KULTURË

Rrëfim i ish-gazetares së RTSH për rrugëtimin 50-vjeçar si poete. Ligjërim me motive shqiptare nga Sardenja e Italisë

10:07 - 17.04.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Katjusha Pogaçi – Shtëpia botuese Mediaprint, nën kujdesin e zonjës Anila Bisha, hedh këto ditë në treg vëllimin më të ri poetik i cili përmban poezi të shkruara gjatë vitit 2013. Përmbledhja e poezive të një viti përpiqet të thotë se rrjedha e lumit poetik shihet, ose pritet, në një masë kohore, pa pretenduar të flasë apo gjykojë natyrën e prurjeve të saj. Mendoj se botimi me kriter kronologjik arrin të japë një pasqyrë të lidhjeve të brendshme shpirtërore midis kohës, hapësirës dhe ndiesive vetiake të autorit.
POEZIA, KOHA DHE HAPËSIRA E SAJ
Shpesh subjektet e poezive rrjedhin jo vetëm nga koha që i mbështjell, por edhe nga hapësirat ku njeriu lëviz. Ndryshe nga proza, subjekti i së cilës zhvillohet brenda një hapësire dhe kohe letrare të mirpërcaktuar, poezia, për vetë natyrën e saj, e ka më të kufizuar kohën e fabulës letrare. Megjithëse, pikërisht për këtë, ka edhe mundësinë që kësaj kohe të kufizuar letrare t’i japë vlerë më universale.
Brenda poezisë duket sikur koha nuk ka shumë rëndësi, sikur nuk shfaqet, sikur është neutrale. Kjo sepse poezia mëton të jetë më shumë frymë, kuintesencë, ekstrat ngjarjesh apo përjetimesh. Por edhe poezia, duke u shkruar në një kohë të dhënë, në një vend (hapësirë) të dhënë, edhe kur ngjan e papërcaktuar në kohë, apo sikur qëndron në nivelin kozmik, prapseprapë merr diçka prej tyre. Prandaj mendoj se poezia e datuar është, në një farë mënyre, edhe një dëshmi, ose ditar lëvizës që rrek realitete në evoluim. Për mua data dhe vendi ku janë shkruar, përfshi autorin dhe gjuhën, janë një pasaportë e çdo poezie.
KUR POEZIA BURON NGA ASOCIIMI I IDEVE
Poezia është universale. Bashkon botët, kohët, hapësirat, realen me irealen, të tashmen me të shkuarën; luan me kujtimin dhe realitetin, me mendimin dhe imazhin, me një sërë mjetesh që ajo di ku i gjen e i merr për t’i plazmuara. As poeti vetë nuk e di si, kur dhe pse vjen ajo. Ajo vjen dhe kaq.
Kështu do ta shpiegoja në këtë vëllim ciklin me poezi, shkruar në Sardenjë, në korrik 2013, por me temë Shqipërinë, ose zona të thella të saj. I tillë është asociacioni, të cilin e mendoj si një përkthim të botës që njeriu sheh dhe jeton, me botën që në tërësi fle brenda tij… Prandaj jo detyrimisht poezia ka lidhje me vendin ku shkruhet. Ngandonjëherë vendi ku je të bën, jo vetëm të kujtosh atdheun, por edhe të rrish gjithnjë me një metër krahasimi social, mjedisor, të mënyrës së jetesës, të komunikimit, të kulturës, të politikës, etj., etj. Atëherë brenda teje rritet një kontrast që ti thjesht e paraqet, por thellë në vetvete ruan pyetjen, përse? Kështu mund të shpjegohet përmbajtja shqiptare e poezive “Përmbi urën me dërrasa” dhe “Kur hedh bleta”, shkruar në Sardenjë, e cila me ngjashmërinë me botën shqiptare por edhe me largësinë prej saj ngacmoi ndjenja, mendime, përafri dhe kontraste …
