OPINION

Disa pyetje sot për Branko Merxhanin, drejtuesin e shkollës së Neoshqiptarizmës

06:00 - 29.05.23 NDRIÇIM KULLA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ku mbështetej pika e qëndrimit tuaj, që qëndronte kaq lart? “Pika e vëzhgimit t’onë është e vendosur mbi një majë ndërmjet një dheu, i cili po fillon të mbruj kallëpe të reja dhe kemi për kundruall gjat’ e gjerë një horizont të hapët me gjithë thellësinë e tij të panjohur e me gjithë mysteret e veta. Për këtë shkak themi se ndjekim me një farë shqetësimi këtë polemikë…. e cila sot nuk kontribuon aspak në ndriçimin e shënjavet t’errta t’epokës, të cilat mundojnë ndërgjegjen t’onë dhe kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me interesat më jetike të kombit”
Po cilat janë vallë ato shenja të errëta të horizontit ku ka arritur zhvillimi i kohës së sotme shqiptare, që ne mund të ndriçojmë?
“Shqipëria e jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël. Trazimi dhe anarkia, që mbretërojnë sot në gjuhën t’onë, nuk janë veç se vetëm një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes s’onë historiko-shoqërore. Gjithë ky trazim, gjithë kjo anarki mbretërojnë edhe në të gjitha çfaqjet e tjera të dynamismës s’onë qytetëronjëse. Në idetë dhe tendencat t’ona shoqërore, ca më shumë në kuptimet t’ona mbi formën dhe esencën e institutevet t’ona shoqërore. Ësht një anarki, e cila ka thëthitur të gjithë po thua jetën t’onë. Ideale s’kemi. Racionalisma e jonë është po thua si e djemvet. Dispozita për një gjyrmim të ngulur shkëncor dhe systematik na mungon krejt”
Nga ç’shkaqe dhe burime mund të jetë trashëguar një gjendje e tillë?
“Rrojmë në një qark njerëzish i cili si ndjenjë dhe ide, përfaqëson kaos-in e Saharasë brënda në zëmrën sentimentale dhe ideologjike të Europës. As një hije, as një pemë, as një pikë ujë!…Jeta shqipëtare, shpirti shqipëtar janë nga një pikëpamje e thjeshtë psykologjike dhe sociologjike, një terra incognita (tokë e panjohur) e madhe akoma dhe për neve vetë, për bijt e këtij vëndi…Shqipëria, brënda në qarkun e qytetërimit evropjan, është vëndi i cili i ngjan një spitali popullor sëmundjesh psikologjike… Jemi bijtë e një race, e cila mbetet apathike, e pa-interesuar dhe e pa-influencuar brënda në një botë të tërë luftërash idealistike, brënda në një pellg korrentesh mendore” . Jemi bij të një vëndi ku mendimet filosofike nuk janë lindur fare, ose përbëhen vetëm nga disa arnime artificiale, pa themel, pa shije, pa sinqeritet, dhe pa asnjë lidhje të brëndëshme as me jetën t’onë si individ, as me fatin t’onë si “Shoqëri” e “Komb”. Prandaj s’ka asnjë dyshim se kemi për të fituar shumë gjëra të dobishme në se do t’i hapim pakëz më mirë syt e veshët që të ndjejmë se ç’bëhet jashtë nëpër viset rreth e rrotull, dhe të shohim me ç’mendime, me çpërpjekje është mbushur atmosfera shoqërore e vëndeve që qysh prej shekujsh ecin në vijën e parë të luftës për jetë, për dritë dhe për ideal. Dhe jemi të mendimit se një nga detyrat më kryesore që duhet të plotësomë né -intelektualët e shkretë të këtij vendi – është përhapja sa të jetë e mundur më tepër e dritës, më tepër interesim mendor, më tepër dhëmbje njerëzore, jo vetëm në rrethin e ngusht të dhomavet t’ona, por edhe tej-për-tej nëpër erën shoqërore t’atdheut.
Po dallimet e periudhës së tranzicionit midis dy rilindjeve, asaj kombëtare dhe asaj shpirtërore që ju keni promovuar, si mund t’i sintetizoni?
