LAJMI I FUNDIT

Pse po rikthehet Basha?

08:57 - 26.05.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Genc Burimi




Në faqen “Facebook” të ambasadës amerikane në Tiranë gjendet i botuar në 9 maj një reportazh televiziv, që do ta rekomandoja nxehtësisht për të kuptuar kulisat e errëta të qeverisë shqiptare, ku ndoshta mbahet peng Lulzim Basha. Bëhet fjala për emisionin investigativ “31 Minuta” të A2/CNN, që në edicionin e fundit pasqyron lojën surrealiste midis qeverise shqiptare dhe shtetasve shqiptarë, që kanë fituar gjyqe kundër qeverisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Kur zbulon në reportazhin në fjalë metoda të denja për një republikë bananiere të qeverisë së Edi Ramës në mënyrën sesi trajtohet drejtësia e formës se prerë dhe viktimat, të kap refleksi për të vërtetuar nëse po konsulton vërtet website-in e ambasadës amerikane apo një faqe “Facebook” të piratuar? Si mundet që znj.Yuri Kim të sponsorizojë një reklamë kaq të shëmtuar ndaj Kryeministrit të vendit që po negocion të hyjë në Europë, duke pështyrë njëkohësisht mbi vendimet e drejtësisë europiane?

Janë mbi 50 milionë euro dënime të shpallura përfundimisht nga gjykata e Strasburgut, por që qeveria e Edi Ramës refuzon apo ua zvarrit shlyerjen shtetasve shqiptarë që kanë fituar gjyqin kundër shtetit shqiptar. Kjo përbuzje e drejtësisë europiane e bën Shqipërinë vendin më të veçantë dhe më “të papare” me këtë sjellje “banditësh” ne Europë.

Ku hyn këtu tema e Lulzim Bashës dhe ç’lidhje ka reportazhi i postuar në “Facebook”-un e ambasadës amerikane me hipotezën e rikthimit të tij në krye të PD-së së vulës? Në minutën e 10 të emisionit online, mësojmë se dosja “më e majme” që pret shpagim nga Rama, vlen plot 13,4 milionë euro dhe lidhet me dënimin e Shqipërisë për shembjen me padrejtësi të një hoteli në Vlore. Por, shton reportazhi i sponsorizuar nga amerikanët, arsyeja pse qeveria e Ramës po ia mban peng këtë shumë të dëmtuarit që prej tashmë pesë vjetësh, lidhet me një hakmarrje të pastër politike nga ana e qeverisë.

Fituesi në gjyqin e Strasburgut kundër qeverisë shqiptare është një familjar i Lulzim Bashës (i vjehrri). Dhe meqenëse qeveria po tregon qartë sipas reportazhit se në dosjet e Strasburgut ajo paguan kë ajo do dhe kur ajo do sepse nuk ka një “përmbarues” në nivelin europian ta detyrojë, logjika e thjeshtë te ben te mendosh se fati i milionave për familjen e Lulzim Bashës varen drejtpërdrejt, personalisht dhe politikisht nga Kryeministri Rama.

Është sa e pabesueshme, aq dhe e vërtetë që US Embassy të lejojë të botohet në “Facebook”-un e saj, deduksion kaq i tmerrshëm se çfarë është në gjendje të bëjë Edi Rama për interesa të ngushta politike. Kjo na e thjeshtëson punën dhe ne analistëve që s’kemi nevojë të humbasim në labirinte konsipariociniste komplotiste kur e dëgjon me veshët e tu në faqen zyrtare të diplomacisë amerikane sesi Edi Rama e mban lidhur Lulzim Bashën për një shumë, për të cilën ndoshta Lulzim Basha do të jete i gatshëm të bëjë gjithçka që do Kryeministri në mënyrë që milionat e shumëpritura të rikthehen në familjen e Bashës.

Reportazhi do të vazhdojë më tej të shpjegojë në mënyrë thuajse shkencore sesi në këtë kuadër dëmshpërblimesh të dosjeve të Strasburgut gjithçka i është lënë në dorë vullnetit të mirë apo të keq të qeverisë. Ekspertë shumë të respektueshëm që marrin fjalën në reportazh shprehin habinë përballë këtij konflikti flagrant interesash dhe vdekjeprurës për demokracinë sesi këtë dosje nuk e merr në dorë Parlamenti, por i lihet një bulevard qeverisë, e cila mund të shantazhojë kështu kë të dojë apo t’i japë një mal me para kujt të dojë.

Pyetja shtrohet legjitimisht: po sikur “misioni” që i është dhënë Lulzim Bashës nga Taulant Balla apo ndërmjetës të tjerë të ofiçinave të errëta qeveritare, është se familja e tij do t’i shohë milionat vetëm kur të jepet garancia se Berisha nuk të lejohet të rikthehet më kurrë në krye të PD-se dhe kjo parti të qëndrojë e përçarë të paktën deri në zgjedhjet e 2025 që do t’i siguronin një mandat të katërt Edi Ramës? Afërmendsh, për një çmim të tillë marramendës në euro, vetëm i “zoti i punës” që ka interes të drejtpërdrejtë si Lulzim Basha, pranon ta kryejë një mision të tillë “kamikaz” politikisht, por sa pafundësisht interesant financiarisht.

Pasi si me magji, mësojmë në reportazh, se pas 5 vjetësh “sorollatje” shlyerja e shumës prej 13,4 milionë në përfitim të familjarit të Lulzim Bashës është vënë në rend të ditës të kryhet këtë vit nga qeveria. Wait and see, më jep të jap.. Ke dëshirë të thërrasësh mbasi vizionon reportazhin: “Forca Lulzim, është një dhuratë që nuk refuzohet sado qesharak kërkon të të bëjë Rama”.

Reportazhi i sponsorizuar nga ambasada amerikane mbyllet me fjalët boshe dhe të pafuqishme që tingëllojnë në kontrast të plotë me fuqinë e SHBA-ve për të imponuar një reformë në drejtësi me impaktin e një dordoleci:

“Autoritetet penale shqiptare duhet të ndërhyjnë për të kontrolluar përse këto vonesa (në ekzekutimin e vendimeve të Strasburgut) bëhen në këtë mënyrë nga qeveria pa asnjë lloj justifikimi”. Pergjigjen e morëm në reportazh: këto manovra bëhen për arsye politike …


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.