DOSSIER

“Më vinte të ulërija, por nga turpi…”- Dëshmia e ish-të dënuarit politik për torturat në Spaç: Kur pushkatonin të burgosurit, fotot e tyre, të masakruar nga plumbat, i vunë nëpër mure që të na tmerronin ne

08:49 - 19.05.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Shpend Topollaj




Memorie.al / Nushi, me filxhanin e kafesë përpara më tregonte: Sot shkohet fare kollaj në Spaç të Mirditës. Hipur në makinën luksoze, me ajër të kondicionuar të Rudolfit, në ato sediljet veshur me lëkurë të shtrenjtë, rruga me parametra modernë nuk ndihet aspak. Sheh bukuri të rralla të natyrës dhe teksa në veshë të vinë tingujt e ëmbël të zërit të Albanos, “Liberta…”, ndien një kënaqësi në shpirt. Kënaqësia të shtohet kur mendon se po shkon si njeri i lirë. E përsëri, mendja fluturon tek ajo dita kur me pranga në duar, vet` i dhjetë, rrasur e plasur si mos më keq në ngushticën e një fugoni që e quanin auto-burg, me kokën e ngarkuar me mendime nga më të ngatërruarat, mbi të cilën qëndronte kërcënues automatiku i policit. Nuk mund të ktheheshe as majtas e as djathtas dhe as t`i tërhiqje e as t`i shtrije këmbët.

Kështu që njëra këmbë m`u mpi dhe m`u bë kërcu. Kujt t`i ankoheshe dhe kush mund të të ndihmonte nga ajo torture?! Orët, gjersa mbërritëm tek oborri i burgut, m`u dukën shekull. Nuk e di, në zbrita vetë, apo më përplasi dikush si ndonjë thes. Vetëm e di se, tanimë nisi dhimbja e tmerrshme. Në fillim, mpirja m`u shfaq ashtu si miza – miza, e pastaj, nuk e prekja dot këmbën.

Më vinte të ulërija, por nga turpi e mbajta veten. Kur më në fund gjaku nisi të qarkullojë dhe ajo gjendje thuajse kaloi, po shihja me kureshtje atë grykë ferri, ku më kishin çuar pas atij gjyqi të çuditshëm. Na kishin mbledhur në sallën e madhe të Portit Detar, që shërbente edhe si kinema.

Erdhi dhe foli sekretari i Komitetit të Partisë rrethit, i cili, duke na thënë se; armiku punon në forma nga më të rafinuarat, duke hedhur nga një romuz aty këtu, apo duke treguar ndonjë barcoletë, ashtu si pa ndonjë qëllim të keq, i mëshoi fjalëve kur tha se; të tillë ka edhe në mes të kolektivit tuaj.

Unë me vete po thoja, se kush do të jetë ky kodosh, që nuk e dimë, kur nga mbrapa, një i panjohur, pasi më ra lehtë në sup, më pyeti:  “Ti je Prenush Paloka”? e trashi zërin: “Në emër të popullit je i arrestuar”! Ngela dhe nuk dija si të reagoja. Pa tjetër që isha zverdhur, ca nga frika e ca nga turpi, por edhe e pashë që djersët, nisën të më kullonin.

Dhe mendimi ashtu rrufeshëm, më shkoi te gruaja që më priste në shtëpi. Kam qenë fizikisht i fortë e tip sportive, se jam marrë dhe me alpinizëm, por ata më kapën për leckash, si të isha pupël, më ngritën dhe më prangosën. Më kapën nga krahët, më çuan peshë, aq sa këmbët nuk më takonin në tokë dhe drejt e në Degë të Punëve të Brendshme. Atje më priste hetuesi me makinën e shkrimit përpara.

Pasi më peshoi një herë me sy dhe filloi të më bënte ato pyetjet standarde, jo emri, jo mbiemri, jo nëna, jo babai, doli atje ku pritej: “Je arrestuar me akuzën për agjitacion e propaganda, kundër Partisë e pushtetit popullor”. E pashë që edhe ai vetë kishte emocione, ndaj guxova ta pyes: “Po ç`mund t`i bëj unë, një copë saldator, pushtetit popullor”?! “Atë e dimë ne, dhe ti mbylle gojën, do flasësh kur të të them unë, se këto edhe daktilografohen”.

Pastaj mësova prej tij, se paskam thënë për Komandantin e Madh që është pederast. “Po unë vetëm në televizor e kam parë, kur del për 1 Maj, ose paradë, nga mund ta di këtë”?! “E di, se di, të ka llapur goja, ndaj t`i biem shkurt; e pranon akuzën”? S`kisha ç`të pranoja, veç kush dreqin më kishte raportuar, po të më ketë shkarë ndonjëherë goja me ndonjë shok.

Hetuesi nuk u soll keq me mua edhe në ditët në vazhdim, gjersa më nxorën në gjyq, atje para kolektivit, ku më shumë se dënimin, problem kisha diskreditimin. Dolën nja dy a tre qyqarë, veshur mos më keq, që thanë diçka ashtu nëpër dhëmbë, edhe pse unë me ta nuk kisha biseduar asnjëherë. Iku dhe ajo punë dhe mua më dhanë tetë vjet burg, e heqjen e të drejtës elektorale, për pesë vjet, thua se pa atë votën time, nuk do të fitonte Fronti Demokratik.

