Uncategorized

Intervista/ Nga “ëndrrat në sirtar” te romani i fundit, një police romanciere “cool” si Meri Mezini

10:00 - 01.04.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Një pikë bojë mjafton për të zgjuar mendime në miliona njerëz!”. Ajo nuk ndalet kurrë së shkruari dhe di më së miri që t’i ndajë dy profesionet e saj me të cilat është lidhur ngushtë. Meri Mezinin e gjejmë çdo ditë në “kupolë”, në ruajtje të rendit dhe të qetësisë, ndërsa pasdite zhvishet nga ky petk dhe merr atë të romancieres, ku mendja shkon larg dhe imagjinata i kalon kufijtë… Pushkini ka thënë “Frymëzimin s’e shes, ndërsa dorëshkrimin pse jo!”. Që në fillim të dorëshkrimeve të saj, autorja Meri Mezini e ka pasur të qartë se ato do të njohin dritën e botimit. Ajo mban shënime për çdo gjë, në çdo rrëfim, pasi jo më kot siç shprehet, ajo shënimet vlejnë sa një barrë kujtimesh. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Meri Mezini na tregon se si nisi ideja për të shkruar, ku bazohet dhe çfarë e frymëzon më shumë. Pas suksesit që pati me romanin “Djali që urrente femrat”, ajo tregon se ka në dorë një tjetër roman, i cili beson se do të pëlqehet po aq shume nga lexuesi, pasi vetë historia që do të sjellë është e dhimbshme.  Si nënë e dy djemve, një gjyshe “cool”, Meri na tregon më shumë për jetën jashtë punës, si bashkëshorte, impenjimet me mbesën dhe përçon një mesazh shumë të bukur për të gjithë…




Meri si pjesë e uniformave blu, në romanciere… Çfarë i lidh bashkë?

Shkrimi dhe policia ishin dy ëndrrat e mia. Nuk është kurrë vonë të bësh atë çfarë do dhe unë sot jam me fat që i kam realizuar të dyja ëndrrat. Jam punonjëse policisë në Drejtorinë e Burgjeve, aktualisht te Qendra e Botimeve Zyrtare. Gjithashtu, kam punuar edhe te Burgu Sigurisë se Lartë, te 313, te burgu i grave, ku kam marrë histori reale që më kanë shërbyer librin tim, si dhe kur isha inspektore në gjykatë kam marrë një material të madh, me historitë e njerëzve që gjykoheshin. Për hir të së vërtetës janë histori që të mbeten në mendje. E dashuroj profesionin tim dhe shkrimin dhe kurrsesi nuk do të pendohesha nëse do të kthehesha pas në kohë. Sikur 100 jetë të kisha, prapë këto gjëra do bëja.

Si e menaxhon punën tënde të përditshme, impenjimin në familjen dhe pastaj të shkruarit?

E menaxhoj më së miri rutinën time. Në mëngjes zgjohem, bëj tualetin e ditës, vesh uniformën dhe nisem për në punë. Pas pune jam sigurisht amvisë, shumë e përkushtuar për familjen, pasi kam qenë gjithmonë e vetmja femër mes tre meshkujve, burrit dhe dy çunave të mi të mrekullueshëm. Punojmë të gjithë dhe hapësira e kohës vetëm në shtëpi është e plotë për mua. Dhe pjesa që më mbetet e kaloj me shkrimin. Jam një nënë e lumtur e dashuroj jetën që kam.

 

Autorja: Ja ku frymëzohem për të shkruar, historitë në romanet e mia janë reale

 “Fundjavat i kaloj me mbesën, tim biri i kërkoj falje për…”

 

Një gjyshe “cool” si Meri, sa ju ka përmbushur mbesa juaj? A vlen te ju shprehja është mjalti i mjaltit?

Kjo është pyetja më e bukur për mua. Fundjavat janë të mbesës sime dhe ia kushtoj asaj kohën. Kam kujtuar se i doja fëmijët shumë, por tani që më ka ardhur mbesa, në heshtje i them tim biri “më fal”, që nuk ia kam shprehur dashurinë e duhur sa dua vajzën e tij. Kohët tona ishin vrap, punë dhe nuk kishim kohë të rinim shumë me fëmijët tanë. Dashuria për mbesën është një dashuri që ia kalon ç’do dashurie të universit. I kam bërë edhe poezinë me të njëjtin titull, aty gjithë gjyshet dhe gjyshërit gjenin veten, e shihja në komentet që bënin. Pajtohem plotësisht me shprehjen që më thatë ju është tamam “mjaltë i mjaltit”.

Le të kthehemi tek arti i të shkruarit… Kur është shkruar romani juaj i fundit?

