DOSSIER

“Kur kryetari i Degës së Brendshme të Tepelenës, Todi, më qëlloi me mashë në kokë, ndjeva dhimbje të madhe e rashë pa ndjenja…”/ Ditari tronditës i ish-të dënuarit politik

20:32 - 04.02.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Neim Pashaj




Memorie.al / “Më godiste, më shante dhe turfullonte. Pyeste duke më qëlluar. Unë vetëm përpëlitesha. Kur dëgjonte rënkimin tim, goditjet i bënte më të shpeshta. Nga ato pak lëvizje që bëja, më zuri një goditje e rripit sa gjatë-gjerë mbi bark. Kjo qe dhimbja më e madhe sa gati më hodhi përpjetë. Këmbët, që i kisha nën tavolinë, nga përpjekjet e shtynë atë tutje dhe mbas tronditjes, ranë në shesh çfarë ishin mbi të. Mbas këtij veprimi të pakontrolluar, “shoku Todi”, më la të shtrirë dhe u ul në karrige. Nxori shaminë, fshiu djersët, hodhi rripin në dritare dhe filloi të mblidhte ato që ranë nga tavolina. I shpërfytyruar siç ishte, fliste si i çmendur me vete. Më dukej sikur po të afrohej edhe një herë, do të më hante të gjallë. “Do të të bëj të tregosh jo vetëm bisedat me dajat, por edhe sa herë ke pirë qumësht në sisë të sat`ëme. Kurrë mos tregofsh, por dije se do t’i sjell këtu të gjithë, e do ta thonë planin, në surrat…”!

Autori i këtyre rreshtave në ballinën e një dosjeje me qindra faqe, quhet Neim Pashaj. Është rreth të 60-tave, po tregon më tepër. Jeta e vështirë e ka plakur para kohe. Ka kaluar 20 vjet në qelitë e Tepelenës, Tiranës, Laçit, Elbasanit, Repsit, Spaçit e Qafë-Barit, por ka mundur të mbijetojë. Fati, me sa duket, ka qenë me të. “Mbeta gjallë për të treguar çfarë pashë me sy”, – thotë i mbijetuari i burgjeve të komunizmit nga Lopësi i Tepelenës.
I bindur në misionin e preferuar, Neim Pashai ndjehet i privilegjuar që ka mundur të ruajë ditarin e viteve të skëterrës. Ka në të plot 7.200 faqe, që i përkasin 7.667 ditë-netëve të ferrit. Faqja e parë mban datën 4 qershor 1966, ditën kur e prangosën te hyrja e minierës së Memaliajt. Në vazhdim ditët e kalvarit 20 vjeçar. Shënime të mbajtura në qeli, në momente pushimi pas punës. Fletë të mbushura në fjetore, kur shokët flinin. Emra të dënuarish, të martirizuar në kampe, hetues e prokuror të pashpirt, tragjedi e drama të tmerrshme. Një dëshmi autentike e e rrallë e historisë së burgjeve të komunizmit…!

E DIEL, 15 MAJ 1966

Në Memaliaj, dita e pushimit për minatorët, sidomos për ata që jetojnë në fjetore, dallon nga ditët e tjera. Nuk është zhurma e zakonshme dhe mbretëron qetësia në çdo dhomë e në çdo kat. I pari u ngrit xha Peçua, shoku i dhomës, i cili doli te dera dhe u kthye menjëherë duke më thënë se te hyrja ishte një polic i armatosur.

Një e dridhur më pushtoi gjithë trupin. Kush tjetër veç meje, kish probleme me policinë. Aty për aty mendova planin e dajave për t’u arratisur dhe bisedën e bërë para disa ditëve me kryetarin e Degës së rrethit. U ngrita e hapa derën. Prapa saj ishte polici i qytetit.

– Ti je Neim Pashaj?, më pyeti sa më pa.

– Po, ia ktheva. Sakaq më njoftoi se poshtë hotelit më kërkonin disa shokë të Degës së Tepelenës. U vesha shpejt e shpejt dhe bashkë me të u nisa për te zyrat e policisë së qytetit. Ato ndodheshin në qendër të Memaliajt, një godinë banimi rrethuar me pemë e me një gardh me hekura.

Polici që ishte te dera kryesore, na shoqëroi te zyra ku na prisnin. Dy njerëzit që ishin brenda, njëri shtrirë në krevat e tjetri ulur në karrige, i përshëndeta “mirëmëngjesi”. I pari u ngrit e u afrua te tavolina. Tjetri nuk lëvizi.

