DOSSIER

Kombësia shqiptare e polifonisë dhe zyrtarët e shtetit, që e quajnë produkt helen

10:00 - 28.03.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Fitim Çaushi – Ditët e fundit, Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, Nderi i Kombit, organizoi në Muzeun Historik Kombëtar simpoziumin shkencor “Polifonia Popullore Shqiptare Pasuri e Kombit Shqiptar”. Ishte ftuar edhe akademiku Vasil Tole, njëri ndër studiuesit që e cilëson këngën polifonike me origjinë nga kori kishtar bizantin dhe sirenat greke, por nuk mori pjesë. Tole kla qënë i ftuar edhe në simpoziumin e 25 nëntorit 2015, organizuar nga Kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencës, Limos Dizdari, por edhe atëherë nuk mori pjesë. Dhe nuk kishte si të vinte, pasi ai asnjëherë nuk i ka dhënë sqarime opinionit publik, intelektualëve të sferës së muzikës dhe veçanërisht popullit të Labërisë dhe tërë Toskërisë, për tjetërsimin e trashëgimisë shpirtërore të tyre. Përse iu fsheh Tole ballafaqimit me Shoqatën Labëria? Akademiku Tole fshihet, se “isopolifoninë” shqiptare e ka futur në UNESCO si krijimtari me origjinë greke. Në faqen zyrtare, UNESCO ka publikuar vidion, në të cilën Komisioni i Muzikës Shqiptare ka shënuar: “Isopolifoni nga sirenat”. Futja e polifonisë shqiptare në UNESCO në vitin 2002 me emërtesën “isopolifoni”, u shoqërua me botimin e dy studimeve të akademikut Vasil Tole: “Odisea dhe sirenat, grishje drejt viseve isopolifonike të Epirit”, në vitin 2005 dhe “Pse qajnë kuajt e Akilit” në 2011. Libri i përkthyer greqisht, u promovua në Akademinë e Shkencave, nën interesimin e shoqatës kulturore greke në Tiranë. Në panelin drejtues ishin përfaqësues të shoqatës kulturore greke, Panajot Barka dhe Vasil Tole. Nuk kishte asnjë përfaqësues nga Akademia e Shkencave, megjithëse promovoheshin antivlera që dëmtonin identitetin tonë kombëtar. Në të dy botimet, akademiku Tole e ka spostuar territorin e studimit të polifonisë popullore në Epir, të cilin e konsideron Greqi. Është kjo arsyeja përse tërhoqi vëmendjen e studiuesve grekë ky produkt hibrid dhe morën përsipër përkthimin dhe promovimin e tij. Duke injoruar studiuesit shqiptarë, që për 50 vjet hulumtim shkencor, kanë propaganduar, se polifonia shqiptare e ka origjinën nga ky popull dhe nga ky truall, ka ngulur tezën e kundërt, se polifonia shqiptare dhe ajo Labe e ka djepin tek sirenat greke. Mund ta besonim këtë spostim djepesh, nëse Tole, ose kushdo tjetër, do të na sillte qoftë edhe një demostrim të thjeshtë të isopolifonisë së sirenave. Por kjo s’mund të ndodhë kurrë, sepse nuk ka as sirena në faqe të dheut e as isopolifoni të tyre. Që këtu është i zgjidhur problemi dhe Akademia e Shkencave duhet ta çojë identitetin tonë kombëtar dhe trashëgiminë shpirtërore të këtij populli, atje ku e kanë përcaktuar studiuesit shqiptarë; Polifoni popullore shqiptare krijuar në Shqipëri. Çdo zvarritje me N/Kryetarin e Akademisë së Shkemcave Vasil Tole, është korrupsion i pastër dhe jo vetëm.
