OPINION

Gjermania drejt “Mittel Ost Politik”!

09:30 - 31.03.23 JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, në kuadrin e ndryshimit historik në politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë ( Zeitwende) Gjermania po ecën me shpejtësi drejt një doktrine të re strategjike e mbiquajtur « Mittel Ost Politik ». Kjo nënkupton politikën e ndërtimit të raporteve të reja cilësore dhe rivlerësimit shumë më të madh të vendeve të Europës Qendore dhe Lindore ( EQL). Këtë mesazh domethënës dha dhe Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së gjermane në pushtet, Lars Klingbeil gjatë vizitës së tij në Varshavë më 12 – 13 Mars, në takimet me homologët polakë dhe të vendeve të tjera lindore lidhur me institucionalizimin e kësaj politike.
Në këtë kuadër, është bërë i njohur dhe një plan me 5 tema qëndrore, synimi i të cilit është që social-demokratët dhe politika gjermane në përgjithësi të rifitojnë besimin e humbur te vendet e EQL-së. Logoja e këtij projekti të ri politik është «  Mjaft më marrëdhënieve speciale me Rusinë ». Tani e tutje, në qendër të vëmendjes dhe aksionit politik gjerman do të jenë vendet e EQL-së dhe interesat e tyre të sigurisë nga kërcënimet ruse. Ndaj, parimi udhëheqës i «  Mittel Ost Politik » është « Jo Rusia, por EQL-ja e para »! Një revolucion vërtet i ri gjeopolitik gjerman.
Kjo kthesë historike ka filluar me një autokritikë të fortë nga politikanët më të lartë gjermanë, të djeshmit dhe të sotmit, mbasi nuk kanë reflektuar ndaj paralajmërimeve të partnerëve të tyre të EQL-së, sidomos për kërcënimet ruse.
Sipas Christoph Marschall, gazetar i njohur i të përditshmes «  Tagespiegel », kjo injorancë dhe arrogancë politike ka qenë në themel të mendimit politik gjerman.
Historikisht, qysh nga periudha e Bismarkut, Gjermania bashkë me Rusinë kanë synuar t’i pengojnë dhe venë nën kontroll vendet e EQL-së. Më vonë, Hitleri dhe Stalini nuk lanë gjë pa bërë për t’i shkatërruar këto « shtete sezonale » siç i quanin ata. Kësisoj, fati i tyre historik luhatej midis sundimit nga Gjermania dhe Rusia.
Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitin 1981, Kancelari i atëhershëm social-demokrat Helmut Schmidt nuk e mbështeti Lëvizjen “ Solidarnos” në Poloni, sepse “ krijonte shqetësime për paqen dhe stabilitetin në Europë”. Po kështu, Gjermania mbështeti ligjet e luftës të qeverisë polake në vitin 1981.
Në këtë kuadër po bëhen kritika dhe akuza ndaj “Ostpolitik” së famshme të lançuar në vitet 70 nga Kancelari emblematik social-demokrat Willy Brandt. Mirëpo këtu kërkohet kujdes, për të ndarë « shapin nga sheqeri » që, siç thuhet në të tilla raste, » bashkë me ujin e pisët të mos hedhim poshtë dhe foshnjen»
Le ta themi hapur se ata që kanë dyshime dhe hedhin poshtë Ostpolitik-ën, madje e shpallin atë fajtore për qëndrimet gjermane ndaj Rusisë nxitohen dhe gabohen.
Në fakt, në vitet 70 dhe në përgjithësi gjatë Luftës së Ftohtë, “Ostpolitik”, ose “politika e ndryshimit nëpërmjet afrimit paqësor me ish Bashkimin Sovjetik( BS) dhe rregjimet e tjera lindore” ishte e nevojshme dhe e dobishme. Sepse, pa pëlqimin e ish BS-së, nuk mund të bëhej asnjë hap drejt bashkëpunimit me vendet e EQL-së dhe shtetet balltike; as njohja e ndërsjellë midis dy Gjermanive dhe pranimi i tyre në OKB nuk do të ishte realizuar. Zhvillimi i ngjarjeve deri më 1971, kur lindi Ostpolitik dëshmuan qartë se Doktrina “ Hallstein” e Walter Hallstein, Këshilltarit të Kancelarit Konrad Adenauer dhe ish Presidentit të parë të Komisionit Europian për përmbysjen me armë të rregjimeve komuniste lindore kishte dështuar. Madje e kundërta mund të ndodhte, si në rastin e pushtimit të Çekosllovakisë nga BS-ja më 22 Gusht 1968.
Dihet se« Ostpolitik » e realizoi dhe përfundoi me sukses qëllimin strategjik në vitin 1990 me shembjen e Murit të Berlinit, ribashkimin gjerman dhe atë europian.
