon, kush u vra”, jepen këto emra si më poshtë të të vrarëve të 4 shkurtit 1944. “Fadil Rada, Xhemal Sojli, Davi Koen, Sitki Çiço, Petro Prifti, Vasil Muzina, Gjergji Marangosi, Haki Huta, Dr. Pano, Emurdha Korra, Mihal Jani Koça, Rag. Ravesi, Sulejman Vrapi, Sokrat Tako, Ramiz Treni, Vangjel Cako, Harito Harito, Ali Visha, Mina Toma, Todi Shkurti, Gjergj Legisi, Islam Halla, Shyqëri Grablleshi, Hasan Rexhepi dhe Dhimitër Thoma”.

Në këtë listë që shkruan gazeta “Bashkimi”, janë gjithsej 25 persona të vrarë dhe të pa përcaktuar si kombësi. Në një vend të dukshëm të gazetës “Bashkimi” të datën 4.2.1945, është botuar një listë e cila, është e vetmja dokument që hedh dritë mbi emrat e të vrarëve, që mendojmë se ka besueshmëri. Po e riprodhojmë artikullin si më poshtë:

Gazeta Bashkimi: “Martirët e 4 shkurtit 1944”

“Xhemal Sojli, Sitki Çiço, Vasil Muzina, Haki Huta, Maliq Huta, Mihal Jani Koço, Sulejman Vrapi, Prof.Ramiz Treni, Vangjel Capo, Harito Harito, Ali Visha, Mina Thoma, Todi Shkurti, Fadil Rada, Gjergj Legisi, italian i pa indetifikuar, Islam Alla, Hasan Rexhep Çeliku, Emurlla Kora, Sokrat Tako, Ragioner Ravesi (italian), Jorgji Marangosi (Malazes) ekzekutuar e vrarë te ura e Lanës, katër puntorë të pa indetifikuar, para ‘Sahatit’, Italiani i ekzekutuar të Kodra e Kuqe, i pa indetifikuar.

Tre malazez të nxjerrë nga burgu dhe të ekzekutuar në Kodrën e Kuqe më 4 shkurt, David Koen (nënshtetas Jugosllav), Dr.Stefan Pano, dy punëtorë të pa identifikuar (vrarë përpara xhamisë së Met Firës), Petro Prifti, Tre të vrarë në rrugën e Pishës dhe të pa identifikuar, Dhimitër Thoma, Shyqri Grëblleshi, Viçenzo Apel dhe nji tjetër i pa identifikuar. Nji tjetër i pa identifikuar vrarë në Rr. e Dibrës kundrejt dyqanit të Dabërdakut. Një tjetër i pa identifikuar, vrarë para xhamisë E’them Bej”. Shkrimi nuk ka autor.

Nga materialet e propaganduar për “4 shkurtin” deri më sot, vetëm këto emra janë deklaruar në shtypin shqiptar. Mendoj se ky është materiali i vetëm i shkruar që kemi e që mund të jetë marrë seriozisht me këtë ngjarje e që, mundohet të japë të vërtetën në formën e një liste të emrave që janë vrarë në këtë ditë. Në këtë shkrim, janë dhënë gjithësej emrat 44 të vrarëve të cilët i kemi renditur si më poshtë.

23 vetë, kanë emrat e tyre dhe janë të kombësisë shqiptare.
2 vetë, emrat e tyre dhe janë të kombësisë Italiane.
2 vetë, të kombësisë Italiane i pa indetifikuar
1 vetë i kombësisë malazese me emrin e tij.
3 vetë të kombësisë malazeze të pa identifikuar.
1 vetë i kombësisë Jugosllave me emrin e tij.
6 vetë të identifikuar si “Punëtor”
6 vetë të vrarë, por të pa identifikuar

Kjo listë që është botuar në gazetën “Bashkimi” lë shteg për shumë hamendësira për vertetësinë e saj, sepse është produkt i një gazetari dhe jo punë profesionale e një organit kompetent. Dhe për ta argumentuar këtë gjë, po ju japim një shkrim tjetër të po kësaj gazete e cila, në një farë mënyre është tregues e mosprofesionializmit të autorit të kësaj ngjarje.

