KULTURË

Diçka nga Bibla në fletët e një romani

08:30 - 25.03.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

(“Në besë të tatuazhit tënd” të Andreas Dushit dhe zbulesa të tij)




Nga Eda Zhiti – Teksa romani i ri i shkrimtarit Andreas Dushi, “Në besë të tatuazhit tënd”, (“Onufri” 2022), i mirëpritur nga lexuesi, që së fundmi mori dhe çmimin letrar “Atë Zef Pllumi”, një meritë padyshim e veprës, ndërkohë unë kisha vënë re gjatë leximit një lidhje të brendshme të tekstit me pjesë të Biblës, kam mbajtur dhe shënimet e mia, pra, do të thosha se pikërisht emri i atij çmimi i ka shkuar më së miri.
Natyrisht unë bashkohem së pari me vlerësimet që janë vënë në kopertinën e pasme të romanit, me shkrimtaren Mira Meksi që sheh në tekst “thurje dhe ndërthurje […] mes reales, absurdes dhe imagjinatës…”, po kështu dhe me shkrimtarin Ridvan Dibra që shkruan se “…dëshmon për një frymë dhe ndjeshmëri të re në letrat shqipe” dhe me shkrimtarin Visar Zhiti që në fund të fundit e shikon si “një roman dashurie… me forcën dhe bukurinë që të jep dashuria”.
Kështu e kam lexuar dhe unë. Është një roman ku mpleksen natyrshëm legjenda dhe realiteti, trilli, e shkuara e familjes (e personazhit) që e përndjek dhe makthi i të riut në dilemën ekzistenciale për t’iu nënshtruar të tashmes si dhe frikës nga pasiguria e të ardhmes. Iku me kokën pas në të ardhmen, thotë autori në faqen 111.
Por në roman ashtu siç kam gjetur hijëzime të fuqishme të paganizmit, po kështu gjej njëherësh dhe përndritje të besimit. Te Bibla si kulturë. Dhe dua të pikëzoj këtu ç’kam gjetur.

Që në paragrafin e parë të faqes së parë të romanit unë lexova togfjalëshin “guri këndit” dhe pata një asosacion nga Ungjilli: Mateu 21: 33-43, 45-46: “Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i kçndit”. Shëmbëlltyra e vreshtarëve gjakatarë.
Pra u bënë aq të shumta detajet me referenca biblike, saqë më kapi një lloj ngazëllimi për prurjen dhe, siç e thashë, fillova të mbaj plot shënime me numrat e faqeve përkatëse.
Ja, faqe 11 në roman: Epja o Zot pushimin e pasosun… dhe po aty lexojmë prapë: peshku i gdhendur tek kryqi.
Krejt fillimi i librit më solli para syve imazhin e gjarprit në Besëlidhjen e Vjeter (Numrat 22, 4-9) afreskun e famshëm të Mikelanxhelos në Kapela Sistina. Nga një detaj i vogël në dukje në faqet e para, kalohet në një imazh qartësisht të shpalosur në faqet 181-185. …Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kezën me dymbëdjjetë yje! Shtatzënë, bërtiste ne mundime, në dhimbjet e lindjes. Pastaj në qiell u duk dhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetO brirë! Mbi kokë shtatë kurorë. {…} Por toka i doli në ndihmë gruas: toka e hapi gojën e vet dhe e përpiu lumin që Dragoi e lëshoi nga goja e tij. Zbulesa, Gruaja dhe Dragoi. 12: 1-16
Bibla është libri i librave. Prej saj janë frymëzuar dhe shkrimtarë e poetë sidomos, piktorë e skulptorë, filozofë e kineastë e aktorë, gjithë bota artistike ka nga ai univers i shenjtë dhe mistik, nga ajo pafundësi po aq dhe tokësore. Në Bibël është dhe vetë arti i madh
Autori ynë Andreas Dushi më rezulton se jo vetëm i njeh Shkrimet e Shenjta, por di të kapë pika kyçe prej tyre e t’i zhvillojë në mënyrë të tillë që prurja të jetë origjinale dhe unike.
Po të huazoja shprehjen e një mikeshës time, M. McM. do të thosha se në kulturën e Andreasit është një shtresëzim themeltar i “katolikut të djepit”.
Personazhet e romanit “Në besë të tatuazhit tënd”, (babai fq 109) gjallojnë mes altarit të besimit brenda shtëpisë e jashtë saj, rrethuar prej ftohtësisë së ateizmit. Në rrëfimet e babait, ai duket më adoleshent se personazhi i birit.
Ashtu si gjarpri dikur gënjeu Even, në të sotmen gjarpri kërkon të helmojë nje grua në Qendrën Tregtare. Në këtë të fundit rend e gjithë gjindja e romanit, gëlon dhe mbush ditën. A thua se ky qytet nuk ka kinema apo teatro e salla koncertesh apo ekspozita ku të shkosh apo thjesht një shëtitje pasditeje në park.
Libri ka skena të nxehta erotike, të përshkruara dhe me detaje, me qortimin e fshehtë se duket që mungon dashuria. Ankthi endet kudo në ajër.
Gjarpri pickon tre njerez në Qendren Tregtare, ndërsa stacionet televizive e quajne incident të vogel (fq 188) dhe spikerja i drejtohet zonjës së guzhinës për të vazhduar emisionin e kulinarisë, me menunë e ditës. Çfarë do të gatuajmë sot?- pyet gazetarja. Marrëzinë e mëkatet tona – përgjigjem unë, e nxitur nga absurdi që ngërthehen romani.
Shkruhet se shumë familje lëvizën prej Veriut të Shqipërisë, pikërisht pse gjarpri ra në bagëti. A thua dikush prej tyre nuk e rinovoi besën me gjarprin? Duhet negociuar dhe kur ke gjarprin përpara? Këtë do të donte të na thoshte Andreasi? Edhe unë jam me të. Me negociimin. Që helmi i tij të shërbejë veç për medikamente që shërojnë e jo që të helmojë jetën njerëzore.
Ky është kumt thelbësor i romanit. Letërsia shqipe ka nevojë më shumë për këtë frymë, që ta marrë nga thellësitë e së shkuarës për të ardhmen si lëndë e përjetësisë së njeriut.
Studiuesi dhe kritiku i njohur i artit Dr. Luan Topçiu, në veprën madhore “Historia e letërsisë shqiptare, që nga origjina deri në të tanishmen”, botuar në Rumani, botimi 2, (“Istoria Literaturaii Albaneze de la origini pana in present”, Craiova 2022), kreun për letërsinë e ditëve tona, që është ende në vlim, e mbyll me shkrimtarin e ri Andreas Dushi (fq 525-6) dhe unë mendoj dhe uroj se me këtë emër përfaqësues, me brezin e tij të shkrimtarëve, është hapur kështu dhe kreu më i ri në letrat tona, i rindërtimit të shpirtit. Në pritje…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.