Romani im i fundit doli vitin e kaluar dhe isha me fat, pasi u bëra pjesë e radhës së poetëve, më të mirë të ku promovuam librin në muajin e librit, tetor. Një javë para Panairit të librit 2023, jam ndjerë shumë keq, pasi nuk kisha mundësi të merrja pjesë. Të gjithë lexuesit e mi ishin aty dhe më telefonin dhe pyesnin se përse nuk isha aty. Por, mundësitë ekonomike të kushtëzojnë ëndrrat e tua.

Keni nisur të shkruani me idenë për t’i mbajtur në sirtar, apo që në fillim e menduat pse jo të mos i botoj?

Sigurisht që botimi është qëllimi dhe nuk ka rëndësi se sa fitoj… E rëndësishme është që lexuesit e mi e duan dhe e lexojnë atë çka shkruaj unë. Për vete kam shkruar shumë dhe sirtarët i kam plot me shkrimet e shkollës së mesme dhe do t’i botojë në novela të vogla.

 

meririri merirri222 meri eee merrrissss merirriri
<
>

 

Keni komplekse në mënyrën e të shkruarit?

Unë shkruaj lirshëm dhe nuk kam komplekse. I shpreh gjërat siç janë dhe ky mendoj se është çelësi i suksesit.

Trillim, apo histori reale…

Unë nuk do të vijë kurrë në asnjë botim me fantazi, e dua realitetin sado i hidhur që është. Jeta jonë ka aq shumë ngjarje të vërteta, sa unë nuk do të iki kurrë prej tyre. Kam pasur fatin që të isha afër personazheve, ndaj librin e shkruaj natyrshëm.

A mund të identifikohen personazhe të caktuara të librit tuaj, me personazhe konkretë? Ose a ka pasur personazhe konkrete, që cilat qoftë edhe në fillim kanë nxitur ngjizjen e një personazhi të librit?

Personazhet e mi janë të vërtetë dhe janë suporti im në shkrimet e mia. Sigurisht që emrat do t’ua ndryshojë. Në njërin nga librat para këtij, një nënë e denoncoi djalin në syrin tim. I biri drogohej dhe e lëndonte. Aty pashë në nënë që gjeti ngushëllimin dhe besimin njëkohësisht te burgu. Më mirë më burg – më thotë mua, – se jashtë nuk do ketë kurrë një institucion që do ta largojë tim bir nga ai helm vrastar, që po vret shumë të rinj. Ajo kishte besim se vetëm në burg, ai do ta braktiste drogën dhe kështu ndodhi. Falë shërbimit shëndetësor dhe policor ai djalë u shërua. Asokohe unë isha pjesë e stafit policor, punoja te takimet e familjarëve dhe e pashë me sytë e mi historinë e tyre, urrejtjen e të birit, e pashë në lotët e asaj nëne. Por kjo ishte e përkohshme, sepse ai djalë braktisi drogën, dhe ishte koshient që vendimi i nënës ishte i drejtë. Askush s’të do më shumë se nëna ishin fjalët e mia, që ia thosha përditë atij djali të dënuar. Ai doli i pastër dhe filloi një jetë të re, krijoi dhe familje. Njerëzit që kanë besim te vetja i harrojnë gjërat që duan dhe unë vetë kështu jam.

A ju shërbejnë personazhe të caktuara për të shprehur nëpërmjet tyre mendimet dhe konceptet tuaja për gjërat? Zakonisht është një personazh nëpërmjet të cilit shpreheni, apo i shpërndani idetë tuaja nëpër personazhe të ndryshme?

Jo, nuk përqendrohem kurrë vetëm te një personazh. Shkruaj për secilin, më vete, vetëm gërshetoj ngjarjet, bashkoj dy ngjarje, apo personazhe bashkë. Duhet ta njohësh një personazh mirë dhe ai për mua është nismëtari i librit të radhës, falë tij vijnë dhe të tjerët. Unë duhet të jem korrekte me sistemimin e fjalëve të thëna nga ai, në zbukurimin me metafora. Se në fund të fundit, po nuk e pëlqeu ai libri për mua s’ka vlerë.

Sa jeni ju e pranishme në krijimtarinë tuaj? Sa niseni nga vetja për të ndërtuar personazh të caktuar?

Po jam, në shumë raste madje jam. Falë profesionit kam qenë pranë tyre dhe i kam dëgjuar ‘live’ historitë e personazhit. Madje, në jo pak më kanë besuar sekretet në jetës e tyre, falë natyrës sime dashamirëse. Unë jam shumë sociale dhe kur jam përball një personazhi pozitiv, normal që e kam më të thjeshtë pasi jam brenda tij.

Shpesh shkrimtarët thonë se nuk i kanë në dorë personazhet, si i keni marrëdhëniet me personazhet tuaja?

