AKTUALITET

Debati për Akademinë e Studimeve Albanologjike/ Rektori Luan Përzhita për “Panorama TV”: Nga ministria s’kemi asnjë njoftim! Ja pse nuk mund të jemi pjesë e ASH

17:39 - 30.05.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita në një intervistë për “Panorama TV” tha se nga ana e ministrisë së Arsimit nuk kanë asnjë njoftim për projektvendimin për shkrirjen e këtij institucioni me Akademinë e Shkencave.




Profesor Luan Përzhita argumenton se pse Akademia e Studimeve Albanologjike nuk mund të jetë pjesë e Akademisë së Shkencave.

Referuar ligjit ai sqaroi se ASH, nuk ka të drejtë të ngrejë kërkim shkencor brenda sistemit të saj sepse është një akademi e nivelit honorifik.

Ai tha gjithashtu se nga ana e kryeministrit Rama është premtuar që Akademia të ketë një status të veçantë, por kjo nuk po ndodh.

“Ne nuk kemi marrë asnjë njoftim nga ministria e arsimit për përgatitjen e këtij projektvendimi. Ishte një lajm shumë tronditës dhe nuk shkonte me asnjë nga rregullat e organizimit të strukturave shtetërore.

Ka qenë një nismë në 2021, në kohën kur u zhvilluan zgjedhjet në akademinë tonë.

Akademia është e organizuar në bazë të ligjit të arsimit dhe të shkencës.

Në 2018 nga ish ministrja e asaj kohe Lindita Nikolla është miratuar statuti i akademisë. Në këtë statut që është edhe kushtetuta jonë e brendshme është e përcaktuar qartë se ky është një institucion kërkimor shkencor që përbëhet nga 4 institute kryesore.

Ka një vijimësi të punës së kërkimit shkencor. Burimet e financimit janë nga ministria e arsimit.

Në një takim që ka patur ish rektori në Vlorë i është premtuar nga Rama se akademia jonë duhet patjetër që të ketë një status special. Pra të fokusohet tek ato akademi që janë të specializuara për fusha të caktuara dhe që janë elemente i kërkimit shkencor.

Megjithëse kemi tentuar disa herë, rregulli e ka që ministria e Arsimit duhet t’i propozojë qeverisë. Në vend që të  ndodhë kjo që ne të kemi një status special, shohim që është përgatitur një pr/ligj që shkrin Akademinë Albanologjike dhe pretendohet se do jetë pjesë e Akademisë së Shkencave.

Këtu kemi edhe një problem, as  Akademia e Shkencave nga ana ligjore nuk është gati të presë institute në ASH. Në ligjin e saj Ajo nuk ka të drejtë të ngrejë kërkim shkencor brenda sistemi të saj sepse është një akademi e nivelit honorifik.

Nëse kemi të bëjmë me një reformë, atëherë pse nuk jemi edhe në pjesë e këtij diskutimi. Si mund të bëhet një reformë kur institucionet nuk diskutojnë dhe përjashtohen palët”, tha Përzhita, ndërsa sqaroi se ‘ky institucion ka 32 bashkëpunime ndërkombëtare që nëse shkrihet këto do të humbasin’.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.