AKTUALITET

Credit Suisse/ Skandalet që e “shkatërruan” – Pastrim parash, bashkëpunim me mafian

21:27 - 21.03.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Skandalet pasuan njëri-tjetrin dhe investitorët, të trembur nisën të largoheshin. Problemet ekzistonin por vitet e fundit po rriteshin edhe më shumë.  Paratë nga familja Saudite Olayan u investuan në bankë kur gjërat u errësuan shumë, injektimi i likujditetit shpëtimtar erdhi nga Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.




Tetorin e kaluar, pas shpalljes së humbjeve prej 4 miliardë eurosh nga banka, Banka Kombëtare e Arabisë Saudite i dha 1.5 miliardë euro shtesë Credit Suisse (tashmë 4 miliardë), duke e rritur vlerën e aksioneve të saj në 9.9%. Kështu sauditët u bënë aksionerët kryesorë të bankës zvicerane duke dhënë para pa i kërkuar llogari: Ata nuk donin një përqindje të mëtejshme për të mos u përfshirë në probleme rregulatore ligjore dhe kontabiliteti, ata nuk futën anëtarë të tyre në bord, ata nuk kërkuan asgjë, për faktin e thjeshtë se mendonin se po kryenin një investim fitimprurës.

Megjithatë, edhe dhurata e jetës nga princi nuk zgjati shumë. Kolapsi i Silicon Valley Bank dhe pasiguria rreth politikës së normave të interesit të bankave qendrore përkeqësoi frikën e investitorëve dhe lidhja e dobët u bë menjëherë e dukshme. Aksionet e Credit Suisse ranë në nivelin më të ulët historik dhe kapitalizimi i saj i tregut u tkurr në pak më shumë se 7 miliardë euro.

Pasoi paniku, dhe aq më tepër kur sauditët e bënë të qartë se nuk do të jepnin më para, sepse nuk donin të shkaktonin thyerje të rregullave ligjore, nëse norma e tyre kalon 10%. Dhe kështu zgjidhja e parë u dha, në vend nga SNB, pra Banka Kombëtare e Zvicrës, e cila u zotua të akordonte më shumë se 50 miliardë euro në Credit Suisse.

Por ishte e nevojshme për një ndërhyrje të dytë në formën e granti të Credit Suisse prej 3.2 miliardë dollarësh nga UBS dhe dhënies së një linje kredie deri në 100 miliardë franga zvicerane (më shumë se 100 miliardë dollarë) për UBS dhe Credit Suisse nga banka qendrore zvicerane për të qetësuar tregjet dhe zvogëluar shqetësimet.

Karrigia elektrike më e pëlqyera

Gjithçka që ndodhi dhe po ndodh ka një fillim dhe një pasojë: aftësia paguese dhe besueshmëria e bankës së famshme kishte më shumë vrima se djathi i famshëm zviceran. Për këtë situatë ishin kujdesur drejtuesit e Credit Suisse, të cilët u implikuan në skandale korrupsioni, evazioni fiskal e deri në spiunazh, e kthyen në “lavanderi” dhe e përfshinë në lloj-lloj transaksionesh të errëta.

Dhe, të themi të vërtetën, problemi i likuiditetit do të ishte disi më i vogël, nëse nuk do të ishte detyruar të paguante 114 miliardë euro gjoba gjatë 22 viteve të fundit. Jo se skandalet përfunduan, u mbyllën me kaq. Përveç kësaj, deri më sot Banka ka rreth dhjetë çështje të hapura me Drejtësinë.

Dhe jo rastësisht, përveç klientëve, dera e largimeve po përfshin dhjetëra drejtues të lartë të saj, si zëvendësdrejtori i përgjithshëm Christian Meissner, kreu global i produkteve të kreditit Daniel Mccarthy, bashkëdrejtuesi i bankingut global Jens WEelter dhe shumë të tjerë.

