OPINION

Komunitet i ri politik apo forum simbolik?

09:00 - 03.06.23 DR. JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kjo pyetje lind natyrshëm mbas përfundimit të Samitit të II të Komunitetit të Ri Politik Europian më 1 Qershor në Moldavi me praninë e 47 liderëve europianë. Vendi i Samitit, Kështjella vitikulturore “Mimi”, 35 km në juglindje të Kishinaut, kryeqytetit moldav dhe 20 km larg kufirit me Ukrainën u zgjodh enkas nga mikpritësit moldavë, që të përcillej më mirë mesazhi madhor për të gjithë, por sidomos për Rusinë dhe Bjellorusinë, 2 të munguarat e tij “Jemi me Ukrainën deri në fitore!” dhe “ Larg duart nga Moldavia”!
Nën dritën e kërcënimeve ruse, 15 muaj pas agresionit të saj të paprovokuar ndaj Ukrainës, logoja europiane e këtij Samiti ishte “ Moldavia nuk është vetëm”! Samiti ishte padyshim ngjarja më e madhe politike në historinë e këtij vendi me 2,7 milionë banorë. Me të drejtë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nënvizoi se “ sot Moldavia është zemra e Europës”
Ky Samit ia doli mbanë të përcillte fuqimisht kudo këto dy mesazhe madhore gjeopolitike, bashkë me dënimin e fuqishëm të agresionit rus, mbështetjen e gjithanshme për Ukrainën deri në fitore dhe perspektivën e saj të përshpejtuar Euro-Atlantike, së bashku me Moldavinë, natyrisht sipas parimit “ gjella me kripë por kripa me karar!” Prania e fizike e Presidentit Ukrainas Zelenski, tani jo më si i ftuar, por si antar i këtij forumi i dha theks më të fortë këtyre mesazheve.
Por, ndryshe nga samite të organizatave të tjera ndërkombëtare, këto dhe të tjera mesazhe u dhanë në mënyë informale, në panele diskutimi mes grupesh të vogla, pa fjalime plenare për shkak të numrit të madh të liderëve të pranishëm; pa asnjë vendim apo premtim konkret, pa asnjë deklaratë dhe komunikatë shtypi, qoftë dhe të mikpritësve të Samitit. Të gjitha këto për shkak të natyrës së veçantë të këtij grupimi dhe për të shmangur ndonjë incident që do të kompromentonte ose cënonte integritetin e Samitit të Dytë të KPE-së. Aq, asgjë më tepër.
Dihet tashmë se idenë për krijimin e saj e hodhi Presidenti francez Macron vitin e kaluar më 9 Maj në Seancën Plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, dhe e konfirmoi në Samitin e BE-së me 24 Qershor në Bruksel. Këtë shpike ai e bëri siç i thonë fjalës “nga halli e jo nga malli”. E sajoi këtë eufemizëm tingëllues diplomatik, mbasi ia refuzuan idenë e mëparshme për në BE “me dy korsi/shpejtësi ose me tri rrathë koncentrikë”. Sipas tij, KPE-ja do të ishte “ laborator gjeopolitik” në përgjigje të kërkesave dhe sfidave me të cilat përballej Europa, paqja dhe demokracia, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
Ndërsa zyrtarisht, ky Grupim i ri europian konsiderohet platformë “për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët dhe forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe begatisë në kontinent”.
Mbas Samitit inaugurues të 6 Tetorit në Pragë, që dihet se nuk mund t”’i jepte më shumë se frymën dhe parimet udhëheqëse KPE-së u tha se gjatë periudhës deri në Samitin e Moldavisë kishte kohë të mjaftueshme për të përpunuar ide dhe mendime të ndryshme, me qëllim që mbi atë bazë të hartohej një program konkret me tematikat, anëtarësimin, instancat drejtuese dhe teknike bashkë me procedurat e tjera të nevojshme për një organizëm të tillë madhor paneuropian. Kjo dhe për të shmangur paralelizmin dhe mbivendosjet me organizata të tjera Euro-Atlantike dhe mbi 20 nisma rajonale. Veç kësaj, sfida dhe konkurrenca është e madhe mbasi ka forume dhe samite informale me emër dhe tradita, ku shquhen Konferenca Ndërkombëtare e Sigurisë e Munihut dhe Forumi Botëror i Davosit në Zvicër, ku mblidhen 4-5 herë më shumë liderë nga e gjithë bota, Europa dhe rajoni.
