DOSSIER

Zbulohet logoja e bibliotekës së Faik Konicës

10:00 - 22.03.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof. Nasho Jorgaqi – Faik Konica ishte i mendimit se libri është “një monument aq’ i rëndë sa njerëzit viganë të bashkuar s’mund ta luajnë vendit”. Nuk gabojmë po të themi se këtë monument ai e mbajti tërë jetën mbi supet e veta, por jo si barrë. Ai e ktheu atë në pjesë të vetes, u bë natyra e tij e dytë, që tok me talentet e dhuntitë e çmuara, me mençurinë e mprehtësinë e rrallë, me ndjeshmërinë dhe shijen e hollë, me kulturën dhe erudicionin e jashtëzakonshëm dha ato frute të papërsëritshme që i detyrohet aq shumë kultura dhe mendimi shqiptar.
Raportet e Konicës me librin do të ishin të gjithanshme, shpirtërore dhe intelektuale, si studiues e krijues, por dhe si lexues i shkallës së lartë. Ai do të frekuentonte bibliotekat më në zë të Parisit e të Brukselit, të Londrës e të Uashingtonit, do të mbante lidhje me shtëpi botuese, do të shkëmbente libra me personalitete. Konica do të kishte dhe bibliotekën e tij, një bibliotekë që nuk shquhej për nga numri i madh i librave, por nga vlera e tyre. Libra të zgjedhur e të rrallë, autorë të preferuar, vepra që i shërbenin si doracakë pune. Biblioteka e Konicës, me sa dëshmon ish sekretarja e tij, do të ishte një kombinim i harmonishëm me koleksionet e veprave të artit, si piktura e skulptura, relikte të rralla dhe objekte ekzotike, që krijonin një mjedis të vërtetë artistik dhe intelektual. Ky është imazhi që na ka ardhur nga vitet e fundit të jetës së tij. Një imazh që nuk i qëndroi dot kohës. Fati i kësaj trashëgimie të vyer qe i keq, po të kemi parasysh se Konica vdiq krejt papritur, në një kohë të turbullt, siç qe ajo e Luftës së Dytë Botërore, kur ai s’e kish më statusin e diplomatit dhe ishte si të thuash njeri pa njeri mbasi nuk kish krijuar familje. Kësisoj, ndodhi që dhe ajo pak trashigimi që kish lënë, librat dhe objektet të mbetura thuajse pa zot, falë inetersimit të F. Nolit, u morën nën kujdes nga Federata “Vatra”. Ajo i solli në Boston, ku kish dhe qendrën dhe i ruajti në zyrat e saj, por me kohë, kur “Vatra” u shpërngul në Nju Jork, gjithë ç’kish mbetur u kalua në një nga ambientet e lokalit “Pier Four” të Anton Athanasit. Unë kam pasur fatin ta shoh “depon” e Konicës dhe ky ishte një moment i trishtuar, kur vërejta se si qe katandisur ajo pasuri me vlera kombëtare. Dhe do të ishte ky rast, që xha Andoni, tek dilnim nga magazina e errët dhe e mbuluar nga pluhuri të më zgjaste një fletë të çuditshme, diçka më e madhe se një kartëvizitë, katërkëndëshe, me ngjyrë të verdhë, mbuluar me një letër transparente, që fillimisht s’e mora vesh se ç’ishte.- Është një grimcë nga ajo që ka mbetur nga biblioteka e Faikut – më tha, pa më shpjeguar asgjë më tej. E mora më emocion dhe e shikoja gjithë kureshtje, duke e mbajtur në dorë, pa ditur se ku ta çoja atë çast e aq më tepër të kuptoja përmbajtjen e saj. Xha Andoni, ç’është e vërteta, nuk qe në gjendje të më skjarojë dhe unë e mora me vete si një enigmë që më duhej ta zgjidhja.