Për shkak të këtyre situatave ajo e bën karrigen elektrike të duket shumë e sigurt përballë CEO të Credit Suisse. Bankieri amerikan Brady Duggan, i cili u emërua në këtë pozicion në vitin 2007 dhe e kishte drejtuar bankën drejt ujërave të sigurta gjatë viteve të krizës.

Ai mendoi se pozicioni i tij ishte i sigurtë. Në vitin 2015, kur ai u detyrua të jepte dorëheqjen, pasi banka u gjobit me 2.8 miliardë dollarë në SHBA për evazion fiskal, ai rishikoi parashikimet e tij vjetore dhe humbi terren në bankingun e investimeve në favor UBS. Vendin e tij e zuri Tizan Thiam, i cili ndoshta do të jetë penduar që nuk e pranoi ofertën për të marrë postin e kryeministrit të Bregut të Fildishtë.

Edhe pse në ditën e Shën Valentinit në 2020, Thiam do të detyrohej të jepte dorëheqjen, si pasojë e një skandali spiunazhi që trondit bankën. As dhjetë muaj më vonë, pasardhësi i tij zviceran Thomas Gottsteinhe do të përballej me një stuhi të re që tronditi bankën: një skandal pastrimi parash nga karteli i drogës, në të njëjtën kohë me shpalljen e humbjeve gjigante.

Dhe ai gjithashtu do të largohej. Megjithatë, pasardhësi i tij, gjermano-zviceriani Urlich Kerner, u tregua një kockë e fortë: Vetëm tre muaj pasi ai mori drejtimin, në tetor 2022, banka ishte në prag të kolapsit dhe u shpëtua nga ndërhyrja e Bankës Kombëtar e Arabisë Saudite. E njëjta lojë u përsërit tani, me ndihmën e ofruar nga banka qendrore zvicerane dhe Kerner që ekulibroi pozitat e tij. Por, e keqja do të mbizotëronte?

Archegos – Greensill: Skandalet e dyfishta

Ndoshta skandali më i profilit të lartë që përfshin bankën në vitet e fundit është ai i Archegos dhe Greensil Capital. Ishte mars i vitit 2021 dhe vetëm disa ditë përpara se fondi i Billy Huang, Archegos Capital Management, të dështonte për shkak të mospagimit të marrëdhënies së tij të huasë me bankën, Credit Suisse po likuidonte dhe mbyllte 10 miliardë dollarë pozita investimi të ofruara për firmën britanike të shërbimeve financiare Greensill Capital. Jo shumë kohë më vonë, Greensill gjithashtu do të shkatërrohej.

Siç u zbulua më vonë, Credit Suisseit kishte një qasje në SHBA, ku investitorët e zemëruar shkuan në gjykatë kundër saj dhe përshkruan një “laissez-faire” nga banka zvicerane.

Dhe kjo ka kuptim, pasi, siç doli, humbjet neto të Credit Suisse nga kolapsi Archegos-Greensill kaluan 5.5 miliardë dollarë.

Mënyra se si është bërë ky dëm masiv është përtej edhe skenarëve më ekstremë. Archegos Capital Management kishte marrë miliarda hua nga Credit Suisse Group AG për të vënë çuar te një pjesë të vogël të aksioneve, duke përfshirë kompanitë zbativëse.

Në praktikën e saj të zakonshme, Archegoshad i dorëzoi para të gatshme Credit Suisse për të mbrojtur kuotat e saj. Me më shumë se dyfishimin e aksioneve që nga fillimi i atij viti, Archegos kërkoi mbrapsht disa nga ato para dhe i mori.

Transferimi në thelb nënkuptonte që Archegos kishte edhe më pak para për të mbështetur pozitat e tij. Ndërkohë, disa nga rivalët e Credit Suisse lëvizën në drejtim të kundërt. Ata panë një rrezik në rritje në përqendrimin e pozicioneve të kompanisë dhe kërkuan që ajo të mbështeste investimet e saj me para shtesë në cash, sipas zyrtarëve të bankës.