Një artikull në gazetën “Bashkimi” ditën e premte datë 9.2.1945, (në faqen 3 në krahun e djathtë lart) është botuar një artikull me titull – “2 heronj, martirë të 4 shkurtit”.

Po citojmë pjesë nga ky shkrim –“….Mot moti ma parë, me 9 fruer 1944, vdisnin nën tortura në duart e xhelatëve të popullit, Ali Visha dhe Lake Sula. Të arrestue natën e 4 shkurtit, ata u çuan në burgun pranë Gjimnazit dhe natën e 9 shkurtit, nga ora 11.30 u morën në pyetje në Ministrinë e Mbrendshme”.

Në këtë shkrim, na del se Ali Visha, nuk është vrarë në 4 shkurt por në 9 shkurt. Duke lexuar këto materiale dokumentare për vrasjet e “4 shkurtit 1944”, të cilat kanë një konflikt jo te ngjarja se kjo është e pa diskutueshme por, te motivi dhe numri i të vrarëve, besoj se kam dhënë një shpjegim të afërt me të vërtetën e kësaj dite lufte, që është propaganduar shumë emocionalisht nga historiografia dhe propaganda e regjimit komunist, për afro gjysëm shekulli me radhë.

Dokumenti me fonogramin në gazetën “Bashkimi”

Po në këtë gazetë, pra “Bashkimi”, të dt. 9 shkurt 1945, është botuar ky fonogram si më poshtë.

Fonogram Dore Prokurorisë së Shtetit

Nr.271. Dt.28.2.1944 Komandës Rrethit të Mbrëndshëm

Tiranë

Patrulla na lajmëron se në Rrugën “Ali Pash Parga” (Rruga e Kusit) rajon i kësaj zone komande, janë gjetë të vramë 4 persona të pa indetifikuem. Jemi duke hetue mënyrën e vrasjes. Përfundimi njoftohet ma vonë.

Komandanti i Zonës

Gjindarmërisë “Dajti”

N/Toger, Mero Bado

Pjesë nga reportazhi i gazetës “Bashkimi” dt. 28. 2. 1945

Po për këtë ngjarje, në gazetën “Bashkimi” të asaj date, është shkruar ky reportazh, si më poshtë.

“Pas 4 shkurtit, 28 shkurti 1944, krime pas krimesh, masakra pas masakrash. Ndaj të gdhirë, 4 kufoma u gjendën në rrugën e “Kusit” Ishin trupat e njomë të Trojan Pekmezit, Skënder Kosturit, Gjergj Frashërit dhe Viktor Gjokrecit…”!

Dokumentet arkivore gjermane, për ngjarjen e 4 shkurtit 1944

Ishte në interesin e këtij shkrimi që, të studionim dokumentacionin gjerman të Luftës, për këtë periudhë kohore për të dhënë sa më të plotë panoramën e kësaj ngjarje. Dokumentet gjermane e kësaj periudhe, e përshkruajnë këtë ngjarje si një dukuri normale në një situatë lufte me një përshkrim të thatë e të saktë.

I Deleguari Special Për Juglindjen,

Nojbaher

Ministrisë Së Punëve Të Jashtme

Telegram i Shifruar Beograd, më 17 shkurt 1944

Nr. 358

I deleguari special për Juglindjen

Shqipëri

Edhe për mjetet e informimit

Situata në Shqipëri edhe më tej mund të konsiderohet e volitshme. Shkatërrimi i bandave komuniste, po vazhdon edhe më tej.

Në vet qytetin e Tiranës, me aksione të vrazhdëta të pastrimit nga ana e forcave nacionale, është shkatarruar aparati partiak komunist.

Qeveria po fiton hapësirë, po jetësohet formimi i Policisë dhe i Xhandarmërisë, me ç’gjë po trasohet konsolidimi i mëtejmë. Memorie.al

Nojbaher

(Dokumente të Institucioneve Gjermane për Historinë Shqiptare 1941-1944, Faqe 187. Dr. Hakif Bajrami, Kosovë).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.