OPINION

“Demi” inflacion dhe “toreadori” normë interesi

09:00 - 28.03.23 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 23 mars 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë(BSH) vendosi të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar në nivelin 3 përqind, niveli më i lartë që nga fundi i vitit 2013. Norma bazë e interesit është përqindja që banka jonë qendrore vendos mbi depozitat që bankat e nivelit të dytë, bankat tregtare mbajnë pranë saj. Në rast se kjo normë interesi rritet, shtohen edhe përqindjet e interesit mbi huatë e bankave tregtare, duke shtuar në këtë mënyrë vlerën, koston e parasë, lekut. Banka e Shqipërisë është e mendimit, se, edhe pse inflacioni ka rënë pak gjatë muajve të fundit, presionet e tij mbi ekonomine ngelen të larta. Prandaj dhe ndërhyri sërisht, duke rritur koston e parasë. Inflacioni ngelet problemi themelor jo vetëm i ekonomisë sonë, por i ekonomive të mbarë Evropës dhe botës. Inflacioni i lartë sillet si një dem i tërbuar me fuqinë blerëse të qytetarëve, duke e shkatërruar atë. Ja përse të gjitha bankat qendrore të përgjegjshme në Evropë dhe në botë, ndërmarrin lëvizje energjike për rritjen e kostos së parasë së tyre, për të frenuar inflacionin e lartë. Banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, e ka rritur gjashtë herë normën bazë të interesit, ose koston e parasë, duke filluar që nga 23 marsi i vitit 2022, afro një muaj pas agresionit ushtarak të Putin mbi Ukrainë. Rritjet e normës së interesit synojnë frenimin e “demit” inflacion i lartë. Kjo lëvizje e BSH është në përputhje me lëvizjet e ngjashme të bankave kryesore qendrore në Evropë dhe në botë. Sfida më ë madhe për bankat qendrore kudo në botë është të frenojnë rritjen e fortë të inflacionit, pa shkaktuar rënie ekonomike. Këtë mision banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, deri tani e ka përmbushur. Po të mos kishin qenë gjashtë ndërhyrjet e saj në momentet e duhura gjatë periudhës mars 2022-mars 2023, me siguri do të kishim patur inflacion dyshifror në vendin tonë. Më 23 mars 2022, Banka Shqipërisë e dyfishoi normën bazë të interesit në 1 përqind, më 7 korrik e rriti 1.25 përqind, më 3 gusht 1.75 përqind, më 5 tetor 2.25 perqind dhe më 2 nëndor 2.75 përqind. Me 23 mars 2023, e bëri 3 përqind, Sa herë që inflacioni me shtimin e fortë përpiqet të gërryejë fuqinë blerëse të qytetarëve, po aq herë rrit normën bazë të interesit, koston e parasë banka jonë qendrore. Norma e interesit i ngjan torreadorit mbi “demin” inflacion. Qëndrueshmëria e çmimeve ose mbajtja nën kontroll e inflacionit, si terreni që i shërben më mirë rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit dhe shtimit të mirëqënies për qytetarët, ka qenë dhe mbetet misioni kryesor i Bankës së Shqipërisë. Ruajtja e fuqisë blerëse të monedhës sonë kombëtare, garantimi i vlerës së kursimeve të familjeve shqiptare, mbështetja e stabilitetit financiar dhe krijimi i kushteve sa më optimale të kreditimit për një periudhë afatgjatë kohore, janë shërbimi më i mirë që banka jonë qendrore dhe politika e saj monetare mund t’i bëjnë ekonomisë se vendit dhe qytetarëve. Reformat e vazhdueshme që Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë në fushën monetare dhe financiare, kanë dhënë frytet e tyre. Konsolidimi i sektorit bankar ka prodhuar një industri bankare më të shëndetshme dhe konkurruese. Përmirësimi i mjedisit të huave ka gjeneruar një përqasje më pozitive nga bankat në kredidhënie, duke i shndërruar ato në mbështetëse të besueshme me fonde për bizneset dhe familjet shqiptare. Rrjetet dhe mekanizmat e sigurisë financiare janë forcuar ndjeshëm. Përmirësimi i infrastrukturës së pagesave dhe rritja e edukimit financiar kanë zgjeruar vëmendjen dhe pjesëmarrjen e publikut në sektorin financiar dhe atë bankar. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, inflacioni do të bjerë gradualisht gjatë gjithë këtij viti. Paralelisht me uljen e inflacionit, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet, ndërsa treguesit kryesorë të qëndrueshmërisë financiar do të jenë në kontroll. Përmirësimi i infrastrukturës së pagesave dhe rritja e edukimit financiar kanë zgjeruar vëmendjen dhe pjesëmarrjen e publikut në sektorin financiar dhe në atë bankar. Kemi gjithnjë e më shumë qytetarë që kanë llogari bankare dhe që kërkojnë kredi nga sistemi ynë bankar, i cili paraqitet i shëndetshëm dhe me oferta tërheqëse për të dhënë hua. Sipas Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të shënojë rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim dhe të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm 2024.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.