DOSSIER

Vendimi i gjykatës së Rrëshenit për pjesëmarrësit e Revoltës së Spaçit: I pandehuri Gjet Kadeli me disa të dënuar të tjerë nga më kryesorët e aktivët, ka ngritur flamurin dhe…

09:59 - 28.03.23 m.k
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Gjet Kadeli




Pjesa e nëntëmbëdhjetët

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj.

Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ridënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit.

Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri.

Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

Vijon nga numri i kaluar
Dokumenti me vendimin e gjykatës së rrethit të Mirditës, për të dënuarit e kampit-burg të Spaçit, që organizuan dhe morën pjesë në revoltën e 22 majit të vitit 1973, ku Gjet Kadeli, figuron i pari në listë

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

GJYKATA POPULLORE E RRETHIT Nr. 39 i Vendimit

 MIRDITË Datë 25.7.1973

Nr.39 i Regj. Themeltar.

VENDIM

“NË EMËR TË POPULLIT”

Gjykata Popullore e rrethit Mirditë e përbërë prej:

Kryetarit të seancës gjyqësore Filip Lako

Ndihmës gjyqtarit Pjetër Nikolli

Ndihmës gjyqtarit Nikoll Gjoni

Të asistuar prej sekretarit Sadik Mema, me pjesëmarrjen e prokurorit të rrethit Zef Deda, në datat 23, 24 e 25 korrik 1973, shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale Nr. 39 që u përket të pandehurve:

GJET KADELI, i biri i Pjetrit dhe i Mrikës, lindur në katundin Bulshar të Mirditës dhe banues në Mamurras, i datë lindjes 7 Qershor 1942, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje punëtor, me profesion marangoz, me arsim 7 vjeçar, i martuar me 5 fëmijë, pa parti, i dënuar nga gjykata e rrethit Krujë, me 10 vjet heqje lirie, me vendimin Nr.90 datë 24.11.1972 në bazë të neneve 73/I dhe 273/II të K.Penal. Vuan dënimin në kampin e riedukimit Nr. 303 në Spaç.
NAPOLON KALECI i biri i Muntazit dhe i Shenikos, lindur më 20.1.1938 në Starje të Kolonjës, banues po aty, me origjinë shoqërore fshatar i mesëm, me gjendje shoqërore punëtor, me profesion murator, i pa martuar, pa parti, me arsim të mesëm, i dënuar nga gjykata e Qarkut Korçë, me vendimin Nr.4 datë 21.1.1966 me 14 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë, në bazë të neneve 64,10,14,73/1 të K.Penal: Vuan dënimin në kampin e riedukimit Nr. 303 Spaç.
XHEMAL BALI, i biri i Madanit dhe i Hatixhes, lindur më 20.3.1936 në katundin Vervë të Konispolit, banues po aty, me origjinë fshatar i varfër, me gjendje punëtor, me arsim 2 të mesme, pa partit, martuar me 2 fëmijë, i dënuar me 17 vjet heqje lirie dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë, konfiskimin e pasurisë në bazë të nenit 64,10 e 13 të K.Penal, me vendimin Nr. 41 datë 8.7.1961, të Gjykatës Ushtarake të Gjirokastrës dhe gjatë vuajtjes të dënimit, është dënuar edhe me 10 vjet të tjera heqje lirie, në bazë të nenit 73/1 të K.Penal, me aplikimin e nenit 49 të K.Penal, dënuar me 17 vjet heqje lirie nga gjykata e rrethit të Elbasanit, me vendimin Nr.18 datë 27.10.1967, vuan dënimin në kampin e riedukimit Nr.303 Spaç.
FERIT AVDULLARI, i biri i Maliqit dhe i Pikos, lindur më 1925 në fshatin Lin të Pogradecit, banues po aty, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje punëtor, pa parti, me arsim fillor, i pa martuar, dënuar 5 herë (një herë për grabitje, 2 herë për vjedhje, 1 herë për goditje të personit zyrtar dhe herën e fundit, dënuar me 6 vjet heqje lirie në bazë të nenit 73/1 të K.P. me vendimin Nr. 39 datë 29.7.1971 në gjykatën e rrethit Pogradec), vuan dënimin në kampin e riedukimit Nr. 303 Spaç.
BARDHYL FEJZULLARI, i biri i Tajarit dhe i Barijes, lindur në 20.9.1945 në katundin Dushar të rrethit të Korçës dhe banues në Pogradec, me origjinë fshatar i mesëm, me gjendje punëtor, me profesion arsimtar, pa parti, i pa martuar, me arsim 2 klasë të mesme, i dënuar me 10 vjet heqje lirie në bazë të nenit 64/10 të K.P., me vendimin Nr.37 datë 29.12.1966, të Gjykatës së Qarkut Korçë, vuan dënimin në kampin e riedukimit Nr.303 Spaç.
SOTIRAQ SIMAKU, i biri i Mitit dhe i Aspasisë, lindur në 25.10.1946 në katundin Dardhë të Korçës dhe banues në katundin Boboshticë të Korçës, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje punëtor, me profesion agronom i mesëm, me arsim të mesëm, pa parti, i pa martuar, i dënuar me 10 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 2 vjet kohë, në bazë të nenit 64 e 10, 14 të K.P. me vendim Nr.16 datë 28.7.1966 të gjykatës së Qarkut Korçë, vuan dënimin në kampin e riedukimit Nr. 303 Spaç.
HYSEN XHANI, i biri i Avdylit dhe i Nurijes, lindur në Tiranë më 6.2.1955, banues po aty, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje punëtor, me profesion bojaxhi, me arsim 7 vjeçar, pa parti, i pa martuar, i dënuar me 6 vjet heqje lirie në bazë të nenit 73/1 i K.P. me vendimin Nr.228 datë 12.11.1970 të gjykatës të rrethit Tiranë, vuan dënimin në kampin e riedukimit Nr.303 Spaç.
Të gjithë të pandehurit, të akuzuar se kanë marrë pjesë në një organizatë kundër pushtetit popullor, duke kryer sabotim dhe agjitacion dhe propagandë, që ka sjellë pasoja veçanërisht të rënda, krime këto që parashikohen nga nenet 27,73/II në kombinim me nenit 76 të K.P.

