DOSSIER

“Të lidhur me zinxhirë”- Kujtimet e Petro Markos dhe letra drejtuar Koci Xoxes: Jep urdhër të më pushkatojnë, s’po duroj torturat çnjerëzore

07:44 - 27.05.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Petro Marko




Memorie.al / Rrëfimet e shkrimtarit të njohur Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës dhe i Tiranës, tregon prapaskenat e asaj që njihet si Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pse Koçi Xoxe urrente Enver Hoxhën?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”! Përse u dënua Petro Marko dhe kush ishin ata që i’a përgatitën arrestimin dhe kush e ndihmoi pas daljes nga burgu, etj. Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, i botuar në fillim të viteve ’90-të pas shëmbjes së regjimit komunist, libër i cili pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës, pasi u botua dhe ribotua disa herë, duke shënuar një rekord shitjesh.

Petro-Marko1

NISI KALVARI-

U hap dera. Hyri brenda një polie trupmadh dhe i bërtiti Zuberit:

– Ç’punë bën ti?

– Gjeolog! – u përgjigja unë.

– Mbylle gojën ti, se s’të pyeti njeri!

– Gjeologu, zbulon pasuritë e nëntokës! – u përgjigj i frikësuar Zuberi, se e vuri re shprehjen e kriminelit. Roja i këputi me sa fuqi që pati, një shkelm prapa veshit, duke i thënë:

– Tani shko e zbulo pasuritë e nëntokës. – Mbylli derën dhe u largua. Kisha mbyllur sytë dhe çudi, se si nuk më pushoi zemra?! Me frikë, hapa sytë dhe pashë Zuberin të shtrirë, me duar e me këmbë të hapura dhe me një curril gjaku, që i buronte nga goja. Bëra të lëvizja, t’i vija në ndihmë, por isha i varur në dritare. M’u errën sytë. M’u err mendja. Desha të bërtisja, që të më dëgjonte gjithë bota: Krim! Krim universal! Zuberin e vranë! Vranë kulturën, vranë shkencën, vranë jetën.

U hap përsëri dera. Hyri ai polici që e goditi, bashkë me dy të tjerë. E panë.

– Ngordhi qeni! – tha ai që e goditi. E kapën nga këmbët, e hoqën zvarrë, e nxorën jashtë dhe mbyllën derën, duke më lënë mua në birucë, fantazmën gjakatare të kohës që vuloste turpin e këtij shekulli.

Si është jeta! Unë isha kredhur në hapësirën e llahtarës, kur dëgjova përballë birucës sime, këtë bisedë:

– Ti je bej nga Vlora, ë?

– C’est vrai – është e vërtetë, unë bej jam…!

– Gjakpirës! Parole d ’honeur

– fjalë nderi, unë gjak s’kam pirë kurrë, po shampanjë kam pirë gjithnjë… shampanjë kordorirouge…

Dëgjova thirrje. Rojat e morën, e zvarritën gjer te kazani me ujëra të ndyra, e krodhën brenda kokëposhtë e talleshin:

– Pi, pi shampanjë kordon-shurrë!

(Parantezë e finales së tragjedisë: “Ha në atë botë”!)

Te porta e oborrit të burgut, çdo drekë bëhej një radhë e gjatë e grave, e nuseve, e bijave të të burgosurve: mbanin sefertasët në dorë, sillnin drekën. Sefertasët i radhitnin aty dhe disa oficerë, sikur parakalonin, lexonin emrin e te burgosurit. Kur panë një sefertas me emrin Uan Filipi, i ranë me shkelm, gjella u derdh dhe sefertasi rrokullisej bosh.

Oficeri iu tha: “Qërohuni dhe të mos vini më, se ai e mori plumbin që meritonte”! Eëra dhe e motra e Uanit, pa bërë gëk, shtrënguan njëra-tjetrën dhe nisën rrugën e kthimit për në shtëpi, duke ecur rrugës që merrte të përpjetën…! Po t’i shikoje ato të dyja, dukej sikur vaiseshin si varka në furtunë, duke bërë zigzaget e terrorit, pikëllimit dhe vdekjes! Një skenë që besoj se, në asnjë ekran të botës, nuk është shfaqur.

Pyetje: – Po ti nga e pe këtë skenë?

