AKTUALITET

Ekspertët të shqetësuar: Pandemia e ardhshme mund të vijë nga Brazili

17:10 - 23.05.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Virusi tjetër vdekjeprurës që përhapet në të gjithë botën mund të vijë lehtësisht nga një lakuriq nate që qëndron brenda ose rreth shpellave që po eksplorohen nga Thiago Bernardi Vieira. Vieira, një biolog nga Brazili, ka marrë grante kërkimore për misionin e tij për të mbledhur informacione bazë për lakuriqët e natës në Amazonë.




Në thellësi të pyllit më të madh në botë, ajo që shkenca di për jetën e egër është e kufizuar. Përtej Planaltinës, një nga shpellat më të njohura në Amazonë, habitate të tjera të panumërta dhe specie lakuriqësh nate që qëndrojnë atje mbeten plotësisht të pastudiuara ose të pazbuluara.

Disa nga viruset më shkatërrues që kanë infektuar njerëzit gjatë shekullit të kaluar kanë dalë nga lakuriqët e natës pasi janë specie që kanë një numër të madh patogjenësh që mund të sëmurin njerëzit.

Dhe për shkak të madhësisë së madhe të pyllit të Amazonës dhe informacioneve të pakta që kanë studiuesit për speciet që ndodhen aty, disa shkencëtarë e shohin Brazilin si një “djep” të mundshëm të një pandemie të ardhshme.

“Potenciali për viruse të reja është i madh”, thotë Erika Hingst-Zaher, shkencëtare, duke shtuar se tashmë kanë filluar edhe bastet se pandemia e ardhshme do të vijë nga Brazili.

Ministria e shëndetësisë e Brazilit, në një deklaratë për Reuters, tha se aktualisht nuk ka prova që rreziku i një virusi të ri që del nga jeta e egër përfaqëson “një emergjencë të shëndetit publik me rëndësi kombëtare”.

Vendi i numrit të tretë më të madh të llojeve të lakuriqëve të natës në planet, Brazili ka parë që shanset se një pandemi mund të dalë nga Brazili janë shtuar, duke parë edhe ndërhyrjet që po bëhen në Amazonë, ndërsa njerëzit pastrojnë gjithnjë e më shumë pyjet për t’i hapur rrugë minierave, fermave dhe vendbanimeve.

Nëse një patogjen i pa parë kurrë më parë, një edhe më ngjitës se ai që shkaktoi COVID-19,  do të shpëtonte nga Amazona, ai mund të infektojë 1.2 miliardë njerëz brenda gjashtë muajve.

Në gjashtë muajt e parë të Covid-19, më shumë se 10.5 milionë njerëz  u infektuan.

Brazili ka më shumë zona me rrezik të lartë se çdo vend tjetër, zbuloi Reuters, me 1.5 milion km katror tokë me kushte të favorshme për përhapje zoonotike, siç njihen kërcimet e viruseve nga kafshët te njerëzit. Për analizën e tij, Reuters ekzaminoi kushtet mjedisore të rreth 95 vendeve në mbarë botën ku viruset e lakuriqëve të natës infektuan njerëzit midis 2002 dhe 2020. Reuters më pas përdori një model kompjuterik për të vlerësuar zonat më të prirura për përhapje, të quajtura “zonat e kërcimit”. Në Brazil, analiza identifikoi zona të rrezikshme që mbulojnë një zonë të kombinuar afërsisht tre herë më të madhe se Franca. Të nxitura nga problemet, duke përfshirë shpyllëzimin dhe ndërhyrje të tjera nga njerëzit në habitatet e lakuriqëve të natës, këto zona kërcimi braziliane janë rritur me më shumë se 40% në shtrirje gjatë dy dekadave të fundit.

