AKTUALITET

Fundi i Dubait si parajsë e bosëve të krimit? Ja ç’pritet të ndodhë me Florent Çapjan!

08:08 - 09.02.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në pjesën e dytë të dokumentarit në emisionin “Në shënjestër”, pasqyrohet mënyra se përse krerët e bandave kanë zgjedhur Dubain si vendin e tyre të sigurt për t’i shpëtuar drejtësisë në vendit e origjinës.




Një nga arsyet është pa dyshim mos lejimi i ekstradimit të tyre dhe lehtësirat në qarkullimin e parave të pista që Dubai mundëson.

Më tej jepet një tablo e asaj që pritet të ndodhë me personazhet e njohur të botës së mafias, ndërsa autoritetet kanë nisur një bashkëpunim që shpejt mund edhe të intensifikohet me drejtësinë në vendet europiane e jo vetëm.

Dokumentari i “Në Shënjestër”, pjesa e dytë

Dubai është përmendur shpesh si strehë për kriminelët. Kanë qenë histori të personazheve më të famshëm të krimit në botë, që kanë zbuluar këtë parajsë, që është kthyer në çatinë më të sigurt për anëtarët e botës së krimit.

“Sektori kryesor ku ata investojnë në Emirate është sektori i pasurive të paluajtshme. Ata zgjedhin të blejnë apartamente apo lloje të tjera të pasurive të paluajtshme të cilat kapin vlera të mëdha financiare. Kryesisht aparatamentet e tyre apo vendet e tyre të banimit janë në zonën qendrore të Dubait, një zonë mjaft e kushtueshme. Por investimet e tyre nuk janë vetëm në fushën e pasurive të paluajtshme. Informacionet tregojnë që ata merren edhe me biznes”, ka deklaruar gazetarja Fatjona Mejdni.

Për të zbuluar se si Dubai u bë aq i preferuar për krimin botëror, është me interes për të ndjekur pikërisht një nga këto histori, e cila shpejt u pasua nga të tjera.

Sipas agjencive europiane ligjzbatuese, pioneri i parë që zbuloi mundësitë e shkëlqyera që ofronte Dubai për krimin, thuhet se ishte lordi britanik i drogës, Robert Dawes, njeriu të cilin Europol e vendosi në dhjetëshen e parë të bosëve më me ndikim në Evropë.

Dawes, që deri në vitin 1999, shfrytëzonte bregun jugor të Spanjës ku kryente transportin e kanabisit, amfetaminave, dhe më pas të kokainës nga Maroku në drejtim të Holandës dhe më pas në të gjithë Evropën.

Por që shpejt hetuesit filluan të konstatonin vizita të tij të shpeshta edhe në Dubai, ku ai thuhet se kishte krijuar dy biznese të fuqishme, falë edhe një sistemi bankar të nëndheshëm të quajtur Hawala (HaUala) që shërbente për pastrimin e parave të pista të fituara nga krimi i organizuar.

Ky sistem i mundësonte Dawes, që falë një operacioni bankar sekret, të lëvizte tashmë në mënyrë “magjike”, paratë e tij në të gjithë botën

Transferimi bëhej pa gjurmë letre, por vetëm me anë të një ndërmjetësimi dhe të një kodi të rënë dakord fillimisht, që e kishin në posedim persona të quajtur hawaladar (HaUaladar).

Ky sistem bankar lulëzoi ndjeshëm në Dubai deri në vitin 2021, epokë e artë për Dawes dhe ortakët e tij që përfundoi dy vite më parë, ku hawaladarëve iu kërkua që të regjistrojnë zyrtarisht punën e tyre si ndërmjetës.

Ndërkohë që Dawes, pavarësisht se ishte arrestuar në vitin 2008 në Dubai në pritje të ekstradimit, jo vetëm që qëndroi në një qeli luksoze për afro tri vite, por vazhdoi të drejtojë nga aty trafikun e drogës.