Përgjigje: – Kur u lirova, Safoja ime më tregonte… më tregonte me pikëllim kalvarin e saj dhe të familjeve të tjera të të burgosurve…! (Të zezat nëna, të mjerat gra… ç’u kanë parë sytë dhe si kanë mbijetuar nga helmi që kanë pirë.)

Gjatë burgimit tim trevjeçar, në izolim të thellë, vetëm Safoja kishte të drejtë, të më sillte te dera e burgut sefertasin me pak gjellë, pa më takuar kurrë. Tre vjet.

Pyetje: A të ka ndodhur të humbësh shpresën për të jetuar?

Përgjigje: – Një pasdreke erdhi drejtori i burgut me hetuesin tim kryesor dhe më hoqën zinxhirët. Dallgët e mundimeve, janë aq të furishme, sa nuk kuptohet se nga i shtyn era: ndaj jetës apo ndaj vdekjes. Më shpunë te biruca e fundit përballë nevojtoreve. E dija që ajo birucë, ishte për ata që do të pushkatoheshin. Më futën brenda, më lidhën përsëri këmbë e duar dhe dolën. Aty ishin tre të tjerë, të cilëve, nuk ua dalloja dot fytyrat. Ata ishin të sigurt, se do të pushkatoheshin. Nuk folën për disa minuta, pastaj dëgjova një zë:

– Pse, je dënuar me vdekje!

– Si agjent i amerikanëve! Po ju?

– Ne? – heshti ca. – Unë…?!

Dhe tregoi se si ai, kishte folur me një mik të tij për Enver Hoxhën, por në gjyq, nuk i nxorën këtë akuzë, i thanë “agjent i shitur!”

– Unë e di mire, se jam dënuar për ato që fola për Enver Hoxhën. – Dhe vazhdoi: – Me sa di unë, gjer tani janë pushkatuar dymbëdhjetë veta…! Kushedi sa të tjerë, do të pushkatohen?! Këta të dy, janë dënuar me vdekje, se kanë djegur flamurin e Jugosllavisë, që varej nga e djathta e flamurit tone, në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare. E kishin pranuar fajin e tyre dhe thanë në sallë të gjyqit, se nuk ishin penduar fare, për aktin që kishin bërë, pasi Jugosllavia, sundon këtu dhe jo qeveria e Tiranës.

Dëgjoja fjalë e psherëtima të njerëzve që prisnin me çaste të pushkatoheshin. Shumë më their, thënia e njërit (fytyrat nuk shiheshin, ishin në errësirë):

– Nuk u vrava në luftë nga fashistët dhe nga nazistët, dy vjet në mal, po vritem nga plumbi i shokëve të mi!

U dëgjua një fëshfërimë, në dritaren e vogël.

Ishin krahët e një shpendi, ndoshta një lakuriq nate…!

– Do të na vrasin, erdhi lajmi! – tha njëri.

Unë pyeta se nga erdhi lajmi. Në atë birucë, të të dënuarve me vdekje, kishte mbetur një profetizim: kur vjen ai zogu i natës dhe rreh krahët në hekurat e dritares, sa një faqe libri, vijnë xhelatët dhe marrin viktimat, për te bregu i lumit, për te vendi i ekzekutimeve…!

Dhe me të vërtetë, aty nga ora dhjetë e mëngjesit, u hap dera e birucës dhe thirrën atë që kishte folur keq për Enverin dhe ata të dy që kishin djegur flamurin e Jugosllavisë.

– Takohemi në atë botë, në mos pastë edhe atje ndonjë Enver tjetër, që të na përvëlojë në kazanët e skëterrës…!

KTHESA E ÇUDITSHME…!

Në darkë më thirrën lart në drejtori. Aty ishte Nesti Kerenxhi, zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Më foli butë. Më pyeti dhe iu përgjigja:

– Unë flas vetëm me Koçi Xoxen!

– Koçi Xoxe, nuk mund të vijë këtu!

– Më shpini mua tek ai. Vetëm me atë do të flas.

– Kërkon gjëra që nuk bëhen.

– Po një letër a mund t’i shkruaj?

Unë e njihja Nestin. E njihja mirë dhe ai më njihte mirë. U mendua dhe më tha:

– Shkruaj e letrën.

