AKTUALITET

Nga Pasaportat e Arta, te Amnistia Fiskale dhe legalizimi i kanabisit/ Sandër Lleshaj për Panorama TV: Rama të mos i ishte futur fare këtyre iniciativave, të zbulohen “kumbarët” e…

19:48 - 18.03.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është shprehur se nismat e qeverisë për Pasaportat e Arta, Amnistinë Fiskale dhe legalizimin e kanabisit, nuk sjellin dobi publike dhe janë kundër BE-së.




Komentet Lleshaj i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se kryeministri Edi Rama nuk duhet t’i ishte futur fare këtyre iniciativave, pasi sipas tij ky është një konsum i panevojshëm, edhe te partnerët e BE-së.

Lleshaj tha se përshëndet tërheqjen e qeverisë nga nisma për Pasaportat e Arta dhe shtoi se duhet të gjenden edhe ata që kanë lobuar për këto nisma, pasi sipas tij, ata huet të njihen dhe të mos merren në konsideratë për të tjera nisma.

“Nuk jam në dijeni për shkarkimin e Vlora Hysenit në Kosovë. Nuk besoj se prish marrëdhëniet mes dy vendeve propozimi i saj për në krye të SHISH. Unë në parim përshëndes idenë e promovimit të një vajze nga Kosova në një detyrë të rëndësishme. Për emrin nuk kam njohje të thella që të flas. Por që të vijë një nga Kosova dhe të marrë një pozicion të rëndësishëm në Shqipëri, unë e shoh diçka të duhur. Kjo nuk është një çështje publike, është një çështje që e vendosin ata që kanë përgjegjësitë përkatëse. Nëse ata arrijnë në përfundimin e duhur, nuk ka nevojë për diskutim publik. Aq më tepër për Shërbimin Informativ.

Unë mendoj se lëvizja e Ramës për tërheqjen nga Pasaportat e Arta është një lëvizje e duhur. Ashtu siç kam shprehur keqardhjen kur është shprehur ideja e Pasaportave të Arta. Ato bëhen të arta vetëm kur je pjesë e një vendi Shengen. Kjo do të thotë se ne nuk mund t’u shesim të huajve hapsirën Shengen, pa pyetur vetë Shengenin. Ka qenë një iniciativë pa të ardhme. Uroj që ky rast të shërbejë për startimin e iniciativave. Në këtë rast do të ishte e dobishme të sqarohen se kush janë edhe ata që e kanë shtytur këtë iniciativë. Kush janë kumbarët e kësaj iniciative. Rrugëtimi i gjatë i një iniciative është një konsum edhe në kontekstin ndërkombëtar. U përfundua një rrugëtim që nuk do të zgjaste.

Unë besoj si Pasaportat e Arta, si Kanabisi Mjekësor dhe si Amnistia Fiskale janë të ngjashme. Qëllimi ka qenë i mirë, që përmes këtyre iniciativave të krijohet prosperitet. Por janë iniciativa që nuk sigurojnë konsensusin e BE-së dhe them se asnjëra nuk ka shanse të ketë sukses. Unë shpreh mendimin tim, mendimi im është u bë mirë që u stopuan pasaportat e arta, kanabisi nuk do të ketë të ardhme, nuk do të sigurojë prosperitet për Shqipërinë. Nevojat për kanabisin mjekësor janë të përmbushura. Ne nuk po ecim me ritme të mira as në eksportin e produkteve bujqësore. Tregu i kanabisit është i garantuar, sepse prodhohet në shumë vende të BE-së. Unë nuk shoh të ardhme. Ka njerëz që e shtyjnë këtë ide. Këto shtyhen nga grupe të ndryshme interesi.

Edhe sikur të miratohet, nuk do të sigurojë asnjë dobi publike. Nuk do të miratohet pasi BE nuk do ta pranojë dhe BE nuk është një partner që na këshillon, por që vendos për ne. E para edhe sikur të miratohet amnistia fiskale, paraja kriminale do të qarkullojë jashtë sistemit. Paraja tjetër, ajo që është normalja, nuk ka nevojë për amnisti. Nuk mund të sigurijë sukses. Duke qenë se BE dhe partnerët e kundërshtojnë si ide, do ta bëjnë të vështirë dhe thuajse edhe të pamundur këtë ide. Në fund vullneti i BE do të mbizotërojë. Sovranitetin tonë ne e kemi limituar kur kemi hyrë në NATO. E njëjta gjë po ndodh edhe në fushën politike. Brukseli do të ketë mundësi të ndërhyjë. Sa më afër shkojmë drejt BE-së. Aq më tepër rritet pesha e tyre për të folur.

Ne kemi kapacitete të limituara për të monitoruar zhvillimet në këto fusha, pra kemi kapacitete për të monitoruar gjëra pak më të thjeshta. Kjo do të thotë se duhet të shtojmë disa telashe të reja. Kjo për mua as që duhet të kishte nisur”, u shpreh Lleshaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.