Po, personazhi për mua ka shumë rëndësi dhe nuk di si do shkruaja një roman pa personazhin, që do më besonte mua historinë e tij. Unë ri gjatë me ta, bëhem mikeshë. Unë nuk krijojë barriera në shoqëri, njoh njerëz të ndryshëm nuk i paragjykoj, rri me ta, pasi kanë atë pjesë të mirë që më përshtatet apo më duhet mua. Te një vajzë lypëse shihja mungesën e vajzës sime dhe çfarë faji ka ajo që kishte lindur në një familje të varfër dhe e detyronin të lypte rrugëve të Tiranës. Në librin tim është vajza që unë e kam birësuar shpirtërisht dhe aktualisht është pjesë e familjes sime.

Po t’u referohemi shkrimtarëve, do të them se ata shpesh flasin për mani gjatë procesit të të shkruarit. A keni ju mani?

Të shkruarit të tundon, mësohesh me të dhe ti krijon varësi ndaj shkrimit, do apo s’do ti. Nuk do ta quaja mani në fakt, e provoj që sa mbaroj një libër, filloj tjetrin. Nuk pajtohem me fjalën mani në këtë pyetje në fakt.

Si nis një libër te ju? Ç’e nxit një ide që më pas materializohet në libër?

Rastësia. Dikush tregon diçka dhe unë nuk i ndaloj gërmimet tek ai, sa ti marrë atë që dua, sigurisht që duhet të jetë një histori interesante.

Si i arkivoni elementët që i merrni nga përditshmëria? Qoftë një ngjarje në dukje e parëndësishme që ndonjëherë mund t’ju shërbejë për një libër ende të pashkruar? Mbani shënime, i faleni kujtesës?

Nuk mendohem gjatë e shënoj në telefon, se tani shumica e njerëzve që shkruajnë, shkruajnë më celular, i mbledh aty. Jo, nuk i falem kujtesës, pasi jam më e sigurt kur e arkivoj dhe i përdor më pas në kohën e duhur.

Titulli i një libri, çfarë përfaqëson për ju? Është domethënia e librit, një fjalëkalim për në brendësinë e tij, një metaforë apo thjesht një grep për të kapur lexuesin?

Titulli ka shumë rëndësi për mua dhe ai mbart gjithë kuptimin e librit. Te romani “Djali që urrente femrat” nuk u mendova fare se urrejtja e djalit ndaj femrave që i ati tradhtonte mamanë e tij më solli gjithë historinë e librit. Pavarësisht se fundi ishte i bukur, urrejtja nuk mbijeton dot gjatë brenda një shpirti të mirë. Të paktën kështu them unë.

Çfarë ka mes fundit të një libri e fillimit të një libri tjetër?

Ndalesa ime te mesi i librit që kam në dorë, në një përplasje qerpikësh më çon te libri i radhës, pasi deri te mesi i librit që në dorë kam arritur të mendoj se ky po mbaron dhe mendja më punon te libri në vazhdim.

Ka kaluar pak kohë nga botimi i librit tuaj të fundit. A keni diçka tjetër në dorë?

Kam një libër interesat. “Misteret në ditët e para të emigrantëve”. Është një libër plot dhimbje, të emigranteve femra, po edhe meshkujve në emigrim. Konkretisht është jeta e një vajze që u bë prostituta e një vile, vetëm për të shpëtuar jetën nënës, të ushqehej të strehohej bashkë me motrën në atë shtëpi, në një vend të huaj. Por është një zinxhir historish të tilla vuajtjesh, dhunimesh, përdhunimesh në jetën shumë emigrantëve që unë i kam sjellë nëpërmjet këtij personazhi femër. Jam fokusuar te vitet ‘90, pasi jam edhe unë pjesë atyre brezave.

“Martesa më vodhi ëndrrat” është një shprehje që e ke përdorur në jo pak raste. Sa suport është familja jote në këtë rrugën tënde?

Familja është suport dhe shpeshherë bashkëshortit i them, po “martesa më vodhi ëndrrat”. Se obligimet familjare nuk më linin hapësirë të shkruaja, fëmijët e vegjël, punoja shumë gati 16 orë në ditë. Erdha në Tiranë me familjen, si shumë të tjerë që braktisën vendlindjen për një jetë më të mirë dhe ishin vitet të vështira 1997. Unë erdha nga Vlora, ku ai qytet na u kthye në zjarr lufte nga firmat piramidale.

Përse shkruan Meri?

Të them të drejtën, unë shkruaj se e kam pasion, por jo vetëm është ëndërr e ngelur nga fëmijëria ime. Tani kam edhe kohë, se fëmijët janë rritur dhe nuk rri dot edhe të dua. Shkrimi më jep adrenalinë, postimi i një poezie në rrjetet sociale, apo publikimi i romanit të radhës, më jep kurajë. Kam miq shumë dhe ndihem e plotësuar në komentet e tyre pozitive. Unë nuk jam filozofike në të shkruar, e bëj librin në gjuhën e lexuesve, thjesht, dhe bukur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.