Kjo u pasua me rrënimin e ViacomCBS e cila solli rënien e Archegos si një kala prej rëre. Banka zvicerane mbeti me një humbje kolosale. Kjo është diçka që mund t’i ndodhte kujtdo, mund të thuhej.

Megjithatë, gjatë hetimeve ka pasur pyetje tejet torturuese. Pse ia kthyen paratë Archegos? Pse i mbështeti ajo kuotat e rrezikshme në një nivel që i tejkaloi jashtëzakonisht të gjitha standardet dhe parashikimet e deklaruara?

Drejtuesve të bankës madje u ishte dhënë një paralajmërim i rreptë një vit më parë se si po trajtonin rrezikun – por ndryshimet e rekomanduara nuk ishin zbatuar.

Dhe ja ku erdhi përgjigja: Sistemet menaxhuese të riskut të Credit Suisse nuk funksionuan mirë, ata nuk e bënë punën e tyre si barrierë mbrojtëse e bankës dhe e lanë atë shumë të ekspozuar ndaj gabimeve njerëzore gjatë krizës.

Sigurisht, këto gabime patën kosto të shtrenjtë dhe zemëruan aksionerët e saj. Po, Credit Suisse nuk ishte e vetmja bankë që punonte me Archegos, por ishte e vetmja që kishte reagim të ngadaltë në likuidimin e fondeve të përbashkëta dhe pësoi humbjet më të rënda.

Skandali i Mozambikut

Në vitin 2013, Credit Suisse organizoi dhënien e kredive prej afërsisht 1 miliard dollarë për dy kompani shtetërore mozambike. Paratë, sipas kushteve të kredive, ishin të destinuara për blerjen e anijeve që do të përdoreshin në rojet bregdetare të vendit, por edhe për peshkimin e tonit. Megjithatë, në vend të kësaj, diku përgjatë rrugës paratë humbën dhe përfunduan në xhepat dhe dhjamosjen e individëve privatë, në një labirinth skandali korruptiv.

Si fillim, banka humbi rreth 200 milionë dollarë në tarifa kredie që duhej të ishin bërë, por tre nga punonjësit e saj rrëfyen se “harruan” kur iu morën ryshfet zyrtarëve mozambikë.

Më pas, një pjesë e parave të kredisë që nuk “humbën” u përdorën në të vërtetë për blerjen e anijeve. Sigurisht, anijet e dorëzuara nga kompania franko-libaneze e ndërtimit dhe riparimit të anijeve Privinvest paguheshin me çmime shumë të fryra dhe nuk nuk u panë asnjëherë të lundronin në ujë!

Thomas Gottstein: Fundi i vitit 2020 u mor nga pasardhësi zviceran i Thiam, i cili u largua një vit e gjysmë më vonë pasi u përfshi në një skandal të pastrimit të parave të kartelit të drogës, në të njëjtën kohë me njoftimin e humbjeve gjigante

Banka humbi, por edhe shteti i Mozambikut. Vlerësohet se 1 miliard dollarë ishin humbjet nga shteti afrikan, që ishte i barabartë me GDP-në e tij atë vit dhe vlerësohet të ketë çuar  drejt kufirit të varfërisë rreth 2 milionë qytetarë të tij.

Skandali shkatërroi jetën e njerëzve, por nuk mbaroi me kaq. Credit Suisse u detyrua të shlyente dhe të paguante një gjobë prej 475 milionë dollarësh, ndërkohë që ra dakord të anulonte 200 milionë dollarë borxhe që Mozambiku i detyrohej bankës.

Çështja shkon shumë më e thellë, pasi banka e ristrukturoi kredinë në vitin 2016, pavarësisht se e ishte e vetëdijshme për keqmenaxhimin, por nuk u ndal me kaq: Mori një kredi shtesë prej 1.4 miliardë dollarësh, të cilën ia fshehu Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kur FMN-ja e zbuloi këtë, e tërhoqi mbështetjen për vendin duke e çuar ekonominë e në një tatëpjetë dhe duke e zhytur Mozambikun në një krizë tjetër financiare, këtë herë e stampuar me vulën e Credit Suisse.