Me këtë të fundit isha takuar disa ditë më parë kur më kishte thirrur kryetari i Degës. Pa u zgjatur shumë ata më thanë se daja im, Hamdi Sulejmani, kishte tentuar të arratisej dhe ishte kapur në kufi. Më herët zyrtarët e Degës, ishin interesuar te mua për lidhjet me të dhe rrethin e tij shoqëror.

Hamdiu dikur kishte qenë ushtarak dhe ishte dënuar për agjitacion e propagandë. Kur kishte dalë nga burgu, ishte sistemuar me banim e punë në një fshat afër Delvinës. Lajmi më tronditi, po aty për aty nuk e dhashë veten.

Ata pasi më folën e këshilluan gjerë e gjatë, në fund më komunikuan urdhrin për të mos u larguar nga qyteti i Memaliajt, pa lejen e policisë. Ja, për këtë të thirrëm, e mbylli takimin ai që rrinte shtrirë. U ngrita në këmbë e u bëra gati t’iu jepja dorën po ndërrova mendim. U mjaftova vetëm me një “ditën e mirë”. Dola nga ajo ngrehinë i tmerruar për ato që më pyetën e më kërkuan të dinin. Po tmerri e befasia më e çuditshme ishin ato fjalë që më thanë për dajën. Çfarë kishte ndodhur me të…?!

E SHTUNË, 4 QERSHOR 1966

Një ditë e bukur, e qetë, e shndritshme. Sa ka dalë dielli mbi majën e Shëndëllisë. Në qendër të qytetit takova dy shokët e ngushtë, Luftarin e Jorgon. Bëmë një fotografi bashkë. Sa mbaruam, na u afrua Bamja, Nalua, Besija dhe Miri, kushërinjtë e mi që kisha kohë pa i takuar. Bëmë edhe me ta një fotografi. Pastaj shkova nga zyrat për të marrë pagën, po lekët s’kishin ardhur.

Pasi hëngra drekë në mensë, u nisa për në minierë. Në orën 14 e 30, u futa në galeri. Për orë të tëra punova në shtresën e pestë të dishanterisë së dytë. Aty nga ora 19:30, më thirri sekretari i Partisë dhe i plotfuqishmi i qytetit. Bashkë me ta shkuam te hyrje e minierës. Aty më priste Todi Keqi, kryetari i Degës së Brendshme të Tepelenës dhe operativi i Memaliajt.

“E sollët? – pyeti kryetari pa lëvizur nga vendi dhe vështroi nga unë me sy të zgurdulluar. Një çast ua bëri me shenjë dy policëve për t’u afruar. Sakaq, me vështrim të egërsuar shqiptoi me ton autoritar: Në emër të popullit je i arrestuar! Policët filluan të më hidhnin prangat. Unë u ktheva nga kryetari dhe i fola: Të paktën çohu në këmbë, të respektosh ligjin, pale njeriun që arreston!”.

Todit nuk i’u durua, brofi rrufeshëm në këmbë dhe më goditi me pëllëmbë në fytyrë. Pastaj urdhëroi të më hipnin në makinë. U nisëm me “Xhip”-sin e Degës. Në të ishim pesë vetë. Todi rrinte në vend të parë. Mbas një çerek ore mbërritëm në Tepelenë. Në Degën e Punëve të Brendshme, më kontrolluan sërish e pastaj më futën në birucë. Si ndenja aty disa çaste, dikush duke hapur deriçkën e derës më hodhi një copë bukë dhe një copë djathë. Isha 19 vjeç, 3 muaj e 4 ditë…!

E DIEL, 5 QERSHOR 1966

Një kërcitje hekurash më zgjoi nga gjumi. U çova menjëherë. Polici roje në korridor hapi derën e birucës, duke më dhënë urdhër të delja jashtë. Më tregoi banjën në fund të korridorit dhe më shoqëroi për aty. Lava sytë dhe dola. U futa sërish në qeli.

Polici mbylli derën. Mbas pak dëgjova të kërcisnin dyert e tjera. Paska edhe të tjerë mendova. U ngrita të shoh nga dritarja e thurur me hekura të trashë. Prej aty dukej rruga në dalje të Tepelenës…!

“Nuk duhet të rrish në dritare – më këshillon roja, që më përgjonte nga deriçka. – Dëgjova një zhurmë nga jashtë, – ia ktheva. – Nuk ke punë andej, – urdhëroi polici. – Shiko hallin tënd brenda shtëpisë tënde!”. Pastaj më tha të dilja për t’u qethur.