Më dhanë një copë letër e një stilograf dhe shkrova:

“Koçi! Nëse të ka mbetur ndonjë fije shoqërie nga e kaluara jonë, të lutem për dy gjëra:

  1. Jep urdhër të më pushkatojnë sa më parë, se nuk i duroj dot fyerjet e rënda dhe torturât çnjerëzore.
  2. “Pse?”

E lexoi Nesti dhe më tha:

– Pse, nuk e dije ti, organizatën e fshehtë të deputetëve? – Atëherë unë i thashë se; me të vërtetë, as që e kisha dëgjuar kurrë këtë organizatë. E mori letrën.

Mua më shpunë në një birucë tjetër, përballë me atë të Hasan Reçit. Në atë krah, ishin me radhë dhe biruca me shokët: Spiro Ruço, Spiro Dhima, Uan Filipi, Islam Radovicka, Sinan Gjoni, Kolë Berisha…!

Më lidhën këmbët dhe duart pas dhe u shtriva në dysheme i trullosur dhe i handakosur. Mendoja e thosha: Sa i fortë është njeriu! Besoja se kafsha më e fortë e universit, ishte njeriu normal.

Siç dukej, lart ishte ende Nesti Kerenxhi, prandaj me radhë i merrnin këta shokë dhe i shpinin në drejtori. Kjo punë vazhdoi dhe të nesërmen: shokët merreshin në pyetje nga Nesti. Të pasnesërmen, më thirrën lart përsëri. Në drejtori, ishte vetëm drejtori dhe Nesti Kerenxhi.

– Letrën ia dorëzova Koçit…, – më pa me sy njeriu, – dhe më tha: “i thuaj Petros, të flerë rehat…”! Më kuptove?

Kur dola, më dha dorën. Dhe, kur u mbyll dera, ndërsa mua m’u këputën gjunjët nga një ndjesi e papritur, dëgjova zërin e Nestit, t’i thoshte drejtorit:

– Në birucën e Petro Markos, të mos futet asnjë oficer ose hetues, pa lejen e Koçit. Ushqimet që i bien nga shtëpia, t’ia dorëzoni të paprekura, edhe cigaret…! Më urdhëroi Koçi…!

Zbrita shkallët me nge. Dëgjova zërin e Hasan Reçit, që ishte në birucën kundruall, birucës sime:

– Petro, në dalsh i gjallë, kujdesohu për vajzën time. Shtatë muajsh është…!

Dhe, atë agim, mandata erdhi…! Hasan Reçi, Uan Filipi, Spiro Ruço, Sinan Gjoni, Islam Radovicka, Kolë Berisha – më duket tetë veta – i morën dhe i drejtuan për te bregu i lumit, ku i pushkatuan…

Jam plotësisht i bindur se, jetën e kam nga Koçi Xoxe.

Unë komunikoja me Safon, me anën e një shkrimi të hollë, gati të padukshëm, të bërë me majën e gjilpërës, në rrethin e kapakut të sefertasit, prej alumini. Me pak fjalë, ne kishim zbuluar një komunikim sekret, origjinal. Shkurt, bëja të ditur gjendjen time. Ajo pyeste. Kur shokët e mi u pushkatuan, i shkrova: “Shpëtova”!

Kurse para dy ditësh, kur erdhi Kerenxhi dhe më tha se; Koçi e kishte porositur “të flija rehat, të më jepnin ushqimet pa i prekur dhe të mos hynte njeri në birucën time pa urdhrin e Koçit”, i kisha shkruar Safos, në rrethin e kapakut të sefertasit: “Më duket se shpëtova”! Tani që me të vërtetë nuk u pushkatova si të tjerët, përsëri i shkrova: “Shpëtova për ty… që je munduar më shumë se unë!”

Pyetje: – Pastaj ç’ndodhi?

Përgjigje: – Erdhën në birucë, më hoqën hekurat e këmbëve dhe më nxorën në korridor, ku ishin edhe shumë të burgosur të tjerë. Na lidhën dy e nga dy. Mua më lidhën me Tika Tezhën, i cili, duke buzëqeshur hidhur, më tha: “Edhe ti këtu? – Pastaj, kur na shtrënguan fort duart, shtoi me të qeshur: – Aq je bërë i pandjeshëm, sa nuk lëshove asnjë psherëtimë. Mua m’u thye kocka, nga shtrëngimi i zinxhirit”!