Mirëpo, problemi me Gjermaninë ishte se ajo e idealizoi dhe hyjnizoi atë; më tej, ajo e shtrembëroi, e kufizoi dhe e devijoi pothuajse krejt vëmendjen politike gjermane drejt Rusisë; ama duke spostuar « prapa liste » vendet e tjera të EQL-së, edhe pse ato kishin përqafuar strukturat Euro-Atlantike. Por, pa mohuar mbështetjen dhe ndihmat në proceset e integrimit Euro – Atlantik, Gjermania dhe Franca, si boshti i BE-së, i trajtuan vendet e EQL-së si « shtete të klasit të dytë ».
Kjo politikë e paekuilibruar vijoi deri tani vonë; ndonëse gjysma e NATO-s është lindore dhe diçka më pak dhe BE-ja, sërish theksi i gjeopolitikës gjermane mbeti te Rusia. Edhe pse përfitimet dhe interesat politike, ekonomike dhe tregtare gjermane kanë qenë dhe mbeten më të mëdha me EQL-në se me Kinën dhe Rusinë.
Kësisoj, politika gjermane, dhe sidomos ajo social – demokrate që në 20 vitet e fundit ishte në “ koalicionin e madh” me CDU-në e vazhdoi “Ostpolitik” dhe pas viteve 90, veçse në trase të gabuara dhe të panevojshme, kur Lufta e Ftohtë që e solli atë në jetë kishte përfunduar. Le ta përsëritim se Gjermania i ka mbështetur fort vendet EQL-së dhe të Ballkanit Perendimor në reformat demokratike dhe integrimin Euro-Atlantik. Kështu ka vepruar ajo dhe në Ballkan, sidomos me mbështetjen ndaj ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër ish Jugosllavisë, krijimin dhe sponsorizimin e Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore më 1999, nismat rajonale e deri te Procesi i Berlinit 9 vite më parë.
Ndërkohë, ajo vazhdoi me theks dhe përparësi zgjerimin e marrëdhënieve shumëplanëshe me Rusinë, duke vijuar traditat dhe linjat e saj të përgjithshme.
Nga ana tjetër, Gjermania vite më parë u përfshi në fërkime të ndryshme politike me vendet e EQL-së, për shkak të problemeve të tyre me shtetin e të drejtës; mirëpo dhe këtu duke injoruar avantazhet shumë më të mëdha që ajo kishte më këto vende krahasuar me Rusinë; ironia politike ishte se këtej ajo qortonte me të drejtë partnerët e EQL-së për deficitet demokratike, por nga ana tjetër « bënte harakiri » me Rusinë, duke mbyllur njerin sy dhe kur Rusia « shkelte me të dyja këmbët” demokracinë dhe të drejtën ndërkombëtare.
Për fat të keq, të njëjtën sjellje çuditërisht të gabuar politike Gjermania bashkë me BE-në po shfaqin kohët e fundit dhe ndaj Serbisë, duke e “mbajtur me hatër” e duke e marrë me të mirë. Sa për demokracinë dhe shtetin e të drejtës, pavarësisht nga fjalët e bukura dhe nismat e shumta në Ballkanin Perendimor, duket sheshit se ato janë “ vrima e fundit e kavallit”. Ohri me “dakordësinë” e çuditshme ishte dëshmia më e freskët e zbatimit të gabuar të politikës paqtuese ( appeasement policy); ndonëse asaj i ka dalë boja në Sarajevë, Dayton, Rambuje, në Minsk dhe tani me Moskën.
Krejt të kundërtën kanë bërë sidomos gjatë këtij viti SHBA-të, të cilat po forcojnë partneritetin e tyre me vendet e EQL-së. Sinjali më i qartë dhe më i ri gjeopolitik i vlerësimit të tyre përparësor strategjik ishte vizita historike e Presidentit Biden në Kiev dhe në Varshavë më 21 – 24 Shkurt 2023. Në vijim, këto ditë në qytetin Pose në Poloni do të vendoset garnizoni i parë ushtarak amerikan në historinë e këtij vendi, lajm shumë i mirëpritur në Poloni. Në fakt, aktualisht, SHBA-të dhe vendet e EQL-së po luajnë një rol shumë më të madh se Franca me Gjermaninë që kohët e fundit kanë disa “krisje” në marrëdhëniet e tyre si boshti i BE-së. Kështu, Polonia, vend pararojë në këtë drejtim, nuk priti Gjermaninë dhe Francën, por më 15 Mars njoftoi se do të dërgojë 12 avionët e parë luftarakë në Ukrainë, vendi i parë që e bën një gjë të tillë. Shembullin e saj e ndoqi menjëherë Slovakia që do të dërgojë 13 avionë të tjerë dhe kjo prirje do të vazhdojë më tej.