Në hyrje të korridorit më priste berberi, i cili ashtu në këmbë, siç isha, më vuri një pecetë në zverk, më këputi një të qethur speciale, siç tha ai vetë, më shkundi mirë pasi ma bëri “tullë” dhe më pëshpëriti te veshi: “Qoftë e para dhe e fundit herë more bir”…!

E MARTË, 07 QERSHOR 1966

U bënë tre ditë që rri në qeli. Është e vogël, shumë e vogël. E kam matur disa herë. Është 7 shputa këmbe e gjerë dhe 13 e gjatë. Ka një derë druri të trashë, një dritare të vogël me hekura dhe me rrjet teli sa për të marrë frymë.

Po afron ora 10. Polici i shërbimit më nxori në korridor dhe ashtu të lidhur me duar përpara më ngjiti një kat më lart. U futëm në zyrën e Todi Keqit, i cili rrinte krekosur para një tavolinë të madhe.

Diku në qoshe ishte një sobë zjarri dhe një mashë mbi të. Kryetari mbasi mbylli perdet e dritares, pa nga unë dhe ia nisi avazit të një kënge: “Bregu detit gurë gurë /qaj o breg, e qaj o lum / hëngre agallarë shumë / Neim Pashanë me vulë…”! Sakaq shkoi tek tavolina, hapi sirtarin, e mbylli përsëri, kryqëzoi duart në gjoks dhe po shikonte nga unë.

-Hë more Neim Pashaj, ç’i bëre dajallarët? – foli me shpoti

-Nuk e di, – iu përgjigja menjëherë.

-Ti nuk e di, po unë e di. Doja ta merrje vesh edhe ti ku kanë shkuar. Nuk fola. Nuk dija ç’të thosha.

-Kanë tradhtuar atdheun dhe ty…!

-Nuk e di – iu përgjigja pa u menduar.

-E nga ta dish – vijoi dhe iu afrua sobës, mori mashanin dhe më qëlloi me të në anën e majtë të kokës, duke shfryrë: “Ja këtu janë, more qen”! Ndjeva një dhimbje të madhe. Disa pika gjaku ranë në këmishë.

Një moment desha të vija dorën tek plaga, por nuk pata kohë se një tjetër goditje erdhi papritur. Rashë në tokë pa ndjenja. Kur u përmenda ndjeva që isha lagur i tëri me ujë. Dikush më kishte çuar në qeli…!

E MËRKURË, 15 QERSHOR 1966

Kaluan 10 ditë që jam në qeli. Kam filluar të dal në diell ato 20-30 minuta që na nxjerrin. Me sa kam vërejtur kur kam dalë, kam vënë re se janë 7 biruca, të gjitha të mbyllura.

Kam dëgjuar në to pak zhurmë, gjë që do të thotë se ka njerëz brenda tyre. Në orën 10 paradite hyri në birucë një polic. Më vuri hekurat në duar dhe më shpuri në katin e dytë në zyrën, ku u torturova para një jave.

Mbasi më futi brenda dhe më zgjidhi prangat, polici doli duke më lënë ballë për ballë me Vangjelin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe me Todi Keqin.

I pari, domethënë Vangjeli, ishte ulur në krah të djathtë të tavolinës së të dytit, ndërsa Todi, si dhe herën e parë, krekosej në karrigen e vet.

-Ja ku e ke bandillin e Dorzës, shoku Vangjel – ju drejtua Todi.

-Hë, si je tani? – bëri tjetri.

-Mirë – iu përgjigja duke lëvizur kokën pak djathtas.

-Jo vetëm se je më mirë, po qenke bërë edhe i bukur. Je zbardhur në fytyrë, ke qethur kokën, ke bërë këmishën me lule të kuqe…!

Pas kësaj ligjërate cinike, më njoftoi se do filloja hetuesinë me “shokun Todi”, pastaj u kthye nga ai dhe të dy bashkë filluan të nxirrnin diçka nga sirtari, e futnin përsëri brenda, bisedonin me zë të ulët dhe vështronin nga unë. Një moment Vangjeli mu kthye me shpërfillje:

-Hë, Neim, ku i ke dajat që donin të shkonin në parajsë?

-Nuk e di – i thashë.

