OPINION

Feminizmi si temë qëndrore në diplomacinë gjermane!

09:00 - 20.03.23 DR. JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në koalicionin e ri qeveritar federal të krijuar në dhjetor 2021, për herë të parë në historinë gjermane u emërua Ministre e Jashtme, zonja Annalena Baerbock, 42 vjeçe, ish sportiste, bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar e dy vajzave, deputete dhe liderja karizmatike e Partisë së Gjelbër. Sapo filloi detyrën e re, ajo premtoi ta bënte feminizmin temë qëndrore në politikën e jashtme dhe diplomacinë gjermane.
Pas përgatitjeve të rastit, më 1 Mars Baerbock bashkë me Ministren Federale të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim, Svenja Schulze bënë publik në një ceremoni të veçantë dokumentin përkatës prej 45 faqesh me 10 parimet udhëheqëse. Pesë prej tyre i kushtohen forcimit të feminizmit në veprimtarinë e MPJ-së, ndërsa të tjerat politikës së jashtme, diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar gjerman. Kryediplomatja gjermane e filloi fjalën me pohimin prekës të një nëne ukrainase gjatë vizitës së saj në Kiev vitin e kaluar që ” nëse nuk ka siguri për femrat, mos prisni të ketë siguri për askënd tjetër ”
Së pari, dokumenti në fjalë nuk është pamflet misionar dhe as akt lufte, por kut domethënës matës që tregon gjendjen e shoqërisë në përgjithësi dhe të grave në veçanti; ai është udhërrëfyes për veprim nën shembullin e vendeve më të përparuara në këtë fushë. Kjo lëvizje e re feministe nuk është revolucion, se nuk ka nevojë për një të tillë, por pikë madhore kthese në këtë fushë me ndjeshmëri të jashtëzakonshme publike; ajo nuk është qëllim në vetvehte, por mjet për realizimin e një synimi të madh dhe fisnik; sepse sa më e madhe të jetë prania dhe pjesëmarrja e grave dhe vajzave në proceset dhe projektet e zhvillimit vendas dhe atij ndërkombëtar, aq më të shumta dhe efektive do të jenë garancitë për paqe, siguri, begati dhe demokraci kudo, duke minimizuar dallimet e mëdha që ekzistojnë në botë. Këtu mjafton të përmendim se, sipas disa sondazheve ekonomike, nëse në tregjet e punës do kishte barazi gjinore, atëhere rritja ekonomike globale brenda një periudhe tre vjeçare do të ishte 26 për qind më e lartë.
Së dyti, të 10 parimet e lartpërmendura udhëheqëse janë udhëzime dhe instrumenta pune, të cilat synojnë ndryshime tërësore në mentalitetin dhe në politikat e jashtme dhe praktikat diplomatike si dhe forcimin e ” reflekseve feministe” në një fushë të tillë jetike me jehonë të gjerë ndërkombëtare. Ca më tepër kur bëhet fjalë për Gjermaninë, si shtet i madh, me kapacitete të shumta dhe lider në në BE, NATO, e gjetkë, me një numër të madh projektesh ndërkombëtare dhe në kuadrin e diplomacisë klasike, ekonomike, kulturore, publike, etj.
Këto parime nënvizojnë se feminizmi në politikën e jashtme gjermane nuk është përjashtues, por gjithëpërfshirës; nuk është kundër burrave por bashkë me ta.
Ndërsa kjo strategji e re feminizmi mbështetet në tri ”R-“ të forta gjermane – të Drejtat, Përfaqësimi dhe Burimet ( Rechte, Repräsentanz &Ressourcen).
Lidhur me forcimin dhe garantimin e të drejtave të grave, një aspekt jetik do të jetë rishikimi i procedurave të akordimit të projekteve ekonomike, sociale, kulturore, etj, me qëllim që prej tyre të përfitojnë sa më shumë grupet dhe shtresat më të rrezikuara dhe më në nevojë në vendet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Më konkretisht, është parashikuar që deri në vitin 2025, 85 për qind e projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim të shkojnë në favor të grave dhe vajzave në rajonet e lartpërmendura, ndërsa 8 për qind e tyre për transformim gjinor.
Dallimi tjetër cilësor këtu është se veç sasisë, do të analizohet me kujdes cilësia dhe destinacioni i ndihmave në fjalë, që të jenë sa më efektive, nëpërmjet pranisë më të madhe të grave në proceset diplomatike, paqebërëse, të sigurisë, zgjidhjes së konflikteve, etj. Po ashtu do shihet mundësia për ndërprerjen e ndihmave për vende si Afganistani, ku gratë dhe vajzat dhunohen, helmohen dhe diskriminohen. Ndër të tjera dokumenti thekson rëndësinë e madhe të zbatimit të projekteve për sigurinë e vendeve të ndryshme.