Gjykata, pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat e administruara gjatë gjykimit, pasi dëgjoi prokurorin, i cili kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurve: Gjet Kadeli, Napolon Kaleci, Xhemal Bali, Ferit Avdullari, Bardhyl Fejzullari, Sotir Simaku dhe Hysen Xhani dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 76 të K.Penal të dënohen:

Gjet Kadeli me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Napolon Kaleci, me 13 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Xhemal Bali, me 14 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Ferit Avdullai, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë.
Bardhyl Fejzullari me 13 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë.
Sotiraq Xhani, me 12 vjet vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë.
Hysen Xhani, me 12 vjet vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë.
Deklarimin fajtor të të pandehurve Gjet Kadeli, Napolon Kaleci, Xhemal Bali, Ferit Avdullari, Bardhyl Fejzullari, Sotiraq Simaku dhe Hysen Xhani dhe në bazë të nenit 73/II të K.P. në kombinim me nenin 76 e 26 të K.P. të dënohen:

Gjet Kadeli, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Napolon Kaleci, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Xhemal Bali, me 13 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Ferir Avdullari, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë.
Bardhyl Fejzullari, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë.
Sotiraq Simaku, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë.
Hysen Xhani, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3vjet kohë.
Përfundimisht në bazë të neneve 48 e 49 të K.P. të dënohen:

 Gjet Kadeli, me 15 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Napolon Kaleci, me 15 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Xhemal Bali, me 16 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Ferit Avdullari, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë.
Hysen Xhani, me vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë.
Gjykata, mbasi dëgjoi edhe fjalën e fundit të të pandehurve të cilët kërkuan:

Gjet Kadeli: mëshirë
Napolon Kaleci: mëshirë
Xhemal Bali: drejtësi
Ferit Avdullari: drejtësi
Bardhyl Fejzullari: drejtësi
Sotiraq Siamku: mëshirë
Hysen Xhani: pafajësi
V Ë R E N:

Të pandehurit, janë dënuar për krime kundër shtetit dhe vuajnë dënimin në kampin e riedukimit Nr.303 Spaç.

