OPINION

Pesë mesazhe historike nga Hiroshima!

10:15 - 24.05.23 DR. JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pa kurfarë tepërimi dhe për disa arsye madhore gjeopolitike që do te shtjellohen me poshtë, Kryeministri japonez Kishido e quajti “ historik” Samitin e G-7 në Hiroshima, më 19 – 21 Maj. Mbi të gjitha, ky samit u bë historik me pesë mesazhet madhore gjeopolitike me “ rreze të gjatë veprimi”.
Së pari, liderët e G-7 u mblodhën në Hiroshima, qytetin me 1,1 milion banorë që u shkatërrua i tëri nga bomba atomike që hodhën SHBA-të më 6 Gusht 1945. Mbas bombardimit të tij dhe të Nagasakit tri ditë më vonë, Japonia kapitulloi pa kushte. Mirëpo, në kushtet e tanishme të përshkallëzimit të kërcënimeve bërthamore vështirë se mund të kishte vend tjetër më të përshtatshëm për këtë Samit. Hiroshima na rikujton të gjithëve tmerret dhe pasojat e tragjike që viojnë nga përdorimi i armëve atomike. Ca më tepër që çarmatimi bërthamor, megjithë premtimet dhe përbetimet në këto 20 vitet e fundit ka mbetur iluzion dhe retorikë politike. Përshkallëzimi i garës së armatimit bërthamor ka kapur nivele të frikshme, duke ia kaluar dhe periudhave më kritike të Luftës së Ftohtë. Aktualisht, kemi përshkallëzim bërthamor në atë zone tejet delikate nga Kina, Korea e Veriut, e cila ka lëshuar disa raketa balistike dhe pranë Hiroshimës si dhe Irani në Lindjen e Mesme.
Ndaj natyrshëm Samiti përcolli mesazhin e parë madhor të popullsisë atje që e ka pësuar më rëndë se kushdo tjetër për çarmatim, për pengimin e përshkallëzimit të garës bërthamore. Këtë e kërkuan paraprakisht dhe 8200 Kryebashkiakët që i janë bashkuar nismës së Hiroshimës” Bashkiakët për paqe” Ashtu siç dhe pritej, kjo temë me ndjeshmëri të jashtëzakonshme zuri vendin e vet në deklaratën përfundimtare. Edhe pse, siç pohojnë analistët dhe ekspertët politikë, armatimi bërthamor vazhdon të “ jetë në krye të axhendës” dhe në vendet perendimore. Madje, tashmë nevoja për këtë armatim përbën thelbin e doktrinës mbrojtëse të NATO-s, Japonisë dhe vendeve të tjera të mëdha. Për pasojë, çështja që u shtrua ishte shmangja e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe forcimi i kontrollit mbi mospërhapjen e armëve bërthamore. Sepse dhe gjatë vitit 2022, për të tetin vit rradhazi shpenzimet përkatëse kapën shifrën rekord prej 2,24 trilion Euro. Së fundi problemi është të shmanget harresa historike. Këtij qëllimi i shërbyen dhe vizitat e 7 liderëve botërorë në të vetmen strukturë të mbetur nga bomba e viit 1945, tashmë Muzeu i Paqes, në Obeliskun me emrat e të gjithë viktimave në Hiroshima dhe me mbylljen ceremoniale të Samitit aty te Parku i Paqes.