Ishim shumë: Të gjithë si skelete. Na nxorën përjashta. Ku po na shpinin? Nuk flisnim dot, se na dhanë urdhër të prerë: “Po hapi gojën njeri, do t’ia presim gjuhën”! Tika më shikonte dhe ngrinte supet. Tika, ishte një shok që e njihja mirë: pasanik i madh, që kishte ndihmuar shumë luftën me të holla dhe duke transportuar të plagosur partizanë dhe armë, se kishte makinën e tij. E kuptuam. Po na çonin te Burgu i Vjetër. Dhe me të vërtetë, në Burgun e Vjètër na shpunë, në katin e sipërm. Na futën në një kaush të madh, ku ishin edhe të tjerë…!

JETA NË BURGUN E VJETËR

Dy gëzime të mëdha:

  1. Ardhja në burgun e vjetër, pa zinxhirë, me shokë, me libra.
  2. Gëzimi tjetër i madh: U ndalën ekzekutimet, me një vendim të Plenumit…! Kështu që, shumë shokë që prisnin ekzekutimin, si ing. Andrea Xega e të tjerë, shpëtuan nga vdekja.

Na vunë në një kaush, pranë ish-spitalit, që tani ishte bërë si zyrë e përkthimeve. Aty u takova me shokët e mi të vjetër, si me; Demir Godellin, Koço Boshnjakun, Hito Sadikun, Nexhmi Ballkën, e shumë e shumë të tjerë, që kishin shpëtuar nga vdekja. Këtu pashë pas shumë kohe, njerëz që mund të qeshnin, që bënin shaka, që lexonin libra, që përkthenin nga letërsia botërore, për institucionet letrare qeveritare. Për mua dhe për të gjithë ata që erdhën nga ferri i Burgut të Ri, ky ishte gjysmë-lirim.

Erdhi Stefo Grabocka, nga Ministria e Brendshme dhe më takoi. Më tha: “Kur u kthye Koçi Xoxja nga Korça, u habit se si ti ishe arrestuar, mblodhi nënministrat dhe i pyeti: “Kush dha urdhër të arrestohet Petro Marko”? Dhe njëri nga ata i tha: “Urdhër nga lart…”!

Për të burgosurit, kishte dy opinione:

Njëri opinion: Si është e mundur që Petro Marko, të jetë këtu?! (Kështu u shpreh dhe ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, kur erdhi për të vizituar burgun. Kur më pa mua, tha: “Shikoni bre, se cilin kanë arrestuar! Luftëtarin e Spanjës…”?!)

Opinioni tjetër: Ata që e dinin mirë çështjen, thoshin: “Si ka shpëtuar ky nga pushkatimi”?!

Në këtë mjedis të ri mes njerëzve, mora vesh se ishte bërë edhe Gjyqi i Deputetëve dhe ishin arrestuar e pushkatuar, tërë miqtë e mi, me të cilët isha shoqëruar e kisha shkëmbyer mendime, para arrestimit tim. Deputeti Shefqet Beja, ishte varur në fushën e druve. Selaudin Toto, Enver Sazani, Gjergj Kokoshi e, plot të tjerë, ishin pushkatuar. Ata shpresonin që në Shqipëri, të vendosej demokracia. Për mua, ishte një goditje shumë e rëndë.

Unë u mblodha me Demir Godeliin dhe Koço Boshnjakun; me ata rrija pranë e pranë dhe me ata haja bukën, që na e sillnin nga shtëpia. Koço Boshnjaku, kishte qenë në KONARE, pastaj shkoi në Bashkimin Sovjetik, ku më duket ishte edhe si Konsull i Shqipërisë. Më duket se ishte përpjekur, të dërgonte në Durrës dhe disa anije sovjetike me grurë, kishte bashkëpunuar dhe me Kostë Kolombon, që kishte një furrë në Odesë. Ky Kostë Kolomboja, kishte ardhur edhe në Spanjë.

