AKTUALITET

Nga prishja e banesave te nisja e gërmimeve, si do të bëhet zbulimi i plotë i Amfiteatrit në Durrës

21:44 - 24.03.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Amfiteatri i Durrësit, një aset i vyer i trashëgimisë kulturore në Shqipëri, ka nisur tashmë rrugën drejt zbulimit të plotë.




Edhe pse shpeshherë zbulimi i Amfiteatrit është artikuluar në diskursin publik, vetëm dy ditë më parë kanë nisur sondazhet, që synojnë zbulimin e elementeve të arenës ende të mbuluar.

Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, thotë për Gazetën “Si” se sondazhet janë hapi i parë për zbatimin e projektit afatgjatë për hapjen e plotë të amfiteatrit, por ende nuk kanë nisur punime konkrete.

“Për momentin nuk janë punime, por janë sondazhe gjeologjike që janë duke u bërë për të parë shtresat se çfarë ka në Amfiteatër. Akoma nuk kanë filluar punime konkrete. Sondazhet po bëhen në disa pika të Amfiteatrit të cilat janë duke u bërë nga një kompani e specializuar (“Altea & Geostudio 2000”) me leje të marrë nga Ministria e Kulturës për të parë shtresat të cilat ndodhen nën arenën e Amfiteatrit, dhe në pjesë të ndryshme të Amfiteatrit”, shprehet Ramohitaj për Gazetën “Si”.

Ky proces pune mbaron për 10 ditë. Në grupin e punës është një arkeolog i licencuar, Olsi Lafe, arkeologët e Qendrës Muzeore Durrës, si dhe arkeologë nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore Tiranë, që ndjekin punimet e këtyre sondazheve.

Ramohitaj shpjegon për Gazetën “Si” edhe rëndësinë e këtyre sondazheve.

“Kjo fazë e parë e sondazheve është e rëndësishme, pasi në momentin kur të fillojnë punimet, arkeologët duhet të dinë deri në çfarë thellësie do të shkojnë dhe sa shtresa duhet të heqin që të dalin pikërisht në ato që duhet të zbulojnë dhe duhet të jenë të vizitueshme”, shprehet drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, ndërsa shton se “në këtë fazë të sondazhit kanë shkuar nga 18 deri në 30 m, pasi duan të shohin se sa shkon thellësia e Arenës”.

Ramohitaj shpjegon se para nisjes së punimeve (gërmimeve arkeologjike) si fillim duhen prishur banesat që janë sipër pjesës së Arenës.

“Për të nisur gërmimet, fillimisht duhet të largohen banesat, (shtëpi njëkatëshe dhe dykatëshe) që janë sipër pjesës së Arenës. Ka dalë një vendim i Këshillit të Ministrisë tani në mars për shpronësimin e këtyre shtëpive. Me të mbaruar kjo procedurë do të fillojë njëherë prishja e shtëpive, pastaj do të nisin edhe gërmimet arkeologjike, për të zbuluar ato pjesë që nuk janë zbuluar ndonjëherë”, thotë ndër të tjera Ramohitaj për Gazetën “Si”.

Lidhur me planin për menaxhimin e zonave arkeologjike në Durrës, ku përfshihet edhe Amfiteatri i Durrwsit, me anë të të cilit mund të shkohet në menaxhim indirekt nga privati, më herët për Gazetën “Si” arkeologët Skënder Mucaj dhe Lida Miraj do të shpreheshin kundër, pasi sipas tyre nuk mund të rrezikohet me menaxhime indirekte.

Arkeologu Mucaj do të shprehej se “plani i menaxhimit për vazhdimin e gërmimeve arkeologjike e restaurimeve të domosdoshme mund të thuhet se është një gjë pozitive, pasi kështu do të zbulohej i gjithë Amfiteatri për të kandiduar më tej për në UNESCO. Por pjesa e menaxhimit nga një privat dhe përfshirja e të huajve duke lënë pas ekspertët shqiptarë nuk të çon asgjëkund. Vlerat tona arkeologjike duhet të menaxhohen nga studiuesit tanë”.

“Në thelb Plani i Menaxhimit si plan studimor për Amfiteatrin, Forumin Rrethor Bizantin e Termat Romake është pozitiv. Por nëse ky plan ka prapaskena është skandal”, do të shprehej arkeologia Lida Miraj për Gazetën “Si”.

Amfiteatri i Durrësit është më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.

Amfiteatri u zbulua në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Gjatë ekspeditave verore 1966-1970 u zbulua rreth 2/3 e monumentit, që ishte ndërtuar në periudhën e perandorit Trajan. Për hapjen e shkallareve dhe galerive autoritetet e kohës urdhëruan në pak javë prishjen e 33 shtëpive dhe transferimin e 50 familjeve, të cilat, pa e ditur, kishin banuar mbi një vepër monumentale 1900-vjeçare.

Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali.

Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 351 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër.

Amfiteatri 1800-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.