Ai thuhet se përdori ligjet e vjetëruara financiare në Emiratet e Bashkuara Arabe, më qëllim për të shmangur ekstradimin, pasi nga autoritetet spanjolle u konstatua se ishte ai organizatori i një ngarkese prej 200 kg kokainë, e cila u kap në Madrid.

Po kështu ai përdori një ligj që ekziston në Emiratet e Bashkuara, ku thuhet se një person që nuk ka kthyer një çek, merr një dënim të detyrueshëm me tre vite burgim.

Gjatë kohës së tij pas hekurave në Dubai, Dawes jo vetëm që vazhdoi të koordinojë punën në trafikun e kokainës, por e përdori këtë kohë edhe për të çmontuar çështjen kundër tij në Spanjë.

“Nuk kishte asnjë traktat ekstradimi dhe ne respektuam që Dawes duhej të kalonte kohën e tij për shkeljen e kthimit të çekut. Por sa herë që përpiqeshim të zbulonim se kur do të lirohej Dawes në mënyrë që të mund të ekzekutonim ekstradimin e tij, autoritetet e Dubait nuk na thonin se kur”, deklaruan autoritetet spanjolle.

Por ndërsa Dawes u arrestua në vitin 2015 dhe sot po vazhdon të vuajë një dënim prej 22 vitesh në një burg në Paris pasi u largua fshehurazi nga Dubai, autoritetet ligjzbatuese në Evropë besojnë se sistemi i transferimit të parave Hawala është një nga arsyet përse Emiratet e Bashkuara Arabe vazhdojnë të jenë një vend kaq tërheqës për kriminelët kudo ku ata ndodhen.

“Emiratet e Bashkuara Arabe janë i vetmi vend në botë që jo vetëm janë bërthama e kriminalitetit të nivelit të lartë, por është edhe vendi ku burimi i fondeve tuaja rrallë mund të vihet në dyshim. Ky është vendi ku vlen statusi juaj si mbret i krimit. Vendi ku të gjithë njerëzit e lartë e njohin njëri-tjetrin dhe nëse nuk jeni në Dubai, nuk ia vlen të merreni me të, nuk jeni në klub si të thuash”, deklaron një oficer i inteligjencës evropiane.

Sipas inteligjencës evropiane Dubai nuk ka kombësi për krimin. Aty mjafton të shkojë çdo kush që ka para të mjaftueshme dhe që nuk dëshiron të jetë i shqetësuar nga atdheu problematik që la pas.

“Në Dubai ka shumëçka në të cilën krimi mund të investojë. Ka portofole të pronave që mund të sjellin fitime të mëdha. P.sh, vetëm holandezët zotërojnë më shumë se 1500 prona në Dubai me vlerë rreth 630 milionë euro. Por po kështu krimi mund ta kalojë kohën e lirë duke shijuar rrezet e diellit pa u shqetësuar.

Të gjitha grupet kryesore të krimit dhe kontrollorët e parave ulen në Dubai dhe këtu ata mund të përzihen, të tregtojnë njohuritë e tyre dhe të bëjnë marrëveshje pa u shqetësuar shumë për kokëçarjet e zakonshme të mbikëqyrjes me të cilat përballen në vendet e tjera”, deklaroi oficeri i Inteligjencës Evropiane.

Kjo duket se është edhe arsyeja më thelbësore përse edhe krimi shqiptar ka zgjedhur Dubain për të shijuar rrezet e diellit, aty ku duket se këta të fundit mund komandojnë qetësisht trafikun ndërkombëtar të drogës, ku sipas Europol, gjatë 20 viteve të fundit grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor janë bërë aktorët kryesorë në tregtinë globale të drogës.

“Ata e dinë shumë mirë që Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend shumë konservator dhe një nga kushtet kryesore të qëndresës së tyre atje është pikërisht fakti që ata nuk do të krijojnë probleme midis tyre. Për ta nuk është problematike që një rival i tyre qëndron në të njëjtin qytet me ta, për aq kohë ata e kanë të qartë se nuk duhet të krijojnë asnjë incident”, tha gazetarja Fatjona Mejdini.