Thonë se, kur gjermanët pushtuan Odesën, i shkruante një miku në Shqipëri, nga Parisi, ku jetonte: “Do të shkoj në Odesë, se ndoshta gjej furrën time, tani që s’ka më bolshevikë”! I ziu Kostë! Shpresonte se, pas kaq kohe dhe ndryshimesh në Rusi, do të gjente furrën e tij në Odesë…!? Për këtë Kostë, Koço Boshnjaku, na tregonte shumë qyfyre dhe habitej se si kishte ardhur edhe ai vullnetar në Spanjë! Demirin, e kisha njohur qysh nga viti 1932 dhe mund të them se; ai ishte mësuesi i parë i komunizmit në Shqipëri. Tregonte edhe shumë anekdota, për Fan Nolin në Berlin dhe për mënyrën, si e bënte propagandën komunizmi, me Stalinin në krye. Po tregoj diçka për të qeshur:

Në Hamburg, festohej 1 Maji, punëtorët kremtonin festën e tyre; ishin mbledhur në një teatër dhe flisnin me radhë, shokë nga shumë kombësi. Dy gjermanë, shkuan në një vapor kinez. I thanë një marinari kinez: “Eja me ne dhe për një orë, do të të japim pesë dollarë”! Marinari kinez, u tha se; për një orë, do të nisej vapori i tij. Ata i thanë: “Për gjysmë ore të duam”. E çuan në teatër, ku bëhej mbledhja e punëtorëve, dhe ata që drejtonin mbledhjen, thanë se; ky ishte përfaqësuesi i klasës punëtore kineze.

Kinezi qeshte dhe thoshte: “Aman, se mos më ikë vapori”! – në gjuhën e tij dhe ata që ishin në tribunë, “përkthenin”: “Thotë se; sjell përshëndetjet e klasës punëtore shumëmilionëshe”! Duartrokitje, dhe, në mes të duartrokitjeve, kinezi iku me vrap, se mos e linte vapori, që për pak do të nisej…!

Demiri, na tregoi përsëri atë historinë në Moskë, për ditën e 1 Majit, kur e morën për të folur në një tribune, para punëtorëve të një uzine dhe përkthyesi, i cili nuk dinte as edhe një fjalë shqip, bënte sikur i përkthente, ato që thoshte Demiri, dhe masa duartrokiste stuhishëm.

Pas fjalimit, mes duartrokitjeve dhe shtrëngimeve të duarve, atij i ishte afruar një zonjë, e cila dukej që nuk bënte pjesë në atë turmë punëtorësh, dhe i ishte drejtuar frëngjisht: “Hapni sytë dhe shikoni si na ka katandisur ky sistem çnjerëzor! Pse bën sehir Evropa? Apo, dhe ajo prêt këtë “parajsë të kuqe e të përgjakur”?! Demiri ishte tronditur. Por ata që kishte pranë, e tërhoqën dhe i thanë se ajo, ishte një agjente borgjeze.

– Ne ishim qorra! Nuk shihnim ç’bëhej! – tha Koçoja.

Dhe bisedonim shtruar. Koçoja ishte më elokuent dhe më me përvojë:

– Që nga Adriatiku e gjer tek Oqeani Paqësor, më shumë se një miliard njerëz, besuan te komunizmi dhe tani, nën regjimin e kuq, sa miliona vuajnë e vdesin si ne! Katastrofë! Vetëm Stalini, siç thonë, ka zhdukur me miliona. Këtu te ne, në krahasim me popullatën, janë zhdukur e persekutuar edhe më shumë. Pse? Ka arsyet e veta.

Ky sistem këtu, nuk ka asgjë të përbashkët në themel, me idealin tonë. Ky sistem, po zbatohet sipas direktivave të agjentëve serbë, armiq shekullorë të Shqipërisë, Rankoviç, Miladin, Dushan e të tjerë, të cilëve kështu u intereson, ta shohin këtë vend. U mbush bregu i lumit me kufomat e intelektualëve. Qarkullojnë fjalë se, listat për arrestime dhe asgjësime, vijnë nga Beogradi”!

Përditë, bënim biseda me zë të ulët, në qoshen e korridorit të gjerë të katit të dytë të burgut, përballë zyrës së përkthimeve. Edhe Koçoja, përkthente nga rusishtja. Tekstet vinin nga Ministria e Arsimit. Aty përkthente dhe Mirash Ivanaj, nga latinishtja ose, greqishtja e vjetër, aty përkthenin dhe Dhimitër Pasko, Gjergj Bubani, e shumë të tjerë. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.