Mesazhi i dytë historik nga Hiroshima ishte mbështetja e palëkundur dhe e pakufizuar për Ukrainën, “për aq kohë sa do të jetë e nevojshme”, duke nënkuptuar dhe një luftë të gjatë për të fituar mbi agresorin rus. 15 muaj mbas këtij agresioni të pajustifikuar dhe të paprovokuar, aleanca perendimore ndodhet në një fazë tejet kritike, kundërofensivës ukrainase dhe çlirimin e plotë i territorit të saj, pa asnjë pretendim për të depërtuar në tokën ruse. Në Hiroshima, Perendimi rikonfirmoi vazhdimin e paketave të tjera të mëdha me ndihma financiare, ekonomike dhe ushtarake. Prania e Presidentit ukrainas, Zelenski, i konsideruar si “ ylli” i samitit në vizitën e tij më të rëndësishme jashtë vendit i nxiti liderët e “shtatëshes” që ta zgjidhin dhe më shumë “ qesen “ e premtimeve. Kështu, mikpritësja, Japonia i dhuroi 7,6 miliard Euro; SHBA-të i premtuan 375 milionë Dollarë të tjera ndihma me armatime, municione dhe mjete të blinduara, ndërsa Berlini i dha disa ditë më parë në prag të këtij samiti 2,7 miliard Euro. Por, në Hiroshima u kalua në një fazë dhe më të avancuar në drejtim të mbështetjes ushtarake të Ukrainës. Presidenti amerikan deklaroi se Perëndimi më në fund do ta furnizojë Ukrainën me avionat superefektivë F -16. Pas tankeve të sofistikuar “ Leopard II” dhe Abrams”, livrimi i F – 16 pas disa muajsh dhe trainimit të pilotëve ukrainas do të rrisë ndjeshëm aftësitë ushtarake ukrainase në tokë, në ajër, në forcën goditëse, duke siguruar epërsi shkatërruese ndaj Rusisë. Kësisoj, në Hiroshima u krijua “ Aleanca e avionëve” e cila pritet të konkretizohet shpejt. Në botë ka gjithsejt 2800 avionë F – 16, dhe NATO me një numër të madh. Mesazhi në Hiroshima ishte se Ukraina duhet dhe do ta fitojë me çdo kusht këtë luftë; kjo jo vetëm për të mbrotjur një vend dhe aleat të Perëndimit, por dhe “forcën e të drejtës” ndërkombëtare kundër” të drejtës së forcës”, vlerat dhe parimet demokratike, të drejtën e popujve dhe vendeve për sovranitet, për mbrojtjen e rendit ndërkombëtar nga ndryshimet me dhunë dhe me armë.
Mesazhi i tretë i rëndësishëm madhor ishte shtrëngimi i mëtejshëm i darës së sanksioneve dhe më të ashpra ekonomike ndaj Rusisë, që ajo të mos jetë në gjendje të financojë luftën në Ukrainë. Gjatë këtij samiti u ra dakord që këto sanksione të prekin dhe eksportin rus të metaleve të çmuara dhe diamantëve, për të cilat Rusia është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë. Sfida është e madhe dhe për BE-në, mbasi tregu më i madh në botë është qyteti port i Anversës në Belgjikë, ku tregtohet 85 për qind të diamantit rus, nga i cili 40 për qind i përpunuar. Ndërkohë, krahas SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, BE-ja ka pothuajse gati paketën e 11-të të sanksioneve ekonomike, ku do të ndëshkohen dhe 30 kompani të huaja dhe mbi 300 persona që kanë ndihmuar Rusinë në përballimin e masave të mëparshme.
Mesazhi i katërt gjeopolitik po aq i rëndësishëm lidhet me qëndrimet e ardhëshme perendimore ndaj Kinës. Ndryshimi i madh në këtë drejtim është kërkesë ulëritëse mbas ashpërsimit të retorikës dhe veprimeve politike, ekonomike dhe ushtarake, praktikave të saj të njëanshme, pa transparencë, duke përfituar nga varësia e madhe ekonomike perendimore nga mallrat dhe lëndët e para strategjike kineze. Ndërkohë, që vazhdon me kërcënimet ndaj Tajvanit, me provokime në Detin e Kinës Jugore dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Tibet dhe me Ujgurët, të cilat u kritikuan me force në këtë Samit. Në fakt, si Perëndimi dhe Kina akuzojnë njera tjetrën për masat shtrënguese, trysni dhe shantazhe ekonomike dhe ushtarake. Ndërkohë, që ka patur e ka disa nuanca dhe mospërputhje qëndrimesh midis aleatëve perendimorë deri në mendime për ndarjen ose shkëputjen e Kinës nga ekonomia botërore.
