DOSSIER

“Pasi i futi të dy në dhomën e gjumit, ai u tha; Petriti, kryetari i Degës Brendshme, më propozoi të bëhem bashkëpunëtor i Sigurimit dhe t’ju spiunoj ju…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

07:23 - 01.04.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Nga Hotel ‘Breshka’, vilat e tregtarëve të Monarkisë, ku ‘prehej’ udhëheqja komuniste, te kampet e pushimit, kabinat dërrase, treni me qymyr dhe…”/ Historia e panjohur e Plazhit të Durrësit




“Pasi i futi të dy në dhomën e gjumit, ai u tha; Petriti, kryetari i Degës Brendshme, më propozoi të bëhem bashkëpunëtor i Sigurimit dhe t’ju spiunoj ju…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

Nga Reshat Kripa

Pjesa e tretë

-“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njëmendtë atje ku ekziston përnjimend”.-

 

Giovani Sartori: “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”.

Vijon nga numri kaluar

 

Përse? Përse? Përse? Tingëllonin fort në veshët e Agronit. Mendimet e shprehura nga gjitoni, që nuk kishin më shumë se dhjetë ditë që ishin njohur, e kishin prekur thellë. Këto mendime i përplaseshin me ato që kishte shprehur e ëma, pak më parë dhe nuk ishte në gjendje t’u kthente përgjigje! Por thellë në ndërgjegje, ndjente se ata kishin të drejtë. Babai i tij, kishte luftuar krah për krah me një nacionalist. Ndoshta edhe me gjyshin e Besnikut. Ishte vrarë së bashku me një nacionalist. I kishin varrosur të dy njëri pranë tjetrit.

 

Ishte trembëdhjetë vjeç kur iu vra babai. I kujtoheshin fare mirë bisedat që bënte i ati, kur kthehej fshehurazi në shtëpi.

 

– Dëgjoni or miq – u thoshte ai atyre që ishin rrotull, — Po vazhduam kështu, fitorja është e sigurt. Por kam dëgjuar disa pëshpëritje që, nuk më pëlqejnë. Më vjen keq që këto pëshpëritje vijnë nga lart, nga tanët. Armën e rrëmbeva për atdheun, se më thirri zëri i tij dhe jo për të qëlluar kundër patriotëve të mi, që luftojnë përkrah meje.

 

Në ndërgjegjen e Agronit, kishin filluar të jetonin dy njerëz. Njëri ishte i dukshëm. Ai ishte kryeinxhinieri por, që duhej të ishte askushi, një njeri që nuk mendonte, nuk vendoste, por vepronte si mbas udhëzimeve të eprorëve, ndërsa tjetri, ishte një individ i padukshëm që, jetonte brenda tij dhe e kundërshtonte, ia brente ndërgjegjen. Një dualizëm zhvillohej me vetveten. Kush nga të dy, do ishte më i fortë? Kushdo të fitonte? Askurrkush nuk mund të jepte përgjigje. Jetohej në një kohë të turbullt ku, çdo gjë mund të ndodhte. Le të presim dhe të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet.

 

Dita e fundit e pushimeve. Në atë ditë, qielli u mbulua nga disa re të zeza. Por shi nuk ra. Megjithatë nuk ishte ditë e përshtatshme për t’u larë. Vendosën të dilnin dhe të vizitonin qytetin. Ishte hera e parë që vinin atje dhe natyrisht kishin shumë gjëra për të parë. Vizituan muzeun historik dhe atë etnologjik, qytetin antik dhe banesat e vjetra karakteristike që ngriheshin nëpër lagjet e vjetra. Së fundi u ulën në një Bar – Lulishte, që ndodhej në qendër të tij.

 

Kamarieri, një djalë i ri dhe shumë simpatik, i’u drejtua me një buzëqeshje të ëmbël:

 

– Mirëserdhët në lokalin tonë! Shijoni gatimet dhe do të mbeteni të kënaqur.

 

U zgjati menynë dhe po priste porosinë në qëndrim gatitu.