Nga pikëpamja e relievit në Sardenj gjen ngjashmëri të madhe me disa zona të Shqipërisë, për shembull: Çatitë me rrasa, apo rrugë me kalldrëm, të njëjta si në Gjirokastër; terreni malor që të kujton brigjet tona; rrugët dykalimshe; bimësia: fushat e mbjellat e kashta nëpër arat ku ka mbaruar korrja e grurit e janë bërë mullarët e barit, (jo në formë konike si në fshatrat tona, por rrathë të mëdhenj cilindrikë), etj., etj.
Po kështu, lindja dhe perëndimi i diellit në Mesdhe, janë të ngjashëm si në brigjet tona të Adriatikut (por turizmi atje ka tjetër standard jo si te ne…shtëpitë e pushimit janë ndryshe të organizuara). Përshtypje më bënë edhe urat prej druri, që lidhnin bregun e ashpër (plazhin) me detin. Këto ura të rregullta më sollën në mend një pasarelë fshati në Shqipërinë jugore, dikur, ku ne kalonim dhe që ngjallte frikë, duke u tundur aq shumë mbi lumë, gjë që solli edhe poezinë “ Përmbi urën me dërrasa”(korrik 2013).
Mendoj se kështu ka ndodhur edhe me poezinë “Mërzia vjen me fytyrë të qeshur”, shkruar në Zvicër, ku njerzit janë të qeshur, shprehin gëzim, janë shumë të rregullt dhe solidarë.
Po sjell një kujtim:
Shumë vite më parë, gjatë punës si gazetare në Radio Tirana (aty nga viti ’95-’96), drejtoria e Radio Tiranës më solli në studio një psikolog francez që kishte ardhur në Shqipëri, (me sa më kujtohet, për një studim historik, për figurën e Fan Nolit). Zhvillova në studio një bisedë direkte me të, pa ndonjë përgatitje paraprake.
Biseda shkoi mirë, (nuk më kujtohen shumë hollësi). Mysafiri në studio foli për përshtypjet nga Shqipëria, për studimin që po ndërmerrte, etj. Në fund të bisedës kur pulti ishte mbyllur për dëgjuesit, ai tha në studio një shprehje, që e kam në kokë dhe më vjen herë pas here në mendje, që ishte: “Ju shqiptarët jeni shumë të stresuar, po ju nuk e kuptoni në ç’gjendje jeni.”. Të them të drejtën atëherë u çudita dhe vetmevete pyeta: “Pse e thotë ky këtë? Çfarë vëren ai?!”. As e besova, as nuk e besova, thjesht e kalova në arkivin e kujtesës për ta verifikuar më vonë. Dhe vit pas viti dhe kohë pas kohe ajo më rikthehet. Dhe kohë pas kohe, kur ndodhin “çudira” në vendin tim, ajo më kujtohet…Ndoshta nga kjo ka buruar edhe poezia e dhjetorit 2013, shkruar në Zvicër, “Mërzia vjen me fytyrë të qeshur”:




