OPINION

Dëshmi të mbështetjes amerikane në Ballkan!

10:00 - 30.05.23 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me ftesë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, në mesin e muajit Maj ishte për vizitë njëjavore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë ( KAA) i kryesuar nga Presidenti i tij, Timothy Chorba. Ky Këshill përbëhet nga një numër i madh ambasadorësh karriere, shumë prej të cilëve drejtojnë think tanke, organe mediatike, kompani dhe firma lobiste me ndikim në opinionbërjen amerikane. Veç përvojës teorike dhe në terren, KAA-ja ka njohje dhe tabllo tërësore të gjendjes në Ballkanin Perendimor, falë vëmendjes dhe misioneve të tij të përvitshme faktmbledhëse në këtë rajon.
Përpara se të ndalemi në gjetjet dhe mesazhet e tij, do nënvizuar se ky mision ishte një nga dëshmitë më të freskëta të interesimit dhe mbështetjes së diplomacisë amerikane për rajonin tonë. Kështu, më 27 Prill u emërua ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, David Kostekancik, njohës brilant i vendit dhe rajonit tonë; 10 ditë më parë u emërua Ndihmës sekretari i ri i Shtetit për Europën, James O’Brien, autoritet në fushën e Ballkanit Perendimor, ekspert elitar në fushën e demokracisë, luftës kundër korrupsionit, etj. Ndërsa më 19 Maj, gjendja dhe sfidat madhore gjeopolitike në Ballkanin Perendimor u bënë objekt i një debati të posaçëm në Komisionin e Jashtëm të Senatit Amerikan, ku raportuan Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan Derek Chollet dhe zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, i Ngarkuari për rajonin tonë, Gabriel Escobar. Muajt e fundit të dy ata bashkë me homologët e tyre të BE-së kanë qenë, siç i thonë fjalës, “java shtatë dhe dita tetë” në të gjitha kryeqytetet e rajonit.
Mbas këtij debati, më 21 – 26 Maj, dy senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters shkuan në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Shkup dhe në Tiranë, ku zhvilluan bisedime me autoritetet më të larta shtetërore, qeveritare, parlamentare dhe diplomatike të këtyre vendeve me demarshe për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Duke iu rikthyer turit një javor faktmbledhës të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë në rajonin tonë, nisur nga rëndësia e posaçme që ai i kushtoi këtë vit problematikave rajonale, në delegacionin e tij të zgjeruar ishin 16 ish ambasadorë dhe ambasadore të profileve të ndryshme; kjo bëri të mundur që ata të trajtojnë një katalog tejet të pasur dhe të larmishëm tematikash dypalëshe, rajonale dhe më gjerë. Tregues tjetër i rëndësisë së këtij misioni ishte se në të tre kryeqytetet e rajonit, Delegacioni Amerikan u takua me Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku shkëmbyen ide dhe mendime të ndryshme mbi zhvillimet në vendet përkatëse dhe rajon.
Në Tiranë, delegacioni Amerikan zhvilloi bisedime rreth procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, zhvillim eve rajonale e atyre politike të brendshme me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, me Kryetaren e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, Mimi Kodheli, me ish-Presidentin Meta, dhe me përfaqësues të partive të tjera politike të opozitës.
Ai mori pjesë dhe në ceremoninë festive të datës 8 Maj, me rastin e 5 vjetorit të themelimit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, me të cilin ka partneritet të ngushtë institucional, me praninë dhe të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Chorba u shpreh se “Këshilli ynë i Ambasadorëve Amerikanë në Uashington ka patur nderin t’u japë këshilla homologëve tanë në Tiranë gjatë gjithë evoluimit të Këshillit tuaj dhe shndërrimit në këtë Organizatë të jashtëzakonshme që është sot”.
Rrugës për në Kosovë, delegacioni u prit në Prizren nga Kryetari i Komunës Shaqir Totaj dhe vizitoi Shtëpinë Muze të Lidhjes së Prizrenit. Në Rahovec ai vizitoi Kantinën e Verës “Stone Castle”, ndër investimet më të mëdha të diasporës shqiptaro-amerikane në Kosovë.
