KULTURË

“Tri drama” një libër me vlera i Bashkim Kozelit

10:00 - 31.05.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Pano Hallko – Të paktë janë shqiptarët e sotëm, që e kanë ndërmend emrin Bashkim Kozeli.
Në fakt, do ishte harruar edhe emri i Enverit, nëse nuk e përmendte tre herë në ditë(pas buke), e gjithë klasa politike, për 30 vjet rresht.
Emrin Bashkim Kozeli e respektojnë njerëzit me kulturë të gjerë në këtë vend, të cilët siç dihet, janë të paktë. Kryesisht janë njerëzit që kanë ndjekur teatër ndër vite, në kohën kur kishim edhe teatër.
Ai është ndër 10 penat e spitakura që i erdhi këtij vendi, nga ish shkolla “Skënderbej”. Me uniformën e oficerit ai kreu detyra të ndryshme si Shef Kulture, shkrimtar në profesion të lirë, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Ministrinë e Mbrojtjes etj. Në ato vite ai shkroi mjaft vepra që i qëndruan kohës. Shkroi dymbëdhjetë drama që u vunë me sukses në skenë në shumë teatro të Shqipërisë. Bashkimi ishte 26 vjeç kur shkroi dramën “Shokët”, e cila në vitin 1968 u vu në skenë nga Teatri i Vlorës, i Gjirokastrës dhe nga Teatri Popullor në Tiranë.
Ashtu siç edhe veprat e tjera të tij “Sinjali i kuq”, “Lidhur si fishekë gjerdani”, “Troket historia”, “Pyesni malet”, “Pavdekësi”, “Ëndrra e Ismail Qemalit”, “Në emër të lirisë’, “Nënë Tereza kur ishte gonxhe”, Pavdekësi” “Komandanti i Baterisë”, “Ustai”, “Buzëqeshjet e një mbrëmjeje”, Komedia “Si rruar qethur”, e së fundi tri dramat; “Vajza e gjeneralit”, Dasmë në Luftë” dhe “Dashuri Ballkanase”.
Pjesa dërrmuese e tyre u luajtën edhe në Teatrin Popullor të Tiranës
Ato u vunë në skenë nga disa prej regjisorëve më të njohur të vendit si Pandi Stillu, Piro Mani, Dhimitër Orgocka, Leka Bunga, Bernard Kokalari, Piro Sava, Spiro Duni, ndërsa në filma u angazhuan Fehmi Hoshafi, Juli Xhokaxhi dhe Ylli Pepo (RTSH). Artistë të shquar u dhanë jetë perssonazheve të veprës së autorit ushtarak, si; Sandër Prosi, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Kadri Roshi, Albert Vërria, Agim Qiriaqi, Sulejman Pitarka, Prokop Mima, Pavlina Mani, Robert Ndrenika, Reshat Arbana, etj.
Ai është autor i skenarëve të disa filmave të Kinostudios “Shqipëria e Re”, por edhe i serialeve televizivë dhe ka fituar disa herë, çmime në konkurset kombëtare të dramës.
E kanë harruar shumica emrin e tij, por dramaturgu ynë i shquar Bashkim Kozeli, kjo figurë me peshë në letrat shqipe dhe në artin shqiptar, nuk i ka harruar kurrë ata.
Ai nuk mundet t‘i harrojë shqiptarët, jo vetëm për faktin se është shqiptar 400 karatësh, por kryesisht për faktin se është një intelektual që përjeton thellë zhvillimet e kombit të tij.
Kanë kaluar rreth dy vite, që ai ka botuar tri Drama. Ndër të cilat dy prej tyre, përshkruajnë me art të thellë dhe me njohuri të thella të një historiani të mirëfilltë, dy nga tragjeditë e këtij kombi.
“VAJZA E GJENERALIT” DHE…
Prej më shumë se 20 ditësh në këtë vend, po zien një debat ndër shumë rrethe analistësh, në gjithë klasën politike shqiptare, por edhe në marrëdhëniet mes vendit tonë dhe fqinjit jugor.
Nëse do kishim teatër, më saktë nëse do kishim regjisorë të vërtetë, do vihej në skenë Drama e Bashkim Kozelit me titullin e mësipërm, “Vajza e gjeneralit”. Po ta lexonin atë dramë këta që “ndeshen me alternativa”, do të gjenin shkaqet e ngjarjeve të datës 12 Maj, që morën shkas nga arrestimi i kandidatit për kryetar bashkie në Himarë.
Kur e ka shkruar këtë dramë para shumë vitesh, shkrimtari i shquar nuk e ka ditur se çfarë do ndodhte në votimet për pushtetin vendor, në maj të vitit 2023.