 

Agroni e hapi dhe pasi e lexoi tha:

 

– Na sillni nga një makarona dhe nga një biftek viçi me patate. Sillni edhe një pjatë të madhe me sallatë të përzier dhe një shishe verë. Mos harroni sillni dhe një shishe ujë “Gline”.

 

Kamarieri u largua të kryente porosinë. Nuk vonoi dhe solli verën dhe ujin e “Glinës” si dhe katër gota. I vendosi mbi tavolinë, hapi shishen e verës dhe filloi të mbushë gotat.

 

Kur i erdhi radha Iridës. ajo tha:

 

– Jo, ujë “Glina”.

 

Kamarieri hapi shishen dhe i mbushi gotën, pastaj iu drejtua të tjerëve:

 

– Dëshironi dhe juve?

 

Agroni pohoi me kokë dhe ai ua mbushi pjesën e mbetur nga vera. Pastaj u largua të sillte porosinë tjetër.

 

– Qenka shumë djalë i edukuar, – tha Lumtua.

 

– Me siguri do ketë kryer shkollë. Atje ia mësojnë këto gjëra, – e përforcoi Agroni.

 

– Këta djemtë e sotëm i mësojnë të gjitha, – e plotësoi bisedën nënë Gjyla.

 

Vazhduan të hanë me qetësi, duke biseduar me zë të ulët. Gjellët ishin me të vërtetë të shijshme. Kamarieri, kishte patur të drejtë. Së fundi Agroni porositi:

 

– Tre kafe ekspres dhe një kasatë.

 

– Mua bëma turke, me pak, – shtoi nënë Gjyla.

 

Ndërsa pinin kafetë, u afrua kamarieri, që i foli me zë të ulët:

 

– Ai shoku që është në atë tryezën atje, dëshiron të bisedojë me ju.

 

Agroni vështroi në drejtimin që i tregoi kamarieri. Në atë tryezë, ishte vetëm një burrë rreth të pesëdhjetave. I’u duk si një fytyrë e njohur. U mendua për një çast. Iu kujtua se e kishte parë në qytetin e tij. Kohët e fundit, ai i ishte shfaqur disa herë. I ishte dukur sikur e ndiqte si, ndonjë hije nga prapa. Megjithatë, vendosi të shkonte për të mësuar se ku qëllonte çekani.

 

– Më prisni këtu, se unë do shkoj të takohem me të. Shkoi në tryezën e tij.

 

– Mirdita!

 

– Mirëserdhe! Më fal se të prisha qetësinë familjare.

 

– Asgjë, sapo bëheshim gati për t’u ngritur.

 

– Nuk dua të të mbaj tepër. Po hyj drejt dhe në temë. Nga ty presim më shumë, por ti deri tani, nuk po na jep asgjë. Këto fjalë i treguan Agronit, se ku qëllonte miku misterioz. Vendosi të hiqej sikur nuk kuptonte.

 

– Më falni po unë nuk ju njoh dhe nuk e di përse bëni fjalë?

 

– Ke të fala nga kryetar Petriti. Ai do të dijë nëse, i ke kuptuar fjalët e tij që të tha.

 

– E çfarë mund të them unë, kur nga mëngjesi në mbrëmje nuk mendoj tjetër veçse, si të realizoj sa më mirë detyrat?

 

– Por mos harro shoku Agron, Partia të bëri kryeinxhinier dhe kjo detyrë duhet justifikuar.

 

– Unë mendoj se, e kam justifikuar besimin e dhënë.

 

– Nuk është tamam ashtu, – personazhi enigmatik u hodh në ofensivë, – kush ishte miku që darkuat para tre ditësh?

 

– Komshiu që kemi me gabinë. Është nga klasa punëtore, saldator, ndërsa e shoqja elektriçiste. Nuk besoj se ka ndonjë të keqe në këtë mes.