Drejtimi i dytë i madh i gabuar i politikës gjermane lidhej me shumë hapa dhe masa të saj për vazhdimin e « Ost Politik » dhe pas viteve 90, veçse tashmë të tjetërsuar. Gjermania u bë vendi me numrin më të madh, me plot 17 forume, procese dhe dialogë të gjithfarëllojshëm ruso-gjermanë. Bëhet fjalë për forume me antarësi të gjerë dhe elitare, me drejtues politikë, firmash dhe akademish, të kryesuar nga liderët më të lartë kryesisht të Partisë Social – Demokrate dhe kryeministra landesh. Njera prej tyre, Manuela Schwesig, zv.kryetare e SPD-së dhe Kryeministre e Mecklenburg – Vorpommen është vënë nën trysni të madhe politike me thirje për dorëheqje. Kësisoj, në Gjermani u krijua lobi më i fuqishëm rusofil i i me nofkën “ Putin Verstehers” ose “mirëkuptuesit simpatizantë të Putinit”. E habitshme se ky neologjizëm u krijua dhe u përhap gjerësisht kur Rusia aneksoi Krimenë më 2014, si mesazh mirëkuptimi për pozicionet agresive ruse nga liderët e majtistëve gjermanë. Ndërkohë, samitet franko-ruse ishin kthyer në rutinë të Kancelarëve Schroder dhe Merkel që çuditërisht ia lanë stafetë njeri tjetrit marrëdhëniet e privilegjuara me Rusinë, duke injoruar sigurinë e tyre.
Pas vitit 2005, ish Kancelari Schroder u promovua në krye të Bordit të gjigandit botëror rus « Gazprom » e më vonë të « Rosneft »; si shpërblim për miqësinë personale me Putinin. Ai u bë mbështetësi më i fortë dhe besnik i politikave agresive ruse, përfshirë dhe agresionin në Ukrainë.
Megjithatë, “Ostpolitik” tashmë e shtrembëruar vijoi sipas parimit «  business as usual » edhe pas aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014. Sikur të mos mjaftonte i pari, filloi ndërtimi dhe u bë gati Gassjellësi tjetër gjigand “Nord Stream II”, të cilin Gjermania e ndërpreu vetëm kur filloi agresioni rus më 24 Shkurt. Filozofi i shquar francez Bernard Henri Levy thotë se “ ndërtimi i Nord Stream ishte gabimi më i madh i 50 viteve të fundit”! Edhe vartësia gjermane nga gazi dhe energjia ruse vazhdoi me ritme të frikshme deri në 80 për qind! Kjo Ostpolitik rezultoi me pasoja fatale për Gjermaninë dhe Europën, të cilat po i vuajnë tani, duke paguar dividentin e pretenduar të paqes si “ frëngu pulën” .
Politikat gjermane pro-ruse vazhduan me synim përfitimin nga globalizmi naiv, tarifat e lira dhe bashkëpunimin ekonomik, të cilët ajo i konsideronte si një levë të fuqishme për fitime por dhe për paqe me Rusinë, me besimin e verbër se ajo nuk do të sulmonte kurrë se demek “Putini ishte a good guy”
Ndërsa në frontin diplomatik, krahas Kancelares Merkel, edhe ish Ministri i Jashtëm gjerman dhe tanimë President, Walter Steiemeier, ish lider i SPD-së u investua tejet mase në kuadrin e të ashtuquajturit “ formati i Normandisë” në negociatat mbas aneksimit të Ukrainës Lindore, kur bashkë me Francën miratuan Marrëveshjen e Minskut për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës në vitin 2015 ; një ujdi “ as mish as pesh” në favor të Rusisë dhe e pamundur për t’u zbatuar. Për qëndrimet e tij pro–ruse, Presidenti Steinmeier u kritikua rëndë dhe nga Ukraina, së fundmi bëri autokritikë dhe Presidenti Zelenski e priti me shumë vonesë në Kiev.
Në vijim të këtyre politikave filo-ruse, siç e pohoi kampioni botëror i boksit Vladimir Klitschko në një debat televiziv në Berlin më 23 Shkurt, ndonëse ata paralajmëruan politikanët e lartë gjermane për agresionin rus, zëri i tyre nuk u përfill.
Së fundi, duke iu rikthyer « Mittel Ost Politik » shihet se pika e fundit e projektit politik gjerman flet sërish mbi « rolin udhëheqës gjerman ». Mirëpo, sipas disa ekspertëve do të ishte më mirë që më parë, Gjermania të dëgjojë me kujdes dhe të reflektojë në praktikë këshillat dhe sugjerimet e aleatëve të EQL-së; vetëm mbi këtë bazë ajo pastaj të shohë se si ta luajë më tej këtë rol udhëheqës; jo si deri më tani, « në kokë të vet », duke injoruar me arrogancë aleatët e saj të Europës Qendrore dhe Lindore, por bashkë, në unison dhe solidaritet të plotë me ta.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.