Sepse nuk kishte nga ta dinte, e nuk imagjinonte të ndodhte. Por pak shkrimtarë dhe dramaturgë në nivelit të Bashkim Kozelit, kanë ca “antena” të veçanta, me të cilat nuk mund të jemi të pajisur ne, shumica.
Ngjarjet e kësaj drame, vendosen në Athinën e vitit 1926, në shtëpinë e një gjenerali të ushtrisë së atij vendi, i cili ishte në ditët e fundit të karrierës së tij, në prag të daljes në pension. Një gjeneral, i cili qysh në vitet 1913-1914(toger atëherë), e deri në mesin e viteve ‘20-të(gjeneral), kishte maskaruar dhe ndjekur me zjarr e me hekur, shqiptarët e Çamërisë.
Në 1914 i therte, e në vitin 1926, i hipte në vaporët e turpit për në Turqi, në kuadrin e marrëveshjes greko-turke për…”shkëmbimin e popullsisë”. Madje në ditët kur zhvillohen ngjarjet, ai endet në shtëpinë e tij në Athinë duke diktuar fjalimin me rastin e daljes në pension. E meqë është plagosur në krahun e djathtë, ia dikton fjalën ordinanacës së tij, për ta shkruar në makinën e shkrimit.
Familja e gjeneralit, kishte vetëm dy anëtarë; vetë atë dhe vajzën e tij, e cila vazhdonte në Paris studimet për Drejtësi. Shto këtu edhe shërbëtoren besnike, pasi gruaja i kishte vdekur. Madje as në përcjelljen e gruas së tij, ai nuk mundi të merrte pjesë, sepse ishte “i zënë” me operacionet genocidit në Çamëri!
Ajo që të bën përshtypje duke lexuar këtë dramë, nuk është thjesht niveli i të shkruarit. Sepse profesor Bashkim Kozeli është ndër të paktët në këtë vend, që gjithë jetën ka ditur të shkruajë me nivel të lartë dhe me art të thekur.
Përkundrazi, pështypje të bëjnë njohuritë e thella të tij për historinë, për ngjarjet. Do mundej të ishte edhe një trill artistik i dramaturgut tonë të shquar, fakti që vajza e gjeneralit njihet në Paris, me një djalë nga Parga. Po ja që nuk është trill i tij. Është një nga mijëra ngjarjet makabre të atij genocidi shoven shtetëror, që u krye me kryq në dorë.
Djali, i cili qysh fëmijë i kishte shpëtuar llavës shovene greke, vetëm me babain e tij. Në këto kushte i ati e rrëmbeu djalin e tij të vogël që e gjeti të lebetitur mbi trupin e masakruar të nënës së tij, e iku nga sytë këmbët dhe vapori e shkarkoi në…Francë.
Aty djali nisi klasën e parë të shkollës, e meqenëse qysh i vogël u mor me balet, arriti të bëhej një balerin i shkëlqyer, i shumëkërkuar në Paris.
Aty, në skenë pas përfundimit të shfaqjes, një studente greke e vitit të parë universitet, ngjit shkallët e skenës dhe i dhuron lule balerinit të ri, madje e puth para publikut.
E kjo ishte pikërisht vajza e gjeneralit grek, i cili kishte shuar familjen e balerinit, i cili e kishte përzënë nga trolli mijëravjeçar i të parëve të tij.
Ky gjeneral, kishte pushkatuar në vend, në mes të Përmetit ordinancën e tij, sepse ai, i tmerruar nga masakrat, i pat thënë:
-”Ku është vorio-epiri këtu, zoti Komandant? Këtu ortodoksët nuk flasin greqisht, e myslimanët nuk flasin turqisht. Ajo plaka aty, po e qan djalin që i vramë ne, me ligje, si ne arvanitët!!!”
Mjaftoi kaq, që mender gjenerali të zbrazte gjithë plumbat e kobures së tij, mbi kokën e ordinancës së tij!
Është padyshim një rast pa të dytë të ngjashëm në botë, kur gjenerali vret ordinancën e tij. Sepse është një shovinizëm pa të ngjashëm në botë, shovinizmi i shtetit grek mbi shqiptarët…
Zhvillimet dhe mbyllja e kësaj drame, le të mbeten kuriozitet për lexuesit, ndoshta më së pari për ata, që ende merren edhe me profesionin e regjisorit.
… NJË DASHURI BALLKANASE
Në të njëtjën linjë, pra në dashurinë mes dy racave të kundërta, zhvillohen ngjarjet edhe në dramën me titullin e mësipërm, “Një dashuri ballkanase”. Por kësaj here me “fqinjin” tjetër, me atë veriorin tonë. Poshtë titullit, autori shkruan përkushtimin e tij: -”Në kujtim të cclirimtarëve të Kosovës”.