 

– Pse është nga klasa punëtore dhe qenka njeri i besuar? Ai, o lum miku, është një gjarpër i fshehur që pret rastin të të pickojë. A e di se gjyshi i tij, është vrarë nga Partia dhe babai ia mbathi te imperializmi amerikan? Dhe ti djali i dëshmorit të Luftës ha, pi dhe bënë llogje me një person të tillë. E vogël të duket kjo?

 

Sulmi kishte filluar. Bashkëbiseduesi, që nuk i tregoi as emrin, nuk dinte të fliste në shumës, siç e kërkonte etika e një intelektuali. Toni që përdorte ai, i dhanë të kuptojë Agronit se, tashmë duhej të tregohej shumë i kujdesshëm, për çdo veprim, dhe për çdo fjalë që do të thoshte. Para vetes, kishte një nga ata tipat, që ishin mësuar të flisnin nga pozitat e atij që ndodhet më lartë, në hierarkinë administrative dhe që është mësuar vetëm të komandojë, ndonëse niveli i tij, është shumë më i ulët se ai i bashkëbiseduesit.

 

Ishte para një bango-prove të rrezikshme. Me gjithë tronditjen e pësuar, i’u përgjigj i shpenguar:

 

– E ku ta di unë se, ai qenka i tillë?

 

– Mirë, mirë, ngrehu dhe ik tani se po të presin. Hap sytë për ato që të ka thënë kryetar Petriti dhe mos i hap telashe vetes.

 

Agroni u ngrit, i dha dorën dhe shkoi te tavolina e tij.

 

– Përse të donte? – e pyeti Lumtua.

 

– Eja të ikim, – tha pa iu përgjigjur pyetjes së bërë. Pagoi kamarierin dhe u larguan të heshtur.

 

Rrugës mendonte për skenën që i kishte ndodhur. Ndodhej para një udhëkryqi të madh. Si t’ia bënte? Si të dilte nga kjo gjendje? Këto pyetje e torturonin. Deri para pak kohe, kishte jetuar i qetë, pa telashe. Punonte me ndershmëri. Ishte edhe një shahist i mirë. Por ja, papritur dhe pa kujtuar, dikush i kërkonte të kryente veprime kundër karakterit të tij. Ky dikush ishte një përfaqësues i shtetit, i atij shteti për të cilin, kishte dhënë jetën i ati. I shtrëngoi krahun së shoqes në mënyrë domethënëse që, të mos hapte gojën dhe nxitoi hapat.

 

Në mbrëmje, kur ranë të flenë, i tha me zë të ultë që të mos e dëgjonte e ëma:

 

– Ishte i dërguar i Sigurimit të Shtetit. E kishte dërguar kryetar Petriti. Ofensiva filloi. Le të përgatitemi për të pritur rrebeshin.

 

– Rrebeshin? Cilin rrebesh?! Ne nuk kemi bërë asgjë. Përse të ndëshkohemi në këtë mënyrë?

 

– Mos u shqetëso! Edhe kjo do kalojë si të tjerat. Do gjejmë mënyrën, si ta përballojmë. Do japin dhe do japin dhe pastaj do pushojnë. Punë e madhe, duhet të përgatitemi për këtë. Do të jemi më të qetë. Të paktën, do të jemi dikush.

 

Të nesërmen u nisën për në qytetin e tyre.

 

Stefani me Gjergjin, ishin dy inxhinierë të rinj. Kishin pesë vjet që kishin mbaruar studimet dhe ishin emëruar në atë qytet. Ishin kushërinj të dytë me njëri-tjetrin. Baballarët e tyre, ishin djalë halle dhe djalë daje. Një kushëri tjetër me pozitë, kishte ndërhyrë dhe atyre u kishte dalë e drejta e studimit. Të dy ishin beqarë. Prisnin të transferoheshin në qytetin e tyre dhe atje të lidhnin jetën, me ndonjë vajzë të bukur.