Mafiozi mundës bullgar

Njëherë e një kohë ishte një mundës bullgar që ishte bërë mafioz, një bankier zviceran, një lavanderi dhe një… riciklim (pastrim parash)! Ky rast mund të duket si një shaka, por është aq i rëndë, saqë u deshën një hetim 20-vjeçar nga prokurorët zviceranë për ta faktuar.

Hetimi i prokurorisë përfundoi duke akuzuar mundësin bullgar (i paidentifikuar), Credit Suisse dhe një ish-punonjës për ndihmë në pastrimin e rreth 39 milionë dollarëve që burimin e kishin nga trafiku i drogës.

Credit Suissesat në bankën e të akuzuarve ishin për dështimin të përgjegjësive themelore për të përmbushur direktivat dhe detyrimet kundër pastrimit të parave, duke përfshirë mos bllokimin e 35 milionë frangave që i nënshtrohen një urdhri konfiskimi në 2007, sipas aktakuzës.

“Credit Suisse ishte në dijeni të këtyre mangësive të paktën që nga viti 2004”, thanë prokurorët në aktakuzë. “Fakti që i lejoi të vazhdonin deri në vitin 2008, apo edhe më vonë, pengoi zbulimin e veprimtarive të pastrimit të parave.

Mafiozi bullgar punëdhënës u dënua në vitin 2017 për pastrim parash, pasi ai u kap duke kontrabanduar më shumë se 4.5 milionë dollarë në kartëmonedha të vogla nga Barcelona në Zvicër.

Por ish-punonjësi i bankës u akuzua edhe për lidhje me një organizatë kriminale në Bullgari. Banka jo vetëm që i mohoi akuzat, por tha gjithashtu se ishte “e habitur” nga vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm zviceran, duke shtuar se “synon të mbrohet fuqishëm ndaj akuzave”.

Çështja u referua në Gjykatën Penale Federale të Zvicrës, me vendimin që detyron bankën të paguajë shumën e fitimeve që përfitoi nga veprimtaria kriminale e pastrimit të parave si dhe të paguante një gjobë prej afërsisht 5 milionë dollarësh.

Shuma totale e parave të organizatës kriminale me të cilën bashkëpunoi mafiozi bullgar ishte pastruar (ricikluar) nga banka, sipas prokurorëve zviceranë, nga tetori 2004 deri në janar 2009 kalonte 146 milionë dollarë.

Pastrim parash për mafien japoneze, Yakuza

Në vitin 2004, një bankier i Credit Suisse u arrestua me akuzën se kishte ndihmuar një rrjet ndërkombëtar të pastrimit të parave të lidhur me mafien japoneze, Yakuza. Bankieri 41-vjeçar Atsushi Doden kishte dhënë dorëheqjen nga banka vetëm një javë para se të arrestohej në Tokio, kur anëtarët e tjerë të Yakuza po arrestoheshin. Midis të arrestuarve ishte i ashtuquajturi “Cari i Financave”, Susumu Kajiyama.

Hetimet nga autoritetet në Japoni, Zvicër dhe Hong Kong zbuluan më shumë se 40 milionë dollarë në pastrim parash nga bandat e përbashkëta Yamaguchi-Gumi, sindikata më e madhe e krimit në Japoni. Sipas hetimeve të policisë, paratë nga “peshkaqenët” huadhënës janë pastruar duke blerë bono (obligacione).

Paratë u transferuan nga Standard Chartered Bankof Tokyo në degën e Credit Suisse në Hong Kong, më pas në një degë Credit Suisse në Singapor dhe më në fund në selinë qendrore të bankës në Zvicër, ku ato u formalizuan të “pastra” në Japoni, ku u paguan përmes një kompani japoneze obligacionesh.

