

Një incident i rëndë dhune me të plagosur ka ndodhur të premten në Metro Mall në Agios Dimitrios.
Pak para orës 21:00, dy grupe me rreth 10 persona, të cilët ndoshta ishin të mitur, janë përplasur jashtë qendrës tregtare që ndodhet në Vouliagmeni.
Qendra tregtare në atë kohë ishte e mbushur plot me njerëz, të cilët ishin dëshmitarë të përleshjes së ashpër.
Sipas informacioneve, tre persona kanë mbetur të plagosur, nuk dihet se në çfarë gjendje janë. Në vendngjarje kanë mbërritur autoambulancat për t’i dhënë ndihmën e parë të lënduarve.
Në vendngjarje është gjetur një çekiç.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin e personave të lidhur me ngjarjen, ndërsa ka marrë deklarata nga dëshmitarët okularë. Po hetohet nëse sulmi është i motivuar nga tifozët.