

Kryqëzimi mes Tiranës dhe Kridens Metës në Kategorinë Superiore në momentin vendimtar të sezonit të bardhebluve duket se ka qenë një ogur i keq për ta që para startit të ndeshjes me Bylisin, Historia e klubit me gjyqtarin kryeqytetas i cili në fakt ka një histori akuzash si tifoz bardheblu, tregon se në vitet e fundit, palët i kanë qëndruar larg njëra-tjetrës, teksa Tirana kishte një bilanc mjaft negativ me të.
SHIFRAT – Po të shohësh tre sezonet e fundit të Superiores, Kridens Meta ka gjykuar deri më tani si kryesor klubin e Tiranës në vetëm 5 ndeshje në total. Dhe në këto sezone, vetëm një ndeshje është mbyllur me fitore, ajo ndaj Laçit me shifrat 3-2, ndërsa janë regjistruar 2 barazime e 2 humbje në ndeshjet e tjera.
Në total, në 5 sezonet e fundit, Meta kë gjykuar Tiranën në 16 ndeshje. Ndër këto ndeshje, vetëm 4 flasin për fitore të bardhebluve, 8 takime janë mbyllur me barazime, ndërsa 4 janë mbyllur me fitore të skuadrave kundërshtare, ndër të cilat 2 janë takime derbi përballë Partizanit.
HISTORIA SI TIFOZ – Në fillimet e karrierës së tij në arbitrim, Kridens Meta u akuzua se ishte një tifoz i Tiranës për shkak të një episodi në një ndeshje të bardhebluve. Një përqafim nga trajneri i bardhebluve, Shkëlqim Muça, pas një goli të Tiranës në ndeshjen ku Meta ishte gjyqtar i katërt, të justifikuar pastaj si një ngatërresë me fizioterapistin e klubit, bëri që tifozët kundërshtarë ta etiketonin atë për vite me radhë si një mbështetës të Tiranës.
PANORAMASPORT.AL