Ndihma për diktatorin Markos

Vetëm vitin e kaluar u zbulua se Credit Suisse ndihmoi diktatorin filipinas Ferdinando Marcos dhe gruan e tij Imelda të fshehin midis 5 dhe 10 miliardë dollarë që ia vodhën vendit. Paratë u grumbulluan gjatë tre mandateve të Marcos si president i vendit dhe u transferuan në Zvicër.

Credit Suisse jo vetëm që nuk lehtësoi hetimet e autoriteteve, por kishte hapur edhe llogari bankare me emra të rremë për çiftin, duke mbrojtur paratë e tyre nga kontrolli.

Pra, askush nuk do t’i shkonte mendja të hetonte Ëilliam Saunders dhe Jane Ryan, siç e kishte quajtur banka çiftin Marcos. Në vitin 1995, një gjykatë e Zyrihut urdhëroi bankat, përfshirë Credit Suisse, të kthenin 500 milionë dollarë fonde të vjedhura në Filipine. Megjithatë, dëmi për popullin filipinas ishte shumë më i madh dhe me pasoja.

100 miliardë dollarët “të pista” e zbuluara nga Panama Papers

Në shkurt 2022, gazetarët e gazetës gjermane “Sueddeutsche Zeitung” bënë një zbulim tronditës: Ata publikuan dosje të zbuluara të Credit Suisse në lidhje me 18,000 llogari bankare dhe 30,000 mbajtës të llogarive, që arrijnë në më shumë se 100 miliardë dollarë amerikanë.

Skandali u quajt “Swiss Leaks” ose “Swiss Secrets”, i njohur ndryshe si “Panama Papers”, ato treguan se banka punonte me biznesmenë që ishin në listat e sanksioneve, njerëz të ndjekur penalisht për shkelje të të drejtave të njeriut, kriminelë, organizata mafioze, diktatorë dhe korporata – fantazmë, të cilët trafikonin dhe pastronin para të zeza.

E keqja për bankën ishte se ai dukej se e dinte se kë po ndihmonte për të pastruar ose fshehur paratë e vjedhura dhe të zeza nga të gjitha llojet e aktiviteteve kriminale – ai e bëri këtë intensivisht nga viti 1940 deri në vitin 2020.

Për Diktatorin nigerian u zbulua se Credit Suisse kishte pranuar fonde prej rreth 214 milionë dollarë, të cilat ishin krijuar nga korrupsioni i diktatorit ushtarak të Nigerisë, Sani Abacha në vitet ’90. Banka, megjithatë, shpëtoi vetëm me një qortim nga Komisioni Federal i Bankës Zvicerane.

Arsyeja: Zviceranët pranuan argumentin e Credit Suisse se “nuk mund ta dinin” se dy djemtë e Abacha, të cilët i kishin llogaritë bankare, ishin të ekspozuar ndaj korrupsionit. Dhe për më tepër, banka kishte përmirësuar tashmë procedurat e saj të auditimit, ndërsa stafi që merrej me fondet e Abacha ishte pushuar nga banka.

Në vitin 2004, një bankier i Credit Suisse u arrestua për asistimin e një rrjeti pastrimi parash të lidhur me mafien japoneze Yakuza. Hetimet nga autoritetet në Japoni, Zvicër dhe Hong Kong zbuluan më shumë se 40 milionë dollarë në pastrim parash nga bandat e huazuara Yamaguchi-Gumi, sindikata më e madhe e krimit në Japoni

Evazioni fiskal

Credit Suisse dhe evazioni fiskal duket se kanë një marrëdhënie të veçantë, pasi është akuzuar apo dënuar për vepra të tilla pothuajse… kudo ku ishin prezent.

Ajo është gjobitur më së shumti në SHBA, duke u paguar autoriteteve amerikane 2.6 miliardë dollarë kur u deklarua fajtore për ndihmën e amerikanëve për t’iu shmangur taksave për dekada. Çështja u hap kur ish-bankieri i UBS, Bradley Birkenfeld u bë “gryka e thellë” e autoriteteve amerikane në 2007.