Por ekspertët thonë se nuk duhet të ketë iluzione dhe pritshmëri të larta për zgjidhje magjike. Kjo lëvizje është më shumë një hop përpara për zhvillimin dhe nxitjen e dialogut me shoqërinë civile, rrjetet e mbrojtjes së grave, median, etj.
Kjo qëndron sidomos për ndikimin e kësaj diplomacie feministe në vendet e tjera të mëdha si Kina, Brazili, Rusia, Irani, Afganistani, si dhe vende të tjera ku demokracia po zbehet dhe po zëvendësohet me autokracinë. Nën petkun e ” mosndërhyrjes në punët e brendshme” liderët e këtyre vendeve kundërshtojnë çdo referim ndaj mbrojtjes të të drejtave të grave, fëmijve, barazisë gjinore, etj.
Ja pse kjo përbën një moment delikat dhe kritik për hapat që do të ndërmerren në këtë kuadër, pa folur për suksesin e saj, që të mos mbetet vetëm dëshirë e mirë.
Së treti, ky feminizëm i ri nuk është i barazvlershëm me pacifizmin. Aktualisht, kur paqja po kërcënohet hapur si në rastin e agresionit rus ndaj Ukrainës, pacifizmi ”nuk pi më ujë” dhe po zëvendësohet me politika aktive deri në përdorimin e forcës ushtarake mbrojtëse bashkë me ndihma dhe solidaritet të gjithanshëm, siç po bën me të drejtë Perëndimi me Ukrainën.
Ndaj, me të drejtë, Ministrja e Jashtme Baerbock, politika dhe shumica dërmuese e opinionit publik gjerman e kanë kundërshtuar me forcë « Manifestin e Paqes » të propozuar një muaj më parë nga ish liderja komuniste Sahra Wagenknecht dhe aktivistja e njohur civile, Alice Schwarzer për armëpushim dhe paqe me çdo kusht, duke venë shenjën e barazimit midis agresorit rus dhe Ukrainës. Siç thotë nobelistja ukrainase Oleksandra Matwiitchouk ” paqja nuk vjen aq thjesht kur një vend nuk lufton më; madje, atëhere kjo nuk quhet më paqe, por pushtim“
Këtë ide shprehu disa ditë më parë edhe politologja dhe publicistja e njohur gjermano-iraniane Mariam Lau, kur tha se « nëse hedh armët Putini, mbaron lufta, por nëse këtë e bën Ukraina, atëhere është ajo që merr fund»
Së katërti, përfaqësimi më i madh i grave në diplomacinë gjermane brenda dhe jashtë vendit do të forcojë më shumë imazhin ndërkombëtar të Gjermanisë në botë. Kjo e fundit ka tradita të lashta në fushën e rekrutimit të diplomatëve dhe emërimit të tyre në poste të larta, drejtore, ambasadore, etj. Por tani kërkohet forcimi dhe theksimi i këtij komponenti jetik. Ca më tepër, se nga 226 ambasadorë jashtë vendit, vetëm 60 janë gra, më pak se 25 për qind. Gjithsesi, çështja e kuotave është më e thjeshta, sepse kjo është pak a shumë në dorë të Ministrit apo titullarit. Më të vështira janë zbatimi i rregullave dhe procedurave sa më të mira të rekrutimit dhe promovimit të vazhdueshëm të grave dhe vajzave në shërbimin diplomatik.
Së pesti, realizimi i këtyre objektivave kërkon burime njerëzore dhe financiare. Ndaj, ” Feminizmi” do të pasqyrohet si zë i veçantë dhe në buxhetin e MPJ-së gjermane.
Në vijim, për ndjekjen dhe zbatimin e këtyre detyrave dhe projekteve do të ketë një Ambasadore në funksionin e të Dërguarës së Lartë të Qeverisë gjermane.
