AKTUALITET

Kurti: Serbia të dënohet për mosnënshkrimin e marrëveshjes

15:42 - 21.03.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se faktorët ndërkombëtarë duhet ta “dënojnë” Serbinë, e cila, sipas tij, ka refuzuar që ta nënshkruajë aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes dy shteteve.




Gjatë një prononcimi për gazetarët në Prishtinë më 21 shkurt, Kurti tha se për Kosovën Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i zbatimit të saj, janë “marrëveshje”, pavarësisht se më 18 mars, Serbia nuk pranoi që ta nënshkruajë të njëjtën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thanë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, ato e konsiderojnë atë si të tillë.

“Edhe Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për ne kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë ‘nuk nënshkruaj’, e ndërmjet takimeve thotë ‘nuk zbatoj gjë’”, tha Kurti.

“Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, me qenë se Marrëveshja Bazë është njohje de facto. Pra, unë besoj se kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë partnerët, aleatët, miqtë tanë të vendeve demokratike në Perëndim, dhe jo vetëm, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë, të përkushtuar, e kreativ si asnjëherë”, shtoi ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.

Në Ohër, më 18 mars, Kurti, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u pajtua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

I pyetur për kërkesën e Shteteve të Bashkuara që marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut të zbatohet menjëherë, Kurti u pajtua duke thënë se “zbatimi i kësaj marrëveshjeje duhet të fillojë qysh dje”.

Kryeministri kosovar tha se “topi” tashmë është në anën e Serbisë, duke argumentuar se theksi duhet të vendoset te refuzimi i Serbisë që të nënshkruajë marrëveshjen, e jo te pyetja për të se kur do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë të fundit, ai tha se është në kontakt të vazhdueshëm me ndërmjetësuesit e BE-së dhe SHBA-së.

“Do të duhej që atë formulimin për vetëmenaxhimin e komunitetit serb ta adresojmë”, tha ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.