Në kopertinën e librit, Tole ka përfshirë katër elementë: Odisea, sirenat, isopolifonia dhe Epiri. Të katër elementët janë trajtuar si etnitete greke, sepse lënda e studimit është marrë nga poema epike e Homerit, “Odisea”, për të cilën Tole shkruan: “Iliada” dhe “Odisea”, përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkon aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë”.( V. S. Tole, Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit., Uegen, 2005, f. 65) Sikundër shihet, polifonia shqiptare studiohet mbi një libër, që flet për parahelenët. Këtu qartësohet problemi dhe të katër elementët bazë që dominojnë librin e Toles: Odisea, sirenat, isopolifonia dhe Epiri na qenkërkan jehonë e parahelenëve dhe jo e parailirëve, ndonse Homeri i konsideron trojanët Dardani. Përse Tole duhet ta lidh studimin e polifonisë shqiptare me sirenat greke të periudhës parahelene?
Etnitetin grek të isopolifonisë e përforcon vet Tole: “Në mitologjinë e lashtë greke sirenat paraqiteshin si qënie gjysmë zogj dhe gjysmë gra.”( Vasil S. Tole, Odiseja dhe sirenat…vep e cit. f. 10) Shkurt e pa ekujvok: sirenat janë pjesë e mitologjisë greke, e për rrjedhojë dhe krijimtaria e tyre, duhet të jetë greke. Sirenat greke nuk kanë asnjë lidhje me polifoninë labe, ca më pak ajo ta ketë djepin në shtratin e sirenave, por të dy studimet e Toles e trajtojnë polifoninë shqiptare si “kulturë polifonike te grekët e Epirit.”( Vasil S. Tole. Odisea dhe sirenat…f. 32)
Sikundër shihet,autori në këtë rast e trajton Epirin si territor grek, ndërkohë që e vendos studimin e tij në antikitet: “Studimi “Odiseja dhe Sirenat…” niset nga shqetësimi për të zbuluar prejardhjen e tejlashtë të iso-polifonisë shqiptare… ekzistencën e iso-polifonisë qysh në kohrat e qytetërimeve antike.”( Vasil. S. Tole, Odisea dhe Sirenat… f. 7) Historianët antikë grekë, në qytetërimet antike, kanë shkruar se nuk ka pasur grekë në Epir. Në mënyrë shteruese akademiku Pëllumb Xhufi ka vërtetuar se në mijëvjeçarin e fundit, në Epir ka patur popullsi arbërore jo greke. Tole qëllimisht ngatërron kohët: : “Ende sot pika e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, mbart togfjalëshin kuptimplot “Qafa e Botës”. Ky territor gjeografik, ku shtrihet Shqipëria e Jugut…”(V. S. Tole, Pse qajnë kuajt e Akilit, 2001 f. 54) Ky manovrim, duke barazuar nocionin etnik të Epirit me nocionin politik, kërkon ta vendosë jugun e Shqipërisë në Konispol. Kufiri i Shqipërisë së Jugut me Greqinë nuk është Qafë Bota e Konispolit, është Preveza e kohëve antike, sepse kësaj periudhe i përket studimi. Qafë Bota erdhi në vitin 1913, pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Rrjedhimisht kultura shpirtërore e banorëve vendas do të ishte jo Helene, por shqiptare. I vendosur për ta pushtuar edhe pjesën veriore të Epirit, Tole shkruan: “Ne i përmbahemi idesë, se vendndodhjen e sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve të sotme shqiptare.”( V. S.Tole, Odisea dhe Sirenat…vep. e cit. F. 41)
Diversioni i Toles, arrin kulmin! I sjell sirenat greke pranë brigjeve të sotme shqiptare në territorin e Çamërisë! Ç’duan sirenat mitologjike greke në Epirin shqiptar, kur popullsia kishte mitologjinë e vet me Zërat, Orët, Shtojzavallet, kuçedrat etj? Te libri “Pse qajnë kuajt e Akilit”, Tole shkruan: “Lumi i Vdekjes -Akeronti, dhe Hadesi – lokalizohen në rajonin e maleve të Sulit, Thesprotia e dikurshme: Çamëria e sotme…”(V. S. Tole, Pse qajnë kuajt….f. 53) Dhe vazhdon: “ky territor i nëntokës, ku gjenden kori i sirenave vajtore… mbitoka e tij e ruan ende sot, një ndër të vetmet tradita shumëzërëshe më origjinale të trashëgimisë shpirtërore botërore: vajtimin iso-polifonik dhe iso-polifoninë në tërësi.” (V.S. Tole, Pse qajnë kuajt…f. 53)




poliii polllii poli ssssssss
<
>

Tole kërkon ta legjitimojë Çamërinë antike dhe etnike si Greqi, sepse kështu legjitimon Epirin e Jugut, i cili, me isopolifoninë e sirenave dhe isopolifoninë e shqiptarëve, duhet doemos të jetë i njëjtë me Epirin e Veriut, si territor Grek! Kënga polifonike ruhet ende në popullin e Çamërisë, sepse jeton natyrshëm në truallin e vet mijravjeçar, jo si produkt i sirenve, por si krijimtari shpirtërore e popullit të saj iliro-epiriot, i cili e ka lënë si trashëgim kulturor, pavarësisht, se kush banon aktualisht në atë territor.