Amerikanët zbuluan se Credit Suisse organizonte evente luksoze për të tërhequr klientët të cilëve u kërkoi t’i shmangeshin taksave me ndihmën e saj. Në fakt, joshën klientët me bonus ari falas për çdo klient të ri dhe e përdori për të fshehur sekretet e ndjeshme bankare midis faqeve të revistave sportive.

Në vitin 2017, në një operacion të koordinuar në Holandë, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe Australi, policia bastisi shtëpitë dhe zyrat e punonjësve të Credit Suisse. Hetimi kishte të bënte me 55,000 llogari bankare, të cilat ishin të lidhura me evazion fiskal. Hetimi vijuan, me bankën që deklaroi të bashkëpunonte me autoritetet dhe u zotua për një politikë “zero tolerancë” për evazionin fiskal.

Megjithatë, një vit më parë, Credit Suisse arriti një marrëveshje prej 109.5 milionë eurosh me qeverinë italiane pasi banka u akuzua se ndihmonte klientët të fshehnin fondet dhe të shmangnin taksat përmes një rrjeti labirinth sigurimesh që kalonte përmes filialeve në principatën e Lihtenshtejnit dhe Bermudeve.

Disa vite më parë, në vitin 2011, Credit Suisse kishte pranuar sërish të paguante një gjobë, këtë herë prej 150 milionë eurosh, në Gjermani për të mbyllur një hetim për rolin e saj në evazionin fiskal të 1100 klientëve të saj gjermanë.

Ferdinando dhe Imelda Marcos: Diktatori i Filipineve dhe gruaja e tij fshehën në bankë 5-10 miliardë dollarë që i vodhën vendit. Credit Suisse jo vetëm që nuk arriti të lehtësonte hetimet e autoriteteve, por kishte hapur edhe llogari me emra të rremë për çiftin, duke mbrojtur fondet e tyre nga kontrolli

Skandali i spiunimit

Në Mars 2020, CEO i Credit Suisse, Tizan Thiam, u detyrua të jepte dorëheqjen. Sapo kishte dalë lajmi se banka ishte e përfshirë në një skandal spiunazhi të korporatës, duke punësuar detektivë privatë për të ndjekur drejtuesit që largoheshin.

Megjithatë, nuk ishte aq e thjeshtë, dhe Thiam kërkoi që detektivët të ndiqnin ish-shefin e menaxhimit të pasurisë së bankës, Iqbal Khan, kur ai u transferua në UBS. Banka u përpoq ta kalonte atë si një incident të izoluar duke mashtruar autoritetet zvicerane, derisa pesë raste të tjera të lidhura u zbuluan nga 2016-2019.

Ryshfetet

Në një skandal të veçantë korrupsioni, Credit Suisse ra dakord të paguante një gjobë prej 47 milionë dollarësh autoriteteve amerikane për atë korruptim që bëri në Kinë midis 2007-2013.

Banka, në vend që të korruptonte zyrtarët kinezë për të gjetur treg në Hong Kong, bëri diçka që do të ishte më e vështirë për t’u zbuluar: ajo u ofroi punë të paguara mirë anëtarëve të familjes dhe miqve të zyrtarëve kinezë.

Kështu që të gjithë ishin të lumtur. Ose pothuajse të gjithë, pasi mashtrimi më i mirë është ai që nuk zbulohet.

Sani Abacha: Diktatori i Nigerisë vendosi rreth 214 milionë dollarë në bankë, të lidhur me korrupsionin. Credit Suisse shpëtoi vetëm me një qortim nga Komisioni Federal Bankar i Zvicrës, me pretendimin se nuk dinte për korrupsionin

Kambanat e alarmit

Në vitin 2016, Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim (SEC) gjobiti Credit Suisse me 16.5 milionë dollarë, pasi gjeti “gabime të rëndësishme” në zbatimin e programit kundër pastrimit të parave. Banka tha se po “ndërmerrte përpjekjet e duhura të brendshme korrigjuese”.