“Një brez luftëtarësh nuk çan kokën për historin. Ai lufton për idealet dhe bën historin duke jetuar dhe vepruar me spontanitet, me fuqinë e shpirtit, brenda tymeve të kohës. Përshkrimi dhe kthjellimi i historis së tyre është një punë që i përket brezit të sotshëm të pajisur me armën e Kulturës dhe me zotësin e teknikës historiografike. Bile si mbas pikëpamjes s’onë vlera psiko-morale, ndjenja e sakrificës dhe spontaniteti i veprimit, që karakterizon grushtin e vogël të militantëve të periodës së parë të rilindjes kombëtare, është shumë më i lartë nga vlerat psihiko-morale që kanë ose që nuk kanë për të treguar militantët e ditëve t’ona. Bota e j’onë është duke kaluar një etapë transitive epokale, ndërmjetësit e së cilës, nuk mund të maten siç pandehin disa flamurtarë të përciptë, nga data e rrëzimit të një kabineti A, gjer më datën e formimit të një kabineti B, por mund të maten brenda në një ndërmjetësi kohe shumë më të gjerë e më kuptimplotë, që i përfshin në thellësin e saj Epokat e tëra. Intelekti shqiptar brenda në procesin e këtij kalimi që bënë shoqëria e jonë, nuk gjeti ende kohën e nevojshme dhe nuk gëzoi kondita të favorshme për të formuar nga brenda gjer me një shkallë sa që të fitojë zotësi veprimi për të udhëhequr me një farë ndërgjegje mendore fazën tranzitore brenda në të cilën rrojnë turmat e shkatërruara të këtij vendi. Fenomeni shoqëror dhe valet anarshike të tij që na heqin dhe tërheqin një herë andej një herë këtej, është disa herë më i madh, më i fort, më kompleks se gjithë shtati që ka për të paraqitur sot Intelekti ynë. Kurse brezi i kaluar, të paktën nga pikëpamja sociologjike e historike ka qenë një brez i stabilizuar. Jetonte brenda fazës së fundit por edhe më në lëvizje të një Perandorie kolosale që gjendej n’agoni e sipër dhe kazani i zjarrtë i këtij shkatërrimi bujë-madh me hovet e tij për të prishur ose për të shpëtuar, kontribuojti me një mënyrë pothua inkosiçiente, në formimin e ndërgjegjes dhe intelektit të tij, intelekti ndofta jo i pasur si sasi, por i lartë dhe i stabilizuar si cilësi –intelekt që dinte ç’kërkonte, sepse u rrit dhe u pajtua fare mirë me kërkimet dhe me mendimet ndryshonjëse t’epokës brenda në të cilën merrte frymë, frikë dhe shpresë. Puthitja e kohës që ndodhet midis historis së rëzimit të Turqisë dhe të ngritjes së Shqipërise, nuk është një rastisje aventure datash. Krijimi i Shqipëris e çkëputi botën t’onë befas dhe pa përgatitje të plotësuara nga bazat e saja të para dhe intelekti shqiptar mbeti një ditë fare pa pandehur i hutuar dhe i vetmuar midis dy botëve të kundërta – midis Orientit dhe Oksidentit. Ja ky është, me një përshkrim shumë të shkurtër dhe jo analitik, gjithë labyrinthi i historis brenda në të cilin vërvitet intelekti i ynë duke kërkuar të gjejë një shteg formimi dhe një mbështetje adaptimi që imponojnë konditat e paraqitura për neve qysh një çerek shekulli. Puna e jonë ka ndryshuar që nga themeli. Atëherë formën e kishim pothua gati; kurse tani është nevoja që t’a gjejmë edhe t’a krijojmë vetë ne. Është krejt hera e parë në gjithë historin e botës që një brez shqiptar gjendet para një detyre të tillë!..”
Pra, mendon se po shkojmë keq e më keq edhe nga pikëpamja e kulturës dhe sidomos intelektualitetit?
Duhet t’a pohojmë me dorë në zëmër dhe me thjeshtësi shpirti këtë gjë: Është e vërtetë se në Shqipërin e sotshme nuk kemi një “opinion publik” të fuqishëm dhe të kristalizuar sa që të rrëfejë vehten e tij si një fuqi udhëheqëse bindëse mbi shvillimin e jetës s’onë shoqërore. Gjithashtu është prapë e vërtetë se nuk kemi edhe një “lëvizje mendore” të punuar dhe të formuar gjer në një shkallë sa që të mundij të bëjë dhe të shkaktojë reflektime mbi jetën t’onë intelektuale. Një lëvizje iderash jo si qëllim përfundor, por si një pikënisje dhe si një mjet mendimi për të përshkruar, klasifikuar dhe komentuar gjith’ato problema që kanë të bëjnë me analizimin e strukturës së veçantë që paraqet shoqëria shqiptare në ditët t’ona.