Në fakt, Samiti në Hiroshima ishte historik dhe sepse për herë të parë Perëndimi u shpreh me një qëndrim të përbashkët mbi Kinën. Ajo u përcaktua si partnere, rivale dhe konkurente. Përkundrejt akuzave kineze dhe një gjuhe më të ashpër të mëparshme, liderët e G7 u treguan më të moderuar në formulimin e qëndrimeve të tyre. Ata u shprehën qartë dhe në deklaratën përfundimtare se nuk synojnë të dëmtojnë, frenojnë dhe pengojnë përparimin dhe zhvillimin ekonomik të Kinës; as ta ndajnë apo shkëputin atë nga zhvillimi ekonomik botëror. Më tej, ata deklaruan se synojnë rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me Kinën në shumë fusha me interes të përbashkët por dhe rritjen e qëndresës së tyre dhe kundërshtimin e veprimeve të dëmshme, minimizimin e rreziqeve dhe varësisë ekonomike nga lëndët e para kineze, zinxhirët e furnizimit me mallra dhe shumëllojshmërimin e industrive të tyre. Nga ana tjetër, G 7 i kërkoi Pekinit të shtojë trysninë e saj ndaj Rusisë, që ajo t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Kina dhe Rusia përmenden 20 herë në deklaratën përfundimtare, tregues ky i theksit shumë më të madh që vendet e G7 i kushtuan këtyre dy vendeve.
Megjithatë, Pekini e priti me këmbët e para këtë deklaratë, duke e akuzuar G7 si një ‘ klikë” dhe 6 vendet e tjera si “ marioneta” të SHBA-ve, që nga njera anë këndojnë këngë paqeje, por ndërkohë shtypin dhe nënshtrojnë të tjerët.
Mesazhi i pestë madhor historik ishte se për herë të parë u trajtua praktikisht zgjerimi i frontit të bashkuar perendimor global në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus. Fjala është për disa vende të mëdha demokratike si India, Brazili, Indonezia, etj të cilat ende nuk janë shrehur qartë dhe nuk u janë bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë. Për këtë qëllim, në Hiroshima ishin ftuar dhe muarën pjesë Presidenti i Brazilit De Lula, Kryeministri indian Mody, etj. Natyrisht ky ishte hapi i parë që do të pasohet me të tjerë, duke përfshirë Organizatën e Unitetit Afrikan dhe grupime të tjera me peshë.
Ideja është zgjerimi i këtij bashkëpunimi në kuadrin e OKB-së, që këto 45 vende të lëkundura në Afrikë, dhe Amerikën Latine të bashkohen me aleancën perendimore. Veç të tjerash, kjo do të pengonte shumë mallra ruse të ndaluara të eksportohen nëpërmjet tyre në vende të tjera, duke zbehur efektivitetin e sanksioneve perendimore. Për disa shkaqe thelbësore, kjo përbën një sfidë të madhe sepse: disa prej këtyre vendeve hezitojnë me argumentin se lufta Rusi-Ukrainë është konflikt i brendshëm europian ku ato nuk ka pse të përzihen; të tjera kanë shumë interesa biznesi, si grupimi BRICS ( Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut); ndërsa vende të ndryshme kanë lidhje tradicionale me Rusinë apo u besojnë fabulave ruse të viktimizimit.
Ndaj dhe liderët e G7 nënvizuan me të drejtë se agresioni rus ndaj Ukrainës nuk është konflikt i brendshëm europian, por shumë më i gjerë, se Perëndimi “ ia ka dalë borxhit Rusisë” me të gjitha mjetet paqësore dhe diplomatike dhe nëse nuk krijohet një aleancë kundër tij, ky rrezik mund të përhapet dhe jashtë Europës, siç ndodhi dhe gjatë Luftës së II Botërore.
Lajmi i mirë këtu është sheshimi i mosmarrëveshjeve Japoni – Kore e Jugut dhe forcimi i partneritetit strategjik mes Seulit, BE-së dhe SHBA-ve. Kështu, fill mbas Hiroshimës, presidentet e BE-së von der Leyen dhe Charles Michel shkuan në Seul ku përcaktuan hartën rrugore të partneritetit të tyre strategjik.
Veç sa sipër, vendet e G7 e vunë theksin te zbatimi i nismës madhore “ Global Gateway” sipas të cilës deri në vitin 2027 do të jepen 600 miliard Euro për vendet e prapambetura në Afrikë, Azi dhe Amerikën latine, shumica në formë grantesh. Ajo përbën një alternativë bindëse ndaj nismës sfiduese kineze “Një brez, një rrugë” me projekte gjigande infrastrukturore.
Ja pse Samiti i G7 në Hiroshima mund të cilësohet moment madhor i kthesës historike në qëndrimet dhe marrëdhëniet e deritanishme gjeopolitike prerendimore me Kinën, Rusinë, Ukrainën, çarmatimin bërthamor dhe sfida të tjera të vështira e të mëdha në Europë, Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.