MËRZIA VJEN
ME FYTYRË TË QESHUR
Mërzia vjen me fytyrë të qeshur
Sikur do të thotë: “Të kapa”,
Sikur me ty luan kukafshehti:
“Nuk më shpëton tash e mbrapa”!
Ti s’e kupton pse të do aq shumë
Përse përgjon të të kapë…?!
Ti do ta doje thjesht ndonjëherë
Të hollë si shtresë marmelatë.
Pse gjithandej ajo ty të kërkon
E pas të ndjek në çdo kthesë?!
Dhe vjen të shfaqet si variacion
I nostalgjisë në vjeshtë.
Me hap të lehtë, ashtu paundierë
Siç end merimanga pezhishkë,
Dhe ngjarje pas ngjarjesh mbi njerëzit hedh
Të sajin vel të trishtë.
Të ndodhur shpesh nën mantel të saj
Njerëzit harenë e fshijnë…
Mërzia vjen me fytyrë të qeshur
Të mbulojë mërzinë.
E ditë pas dite pakuptuar
Gëzimi ikën vërtet,
Mërzia vjen me fytyrë të qeshur
Të mbulojë thelbin e vet..
Zvicër,
E premte, 13 dhjetor 2013

PËRMBI URËN ME DËRRASA
Përmbi urën me dërrasa
Ecin trembur dy fëmijë
Dërrasat ashpër me ashkla
Përposh lumi si veri.
Këta drurë lidhur keq
Tunden erës e stërpiken,
Dy fëmijë me syrin jetë
Shtrëngojnë duart edhe dridhen.
Përmbi urën me dërrasa
U shkon jeta thjesht pabujë,
Nëpër thepat kaq të ashpra
Larg nga bota me rrëmujë.
Kjo fëmijëri e tyre
Me lumenjtë e vrundulluar,
Mund t’i bëjë burra të fortë
Ose njerëz të mjeruar.
S’është çudi të ndodhë se ndodh
Të japë jeta plot shuplaka,
Një më shumë është regjistruar
Përmbi urën me dërrasa.
***
Përmbi urën me dërrasa
Larg në timen fëmijëri,
Më erdhi therës, si ashkla
Ky kujtim i fshatit tim.
Sardenjë,
E martë, 23 korrik 2013

KUR HEDH BLETA
Në fshatin tim me dhjetë shtëpi,
Atje mbi mal, kur hidhte bleta
Plakat rrëmbimthi dilnin furri
Me gurë në duar si kastanjeta.
***
Këto mami kaq të çuditshme
Që presin lindje gjer te bleta
Janë zukamtare të mistikshme
Me gurët porsi kastanjeta…
Trokasin, këlthasin, tundin barblete
Në rritin e lashtë përbri zgjoit
E grishin bletën të ndërrojë shtëpi
Sikur e ftojnë të “votojë”.
Por bleta është zgjedhës i vështirë
Me thumbin shigjetë rri gati
S’ka kohë, minutën s’lë t’i kalojë
Të ndahet i ka ardhur sahati.
Dhe ashtu në trumbën yll me bisht
Vizaton vektorë çudie
Nga pema në pemë ajri lëviz
Dhe gjyshet tremben se u ikën për fije.
Edhe kur ora i vjen për veprim
S’ka forcë që mbrapa kthen bletën
Gjyshet në fshat këtë e dinë mirë
Dy gurë i trokasin si kastanjetën
Atëherë kometa e zjarrtë bletëzon
Me lëvizjet precize të shpejta
Hyn në kosheren e re vetëtimë
Dhe heshtin gurët kastanjeta
***
Se ç’më kujtoi ky peizazh[1]
Ritin e fshatit, kur hedh bleta,
Shamitë e zeza përmbi ballë
Në duar gurët kastanjeta.
Sardenjë,
E enjte, 25 korrik 2013

ATDHEU
Kur jam më vjen të iki
Kur shkoj më vjen të qaj,
Nën krahët e avionit
Me qiejt ty të ndaj.
E marr rrugën sa duhet,
Por kthimin ëndërroj.
Në valsin e pulëbardhtë
Ti në vallzim më fton.
Më pret atje te malet
Më pret atje te fusha,
Si zhivë digjet malli
Rrëshket ujëvarë te gusha.
Atje ku fjala mblidhet
Atje ku loti s’del,
Kaq shumë që jam larguar,
Ti fshihesh krejt nga retë.
Sa do të iki larg
Më ngjallet malli i vjetër,
Se je i pari mall
E s’ka si ti një tjetër.
E shkruar në avion,
E martë, 16 korrik 2013
MIK ME TOKËN
Me tokën si dy miq
Tok duart edhe gotën.
Toka të pret, të rrit
Ajo të bën dhe gropën.
Toka të mban në krahë
Ajo qan kur rrëshket,
Ajo pëllëmbën zgjat
Nën shuall të mbështet.
E di, miliona hapa
I shkruhen në lëkurë,
Aty dhe hapi im
Sfumohet krejt pa bujë.
Andaj e dua tokën
E quaj mik të vetëm,
Ajo më mban e s’lodhet
Dhe s’ma përmend gjithë jetën…
Milano, Itali,
E martë, 16 korrik 2013

E KEMI SHTËPINË NË RRUGË
Shihe shtëpinë,
E kemi në rrugë
Dimri e ftoh,
Era e than.
Po s’e pamë ne
Bie gurë mbi gurë,
S’ka kush e ngroh,
S’ka kush e mban.
S’ka si shtëpia
E lënë shkretë
Shqyer në shpirt
Shqepur në trarë.
Shkon rrymë e ujit
E ndan në mes,
Hyn era brenda
Bën si e marrë.
Milano, Itali,
E premte, 17 maj 2013