-Nuk ke si ta dish, po dëgjo këtu – dhe u krekos si gjeli mbaj plehut. Kur të të pyes shoku Todi, përgjigju drejtë, se këtu nuk shkojnë gënjeshtrat. Kanë qenë burra me nga një palë mustaqe të tjerët dhe kur kanë dashur të fshehin të vërtetën, i kanë lënë këtu bashkë me qimet e tjera. Jo më ti një spurdhjak.

– Ndërkaq iu kthye Todit. – Për çdo gjë që nuk do të tregojë ky pëllumbi, merre, ballafaqoje me ata maskarenjtë. Po u tregua i sinqertë më telefono, mbasi të bëjmë një bisedë edhe me ministrin dhe marrim ndonjë masë lehtësuese se është filiz i ri…!

-Edhe unë kështu mendoj, – shtoi Todi.

-Tani, – u hodh prapë Vangjeli me vështrim nga unë – nuk kam ndërmend të vazhdoj më tej me ty, pasi sot më hoqi rruga këtej, por meqë u ndodha, më thuaj, ti u the dajave për t’u arratisur, apo të thanë ata?

-As unë dhe as ata – u përgjigja aty për aty.

-Po mirë, ashtu qoftë – tha Vangjeli dhe zgjati dorën, hapi një sirtar të tavolinës, mori disa letra, lexoi diçka apo bëri sikur lexoi dhe i hodhi tutje, duke vazhduar. – Po ata dajallarët e tu i kanë sqaruar këto gjëra, kanë folur gjerë e gjatë e kanë thënë gjithçka. Ti pse nuk i thua, apo do ta mbash të fshehtë?- dhe ju drejtua sërish Todit.

-Po nuk foli, thyeji brinjët. E quan ky se do ta kalojë lehtë. Pastaj u ngrit, hapi derën dhe i bëri me shenjë policit të vinte brenda. Ai më mori dhe më futi në qeli. I dërrmuar siç isha, rashë përmbys. Në kokë më vinin mendime të ndryshme. Nuk e kuptoja çfarë kërkonin prej meje.

Fund e krye, kryefjala e tyre mbeteshin dajat. Një herë më thonë se kanë ikur, herës tjetër tregojnë se i kanë kapur. Në fakt për t’u arratisur unë kisha folur vetëm me dajo Hamdiun, që jetonte në Delvinë. Dajës tjetër nuk i kisha thënë gjë. Se çfarë ka ndodhur me ta, vetëm një Zot e di…!

E ENJTE, 16 QERSHOR 1966

Ora është afërsisht 9 e mëngjesit. Ndodhem në zyrën e kriminelit Todi Keqi. Ai më drejtohet me një ton më të butë nga herët e tjera.

-Dëgjo Neim! Duhet të merremi vesh me të mirë, pa përdorur dhunë. Ne i dimë planet që ke bërë me dajat. Na duhet të vërtetojmë sinqeritetin tënd. Ti vërtetë nuk e kupton, por do të bindesh se ata që mendoje se të donin, të kanë bërë varrin e prej aty, nuk ka bir nëne që të të nxjerrë. Prandaj fol drejt e hapur. Vetëm kështu do kesh lehtësira.

-Unë as kam vrarë e as kam vjedhur, nuk kam bërë asnjë faj, – e ndërpreva kryetar Todin.

-Po ti nuk e di more djalë se, në këtë libër që quhet Kodi Penal, ka një nen që thotë se arratisja, tentativa apo biseda për arratisje, dënohen me…! Nëse do merremi vesh bashkë, unë do të të ndihmoj për të qëndruar te dënimi minimal. Në të kundërt, do të marrë lumi me gjyqe e burgime të tmerrshme. Nejse, fillojmë…!

-Kush propozoi i pari për t’u arratisur?

-Nuk di gjë, – ia ktheva dhe e shikova në sy, se si do të reagonte.

-Po të dalë ndryshe, si do të flasim bashkë?

-Si të duash, – iu përgjigja.

-Dakord, – vazhdoi – menjë fjalë do t’u qëndrosh besnik dajave dhe krimit.

-Jo, kjo është e vërteta. Unë nuk di gjë për këto muhabete.

-Çudi! – ma ktheu.- Ti je i ri e nuk ke shpatulla të mbash mbi to krimet e dajave të tu…?!

Ra zilja e telefonit dhe ai diçka bisedoi me zërin matanë receptorit. Mbasi mbaroi, mu drejtua përsëri:

-Për të gjitha këto mendohu mirë dhe nesër do të flasim përsëri. Sakaq ma hoqi me një pëllëmbë dhe hapi derën, duke thirrur policin që të më çonte në birucë…! Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.