Por siç edhe theksuam, jo më kot Dubai quhet sot si ‘Bregu i Krimit të Ri’, një referencë famëkeqe kjo e marrë nga Costa de Sol në Spanjë, që dikur shërbente si pika ku krimi trafikonte kokainën në drejtim të Evropës, duke u kthyer në lobistët më të mëdhenj të trafikut të heroinës, prodhimit dhe trafikimit të kanabisit, por edhe sipërmarrës të pashoq të trafikimit të kokainës nga Amerika Latine në portet në Evropën Perëndimore dhe Juglindore.

Nga atje kanë mundur të fitojnë pasuri marramendëse, por edhe një numër të konsiderueshëm armiqsh nga të cilët duhet të ruhen.

Atë siguri u ofron Dubai, që pavarësisht se u ka krijuar shumë lehtësira në punët e tyre, në krahun tjetër ka rregulla shumë të ashpra përsa u përket kriminelëve të cilët thyejnë rendin e brendshëm.

Jo më kot Emiratet e Bashkuara Arabe janë sot një nga vendet më të sigurta në botë, duke u renditur në vendin e 57-të nga 193 vende në botë përsa i përket indeksit të kriminalitetit.

“Për sa i përket autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe, ata i shohin këta persona si njerëz që sjellin shuma të mëdha parash dhe nuk shkaktojnë telashe të mëdha në Dubai. Ata nuk pyesin shumë se nga vijnë këto fonde. Vetë krerët e krimit e kuptojnë se nuk është një ide e mirë të bësh pis në pragun e shtëpisë së tjetrit dhe nëse ndjekin rregullat, ata do të ndihen mjaft të sigurt.

Ata gjithashtu e dinë se ka shumë pak gjasa që të goditen në rrugët e Dubait siç mund të bëjnë, të themi në Costa Del Sol ose Amsterdam. Ata po jetojnë në një farë mënyrë një jetesë prej yllit të rock-ut nën rrezet e diellit”, deklaroi oficeri i Inteligjencës Evropiane.

Por ndërsa ruan këtë aparencë, Emiratet e Bashkuara Arabe janë në dhjetëshen e parë të vendeve me pikët më të varfra përsa i përket tregjeve kriminale, me rezultate të dobëta në rregulloren kundër pastrimit të parave si edhe në ekzaminimin e transaksioneve të dyshimta me origjinë nga organizatat kriminale që shpesh fshihen pas bizneseve apo institucioneve financiare të dobëta.

Kjo gjë duket se favorizon edhe krimin shqiptar, që ta shikojë këtë vend si një lloj bekimi në punët e veta, por edhe si një vend ideal me rrezik të ulët, për koordinimin e aktiviteteve të paligjshme me emisarët jashtë vendit dhe një vend po kaq të mirë për t’u shoqëruar dhe për të lidhur marrëveshje të reja.

Duke u kthyer te shqiptarët që jetojnë së fundmi në Dubai, një tjetër i ngjashëm i cili ka zgjedhur të jetojë në këtë qytet është edhe Florent Çapja, i cili edhe ky, u ndalua në Dubai për llogari të interpolit shqiptar, por që edhe në rastin e tij, ekstradimi nuk është bërë i mundur.

Ai kërkohet nga drejtësia shqiptare pasi dyshohet se bashkë me xhaxhanë e tij, Ardian Çapja, urdhëruan vrasjen e babë e bir, Gentjan dhe Nezir Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në gusht të vitit 2012.

Ka dyshime se është edhe ekzekutori në Itali i ish-efektivit të policisë rrugore, Fadil Mema, ngjarje kjo e ndodhur në mars të vitit 2015 në vendin fqinj.