Në Prishtinë, delegacioni Amerikan zhvilloi takime me Kryetarin e Kuvendit Konjufca, Kryeministrin Kurti, Ministren e Punëve të Jashtme Gërvalla-Shvarc, Kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama, me partitë politike Shqiptare të opozitës dhe përfaqësues të komunitetit Serb. Mysafirët amerikanë vlerësuan zhvillimet demokratike, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe faktin që Kosova është kontribuese e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ata shprehën përkushtimin e SHBA-së për forcimin e gjithanshëm të shtetit të pavarur të Kosovës.
Miqtë e lartë amerikanë konfirmuan mbështetjen për arritjen e një marrëveshje përfundimtare të Kosovës me Serbinë, që do të kishte në themel njohjen reciproke të dy shteteve. Ambasadori Chorba theksoi disa herë se Republika e pavarur e Kosovës është realitet i pakthyeshëm. Në këtë kuadër, u theksua se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, me theks te njohja reciproke, do të forconte paqen e sigurinë në rajon dhe do të minimizonte ndikimin rus. Mirëpo kjo kërkon dhe vullnetin politik të palës serbe për një marrëveshje përfundimtare me Republikën e Kosovës; ndërkohë, që Serbia duhet të heqë dorë nga standardet e dyfishta që ajo kërkon për pakicat Serbe në Kosovë; kur raportet e DASH, KiE-së, dhe Komitetit të Helsinkit të Serbisë, kanë dhënë alarmin për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve dhe të të drejtave të tyre legjitime në Luginën e Preshevës.
Delegacioni i KAA-së vizitoi dhe Kampin ushtarak amerikan “Bondsteel”, i cili është shndërruar në një element të fuqishëm sigurie dhe stabiliteti për Kosovën dhe rajonin.
Me shumë interes ishte veprimtaria e veçantë e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë me homologët e tyre amerikanë në Kolegjin AAB në Prishtinë, me rastin e 101 vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike Shqiptaro-Amerikane dhe 15 vjetorit të vendosjes së këtyre marrëdhënieve midis Kosovës dhe SHBA-ve. Në këtë veprimtari, kontribuan me referate Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Lulzim Tafa, Presidenti i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Besnik Mustafaj, Presidenti i KAA-së, Timothy Chorba, Zv. Presidenti i tij, Ambasador Philip Hughes, Ambasadore Lorie Fulton, Avni Spahiu, ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, etj. Kolegji AAB nderoi CAA-në me titullin ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrim, në nderim të kontributit që diplomacia Amerikane ka dhënë në shtetformimin dhe demokracinë në Kosovë.
Delegacioni i lartë i CAA-së vijoi turin në Shkup. Aty ai u prit në takime të veçanta nga Presidenti Pendarovski, Kryetari i Kuvendit Xhaferri, Kryeministri Kovaçevski, Zv. Kryeministri Maricikj dhe nga përfaqësues të opozitës maqedonase dhe shqiptare.
Në këto takime të ngrohta dhe miqësore, u shkëmbyen informacione të detajuara dhe vlerësime pozitive mbi sfidat që po kalon shoqëria e Maqedonisë së Veriut, kryesisht në rrugëtimin drejt BE-së dhe problematikës së ngritur nga Bullgaria, me pozitën dhe rolin/kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, etj. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferri foli dhe për sfidat e qeverisë dhe të shoqërisë në MV dhe rolin e shqiptarëve, si faktor i rëndësishëm për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE.
Përparësi në të gjitha këto takime kishte diskutimi, vlerësimi dhe konfirmimi i faktit madhor se përkundrejt trysnisë dhe rrezikut rus, faktori shqiptar, në të gjitha shtetet ku jeton është komponent që përcakton orientimin pro- Amerikan dhe Evropian të rajonit.