Me çdo ndërhyrje që bëhet në Amazon, rritet mundësia që një patogjen i ri dhe vdekjeprurës të përhapet në nivel lokal dhe potencialisht të përhapet në pjesën tjetër të Brazilit dhe në botë. Brazili është i papërgatitur për një ngjarje të tillë. Sistemi shëndetësor i vendit dhe institucionet e kërkimit shkencor, shkencëtarët dhe ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se janë të pafinancuar dhe të papajisur për të dalluar një patogjen të rrezikshëm, qoftë i ri, ose i njohur.

Në deklaratën e saj, Ministria e Shëndetësisë tha se monitoron çdo ditë rrezikun e përhapjes së sëmundjeve zoonotike përmes disa rrjeteve dhe programeve, duke përfshirë 815 qendra epidemiologjike në spitale në të gjithë vendin. Ministria tha se po studion gjithashtu krijimin e një grupi pune për të përmirësuar mbikëqyrjen zoonotike që do të përfshijë përfaqësues të sektorëve të bujqësisë, mjedisit, akademik dhe shëndetësisë.

Disa studime shkencore kanë zbuluar se shpyllëzimi shkakton stres tek lakuriqët e natës dhe lakuriqët e stresuar mbajnë më shumë viruse.

Sipas një studimi të vitit 2022, shkatërrimi i Amazonës po ecën në hapa të shpejtë dhe shkencëtarët thanë se është thjeshtë çështje kohe përpara se të ndodhë një përhapje virusi.

“Deri më tani, Brazili dhe njerëzimi kanë qenë me fat që kanë shmangur një përhapje të madhe nga Amazona”, thanë studiuesit.

Shanset që një virus i ri të dalë nga rajoni janë të larta. Kur shqyrtojnë rrezikun e përhapjes, shkencëtarët përdorin numrin e llojeve të lakuriqëve të natës në një zonë të caktuar si një variabël kyç. Një arsye është se fiziologjia e lakuriqëve të natës është mjaft e ngjashme me gjitarët e tjerë dhe njerëzit. Dhe për shkak se lakuriqët e natës jetojnë në lagje të afërta, duke lyer rregullisht njëri-tjetrin me lëngje trupore, patogjenët e tyre përhapen lehtësisht, evoluojnë dhe ndryshojnë, duke u bërë ndonjëherë më virulent dhe të transmetueshëm. Kur njerëzit shkelin habitatin e tyre dhe speciet e lakuriqëve të natës përzihen, “kokteji viral” intensifikohet.

Me 172 lloje të dokumentuara, dhe me gjasë shumë të tjera ende për t’u identifikuar, Brazili ka varietetin e tretë më të madh të lakuriqëve në botë, pas Kolumbisë dhe Indonezisë, sipas të dhënave të përpiluara nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe Burimeve Natyrore.

Ludmilla Aguiar, biologe thotë se dihet kaq pak për lakuriqët e natës në Amazonë saqë mund të duhen qindra vjet, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të kërkimit dhe financimit, që shkencëtarët të dokumentojnë edhe informacione elementare për të gjitha speciet e mundshme dhe habitatet specifike për to. Studiuesit kanë identifikuar tashmë disa viruse te lakuriqët brazilianë që dihet se infektojnë njerëzit.

Lakuriqët brazilianë janë treguar gjithashtu se mbartin koronaviruse dhe hantaviruse, patogjenë vdekjeprurës që zakonisht lidhen me brejtësit që mund të shkaktojnë ethe hemorragjike dhe infeksione të mushkërive. Megjithatë, ajo që shqetëson më shumë disa shkencëtarë janë viruset që ata nuk i njohin.

“Ne kemi shumë pak të dhëna për të diskutuar vërtet lakuriqët e natës dhe rrezikshmërinë që ato mbartin”, thotë biologia Aguiar.

Edhe pse deri më sot nuk është raportuar ndonjë përhapje e madhe nga lakuriqët brazilianë, studiuesit nuk përjashtojnë kërcime të paregjistruara nga patogjenë të panjohur në të kaluarën. Një virus i ri mund të ketë përfshirë fiset vendase ose fshatrat e largëta në një moment, por është zhdukur përpara se të përhapej diku tjetër.

Reuters


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.