Çapja thuhet se arriti t’i shpëtonte në atë kohë drejtësisë, me pretendimin se ditën e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Elbasan, ai ndodhej në Ohër të Maqedonisë, gjë e cila vërtetohej edhe nga sistemi TIMS.

Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se vula në pasaportën e Çapjas ishte e falsifikuar.

Zbulimi i tij si organizator i vrasjes së babë e bir në Elbasan, erdhi pas rrëfimit të një penduari të drejtësisë, por megjithëse u ndalua në vitin 2021, ekstradimi i Çapjas në Shqipëri, nuk u bë i mundur.

“Njerëzit e inkluduar në botën e krimit, hapi parë është t’i shmangen goditjes së drejtësisë. Po, automatikisht kërkojnë të përfitojnë edhe nga shmangia e hakmarrjes së grupeve rivale.

Në mars të vitit 2022, mbikëqyrësi global, Task Forca e Veprimit Financiar i vendosi Emiratet e Bashkuara Arabe në listën e saj gri mbi shqetësimet se nuk po bënte mjaftueshëm për të trajtuar aktivitetet e paligjshme financiare.

Sipas këtij organi ndërqeveritar, vendet e vendosura në këtë listë duhet të punojnë për të adresuar mangësitë strategjike në regjimet e tyre për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit”, deklaron Arben Braçe, ish- drejtor ekstradimi në Ministrinë e Drejtësisë.

Në mënyrë të ngjashme, organizata e shoqërisë civile kundër korrupsionit, Transparency International tha se Emiratet e Bashkuara Arabe janë një ‘pjesë kyçe në enigmën globale të pastrimit të parave’.

“Tendenca e lëvizjes në tregje të largëta për të pastruar të ardhurat e krimit tregon sofistikimin e shtuar të kriminelëve ballkanikë dhe është një tregues se sa fleksibël dhe të orientuara drejt biznesit janë bërë këto organizata. Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të bashkëpunojnë me Emiratet e Bashkuara Arabe për të adresuar këtë problem”, thotë Europol.

Ndërkohë që Dubai është kthyer në një minierë ari për krimin, përfshi këtu edhe atë shqiptar, nuk duket të jetë kështu, për agjencitë evropiane të zbatimit të ligjit, që duket se kanë nisur një punë të ethshme me autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të luftuar grupet kriminale, që e kanë zgjedhur si vend koordinimi të trafikut të lëndëve narkotike.

“Dubai është një qendër financiare globale, një parajsë blerësish dhe një oaz për të pasurit në botë,por pjesë e asaj që mbështet prosperitetin e Dubait është një rrjedhë e qëndrueshme e të ardhurave të paligjshme të marra nga korrupsioni dhe krimi.

Pasuria ka ndihmuar në nxitjen e lulëzimit të tregut të pasurive të paluajtshme të emiratit; ku pasurohen bankierët, këmbyesit e parave dhe elitat e biznesit; çka e ka kthyer Dubain në një qendër kryesore tregtare të arit.

Ndërkohë, udhëheqësit e Emirateve dhe komuniteti ndërkombëtar vazhdojnë të mbyllin një sy ndaj sjelljeve problematike, zbrazëtirave administrative dhe praktikave të dobëta të zbatimit që e bëjnë Dubain një destinacion tërheqës globalisht për paratë e pista”, thuhet në raportin e vitit 2020 të Carnegie Endoëment for International Peace.

Por ditët e qeta në relaksin e rrezeve të luksit të Dubait, duket se po perëndojnë edhe për krimin global, që tashmë duhet të mendojë seriozisht për një vend të ri strehimi.

Ata që duket se janë kthyer në një rrezik real për banorët e tanishëm të krimit në Dubai, janë rusët e rinj, që po përpiqen t’i ikin luftës në Ukrainë dhe pasuritë e tyre t’i investojnë në Dubai.

Kjo mund të detyrojë Emiratet e Bashkuara Arabe në fluksin në rritje të pasanikëve të rinj rusë, të pranojë ekstradimin e kriminelëve që kërkohen nga pjesa tjetër e Evropës.