Dhe ja, bashkë me ca të tjerë, na përplasën këtu në Burgun e Spaçit. Në burg, nuk ka më keq se dita e parë. Mijra pyetje të mundojnë. Një fjalë goje tetë vjet, aty ku edhe dielli vetëm dy orë në ditë dilte. Le pastaj, si duhet të ishte dimri. Ndërkohë, më afrohet një burrë trupmadh edhe ai i burgosur dhe me një dialekt verior, më thotë: “Po ti sa je dënuar”! “Tetë” – i them. “E ç`janë tetë, për një shqiptar”?! “Pse pak të duken”!

Po ti…”! “Unë njëzetepesë”! “Dhe sa ke bërë”? “Njëzet e pesë dhe kam për të bërë edhe njëzetepesë të tjera”. Kur ia tregova këtë Sokrat Manes, nga Durrësi që dhe ai ishte dënuar para meje, më tha: “Mos u habit. Këtu je dënuar tetë vjet, por mund të ri dënohesh edhe me tetë të tjera, që të bëhen gjashtëmbëdhjetë. Kështu funksionon…”!

“Po a jemi dënuar si armiq ne që jemi këtu? Çfarë presin nga ne, që t`i duam, kur edhe po nuk pate qenë kundër tyre, këtu kundër do bëhesh, se s`bën”. Dhe pastaj nisi puna, atje në galeri. Si kam dalë gjallë as vetë s`e di. Ditën e parë bëra një vagon me mineral, kur norma ishte tetë. S`m`u nda teta. Por kishte pasoja mosrealizimi. Nuk donte t`ia dinte kush, se unë nuk isha mësuar me punë të tilla dhe duart më ishin bërë me flluska, nga më dilte gjak.

Më morën policët e më ngordhën në dru. Në fillim më shtrinë përmbys, në një tavolinë, më lidhën duart e hapura anash si Krishti (më fal o Zot!) dhe në gojë, më vunë shtupën e ndyrë, të nevojtores. Të nesërmen, ju nuk e besoni; dhjetë vagonë bëra. Jo se nuk kishte policë që silleshin si njerëz, por të shumtët, ishin mizorë, kafshë në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Ku e kishin gjithë atë urrejtje për ne?! Asgjë nuk u kishim bërë, se nuk i kishim njohur ndonjëherë dhe na shihnin si egërsira. Pastaj shqiptari, shqiptarit…! Në burg njihesh me lloj – lloj njerëzish. Një ditë, po rrija rrëzë murit si për t`u ngrohur, me dikë që e kishin dënuar për tentative arratisjeje. Për koinçidencë, ai po këtu e kishte kryer edhe shërbimin ushtarak.

Ndërsa hidhnim sytë te radhët e telave me gjemba dhe rojat me gishtin në këmbëzën e mitralozit, gati për të hapur zjarr, mbi kullat e vrojtimit më tregonte se kur ishte ushtar, komandanti u thosh gjatë instruktazhit, se menjëherë duhet të qëlloni, pasi të burgosurit u hipnotizojnë, po t`u afrohen. Dhe ata të shkretët gjysmë analfabetë e besonin vërtetë atë gjë.

Por ajo që s`më harrohet, ishte kur pushkatuan Vangjel Lezhon e Fadil Kokomanin dhe fotot e tyre të masakruar i vendosën nëpër mure, që të na tmerronin ne të tjerëve. Dhe erdhi një ditë Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Pasi na rreshtuan tek ai sheshi i pjerrët, ku bëhej apeli dhe hipi diku më lart, zuri të na mbante një si biçim fjalimi.

Shante sa mundej e si t`i vinte nga goja, kush i mban mend. Por ajo që më është ngulitur është ajo ku ai tha: “Ju t`i thoni faleminderit Partisë dhe shokut Enver, që u trajton me njerzillëk dhe humanizëm, se po të ishte për mua e dini se çdo t`u bëja; me tanke do t`u shtypja të gjithëve”.

Mirëpo, pikërisht në këtë moment, njëri nga të burgosurit, që nga vendi, foli: “Me leje”? Dhe pa pritur miratimin, vazhdoi: “Po ti a e di, se çdo të të bëja unë, po ta kisha në dorë”? “E çfarë do na bëje ti? Pa hë njëherë…”?! “Do të të lija të jetoje, që ta kuptoje sesa e gabuar është rruga që po ndiqni”. Kaq mjaftoi dhe e përlanë policët, Kastriotin, se kështu më duket e quanin, atë djalin nga Vlora.

Dy muaj nuk e pamë, e kishin izoluar dhe nuk i kishin lënë gjë pa bërë. Kur e pyesnim, na thosh se; nuk mbante mend asgjë. Rrinte i heshtur dhe u largohej njerëzve. Ama më dëgjoni: kishte plot trima atje, por mbi vlonjatët, nuk më kanë parë sytë.

Ja, për të kujtuar këto histori e sa e sa të tjera, i thashë Rudolfit, të më çonte atje. Se shpesh edhe vetë, nuk e besoj atë që unë dhe shokët e mi, kemi hequr aty. Më duket se ka qenë vetëm një ëndërr. Një ëndërr aq e llahtarshme, sa uroj të mos e shohë askush më. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.