Atëherë cila është ajo gjë që na nevojitetet parësisht?
Është një gjë e ditur se procesi i mbrujtjes të një nation-i është, në radhën e parë, një proces psikik dhe shoqëror; nuk është një proces i vetëm ekonomik. Ka të bëjë dhe duhet të ketë edhe një ideologji. Ideologjija është një përpjekje mendore dhe intelektuale, ka më tepër një ngjyrë individuale, dhe është armik i rreptë i çdo lloj kompromisi. Prijësit politikë të popujve nuk janë njëkohësisht edhe prijsët intelektualë të tyre. Qëllimi i përpjekjes sonë është një evolucjon dhe jo një revolucjon. Varet nga ndryshimi i koncepsionit, të systemit dhe jo nga shkëmbimi i thjeshtë i personavet. Varet nga reforma e institucioneve tona politike si mbas nevojavet të reja të jetës.
Ju ofruat edhe një ideologji të veçantë si zgjidhje? A ka kaq shumë fuqi ideologjia?
“Kur një njeri rron brënda në ëndrrën e ideologjisë së tij, kur beson në dynamismën mrekulluëse, vetëm të idevet shoqërore të brëndësuara, kur kraharori juaj fryhet me enthusiasmën e pa-arritëshme që shpërndan dashuria e besimi në të arthmen kombëtare, vetëm ahere shpirti i njeriut që mendon vjen në prekje shpirtërore dhe merr vesh thellë kuptimin transformonjës e kryengritës që përmban brënda saj kjo fjalë e shkurtër” .
Atëherë, nga duhet t’ia nisim?
E gjithë jeta dhe historia jonë paraqitin një fenomen të çuditshëm ngeljeje dhe shterpësie qytetërimore e ideologjike. As politikë kemi, me kuptimin e thjeshtë e të sinqertë të kësaj fjale, as edhe ideologji, që paraqet një përmbajtje intelektuale të vërtetë dhe që vlen kët emër. Na mungojnë kryekëput që të dyja. Politikisht keq, ideologjikisht më keq. Ne u munduam ta zgjidhim problemin e ideologjisë, nëpërmjet Neo-shqiptarizmës, ndërkohë që fenomeni shoqëror i Shqiptarizmës së shekullit XXI duhet të jetë një fenomen i ri që të përpiqet të gjejë udhën e historizimit të tij. Idetë false ose të falsifikuara, na kanë shpurë në faliment. Idetë e drejta do të na ndihmojnë të rindërtojmë, dhe të rindërtojmë fort. Tërë problemi është një problem qëndre – një problem i organizimit të fuqive intelektuale të vëndit me një drejtim të caktuar dhe me një ndriçim të mjaftuar! Dhe brënda këtij problemi vetëm një gjë shohim, vetëm për nji mungesë ankohemi: “Nuk mund të bashkohemi”. Ç’na mungon vallë? Dispozita e bashkëpunimit, apo mundësija e bashkëpunimit? Mua më duket se nuk na mungon as e para, as e dyta. Na mungon një gjë shum më e thellë dhe më themelore: Na mungon objekti i bashkëpunimit!” .
Asokohe neoshqiptarët e ofruan veten si objekt i këtij bashkëpunimi, por sot a ka mundësi historike të ndodhë një gjë e tillë?
Neo-shqiptarizma nuk fillon më 1928 (atëherë kur u shkruajt formula e saj e parë), por bashkë me lëvizjen e Rilindjes Kombëtare. Përpjekja e filluar nga një grusht nacionalistësh shqiptarë, aty nga mbarimi i shekullit të kaluar për formimin e shtetit dhe ringjalljen e kombit shqiptar, vazhdon akoma edhe sot. Me krijimin e shtetit të pavarur u bë vetëm gjysma e punës. Me caktimin e kufijëve politikë u ndryshua forma e çështjeve, metodat e punimit, u shtuan mjetet, u zhdukën disa pengesa, por qëllimi i fundëm, ai i formimit të një ndërgjegjieje kombëtare, mbetet gjithmonë, po aty.Kështu shprehej në prag të 25 vjetorit të pavarësisë, njëri nga përfaqësuesit më të mëdhenj të djalërisë shqiptare, Tajar Zavalani. Kjo lëvizje mendore ish shpallur që në fillim të përpjekjes së saj si një urë lidhëse midis fazës së kaluar të Rilindjes shqiptare, të kuptuar si një shqiptarizëm letraro-romantik, dhe fazës së dytë të kësaj Rilindjeje, të kuptuar si një shqiptarizëm të ri radikalo-demokratik, siç do të shprehej për të Merxhani. “Për ne, nacionalizmi nuk është një mjet, por një qëllim”, sqaronte ai. Dhe formimi i ndërgjegjes kombëtare shqiptare është detyra më thelbësore që mund t’i ngarkohet epokës sonë” .