 

Ishin djem për së mbari. Universitetin e kishin përfunduar me rezultate të mira. Por ishte biografia ajo, që i kishte prurë në këtë qytet. Ajo vazhdonte t’i ndiqte këmba këmbës. Kishin zënë një dhomë në një hotel beqarësh. Atje banonin. Megjithëse kishin një diferencë moshe prej rreth pesëmbëdhjetë vjetësh me Agronin, ishin lidhur me të, me një shoqëri të madhe.

 

Atë ditë, dy javë pasi ishte kthyer nga pushimet, u takuan në klubin e shahut. Kishin një takim miqësor me skuadrën e qytetit fqinj. Agroni nuk e ndjente veten mirë. Në kokë i silleshin vërdallë furitë, që e kthenin në një njeri pa shpresë. Kujtonte bisedën e fundit me Rustemin. Veten e ndjente të rrethuar nga një lukuni shushunjash, që kërkonin t’i pinin gjakun.

 

Në këtë gjendje, u ul në tavolinën e takimit. Ishte tavolina numër pesë. Përballë kishte shahistin më të mirë të skuadrës kundërshtare. Katër tavolinat e tjera, i kishin mbaruar takimet. Rezultati ishte dy me dy. Fati i tij varej nga rezultati i tavolinës numër pesë. Pas pesëdhjetë e katër lëvizjesh, Agroni u dorëzua. Skuadra e qytetit të tij e humbi takimin. Shkaku i kësaj humbje ishte ai.

 

Kur dolën përjashta, Stefani i tha:

 

– Po ti ç’pate? Përse qe në një ditë aq të errët?

 

Kundërshtari nuk ishte kushedi se çfarë.

 

– Sonte, dilni nga unë se, kam diçka për të biseduar – tha Agroni, pa e zgjatur më tepër. Në mbrëmje ata shkuan në shtëpinë e tij. Ai i futi në dhomën e gjumit.

 

– Ju futa këtu se dua të bisedoj për një çështje, që nuk dua ta marrë vesh nëna me Iridën. Një re e zezë po vjen rrotull mbi kokat tona.

 

– Çdo të thuash me këto fjalë? – pyeti Stefani.

 

– Mbrëmë dola vonë nga puna. Binte shi dhe ndenja me Rustemin duke biseduar. Ai më tha disa fjalë që, nuk më pëlqyen.

 

– Çfarë ju tha? – pyeti Gjergji i paduruar.

 

– Në organizatën e partisë, paskan biseduar për ne tre se, gjoja paskemi mbeturina mikroborgjeze. Ata që na akuzonin, ishin Resuli dhe Ibrahimi. Ju i njihni mirë të dy, se sa vlejnë. Por ata kanë atë, që ne nuk e kemi. Janë komunistë dhe u shkon fjala.

 

– Po pastaj? – vazhdoi përsëri Gjergji.

 

– Pastaj thanë se, si ka mundësi që një kryeinxhinier si unë, me babanë dëshmor të Luftës, të shoqërohet me dy persona, që sipas tyre, e paskan biografinë të keqe.

 

– Po tjetër gjë kishin thënë? – ndërhyri Stefani.

 

– Kishin thënë se ju, rridhkeni nga familje të deklasuara dhe nuk u dashka patur besim. Unë një gjë të tillë e dija, pasi e kemi biseduar bashkë, por bëra sikur nuk kuptova gjë. Luajta rolin e budallait.

 

– E çdo na bëjnë, kur ne jemi në rregull? – foli Gjergji.

 

– Nuk është ashtu Gjergj, – vazhdoi Stefani. – Sot duhet të ruhesh më tepër nga e pabëra. Sa veta janë marrë në qafë të pafajshëm. Po çfarë thoshte Rustemi?

 

– Ai thoshte se, kishte dëgjuar, që ne gjoja nuk qenkemi të kënaqur me sistemin në vendin tonë. Për mua kjo, nuk ka shumë rëndësi. Por dua t’ju lajmëroj për diçka tjetër, shumë më të rëndësishme dhe dua edhe mendimin tuaj për këtë.

 

Lumtua hyri me tabakanë me filxhanët e kafesë. I morën dhe filluan t’i pinë duke u menduar.

