Kryesore

BIRN: Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

19:24 - 18.03.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një komunikim fare i shkurtër në WhatsApp mes tre policëve përplot me komente seksiste tregon në fakt një paaftësi dhe papërgjegjshmëri që shpjegon se pse vendi ka një problem të rëndë me trafikimin e qenieve njerëzore dhe me dhunën në familje.




Imagjino që je një prind të cilit i ka ikur nga shtëpia vajza minorene. Je mjaftueshëm i shqetësuar sa të shkosh në polici. Ka shumë gjasa që vajza të ketë ikur vetë. Një aventurë pa pasoja. Dhe ka një probabilitet të vogël, por aspak të papërfillshëm që të ketë rënë viktimë e trafikut të qenieve njerëzore. Ose, të ketë ikur me dëshirë por të ketë përfunduar në duart e një njeriu të dhunshëm. Në fund të fundit, vendi ka një histori trafikimi në përmasa të tilla sa, mes trafikantëve, ka nga ata që janë bërë edhe deputetë.

Të vajturit në polici është gjëja më normale dhe shumë e këshilluar. Në fund fare, policët paguhen nga taksat për këtë punë. Dhe sado i vogël të jetë rreziku që vajza të ketë rënë pre e trafikimit të qenieve njerëzore, kujdesi i tepërt për këtë punë nuk është kurrë gabim. Për më shumë, gjatë viteve të fundit, Shqipëria, nën këshillën e vendeve më të zhvilluara, është përpjekur të luftojë dhunën në familje apo trafikun e qenieve njerëzore duke trajnuar policët që të jenë të ndjeshëm ndaj këtyre problemeve dhe gjithashtu, duke punësuar gra police, me qëllim që tendenca e natyrshme e një institucioni mashkullor të thyhet.

Problemi është se punësimi i grave në forcën policore nuk përbën automatikisht garanci se policia ka përfituar ndjesinë e nevojshme. Për më tepër, ka raste kur gratë janë gjithashtu mizogjene dhe të pandjeshme. Gratë, njësoj si edhe burrat, “institucionalizohen”. Ata dhe ato shpesh mësojnë veset e shoqërisë ku gjenden, përshtaten në mënyrë që të ndjehen të pranuar. Dhe një rast i tillë duket se shfaqet në një komunikim në grup WhatsApp ku dy policë dhe një police diskutojnë rastin e zhdukjes së një minoreneje.

Komunikimi, i cili përfundoi te faqja informative popullore Jeta Osh Qef, [Link], fillon normalisht, një shef policie përcjell foton e një vajze dhe thotë se është larguar nga shtëpia. Një police me emrin Inna, tregon institucionalizimin e vet në Policinë e Shtetit duke pyetur: “Çfarë viti prodhimi është shef?” Shefi, Rustem Dervishi, nuk i tërheq vëmendjen polices Inna, për t’i thënë, p.sh., që një vajzë minorene vijon të jetë minorene dhe shqetësim për shkak se është minorene, pavarësisht “vitit të prodhimit”. Dervishi i përgjigjet duke i thënë “model i fundit duket”. Një polic tjetër, me emrin Petrit Hala, ka një sugjerim të mençur; ai i sugjeron polices Inna se çfarë duhet të bëjë për të gjetur përgjigjen për pyetjen mbi “vitin e prodhimit”: “Shikoje Ina nga parakolpi,” thotë ai.

Policia e Shtetit pranoi vërtetësinë e komunikimit të publikuar duke e konsideruar atë “joetik”. Njoftimi [Link], bën me dije se komunikimi ka ndodhur në Tiranë, në komisariatin 1. Sipas njoftimit, personi që sugjeron që vajza e humbur “duhet të jetë model i fundit”, pezullohet nga puna për 30 ditë, ndërsa polici që sugjeron se ajo “duhet të shihet nga parakolpi” dhe që rezulton se është shefi i komisariarit, ai nuk ka marrë masë ndëshkuese. As policja Inna, e cila pyet “për vitin e prodhimit”.

Komentet seksiste janë ana e jashtme e një problemi shumë më të rëndë.

Që të luftosh fenomene të tilla si trafikimi i qenieve njerëzore apo dhuna në familje, ke nevojë për një polici që trajton seriozisht çdo rast, pavarësisht se shumica e rasteve të largimit të vajzave nga familja janë pa dëm. Është pak a shumë si puna e terrorizmit. Me mijëra alarme për bombë njoftohen nëpër botë, shumica dërrmuese e të cilave janë false. E megjithatë, asnjë forcë policore nuk mund t’i lejojë vetes të mos ndjekë protokollin njësoj sikur alarmi të ishte 100% i sigurt për bombë reale. Inteligjenca policore e çfarëdolloj niveli, e një polici apo një policeje, e një shefi apo një vartësi, nuk është në gjendje të dallojë nëse largimi i një vajze nga shtëpia është një reagim me emocionalitet të tepruar nga prindi apo është një rast i trafikimit të qenieve njerëzore. Dhe kuptohet që policja Inna ka nevojë të mësojë se një minorene vijon të mbetet ligjërisht dhe njerëzisht minorene pavarësisht “vitit të prodhimit” ndërsa shefi i saj duhet të dijë se një minorene vijon të mbetet minorene pavarësisht “llojit të parakoplit”.

Kjo tregon shumë se gjithë ato vite trajnimesh për problemet gjinore në Policinë e Shtetit nuk kanë mjaftuar. Dukshëm policja Inna dhe shefat Rustem dhe Petrit kanë nevojë të trajnohen sërish, me grupe të përzjera policë dhe police, për t’i shpjeguar se “parakolpi”, sido që të jetë, nuk e bën një vajzë imune nga trafikimi apo dhuna në familje dhe se fakti që shumë vajza arratisen nga shtëpia me ndonjë shok, kjo nuk i bën më pak të rrezikuara, më pak shtetase dhe më pa nevojë për mbrojtje policore. Dhe për më tepër, lloji i parakolpit nuk përbën indicie për llojin e moralit të vajzës dhe as nuk mund të përbëjë tregues për llojin e shërbimit policor që ka nevojë.

Ndërsa shefi Petrit bën mirë që njerëzisht dhe ligjërisht të mos shohë vajzat minorene nga “parakolpi”, veçanërisht në rastet kur ato janë sjellë në vëmendjen e tij, pikërisht për faktin që janë minorene.

Një polici që nuk arrin të trajtojë me seriozitetin e duhur rastin e zhdukjes së një minoreneje është një polici e paaftë për të na mbrojtur nga trafikantët e qenieve njerëzore./BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.