Prof. Çabej ka theksuar “Është interesanate që kënga e Çamëve të fundit jugor të Shqipërisë u përgjajnë këngëve të Toskëve… për të cilat flet Holger Pederson…Toskë e Çamër sot nuk banojnë më në një afërsi kontakti me njëri tjetrin. Po ky komunikim zhduket historikisht, sepse në një periodë të caktuar të historisë shqiptare, fiset labe duket të jenë futur si një pykë në midis dhe të kenë ndarë kështu një njësi të hershme më dysh. Shohim kështu se si këngët popullore janë në gjendje të lëshojnë dritë dhe në historinë e fiseve tona”.(E. Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë 1975, f. 130) Sikundër shihet, Çabej e konsideron popullsinë çame, si popullsi të fundit jugor të Shqipërisë, në Prevezë, kënga e të cilës ka ngjashmëri me këngët toske, ku përfshihet edhe Labëria. Është te Preveza Greqia veriore, jo Qafë Bota.Tole bën diversion edhe me polifoninë labe: ”Zëri i sirenave ishte i veçantë për shkak të teksturës vajtimore iso-polifonike të tyre, veçori të cilën ende sot e gjejmë tek iso-polifonia labe, në ishtrojet e Epirit të dikurshëm antik.”( V. Tole, Odisea dhe Sirenat…vep e cit. f. 24-25)
Sipas studiuesit dashakeq, zëri i sirenave greke gjendet ende sot në Epir tek isopolifonia labe, por Labëria gjendet në Epirin e Veriut, në Shqipërinë e Jugut, edhe këtë territor Tole e konsideron grek (!) përderisa aty lulëzon isopolifonia e sirenave. Për ta vulosur divesionin e tij antikombëtar, Tole e ka shtrirë hartën e isopolifonisë deri në Shkumbin. (V. Tole, Odisea dhe sirenat…vep e cit. f. 35) Nuk është e rastit kjo koincidencë me pretendimet shoviniste të politikës greke, që mban të ndezur Ligjin e Luftës. Me këtë hartë, Tole kërkon të vërtetoj, se edhe territori, ku ka lulëzuar polifonia popullore shqiptare me “origjinë nga sirenat greke”, deri në Shkumbin është grek! Këtu mbyllet diskutimi; Tole ka futur në UNESCO isopolifoninë shqiptare me origjinë greke.