Autori, si të paktët shqiptarë që jetojnë me hallet e këtij kombi, e njeh mirë faktin që prej mëse 30 vitesh vajza nga Malësitë tona martohen nëpër fshatrat e Serbisë. Përmes “menaxherëve”, që quhen edhe shkues, kuptohet. Ikin dhe martohen nëpër fshatrat serbë dhe punojnë tokat e serbëve, a thua se toka jonë nuk është tokë. Ato shkojnë dhe lindin fëmijë në Serbi, duke shtuar popullin serb. Janë realizuar disa emisione me zë dhe figurë, me “nuset” që shkojnë në Serbi, e me “dhëndurrët” fshatarë serbë, të cilët jo në pak raste, janë edhe me të meta.
Por dramaturgu i mirënjohur Bashkim Kozeli në dramën e tij bëhet “shkues” e jo menaxher, në dashurinë mes dy të rinjve; gazetares serbe me emrin Ljuba dhe mësuesit shqiptar me emrin Azem Krasniqi.
Ata ishin rritur në oborret e njëri-tjetrit në Kosovë, se shtëpitë i kishin pranë. Jeta i ndau, sepse Ljuba shkoi dhe u arsimua në Beograd për gazetari, kurse Azemi mbaroi studimet në Universitetin e Prishtinës për mësues. Përfundimi i luftës çlirimtare të kosovarëve, e solli Ljubën te prindërit e saj në Kosovë. Dhe vizitën e parë, e shoqëruar nga nëna e saj Sofija, e bëri te komshinjtë shqiptarë, te shtëpia e Azemit. Sepse i kujtohej që e ëma e Azemit, i jepte një lugë mjaltë fshehurazi nga fëmijët e saj, duke i thënë:-”Haje ti këtë, se je shëndetligë”!
I qenka shkruar këtij kombi që, buka që i jep kojshiut, t‘i kthehet me helm dhe plumba!
Aty Ljuba me Azemin përgatitën një Revistë dhe, e faqosën, madje e dërguan për print. Por falangat serbe e bllokuan në shtypshkronjë Revistën që bënte thirrje për bashkëjetesë paqësore. Dy të rinjtë që dashuroheshin, vendosën edhe datën e martesës. Madje edhe me bekimin e prindërve të tyre. Por pikërisht natën që u shpall martesa, u gjend një plumb serb për të vrarë Ljubën, e cila “tradhtoi kombin” e saj. Kishte harruar e mira Ljuba, arsyen se përse e zhduku Milloshevicci nga harta Vukovarin, në kufirin kroato-slloven. Vetëm për faktin se në atë vend martesat bëheshin të përziera dhe nuk pranonin të quheshin as serbë, as kroatë, as sllovenë, as myslimanë. Por thjesht ata e quanin veten e tyre… Vukovaras! …
… Sa për Dramën e tretë me titull “Dasmë në luftë”, e cila i ngre përmendore të re Luftës së Vlorës, ndoshta duhet një analizë tjetër…
… “Pavarësisht hamëndesimeve se ku e gjeti frymëzimin për të shkruar veprat e tij, e rëndësishme është se të gjithë lexuesit dhe spektatorët shohin se Atdheu dhe fluturimi, janë dy dashuritë e mëdha të autorit. Në shumë raste njerëzit i ndjejnë disa dashuri më fort, kur i humbin ato. Bashkim Kozeli për pak e “humbi” atdheun diku nëpër fushat e Rusisë ku studionte për pilot dhe e “humbi” ëndrrën e fluturimit diku në fushat e Vlorës. Të dyja këto dashuri, i dhanë Bashkimit frymëzimin për veprat e shkruara”. Kështu e përshkruan gazetari i mirënjohur Agustin Gjinaj, dramaturgun tonë të shquar Bashkim Kozeli.
Shumica e shqiptarëve, mund ta kenë harruar emrin e tij. Por Bashkim Kozeli, nuk i ka harruar shqiptarët. Ai vazhdon dhe shkruan për ta. Me të njëjtin nerv, me të cilin shkroi Dramën “Shokët”…





Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. BASHKIM KOZELIN, E NJEH SHQIPËRIA ME NDËRGJEGJE KOMBËTARE.
    PËRGËZIME AUTORIT, QË KA SJELLË PËRMBAJTJEN E DY DRAMAVE, NË THELBIN E TYRE!
    PËRGËZIME GAZETËS SHQIPTARE, ZOTIT ERL MURATI, QË PUBLIKON VLERAT E SPIKATURA TË KËTIJ VENDI!

    Përgjigju ↓