EKONOMI

Rritja e re e normave nga BQE-ja shton shqetësimin për kredimarrësit në euro, si do ndikojë në Shqipëri?

09:09 - 21.03.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Banka Qendrore Europiane (BQE) rriti përsëri normën bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje javën e kaluar.




Bordi i bankës nuk u tërhoq nga rritja e paralajmëruar qysh në muajin shkurt, megjithëse një pjesë e analistëve hipotizuan mundësinë e frenimit të rritjes së interesave, për shkak të goditjeve që pësoi sektori bankar në SHBA dhe problemet e reja të një ndër bankave më të rëndësishme në Europë, Credit Suisse.

Vendimi i BQE-së solli përsëri pakënaqësi në disa prej vendeve anëtare, për shkak të shqetësimeve se rritja e normave të interesit do të sjellë një frenim të fortë në aktivitetin ekonomik dhe shton gjasat për një recesion.

Një nga problemet kryesore ngelet efekti që kursi i BQE-së do të japë në normat e interesit të kredive në euro. Megjithëse Shqipëria nuk është vend anëtar i Eurozonës, efektet e vendimmarrjes së BQE-së do të ndihen edhe në Shqipëri, për shkak të euroizimit të lartë të sektorit financiar. Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë në valutë të huaj dhe kryesisht në euro përbënin 52% të portofolit të kredisë bankare në fund të vitit të kaluar. Në pjesën më të madhe, këto janë kredi me interesa të ndryshueshme të bizneseve dhe familjeve. Këto kredi kuotohen bazuar në treguesin referues të Euriborit, zakonisht atij 12-mujor.

Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit të kaluar, Euribori nisi një rritje graduale dhe në fillim të muajit mars të këtij viti arriti pranë nivelit të 4%. Në mes të muajit mars, pritshmëria për frenimin e rritjes së interesave nga BQE-ja bëri që Euribori të pësonte një rënie të fortë në harkun e pak ditëve, duke zbritur deri në 3.3%. Por, rritja e re e normës bazë nga BQE-ja pritet të sjellë një rikthim të shpejtë në rritjen e Euriborit pranë kufirit të 4%.

Deri në prill 2022, ky tregues ishte në nivele negative dhe llogaritej zero në përcaktimin e interesit të kredive të ndërtuara mbi të. Duke shtuar një marzh prej 4%, një vit më parë interesi total për një kredi me interes të ndryshueshëm në euro ishte afërsisht 4%.

Nëse Euribori, ashtu siç pritet, të paktën në afatin e shkurtër, do të arrijë pranë nivelit të 4%, kjo do ta çonte interesin total të një kredie tipike hipotekare në euro në rreth 8%.

Për një kredi me vlerë 70 mijë euro dhe me maturitet 25 vjeçar, një vit më parë kësti mund të llogaritej në 369 euro, ndërsa me normën e sotme të Euriborit kësti i kredisë do të arrinte në 540 Euro. Krahasuar me një vit më parë, vlera e kësti do të rezultonte e rritur me 171 euro ose rreth 46%.

Megjithatë, në një horizont kohor pak më të gjatë, analistët financiarë presin që BQE-ja të frenojë kursin e rritjes dhe ndoshta të mendojë sërish për ulje të normave të interesit. Por, një gjë e tillë pritet të ndodhë vetëm pas vjeshtës.

Për kredimarrësit shqiptarë, rritja e interesave të kredive në euro po zbutet pjesërisht nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit me monedhën europiane, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e huamarrësve familjarë i kanë të ardhurat e tyre në monedhën vendase. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, aktualisht kursi euro-lek rezulton në rënie vjetore me pothuajse 7%. Forcimi i lekut e ka amortizuar rrjedhimisht një pjesë të rritjes së interesave dhe për shembullin e mësipërm shtrenjtimi vjetor i këstit të kredisë, i shprehur në lekë, do të rezultonte rreth 39%. /MONITOR


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.