Në këtë kuadër, mysafirët amerikanë zhvilluan takime në Tiranë dhe në Prishtinë me përfaqësues të partive politike shqiptare të Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, ku shkëmbyen mendime mbi zhvillimet rajonale dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve.
Gjatë këtyre takimeve u konstatua që megjithë zhvillimet pozitive lidhur me të drejtat e Shqiptarëve në Malin e Zi, problemet me integrimin e tyre të plotë në strukturat shtetërore, dhe përdorimin e gjuhës amëtare mbeten çështje ende të pazgjidhura plotësisht.
Në kuadrin e rritjes së rolit dhe të drejtave të faktorit shqiptar në rajon, një nga shqetësimet më të mëdha që u trajtua gjatë kësaj vizite ishte situata alarmuese e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kjo gjendje tejet shqetësuese u diskutua dhe në takimin e përfaqësuesve të partive politike të Luginës me KAA-në në Prishtinë më 10 maj. Aty u kërkua rritja e trysnisë mbi qeverinë Serbe për të ndalur “Spastrimin Modern Etnik të Shqiptarëve”, nëpërmjet pasivizimit të adresave, mungesës së investimeve dhe perspektivës për shqiptarët në Luginë, etj.
Në këtë drejtim u vlerësua një raport që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka përpiluar mbas misionit të tij faktmbledhës në Luginë në muajin Prill. Gjetjet dhe sugjerimet e tij konkrete u janë dërguar 2 javë më parë dhe instancave më të larta të BE-së, OSBE-së, KiE-së, Departamentit Amerikan të Shtetit, etj, duke marrë reagime paraprake premtuese. Në fakt, është e papranueshme kur Serbia nga njera anë çirret e bërtet për asociacion por nga ana tjetër në Luginë “po bëhet batërdia” dhe askush nuk do t’ia dijë. Përse? Sepse në vitin 2011 nuk u përfshi në axhendën e dialogut me Serbinë, se na i “prishej humori” kësaj të fundit. Ndonjë mund të thotë, e mo mirë, po fundja sa banorë kanë mbetur atje, kanë ikur shumica. Mirëpo, të mos harrojmë atë që Kenedi deklaroi 60 vjet më parë në Berlin se “dhe kur një qytetar i vetëm nuk është i lirë, as ne të tjerët nuk mund të jemi të lirë”!
Me këtë rast u konstatua se gjendja në Maqedoninë e Veriut është më e avancuar. Pas miratimit të Marrëveshjes historike të Ohrit, me punën e madhe të bërë dhe nga partitë shqiptare për zbatimin e Marrëveshjes, shqiptarët atje që përbëjnë mbi 30% të popullsisë janë bërë faktor shtetformues dhe promotorët kryesorë të proceseve integruese në NATO dhe në BE. Por ka ende përpjekje diskriminuese nga qarqe të caktuara sociale dhe te drejtues në Shkup, që mendojnë se janë autoktonë në ato territore dhe me reminishencat e së shkuarës paragjykojnë se kanë të drejtën ekskluzive për të drejtuar vendin.
Lidhur me disa pohime nga ndonjë zyrtar i lartë maqedonas se Serbia dhe Vuçiç janë miqtë më të mirë të Maqedonisë së Veriut, duke i qëndruar asaj pranë në çdo moment të vështirë, anëtarët e KAA-së u përgjigjën duke thënë se Vuçiç zbaton një politikë konfliktuale për Kosovën, të cilën ju e keni njohur, e cila i qëndron afër politikës Ruse në rajon.
Së fundi, kjo vizitë rikonfirmoi vëmendjen amerikane për rajonin dhe përkushtimin e saj ndaj të gjitha vendeve tona në të ardhmen. Ajo përforcoi mbështetjen për perspektivën euroatlantike të rajonit, për demokratizimin e mëtejshëm dhe proceset integruese, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si elementë negativë pandemik për të gjithë rajonin, mbështetjen në adresimin e agresivitetit rus, zgjidhjen e mosmarrvëshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, mbështetjen për demokratizimin e shoqërisë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, etj.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.