Për hir të së vërtetës, dua të them se m’u desh jo pak mund për të zbërthyer përmbajtjen dhe kuptimin e asaj flete të vogël, që lidhej e kishte të bënte me bibliotekën vetjake të Faik Konicës. S’kish dyshim se ajo ishte logoja e saj dhe këtë tregonte emërtimi latinisht që mbante në krye: EX LIBRIS, që në shqip do të thotë NGA LIBRAT. Pra, nga librat e Faik Konicës, me fjalë të tjera tregon përkatësinë e tyre, që në këtë rast i takojnë bibliotekës së F. K., një praktikë që përdorej në rrethet intelektuale të kohës. Ishte kjo logoja, vula apo etiketa, që i ngjitej apo i bashkohej librit.
Logoja e bibliotekës së Faik Konicës paraqitet mjaft interesante, jo vetëm nga pikëpamja estetike, e bukur dhe e përkorë, por dhe nga brendia që ngërthen. Fushën e verdhë e zotërojnë inicialet e emrit dhe mbiemrit të tij, të cilat të inkuadruara në një kornizë elegante janë të rrethuara nga një tufë gjarpërinjsh. Imazhi i gjarpërit në këtë rast nuk është thjesht një ornament formal. Dihet që gjarpëri, sipas mitologjisë ilire është simbol i ruajtjes së shtëpisë dhe si i tillë ai është përdorur dhe si simbol i familjeve apo fiseve të shquara. Por në logon e Konicës paraqiten jo një, por plot dhjetë gjarpërinj dhe kjo i jep imazhit të tyre një tjetër kuptim e shpjegim. Po të vërehet me kujdes, të gjithë gjarpërinjtë sulmojnë F.K. dhe me gjuhë të nxjerrë ata derdhin helmin e tyre mbi të. Janë këto gjuhët e këqija, gojët e liga që përflasin Konicën dhe që ai u përgjigjet me dy fraza lakonike në greqishte të vjetër:
TË THONË Ç’TË DUAN.
Ç’FARË THONË, NUK MË INTERESON.
Nuk e patëm të lehtë që me ndihmën e specialistëve ta zbërthejmë kuptimin e fjalëve greqisht, por e kemi të vështirë t’i interpretojmë saktë. Ç’do të thotë Konica më këto fjalë? Mos do të thotë se ai është indiferent ndaj të gjitha atyre që thuhen për të, për mirë apo për keq? Ç’lidhje kanë librat me fjalët që mund të thuhen në adresë të tij? Dhe së fundi, të jetë kjo vallë një nga divizat e jetës së tij?
Por po t’i drejtohemi jetës së Konicës e aq më shumë natyrës së tij, ai nuk dallohej për indiferencë dhe mospërfillje për ç’ka thonin të tjerët, opinioni e sidomos kundërshtarët për të. Përkundrazi, ishte tepër i ndjeshëm, reagonte ashpër, hidhej në sulm dhe nuk kursente fjalën e hidhur ndaj çdo njeriu që e kundërshtonte apo e luftonte. Ironik e sarkastik, polemizues i shkallës së lartë, i tillë paraqitet ai në publicistikën dhe epistolarin që ka lënë, si dhe në kujtimet e bashkëkohësve. Në gazetën “Dielli” janë me dhjetra rastet kur ai u përgjigjet gjithë atyre që shkruajnë e flasin kundër tij. Por pavarësisht nga këto, pyetjet që ngre kjo divizë, logoja që kemi zbuluar ka rëndësinë e vetë sepse hedh dritë në botën intelektuale të F. Konicës. Është një dokument, sado i vogël, që na e afron dhe konkretizon imazhin e tij madhështor, që jetoi në mes librash dhe që s’e kuptonte jetën pa libra. Marrë nga suplementi kulturor “MILOSAO” E diel, 15 Qershor 2008