 

-Lumto, rri dhe ti të bisedojmë. Mund të na japësh ndonjë mendim. Para dy muajsh, më takoi Petriti, kryetari i Degës. Më propozoi të bëhesha bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Më ngarkoi t’ju survejoja edhe juve. Që nga ajo ditë, më ndjek një individ i panjohur. Më takoi kur isha me pushime dhe më kërcënoi. Gjatë këtyre takimeve, unë luajta rolin e atij që nuk kupton. Përpiqesha të ndërroja bisedë. Tani kërkoj mendimin tuaj për këtë çështje.

 

Një heshtje pasoi fjalët e tij. Të katër po mendoheshin të gjenin përgjigjen e asaj, që kishte kërkuar Agroni. Por një gjë e këtillë ishte shumë e vështirë.

 

-Jetojmë në kohën e absurdit, – filloi Stefani. – Individi kërkon të mendojë dhe veprojë i lirë, pa i rënë askujt në qafë, por nuk mundet. Vijnë të tjerët dhe të kërkojnë të mendosh dhe veprosh ashtu siç duan ata, paçka se mund të jenë njerëz fare të rëndomtë, pa personalitet. Ti duhet t’u nënshtrohesh atyre, t’i himnizosh, t’i ngresh lart në qiell, me pak fjalë, të kthehesh në një servil i ndyrë dhe pa moral.

 

Kjo është tabloja e shoqërisë së sotme.

 

– Po morali? – pyeti Gjergji.

 

– Morali? Cili moral? Ai i Resulit dhe Ibrahimit? Morali i vetëm i tyre është nënshtrimi, xhelozia e verbër dhe servilizmi i paskrupull. Ky është morali sundues në shoqërinë tonë, – përfundoi Stefani.

 

– Duhet të qeshësh kur nuk të qeshet, – ndërhyri Agroni, – të pranosh absurdin kur, logjika nuk ta pranon, të duartrokasësh kur flet eprori yt, pavarësisht në se fjalët që thotë, janë qiqra në hell. Të harrosh se duhet të kesh dinjitet. Të zhvishesh nga çdo formë e ndjenjave njerëzore. Ky është “njeriu i ri”, që po ndërtohet në vendin tonë. Ai është spiuni i ndyrë që kërkon t’i bëjë gropën shokut të tij më të ngushtë. Është djali që spiunon babanë apo vëllai, vëllanë.  Spiunllëku, servilizmi dhe hipokrizia, mbretërojnë sot në sjelljen e shqiptarëve.

 

Lumtua që deri atëhere kishte qëndruar në heshtje, ndërhyri dhe me një zë të dridhur foli:

 

– Para dy ditësh më takoi sekretarja e partisë së shkollës. Filloi të më fliste me një ton të atillë, sikur të ishte ajo drejtore e shkollës dhe jo unë. Ky është një paradoks i kohës sonë. Siç thotë populli, bëhet bishti më i madh se sqepari. Toni me të cilin më foli, nuk më pëlqeu. Nënkuptimi i fjalëve të saj ishte që, unë të hiqja dorë nga detyra e drejtores së shkollës. Punët po shkojnë drejt atij përfundimi.

 

– Me sa duket edhe unë, drejt asaj po vete, – vazhdoi Agroni,

 

– Mos do ishte më mirë të jepnim dorëheqjen? Të gjenim ndonjë arsye për këtë.

 

– Jo, jo unë nuk jam dakord me këtë, — vazhdoi Lumtua. – Një gjë e tillë do u jepte një argument më shumë, për të menduar se ne e ndjejmë veten fajtorë, ndaj japim dorëheqjen.

 

– Lumtua ka të drejtë, – e përforcoi mendimin Stefani. – Ne duhet të vazhdojmë kështu, si deri tani. Nuk duhet t’u lemë të kuptojnë se, jemi të tronditur nga zhvillimi i ngjarjeve. Të hiqemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Shoqërinë tone, ta vazhdojmë kështu si sot. Edhe me të tjerët, të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Në mënyrë të veçantë, duhet të kemi kujdes me Resulin dhe Ibrahimin. Pastaj këtu jemi dhe bisedojmë.