Po “Përpjekja shqiptare”, revista zëmadhe që ju themeluat, ç’trashëgimni mendoni se ka lënë?
“Organi ynë i udhëhequr prej parimesh nacionaliste demokratike dëshrionte të bëhej vatra në prushin e së cilës të nxeheshin shpirtrat djalosharë që përbëjnë bazën e lëvizjes intelektuale të Shqipëris dhe të Shqiptarizmës. Jetojmë në një kohë kur intelektualët shqiptarë numërohen në pesë gishtërinjt e dorës. Dikur besohej se të gjithë ata që kishin kryer disa klasë liceu dhe kishin qëndruar për disa vjetë me radhë nëpër bankat e universitetit ishin përgatitur për të zgjidhur problemet e mëdha shqiptare. Mendim i gabuar q’u përgënjeshtrau prej kohës.
Në numrin e parë të revistës s’onë vinim një motto: “Politikë s’ka. Vetëm kulturë!” dhe e zhvillonim këtë mendim t’onë: Në një vend si ky i yni, ku problemet themelore jo vetëm nuk janë zgjidhur, por edhe nuk dihet se cilat janë, ku mbretëron një kaos i tmerrshëm mendimesh, ku gjithkush priret prej sentimentesh në vend që t’udhëzohet prej trurit, ku ata që kanë kryer studimet akademike janë shumë shumë, vetëm profesionistë t’aftë, nuk mund të flitet për një djalëri intelektuale shqiptare. Kjo djalëri duhet, pra, të përgatitet. Dhe përgatitja do punë serioze dhe jo fjalë boshe, aspolitikanizëm. Vija që ne ndjekim ësht: nga kultura në politikë. Kush mendon t’a përmbysë këtë drejtim gabohet. Vetëm kur të kemi një përgatitje të vërtetë mendore mund të hidhemi në sheshin e politikës për të zbatuar mendimet t’ona të kodifikuara. Vetëm atëherë do të jemi të sigurtë se do t’ia arrijmë qëllimit.
Në fazën e parë të përpjekes s’onë jemi munduar të kontribuojmë në formimin mendor të brezit të ri. Parimi ynë udhqheqës, nacionalizëm e pastër, ësht zhvilluar në shumë faqe të “Përpjekjes Shqiptare”, ndër kryeartikuj, artikuj dhe kujtime. Jemi munduar që problemet shqiptare t’i shtrojmë në tryezën e punës, t’i analizojmë dhe t’u njohim shpirtin. Jemi munduar të plotësojmë detyrën që i ngarkuam vehtes për t’i dhënë shkas përhapjes sistematike të shkencave pozitive. Jëtojmë në një epokë transitive. Shoqëria nuk e ka marrë akoma formën e caktuar; problemet e saj nuk janë konkretizuar ende. Në botën e zgjedhur shqiptare gjejmë tipa të ndryshëm: disa kanë ideale por u mungojnë idet; të tjerë kanë idera, por u mungojnë idealet. Na duhen nga ata që për të plotësuar idealet e tyre, u vjen në ndihmë ideja. Aspirojmë që t’ia arrijmë qytetërimit perëndimor, por rruga që sot ndjekim është e gabuar. Në vend që të përgatitemi për t’u sosur në sferat e larta të qytetërimit –të përgatitemi shpirtërisht –ne imitojmë gjërat që na bjenë në sy më parë, format e përjashtëme. Duhet t’u rrimë larg frymëzimeve moderniste të pastudiuara: ësht mirë që idet dhe sistemet ehuaja t’i pranojmë me rezervë dhe t’i zgjedhim vetëm atëherë kur t’i përshtaten realitetit shqiptar. Për t’u larguar nga imitimet e pavendta prej botës së huaj, na duket se krijimi i një afrimi mendor me botën intelektuale të kombeve ballkanike do t’ishte mjaft i dobishëm. Mbi supat t’onë ngarkohen barrë të rënda, të cilave kemi besim të plotë se do t’u bëjmë ball. Gjithmonë kemi patur besim në fuqin krijonjëse të Djalëris. “Përpjekja Shqiptare” dëshiron që të jetë pasqyra e kësaj fuqije” .