Së gjashti, lançimi i lëvizjes më të re gjermane është një mësim i dobishëm dhe për dimensionin feminist të politikës së jashtme dhe diplomacisë shqiptare, veç jo vetëm por në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës. Fjala është kryesisht për brenda, sepse, duke qenë vend i vogël, ai nuk pritet të ketë ndonjë ndikim jashtë vendit. Pa dyshim që ka arritje dhe vitet e fundit në këtë fushë. Gratë dhe vajzat po zenë më shumë vend dhe shqetësimet e tyre po tentohet të trajtohen më mirë. Qeveria jonë mbizotërohet nga gjinia femër, sikurse është rritur numri i deputeteve, zv.ministreve, drejtuesve të departamenteve dhe sipërmarrjeve. Risia më e madhe vërehet në diplomaci, ku kemi Ministren dhe dy zv.ministre të Jashtme gra, gati 25 për qind të ambasadoreve gra, kur 20 vite më parë ato ” numërohesin me gishta”; shumica e drejtorëve në MPJ dhe e diplomatëve tanë jashtë, sidomos në atë të BE-së në Bruksel janë gra/vajza, diplomate karriere me përvojë të gjatë.
Megjithatë, nuk ka vend për vetëkënaqësi e ca më pak për hiperbolizim të arritjeve, përkundrazi. Duke filluar nga kuotat në diplomacinë tonë, të cilat duhen të shoqërohen me rezultate konkrete në terren e jo të trumpetohen më shumë për show dhe medalje; sepse jo vetëm ka shumë vend për të shtuar numrin e drejtueseve dhe të ambasadoreve, ca më tepër kur ka një numër të madh zonjash, me kualifikime brilante shkencore të përfituara brenda dhe jashtë vendit, të cilat ende nuk po promovohen sa dhe si duhet në hierarkinë tonë të lartë diplomatike.
Veç të tjerash, kjo ndodh sepse ka jo pak vajza/gra të cilat rekrutohen e promovohen jo bindshëm nga brenda e sidomos nga jashtë sistemit, pa meritat përkatëse profesionale, më tepër si shpërblim për shërbime partiake dhe falë mbiemrave.
Këtu ka ndikuar shumë në 10 vitet e fundit dhe bllokimi i ndryshimit të trupës ambasadoriale. Aktualisht mbi 80 për qind e Ambasadorëve dhe Konsujve të Përgjithshëm e kanë tejkaluar jo me tre vjet, por me tri herë e më shumë mandatin kohor ligjor të shërbimit jashtë vendit dhe ende janë atje. Ndërkohë, mbi 10 ambasadorë kanë mbushur moshën e pensionit. Ndaj, lëvizja e rreth 45 nga 55 ambasadorë që kemi gjithsejt dhe zëvendësimi i tyre urgjent do t’i japë fund kësaj anomalie që kudo gjetkë do kishte shkaktuar skandal politik; ndërkohë, ajo do të krijojë mundësi më mëdha për promovimin në karrierë të grave/vajzave diplomate.
E megjithatë, kjo është vetëm gjysma e tablosë. Problemi tjetër është se sa e kanë justifikuar dhe vetë vajzat dhe zonjat në krye të diplomacisë dhe institucioneve të tjera përkatëse, më konkretisht sa dhe çfarë kanë bërë me programe dhe projekte për të justifikuar besimin e dhënë, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e grave/vajzave? Po për promovimin e të drejtave dhe lirive të tyre, në bashkëpunim me rrjetet e promovimit të vendimmarrjes së grave? Dhe kjo jo vetëm në Tiranë, por kudo e sidomos në fshat me shtresat e rrezikuara. Probleme dhe mungesa të shumta ka dhe në drejtim të parandalimit të dhunës në familje, luftën ndaj varfërisë te gratë dhe vajzat dhe kjo listë vijon me tematika tejet përvëluese.
Për fat të keq, po të hyjmë në dukuritë në terren, në të dhëna dhe shifra, sidomos në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve përkatëse, bilanci do të rezultojë tejet i varfër, madje mjeran dhe me reagime fare anemike dhe nga Zonjat tona VIP.
Pastaj, përse ta fshehim që problemi këtu fillon qysh me imazhin problematik të disa qeveritareve tona të larta, me dinjitetin e tyre, shembujt që japin me sjelljet dhe qëndrimet e tyre për emancipimin e gjithë shoqërisë dhe lidershipet politike.
Së fundi, ky katalog i larmishëm tematik është i gjatë dhe intrigues. Ja pse lëvizja me e fundit e diplomacisë gjermane mund e duhet të na shërbejë qoftë dhe në miniaturë, të paktën ”në frymë” si spunto dhe nxitje për arritje të vërteta për fuqizimin e mendimit dhe veprimit të vajzave/grave tona në politikën e jashtme, në diplomaci dhe në fushat e tjera ku telashet dhe hallet po ”ulërasin” për zgjidhje.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.