AKTUALITET

Arrestimi i sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë për ryshfet, PD kërkon dorëheqjen e Manastirliut: SPAK ta hetojë

18:34 - 03.06.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen dhe hetimin e ministres së Shendetësisë, Ogerta Manastirliu, pas arrestimit të sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shendetësisë, për korrupsion.




Përmes një deklarate të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, thuhet se heshtja e Manastirliut tregon se ky nuk ishte një rast i izoluar.

Kujtojmë se sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, u arrestua pasi u kap në flagrancë duke marrë 330 mijë lekë ryshfet nga një kompani për të fituar tenderin e supervizimit të ndërtimeve në qendra shëndetësore të Tiranës dhe Durrësit.

DEKLARATË E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Korrupsioni sistematik në Ministrinë e Shëndetësisë nuk mund të kalojë në heshtje dhe nuk mund të kalojë pa përgjegjësi politike. Arrestimi në flagrancë i zyrtares më të lartë publike të Ministrisë së Shëndetësisë provon sesa i përhapur është korrupsioni në qeverinë e Edi Ramës.

3 vite më parë, në kulmin e pandemisë, PD provoi me dokumenta zyrtarë se Ministria e Shëndetësisë i përdori tenderat sekretë për të vjedhur qytetarët. Pajisjet dhe medikamentet antiCovid u blenë 3-5 herë më shtrenjtë, por Ministrja e Shëndetësisë refuzoi të mbajë përgjegjësi politike. Po ashtu, SPAK-u nuk i shërbeu interesit publik me hetimin gjysmak.

Sot është koha që SPAK të mos bëhet sërish mburojë e korrupsionit të nivelit më të lartë politik në Ministrinë e Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu nuk mund të bëjë sikur nuk e di çfarë ndodh me tenderat në Ministrinë e saj. Edhe shqiptari më i painteresuar për këto punë, e di që ministri ka dijeni dhe vendos për fatin e një tenderi. Zotërinj të SPAK-ut, mos bëni sikur nuk e dini këtë! Hetoni edhe Ogerta Manastirliun!

Heshtja prej 24 orësh e Ministres së Shëndetësisë dhe mosdistancimi i saj prej veprimeve korruptive të bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, dëshmojnë se korrupsioni i Sekretares së Përgjithshme nuk është një rast i izoluar. Ogerta Manastirliu në Ministrinë e Shëndetësisë është pjesë dhe i shërben një sistemi të kalbur nga korrupsioni.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke mbështetur dhe inkurajuar drejtësinë të zbardhë të plotë skemën korruptive me tendarat në shëndetësi, kërkojmë dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu, si përgjegjësja kryesore politike e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe për ti hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.