BËHU E THJESHTË
SI NJË SHTËPI PLAZHI
Bëhu e thjeshtë si një shtëpi plazhi
Me shapkat mbushur rërë e guaska,
Nën krakërimën e çuditshme të pulëbardhave
Dhe fajancën e bardhë baltore të pjatave.
Bëhu e mirë si një shtëpi plazhi
Ngarkuar me pritje, diell e det.
Në sy shkruaj heshtjen prej zalli,
Si dita e fundit plazhistët përcjell.
Bëhu e bardhë si një shtëpi plazhi
Si velë jahti që era e tund,
Mbi detin Tirren ku rrymat përplasen
Me blunë e thellë vertikal pafund.
Sardenjë,
E hënë, 22 korrik 2013

PËRMBI URËN ME DËRRASA
Përmbi urën me dërrasa
Ecin trembur dy fëmijë
Dërrasat ashpër me ashkla
Përposh lumi si veri.
Këta drurë lidhur keq
Tunden erës e stërpiken,
Dy fëmijë me syrin jetë
Shtrëngojnë duart edhe dridhen.
Përmbi urën me dërrasa
U shkon jeta thjesht pabujë,
Nëpër thepat kaq të ashpra
Larg nga bota me rrëmujë.
Kjo fëmijëri e tyre
Me lumenjtë e vrundulluar,
Mund t’i bëjë burra të fortë
Ose njerëz të mjeruar.
S’është çudi të ndodhë se ndodh
Të japë jeta plot shuplaka,
Një më shumë është regjistruar
Përmbi urën me dërrasa.
***
Përmbi urën me dërrasa
Larg në timen fëmijëri,
Më erdhi therës, si ashkla
Ky kujtim i fshatit tim.
Sardenjë,(La Pelosa),
E martë, 23 korrik 2013

ME CA KOKRRA MANAFERRE
Me ca kokrra manaferre kopsit bluzën në mëngjes…
Jaka sport e bardhë mëndafsh rrethon gushën butë sedef.
Për ku bëhesh kaq e bukur e me klas, moj bukuri
Në një zyrë ku qahet populli me gjithë ngjyrat varfëri.
I dëgjon, do t’i dëgjosh, ajo është puna qe ke.
Por, a mundet t’i ndihmosh, ti moj bluza kadife?!
Të kanë dhënë barrë të rëndë, s’është për ty ajo zyrë
Ato zyra janë kot fare. Ato janë dreq me brirë.
Ato janë zyra sajesa për të thënë e për t’u tallur
S’ka nevoj për ato zyra kur ka kishë për t’u falur.
Nuk e zgjidhin hiç problemin statistikat nëpër letër
Me një kokërr manaferre ti e mbyll në drekë kuletën.
Edhe nisesh të drekosh me makinë për në shtëpi,
Pikë-pikë kullon rimeli, ç’është gjithë kjo varfëri?!
Ti përpiqesh të harrosh… Përmbi sofrabez pret supa
E ka bërë mami me gjalp, rreth e rreth i ka vënë fruta.
Si në një shilarës tundesh ndoshta thellë nuk e kupton
E në grykë shpesh të ngel buka, je e re, kjo të trishton…
Dhe e ndien, jo kështu, zgjidhen hallet për një popull
Me ca zyra llafazane varfëruar gjer në strofull.
E kupton se duhet ndryshe të kërcasë serioziteti
Hap pas hapi duhen zgjidhur, ndryshe zgjidhjen bën mileti.
Dhe në ballë të rri një rrudhë, në ballin ku s’kishte re
Nuk ke faj, je pa përvojë, zyrë e rëndë, ti shumë e re.
Do kalojnë vite plot gjersa të kuptosh përse,
Manaferrat do këputen një nga një nëpër thile.
E enjte, 18 prill 2013

FATET E NJERËZVE
Fatet e njerëzve si fugë
Vijnë rrotull njëri-tjetrit.
S’dinë kush është zot i ri
As kush ishte zoti i vjetër.
Fatet e njerëzve fluger
Rrotullohen nëpër erë.
Era fryhet muzg më muzg
I nxjerr jashtë si thes i çjerrë.
[1] Peizazh sardenje


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.