Nga hetuesi dhe nga provat e administruara gjatë gjykimit, rezultoi se; në datën 21,22 dhe 23 maj 1973, në kampin e riedukimit në Spaç, nga disa të dënuar që e treguan edhe një herë armiqësinë e tyre kundra pushtetit popullor dhe rendit socialist, shpërtheu një revolt e hapur.

Gjatë revoltës, u hodhën parulla me gojë dhe me shkrim, me një tendencë të theksuar armiqësore, si: “Poshtë komunizmi”, “Ja vdekje, ja liri”, “Nuk punojmë”, “Rroftë Shqipëria e Lirë” etj. I u bënë thirrje ushtarëve që të bashkohen me të dënuarit, që të drejtojnë armët kundra komandës, dhe mbas çdo parulle armiqësore, ata bërtisnin “Urra”. Jo vetëm kaq, por ata ngritën edhe një flamur, në katin e tretë të apartamentit, si simbol të veprimtarisë së tyre armiqësore.

Kundrejt këtyre të dënuarve pjesëmarrës në këtë revolt kundër revolucionare, mbas rivendosjes të rendit u muarën masa ndëshkimore duke u gjykuar dhe dënuar si armiq të pushtetit popullor dhe të rendit socialist.Të pandehurit, gjithashtu kanë qenë pjesëmarrës në këtë revolt.

Kështu i pandehuri Gjet Kadeli, së bashku edhe me disa të dënuar të tjerë nga më kryesorët dhe më aktivët, ka bashkëpunuar dhe ka ngritur flamurin në kamp. Kështu ai, ka bashkëpunuar me Luan Burimin, Bedri Çokun, Demir Pojanin, Feti Kumanakun, të cilët janë dënuar për këto krime. I pandehuri Gjet Kadeli, është dënuar edhe një herë për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe nga dënimi i dhënë. i ka mbetur pa vuajtur edhe 9 vjet e 5 muaj heqje lirie.

Të pandehurit Bardhyl Fejzollari, Napolon Kaleci e Sotiraq Simaku, kanë hedhur dhe pasuar parulla armiqësore kundër pushtetit popullor dhe rendit socialist. Ata janë shprehur hapur jo vetëm me këto parulla armiqësore, por edhe për të mos punuar në galeri, në minierën e Spaçit. Këta të pandehur, gjatë revoltës, janë treguar të lëvizshëm dhe disa herë kanë qëndruar pranë atyre të dënuarve që ishin nga më kryesorët dhe më aktivët në këtë revolt armiqësore.

I pandehuri Bardhyl Fejzullari, ka qenë dënuar edhe më parë për krimin kundër shtetit (për tentativë arratisje). Nga dënimi i dhënë i kanë mbetur pa vuajtur edhe 3 vjet e 8 ditë. Gjatë gjykimit ky i pandehur u tregua i sinqertë dhe i penduar për krimet e kryera.

I pandehuri Sotiraq Simaku, gjithashtu u tregua i penduar dhe i sinqertë. Nga dënimi i dhënë i kanë mbetur pa vuajtur edhe 2 vjet e 23 ditë. Ai ka qenë dënuar për tentativë arratisje. Dolli nga gjykimi se; ky i pandehur mori pjesë në revolt vetëm në ditën e parë, kurse në ditët e tjera ai ka qëndruar pasivë.

I pandehuri Napolon Koleci, është dënuar më parë për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë. Nga dënimi i dhënë, i ka mbetur pa vuajtur edhe 5 vjet e 8 muaj.