“Është shumë interesante për të kuptuar nëse Emiratet e Bashkuara do të vijojnë të mbeten edhe në të ardhmen një vend i sigurt për grupet e organizura kriminale jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Europës.

Në muajin nëntor të vitit të shkuar një sërë vendesh filluan të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Po themi Spanja, Hollanda, Belgjika, Franca. Vende këto që ishin të prekura nga trafiku i drogës që Gaçanin bënte në vendet e tyre. Në bashkëpunim me Emiratet ata mundën ta ekstradonin në një nga vendet e Bashkimit Europian.

Unë mendoj që arrestimi i Gacanin është një sinjal ose një ogur i keq për grupet kriminale shqiptare sepse ata mund të kuptojnë që mund të vijë një moment që ata mund të bëhen shumë të rrezikshëm për disa vende të BE-së dhe atëherë askush nuk do ti kursejë në strehën e tyre në Dubai”, tha gazetarja Mejdini.

Ky konstatim bëhet edhe më i dukshëm, me ndryshimet e fundit gjeopolitike.

Në vitin 2021 qeveria federale belge firmosi një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe. Po kështu po veprojnë edhe shumë agjenci të tjera ligjzbatuese evropiane, çka pritet të sjellë andralla të shumta edhe për krimin e strehuar në Dubai.

“Në vitin 2021, Qeveria Federale belge nënshkroi një traktat ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, këto dokumente ende nuk janë ratifikuar nga të dyja qeveritë. Si rezultat, shumë kriminelë të kërkuar gjejnë mbrojtje në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pavarësisht mungesës së marrëveshjeve unifikuese, qeveria belge tani po bën presion për ekstradimin e disa prej kriminelëve më të rrezikshëm”, shkruan gazeta De Tijd.

Presionin në rritje ndaj Dubait zyrtar, duket se pranojnë edhe oficerë të inteligjencës evropiane, edhe pse Dubai nuk është ende i përgatitur t’i lëshojë disa nga xhevahirët e tij, pavarësisht bagroundit të tyre kriminal.

“Autoritetet në Dubai po ndihmojnë tani, por kjo ndihmë për momentin është ende të pamjaftueshme. Ata po përmbyten me kërkesa për ekstradim, sigurisht po bashkëpunojnë, por mund të bëjnë më shumë se kaq”, thotë oficeri i Inteligjencës Evropiane.

Sigurisht në një fare pike, autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk duan ta shikojnë shumë ashpër këtë aspekt të krimit, sepse ka miliarda para kriminale që po investohen në Dubai dhe prona është mbret.

Por pavarësisht këtij hezitimi, që nuk duket të jetë i pafundëm, flamuri i kuq është ngritur për disa nga bosët e krimit, midis tyre ndoshta pse jo edhe shqiptarë.

Këtë e konfirmon edhe një burim sigurie në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ky është fillimi i fundit për disa nga ata që janë të përfshirë në krimin e organizuar. Kjo do të thotë se shumë më tepër informacione nga autoritetet e Dubait do të ndahen me partnerët e tyre evropianë në luftën kundër krimit rreth asaj se kush është ku dhe çfarë bëjnë ata dhe reciprokisht Europol mund të flasë për kërcënimet kriminale evropiane me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ne nuk jemi ende në një situatë ku mund të sigurohemi përfundimisht se do të marrim ekstradim, por kjo përmirëson shanset rast pas rasti”, shton ai.

“Duhet vullnet më i madh nga ana e përfaqësuesve shqiptarë për të mundësuar sa më shumë marrëveshje ekstradimin. Vetëm në këtë mënyrë ne mund t’i përgjigjemi sa më mirë dhe në mënyrë sa më efiçente krimit të organizuar”, deklaron Arben Braçe, ish- drejtor ekstradimi në Ministrinë e Drejtësisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.