 

– Në fund të fundit, çfarë do të na ndodhë? Le të mendojmë se do na pushojnë nga puna. Do gjejmë ndonjë punë tjetër dhe do të jetojmë, – foli Gjergji.

 

– Atëherë kështu do ta lëmë, – përfundoi Agroni. – Ju faleminderit shumë se më qetësuat.

 

– Edhe te ne, – thanë të dy të rinjtë njëherazi.

 

U ndanë. Kur dolën, një hije lëvizi prapa tyre. Ishte një hije tinëzare. Ajo kishte kohë që i ndiqte. Stefani me Gjergjin e panë, por bënë sikur nuk e vunë re. Ikën qetësisht, deri sa mbritën në dhomën e tyre, duke biseduar dhe qeshur me zë të lartë, të shkujdesur. Kush i shikonte, kujtonte se kishte të bënte me dy të rinj, që kishin pirë pak si tepër dhe fluturonin në botën e ëndrrave.

 

Një ditë postieri, solli një letër të çuditshme. Vinte nga Italia. E dërgonte administratori i gazetës së përjavshme “Domenica del Corriere”. Midis të tjerave ai shkruante: “Morëm letrën tuaj, brenda së cilës dërgonit 500 lireta. Por meqenëse në të, nuk shkruanit përse i dërgoni këto të holla, po ua rikthejmë“.

 

Në zarfin e letrës, ishte emri dhe adresa e plotë e Agronit. Ishte gjithashtu edhe adresa e gazetës. Brenda bashkë me letrën ishin edhe 500 lireta. Agroni u habit së tepërmi. Nuk kishte shkruar asnjë letër dhe nuk kishte dërguar të holla për ndonjë gjë. Por letra vinte nga Italia. Mendoi se mos i kishte dërguar në emrin e tij, Beni, që vazhdonte në ambasadë. E mori në telefon dhe e pyeti. Ai i tha se nuk kishte dërguar gjë.

 

– Me siguri kjo është lojë e Sigurimit të Shtetit, – i tha Lumtos.

 

– Deri këtu të kenë arritur?

 

– Ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka. Do t’i përdorin të gjitha mënyrat. Por ne, do ua plasim bombën në dorën e tyre.

 

– Si do të veprosh?

 

– Nesër do të shkoj në Degë dhe do ta denoncoj letrën që më ka ardhur.

 

– Mos është më mirë t’i rrish larg asaj dere?

 

– Jo, do të shkoj. Është përplasja ime e parë me ta. Do u them se, dikush më ka provokuar, duke më dërguar këtë letër.

 

Të nesërmen shkoi atje.  Kërkoi operativ, Ilian. E njihte. Ai mbulonte ndërmarrjen e tij. E futën brenda dhe e dërguan në zyrën e tij. Ai u ngrit dhe duke buzëqeshur i tha:

 

– Mirëserdhe shoku Agron, kam kohë që ju pres.

 

– T’ju them të drejtën, nuk e kuptoj se përse më prisni, por unë kam ardhur për një çështje vetjake.

 

– Çfarë çështje?

 

– Dikush po më provokon dhe dua ta di, kush është.

 

Agroni nxori letrën dhe i tha:

 

– Lexojeni dhe më jepni mendimin tuaj.

 

Ilia e mori dhe filloi ta vështrojë. Italisht nuk dinte. Duke ia rikthyer i tha:

 

– Lexojeni ju, unë nuk di italisht.

 

Agroni e lexoi dhe pasi e mbaroi tha:

 

– Unë nuk kam dërguar asnjë letër apo të holla. Atëhere kush i ka dërguar ato? Se dikush duhet ta ketë bërë atë. Ata nuk shkruajnë kot. Kush e ka bërë këtë lojë në kurrizin tim. Këtë kërkoj të zgjidhni ju…! Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.