Nga provat e administruara gjatë gjykimit, doli se, i pandehuri Ferit Avdullai, ka pasur parullat armiqësore. Përveç kësaj, ai ka përkrahur mendimin për përdorimin e forcës dhe të akteve violente, në drejtim të stendave të emulacionit, punonjësve të zyrës teknike dhe dyqanit të kampit. I dënuar 5 herë, 4 herë për krime ordinere, e një herë për agjitacion e propagandë kundër pushtetit. Nga dënimi i dhënë, i mbetën për të vuajtur edhe 4 vjet, 1 muaj e 10 ditë heqje lirie.

I pandehuri Xhemal Bali, ka pasuar me parullat armiqësore, me fjalët e veprimet e tij ka treguar armiqësinë kundër pushtetit popullor e rendit socialist. Ka kërcënuar të dënuarit që punonin në Zyrën Teknike, për të mos komunikuar me komandën dhe forcat e saj që po mundoheshin të rivendosnin rregullin. Dënuar 2 herë për krime kundër shtetit, një herë për tentativë arratisje dhe një herë parë agjitacion e propagandë. Nga dënimi i dhënë, i kanë mbetur pa vuajtur edhe 11 vjet e 1 muaj heqje lirie. I pandehuri Hysen Xhani, gjithashtu ka shprehur fjalë armiqësore gjatë ditëve të revoltës, kur autoritetet e kampit kërkonin rivendosjen e rregullit. Ka pasur parullat armiqësore kundra pushtetit popullor dhe rendit socialist. Dënuar për agjitacion e propagandë. Nga dënimi i dhënë, i kanë mbetur pa vuajtur edhe 3 vjet, 1 muaj e 14 ditë heqje lirie.

Fajësia e të pandehurit, u provua nga dëshmitë e dëshmitarëve: Preng Volaj, Hilmi Freskina, Zenel Balliu, Muhamed Kosovrasti, Naim Pashaj, Feti Kumanaku, Thanas Theodhoraqi, Idajet Vesho e me pohimin e disa nga të pandehurit.

Veprat formojnë krimet e parashikuara nga nenet 72 e 73 paragrafi i dytë, në kombinim me nenin 76 të K.Penal.Në provat e administruara gjatë gjykimit, se dhe nga proçeset e mëparshme gjyqësore, kundra pjesëmarrësve të tjerë në këtë revolt, në të cilën në mënyrë të pa shkëputur morën pjesë edhe të pandehurit, dolli se qëllimi i tyre ishte, nga njëra anë krijimi i çrregullimeve në kamp, paralizimi me anë të çfarëdo mjeti i veprimtarisë udhëheqëse të komandës të kampit, dhe nga ana tjetër, paralizimi i punës në minierë, për të minuar planin ekonomik të shtetit.

Nga gjykimi, dolli e qartë se gjatë ditëve të revoltës, elementët armiq, praktikisht u organizuan, u caktuan elementët drejtues të revoltës, u përcaktuan objektivat e veprimtarisë armiqësore që, u bënë të qarta si nga parullat me shkrim edhe me gojë dhe që përfundimisht, synonin rrëzimin e pushtetit popullor. U shkatërruan objektet e propagandës në kamp, u paralizua për 3 ditë me radhë prodhimi në minierë, duke i shkaktuar një dëm të rëndësishëm shtetit, krim ky i parashikuar nga neni 72 në kombinim me nenin 76 të K.Penal. Rezultoi gjithashtu se, të pandehurit për të arritur objektivat e tyre armiqësore, kanë bërë agjitacion e propagandë në mënyrë të hapët, duke hedhur parulla me përmbajtje armiqësore kundër pushtetit popullor dhe kundër rendit socialist, krim ky që parashikohet nga neni 73/II i K.Penal. Në caktimin e masave të dënimit, gjykata ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprave të kryera, pasojat e ardhura prej tyre personalitetin e të pandehurve si origjinën shoqërore, shkallën e pjesëmarrjes në krim, që për rastin konkret për të pandehurit në gjykim ka qenë më i vigël se sa i të dënuarve të tjerë që u gjykuan e dënuan për të njëjtat krime. Gjithashtu për secilin të pandehur gjykata ka parasysh qëndrimin në punë në kamp, disiplinën, qëndrimin në hetuesi dhe në gjyq si edhe të gjitha rrethanat e tjera… /Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.