Për ta përforcuar diversionin e tij, Vasil Tole, edhe Odisenë e nxjerr banor të Greqisë së Veriut: ”I parë qysh herët nga Çabej, si një hero i Greqisë veriore, pra i një vendi që ka qenë në kontakte të përhershme me fiset iliro-shqiptare, mund të mendohet që Uliksi kishte të ngjarë të njihte dhe të përdorte gjuhën e përbashkët pellazgjike të atyre anëve, kryesisht të atyre epiriote.”(Vasil Tole , Pse qajnë kuajt… vep. Cit. f. 82)
Qëllimisht Tole e jep të cunguar fragmentin e prof. Çabejt, të cilin po e sjellim të plot: “Lokalizimi i mitit të Odiseut në Itakë do të thotë se Odiseu është më tepër një hero i Greqisë veriore, pra i një vendi që ka qenë në kontakt të përhershëm me fiset Iliro-shqiptare. Paul Kretschmeri në veprën e tij “Hyrje në historinë e gjuhës greke”, është i mendimit se ata që shpunë emrin e Odiseut në Itali kanë qenë fiset Iire… Odiseu kishte një orakël te Eyrytanët që nuk ishin grekë; mbi lidhjet e të ngushta me Thesprotët dhe mbi rolin e rëndësishëm që duhet të ketë luajtur rolin i tij në Epir të brendshëm… Lufta midis origjinës së errët të mitit të Odiseut, është ndezur rishtazi në në polemikë të ashpër midis Siegmund Feistit dhe Rudolf Much. I pari e deklaron Odiseun një hero Ilir, i dyti lufton për origjinën helene. Ne theksojmë vetëm këtë se, teoria e Feistit nuk na duket absurde, po të marrim parasysh zotësinë e madhe të frymës greke në të përkulur, të përvetësuar, të helenizuar të kulteve të huaja. Sidoqoftë një lidhje e afërt e kësaj figure me fiset ilire të Epirit nuk mohohet. Një provë janë edhe paralelet që besojmë se zbuluam midis Odiseut dhe Kostandin – Ymer Agos”.( E. Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë 1975, f. 99-100)
Dhe më poshtë prof. Çabej vazhdon: “Karl Keren, shënon se prehistoriani gjerman Carl Schuchardt shikon te Odiseu “Ilirinë e vërtetë”, sepse ky mbretëron mbi ishuj që janë të sferës ilire dhe dallohet “me urtësinë dhe me gjakun e ftohtë të tij” prej heronjve të tjerë të Iliadës: Gjithçka te Odiseu është detari, gjithçka lot në Mesdheun perëndimor, gjithçka është mënyrë jetese dhe legjendë ilire”.( E. Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë 1975, f. 100) Në përfundim, prof. Çabej konkludon: “Dijetarë të disiplinave të ndryshme e kanë marrë në sy origjinën ilire të heroit të Homerit. Na vjen mirë të shënojmë, se edhe poezia popullore shqiptare mund të kontribuojë në zgjidhjen e disa problemeve homerike”(E. Çabej, vep. e cit, f. 100) Megjithëse prof. Çabej dhe studiues të huaj e konsiderojnë Uliksin me origjinë Ilire, Tole për ta fshehur përkatësinë etnike të Uliksit, e censuron prof. Çabein dhe i bën jehonë Greqisë Veriore me sirena dhe isopolifoni.
Pohimi i prof. Çabeit, për Greqi Veriore, është produkt i hipotezave të disa studiuesve të huaj; të cilët e vendosin Uliksin në Greqinë politike. Prof. Çabej i ka qëndruar korrekt hipotezave të tyre, duke iu referuar një fakti të deriathershëm, për të mos u akuzuar nga pala greke si provokim politik. Ai e ka afirmuar Epirin si territor dhe popullsi epiriote-ilire: “Edhe grekët e Epirit këndojnë me melodi labe disi të ndryshuara. Pjesa dhënëse janë këtu shqiptarët, sepse arumunët, grekët, që nuk rrojnë pranë shqiptarëve, nuk i njohin këto melodi”.(E. Çabej , vep. e cit. f.131)
Ka 20 vjet që i është fshehur opinionit shqiptar futja e “isopolifinisë” në UNESCO si krijimtari me orgjinë nga sirenat greke dhe kori kishtar bizantin. Kjo lind pyetjen: Nga buron polifonia shqiptare, nga sirenat e periudhës antike parahelene, apo nga kori bizantin i kishës në Mesjetën e vonë greke? Kësaj nuk i japin përgjigje, as “komisioni i muzikës shqiptare” që e ka futur Polifoninë Shqiptare në UNESCO, as sejmenët e Toles, të cilët për të mbrojtur beun e isopolifonisë, demostrojnë nota revolte ndaj dokumentarit “Gjurmë Shqiptare” dhe profesorëve që kumtuan në simpozium.
Për këto e të tjera Akademiku Tole nuk mori pjesë në simpozium, duke u fshehur pas sejmenëve që flasin dhe bëjnë zhurmë, duke iu shmangur shqetësimeve që shtrojnë muzikantët dhe intelektualët për gjenezën e tjetërsuar të Polifonisë shqiptare nga ana e Toles në UNESCO.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.