Cilën mund të quani çështjen më të madhe për t’u konsideruar përparësisht nga mendimi i sotëm shqiptar?
“Ka çështje, si p.sh. çështja e higjenës publike, e organizimit shkencor të punës, e ekonomisë, e industrisë, etj, që gjenden aty të gatshme, rreshtuar si vigaj mbi udhë të përparimit tonë. Por mos të gënjehemi: asnji çështje nuk kemi për të zhvilluar vërtet, nëse nuk kapemi pas çështjes më të madhe shoqërore kombëtare, që rri në bazë të të gjitha të tjerave, çështjes së edukatës së fortë e të shëndoshë të ndjesisë atdhetare”. Kështu shkruante revista Leka dhe Zef Valentini, në artikullin hapës, drejtuar “breznisë që asht kah rritet” (1929) , për të theksuar diku më poshtë se kombet më të përparuar janë nji ata në të cilët ndjesia e atdheut është edukuar më gjatë dhe më thellë, në mënyrë që të pranohej me rrugë parimi se zhvillimi kombëtar dhe ndërgjegjia kombëtare ecin krahas. “Ideali është ajo jetë që rrojnë shoqëritë në epokat e krizave të tyre të mëdha, shpallte Merxhani në një tjetër formulë të vet të famshme. Jetët që rrojmë në epokat e tjera janë vetëm jetë individuale” Të gjithë idealistët shqiptarë t’ia shtrijnë dorën shoqi shoqit me fjalën program: të punojmë për kulturën shpirtërore të shqiptarit. Shqiptari tash e mbrapa do të besojë në fuqinë e vet ideale dhe në komb”, do të përgjigjej Anton Harapi, një “qyshk” tjetër fisnik e idealist i kohës. Ndërsa Zef Valentini, do të shtonte: Tia hyjmë zhvillimit të kësaj ideje, në mos daçim që ne, çeta intelektuale e Shqipërisë të dalim fajtor para faqes së popullit. Bruckhard-i, një idealist i shquar gjerman ka shkruar: Nacionalizma, vetëm me anë të kulturës shpjegohet dhe vetëm me anë të saj shquhet. Sa e përafërt, sa pasionuse, sa e mbushur me pathos dhe mençuri ngjan kjo frazë kur përbrivihet me një tjetër të shtuar nga Merxhani mbi këtë parim. Nacionalizmi, që për ne do të thotë fitimi i një ndërgjegjie kombëtare, është një ide, një lidhje morale, një besë, një fuqi dhe një triumf i njerëzimit!.
Të gjitha këto parime na e paraqesin qartë kuptimin se Neo-shqiptarizma ishte një lëvizje me tendenca idealiste dhe se në shkrimet e saj, që gjetën një jehonë po kaq idealiste edhe në qarqet e tjera intelektuale shqiptare, sidomos ato të klerikëve të Veriut, me dy revistat e tyre Leka dhe Hylli i dritës, aq sa të duket sikur jeton realisht në një qerthull të vërtetë idealesh, që pohojnë fjalë e themele të tilla si besë, nder, moral, fisnikëri. Megjithatë, ky është vetëm një petk, i cili nuk e mbulon aspak qenien e saj të vërtetë: një lëvizje mendimi që përfaqëson një sistem të thellë, të tërë e të mbaruar të Rilindjes shpirtërore shqiptare. Një lëvizje idesh jo si qëllim përfundimtar, por si një pikënisje dhe si një mjet për të përshkruar, klasifikuar dhe analizuar të gjitha ato probleme që kanë të bëjnë me shqyrtimin e strukturës së veçantë që paraqiste atëherë shoqëria shqiptare, por pa dyshim edhe në ditët tona. Pikërisht kjo pikpamje, ky mjet që na afron ky sistem, mund të na shënojë edhe fillimin e një perspektive të re, atë shkrirje horizontesh mendore e ideologjike që ciklikisht Shqipëria ua afron shpesh misioneve dhe qëllimeve të saj të rëndësishme, në kohë të ndryshme. Edhe sot, si atëherë kur u shkruajtën këto radhë, ne jemi në prag të mbylljes së një periudhe 25 vjeçare të tranzicionit demokratik ose të lirisë së dytë të madhe të shqiptarëve pas një gjysmë shekulli mjerimi e tiranie komuniste. Edhe sot, procesi i mbrujtjes së “kombit shqiptar” duket se s’ka mbaruar, ashtu siç besuan atëherë ata mendimtarë të urtë dhe të sinqertë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.