Një vit më vonë, megjithatë, rregullatori financiar homolog i Singaporit gjobiti Credit Suisse me 700,000 dollarë për shkeljen e rregullave të pastrimit të parave në transaksionet e lidhura me 1MDB, fondin e investimeve malajziane në qendër të një skandali korrupsioni prej 4 miliardë dollarësh.

Falsifikimet e firmave

Vetëm një vit më parë, një gjykatë në Bermuda vendosi që ish-kryeministri gjeorgjian Bidzina Ivanishvili dhe familja e tij kishin të drejtën për më shumë se gjysmë miliardë dollarë dëmshpërblim nga dega lokale e sigurimit të jetës së Credit Suisse.

Dhe nuk ishin të vetmit. Siç u zbulua, një ish-partner i Credit Suisse, Pascal Lescondron, falsifikoi firmat e ish-klientëve, përfshirë politikanin gjeorgjian. Nënshkrimet (firmat) janë përdorur për qëllime mashtrimi për më shumë se tetë vjet. Lescondron u arrestua dhe u dënua nga një gjykatë zvicerane në vitin 2018 për falsifikim të firmave të ish-klientëve, ndërsa Credit Suisse apeloi përfshirjen e saj.

Tizan Thiam: Për t’u bërë CEO i Credit Suisse, ai nuk pranoi ofertën për të marrë postin e kryeministrit në Bregun e Fildishtë. Më 14 shkurt 2020, Thiam u detyrua të jepte dorëheqjen pas një skandali spiunazhi që tronditi bankën

‘Lëshimet’

Ky është një rast që ende nuk është zbuluar plotësisht: rregullatori zviceran ka urdhëruar Credit Suisse të përmirësojë kontrollet e saj kundër pastrimit të parave, pasi gjeti ‘lëshime serioze’ në marrëdhëniet e saj me FIFA, kompaninë braziliane të naftës Petrobras dhe kompaninë shtetërore të naftës të Venezuelës PDVSA. Banka tha se po i merrte seriozisht përgjegjësitë e saj të pajtueshmërisë.

Roli i saj në krizën e vitit 2008

Credit Suisse duket se ka pasur gjithashtu një dorë në fillimin e krizës së vitit 2008. Të paktën kështu gjetën autoritetet amerikane, duke akuzuar katër ish-bankierë të Credit Suisse për mbivlerësimin me mashtrim të 3 miliardë dollarëve në obligacione të varura gjatë krizës së kredisë të vitit 2007. Në fund, vetëm një ish-drejtues banke, Karim Seragheldin, u burgos në lidhje me krizën financiare të SHBA.

Shkelje e sanksioneve

Për qeverinë amerikane, një nga shkeljet më të rënda që mund të kryejë është dhunimi i sanksioneve të vendosura ndaj individëve, organizatave dhe shteteve, i ngjashëm sot me presidentin rus Vladimir Putin.

U zbulua se Credit Suisse kishte bërë pikërisht këtë, domethënë duke anashkaluar sanksionet e SHBA kundër vendeve si Irani dhe Sudani nga viti 1995 deri në 2007. Ajo u gjobit me 536 milionë dollarë, me bankën që premtoi se do të kujdeset për procedurat e saj të brendshme.

Festa e fatkeqësisë

Në vitin 1999, autoritetet japoneze gjobitën Credit Suisse dhe i hoqën licencën. Arsyeja ishte e ashtuquajtura “festa e shkatërrimit”, në të cilën bankierët shkatërruan provat në lidhje me një hetim nëse i ndihmonin kompanitë të fshihnin humbjet e tyre.

Një zëdhënës i bankës u mjaftua duke deklaruar se “Credit Suisse nuk ka asnjë lidhje me rastin, janë nxjerrë mësime serioze, janë nisur veprimet korrigjuese dhe janë përfunduar masat disiplinore”. Përveç kësaj, nuk kishte prova të shkruara, nuk ekzistonin gjurmët.

Burimi: “Protothema”; Përshtati: Gazeta Shqiptare


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.