Jeta dhe librat

“La vie est triste, helas! et j’ai lu tous les livres!” 1)

Me këtë radhë nis një nga vjershat e poetit frëng Stefan Malarme. Dhe një fjalë të atillë, të pakë janë njerëzit me letra që nuk e kanë përsëritur disa herë në udhë të tyre. Edhe të rrojturit edhe këndimet vjen një orë që lodhin e mërzitin dhe njeriu kërkon shpëtimin në një shkujdesje e në një mospërfillje që e bëjnë padashur e pa vënë re si një nxënës i Budës. Po le t’i tingëllojë jashtë zëri i një vajze që shkon; gishtërinjtë e mefshtë le të kthejnë fletët e harruara të një libri të dashur dhe menjëherë muzika e jetës dhe e artit na zgjon zemrën dhe na ngjall përsëri mendjen.
Rrija një natë në odë time pa dëshirë e pa mejtim, duke vërejtë avullin që ngrihej si me të përtuar nga një filxhan plot me çaj të Kinës; dhe jo për të kënduar, po për të lojtur hoqa nga rafti një libër të vogël e të hollë dhe pa kënduar as emrin e tij, nisa të kthej fletën ngadalë, kur më zuri syri këtë vijë: “Është kurdoherë i ashpër kur ka pak kohë që urdhëron.”; përkthim i dobët i një teksti të fortë si brunz. Cili e ka thënë këtë fjalë të thellë? Hodha një sy në titull të librit dhe pashë latinisht: Aeschyli Prometheus.
Një libër dy mijë e katërqind vjetësh i vjetër nga mosha; por nga mendimet aq i ri, sa dukej se u shkrua dje, duket sikur përqesh me hidhërim dhe stigmatizon përjetë nonjë njeri të pasuruar nga lufta ose nonjë salepçi-mbret, që rrëmben fuqinë në rrëmujë e sipër edhe si i dehur nga triumfi i papritur, vërtit kërbaçin dhe kërkon gjak. Se natyra e njeriut nuk ndërron; dhe një poet i madh që zbulon të vërtetat e kohës së vet, zbulon të vërtetën e të gjithë kohëve të pastajme.
Eskili është poeti më i lartë e më i thellë i vjetërsisë klasike. S’ka as mjeshtërinë elegante dhe të mbaruar të Euripidit, as lirizmin e lulëzuar të Sofokliut. Eskili ka një madhëri fisnike si të artistëve që punojnë mermerët e Parthenonit. Shumë herë të kujton Shekspirin, jo Shekspirin e Julietës ose të Rosalindës, po Shekspirin e Hamletit dhe të Laertit. Ndër të gjithë veprat e tij që kanë shpëtuar nga prishja dhe kanë arrirë gjer te ne, më e thella është “Prometheu i lidhur”. Lënda e kësaj tragjedie mund të tregohet me dy fjalë: Prometheu, një gjysmëperëndi, pati mëshirë për njerëzit dhe u shpuri zjarrin, të cilin gjer ahere e dijnë dhe e gëzojnë vetëm perënditë; Zeusi, i pari i perëndive, që ta ndëshkojë për vjedhjen e zjarrit vë ta lidhin Prometheun në një shkëmb të egër e të shkretë të Detit të Zi, ku do mbetet i munduar gjersa të pendohet e të kërkojë ndjesë: po ai, me një kryelartësi të hidhur, nuk do t’i përulet padrejtësisë. Aq. Pak punë për një dramë dhe me gjithë këtë është drama më e gjallë, më e fortë e njerëzore, është drama e përjetshme e idealistit që vuan për mendimet e tij.
Atë natë mbeta pa gjumë si m’u tek menjëherë të këndoj Prometheun e Eskilit anembanë. Dhe në çdo faqe zbuloja që më shtojin çudinë, aq nga thellësia e mendimit sa nga bukuria e mbrojtur e trajtës.
Ja një grusht gurë të çmuar nga ata më të rrallët e më të çuditshmit. Shkoni dhe zgjidhni:
Prometheu qan tragjedinë e tmerrshme të jetës së vet. “Shikoni, thotë, shikoni, të lidhur një perëndi fatkeqe dhe pse vuan? Nga dashuria e madhe që pati për njerëzit”.
Me rasën e këtyre fjalëve vëmë re afrimin e Prometheut të shtën në hekura për dashurinë që pati për njerëzit, me Krishtin e kryqëzuar.
Një turmë simpatike e pyet Prometheun, cilat janë arsyet e mjerimit të tij> “Është një mundim për mua që t’i rrëfej, thotë, është një mundim që të hesht, sidoqoftë është një mjerim.”
Eskili i vë në gojë Prometheut një gjykim të thellë mbi karakterin e tiranëve: “Tiranët kanë një ves të keq, që nuk u zënë besë miqve.” I thonë: “Lëri fjalët e kota, i gjej nonjë shërbim për mundimet e tua”. “Është gjë e lehtë, – përgjigjet Prometheu, kur e ke këmbën jashtë greminës t’i japësh mësime, të këshillosh ata që vuajnë. Unë i prisja të gjitha këto që heq, fajin desha dhe e bëra, nuk e mohoj dot. Kur u shërbeva njerëzve, e vura veten me të dhëmbura.”
Për inatin, për zemërimin, Eskili vë një fjalë shumë të hijshme me gojë të Oqeanit. Oqeani i thotë Prometheut se fjalët janë mjekët që shërbejnë zemërimin.
Oqeani i thotë një tjetër fjalë të urtë Prometheut: “Del më i fituar njeriu i mençur që bëhet sikur s’ka mend.” Këshillë si pak. Si duket ky mendim: “Më mirë vdes njëherë njeriu se sa të vuajë çdo ditë.” Këtë mendim mund ta keni dëgjuar shumë herë dhe të mos ju bëjë përshtypje: po mos harroni se këtë dhe fjalë të tjera, Eskili i tha i pari; duhet t’u kthejmë forcën që kanë pasur, po që humbën nga përdorimi i dendur për të kuptuar bukurinë e virgjër të tyre. Mos harroni se kjo vepër është shkruar dy mijë e katërqind vjet më parë.
Dhe kurorëzimi i veprës, fjalë plot kryelartësi dhe forcë fisnike “Koha duke përparuar do të japë gjithë mësimet”.
Por për fat të zi, mendimet shumë herë vijnë tepër vonë.
M’u duk gjë e pëlqyer të jap bashkë me përkthimin 2) edhe fjalën në gjuhë të Eskilit, ashtu siç i ka shkruar poeti tri herë i lartë.
Një libërz dyzetfaqesh. Mund ta ngrejë një foshnjë me majën e një gishti se ky libërz është i lehtë si një pendë. Dhe nuk është vetëm një libër. Është një monument. Dhe një monument me aq rëndësi, sa njerëzit viganë të bashkuar s’mund ta luajnë nga vendi.

1922
(Marrë nga “Vepra” e F. Konicës, përgatitur nga prof. Nasho Jorgaqi)
________________
1) “Jeta është e trishtë dhe librat i kam kënduar të gjitha”.
2) Në tekstin e autorit janë në greqishten e vjetër.

Marrë nga suplementi kulturor “MILOSAO” E diel, 15 Qershor 2008

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.