Mirëpo, kaluan tetë muaj dhe në Moldavi nuk pamë asgjë të re dhe konkrete nga këto që u përmendën më lart. Veç ndonjë përmendje kalimthi dhe në parim dhe natyrisht për Samitin e 1 Qershorit, asgjë nuk është dëgjuar për KPE-në, aq sa shpesh ia harrojnë ose ngatërrojnë dhe emrin!
Në këto kushte, dalin sërish në skenë dyshimet dhe hamendësimet e mëparshme. Përse ky grupim i ri? Cilat janë veçoritë e tij dalluese, përparësitë, dallimet, problemet dhe pengesat? Dhe a do të jetë vërtet një grupim apo organizatë e re politike apo thjesht një forum simbolik, siç u cilësua nga disa media të huaja dhe nga Samiti i Kishinaut. Apo siç thuhet në ndonjë media të huaja, KPE-ja do të bëhet pjesë e “cirkut të samiteve në majat e politikës europiane?.”
Për të kuptuar më mirë këtë realitet dhe pasojat e tij për të ardhmen e KPE-së, çka është dhe më me interes për këdo, le të ndalemi disi më gjatë te tri komponentët kryesorë gjeopolitikë të mëposhtëm të cilët diktuan dhe lindjen e KPE-së.
Komponenti i pârë themelor lidhej me faktin se kriza e COVID – 19 dhe veçanërisht agresioni rus ndaj Ukrainës tregonte se BE-ja me 27 vende antare e ka të pamundur të luajë e vetme rolin e saj gjeopolitik në skenën europiane dhe më gjerë.
Në këto kushte, një ndër objektivat e saj kryesore ishte që në kuadrin e krijimit të një fronti të gjerë të shteteve demokratike të mblidhte rreth vehtes disa vende të tjera, të cilat nuk synojnë antarësimin në BE, si Norvegjia, Islanda, Zvicra, ose e kanë të pamundur këtë antarësim brenda një afati të shpejtë kohor; tipik është rasti i Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë dhe i Ballkanit Perendimor.
Veç vendeve të lartpërmendur, për realizimin e objektivave të saj gjeopolitike, BE-ja ka nevojë të ngutshme për zgjerim dhe kohezion politik dhe me vende të mëdha fqinje dhe shtete të tjera të fuqishme, sidomos Britaninë e Madhe, Turqinë dhe aktualisht Ukrainën.
Mirëpo, këto argumenta në favor të krijimit të KPE-së bien poshtë kur mendon se BE-ja mund ta luajë fare mirë dhe pa KPE-në këtë rol me 27 vendet e saj, dhe në bashkëpunim të ngushtë me “ simotrat “ e saj – NATO-n, OSBE-në dhe KiE-në, ku praktikisht janë të 47 vendet e KPE-së, plus SHBA-të, Kanadanë dhe vende të tjera.
As shpjegimi i dytë se KPE-ja lindi si nevojë për t’i bërë ballë më mirë agresionit rus ndaj Ukrainës nuk është bindës. Mjafton të shohësh punën e bërë dhe masat e ndërmarra edhe gjatë 8 muajve të fundit nga organizatat e tjera paneuropiane dhe më gjerë, del qartë se KPE-ja nuk ka luajtur asnjë rol, ca më pak të veçantë. Më konkretisht, në aspektin ekonomik, në 15 muajt e fundit BE-ja ka miratuar 10 dhe ka bërë gati pakon e 11 të sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë. Po kështu SHBA-të dhe shtete të tjera si Britania e Madhe, etj. Këto masa kanë marë mbështetjen dhe të KiE-së, NATO-s dhe nga Grupi i 7 vendeve më të zhvilluara të botës, çka u pa dhe në Hiroshima ditët e fundit. Ndërsa KiE-ja në një nga samitet e saj të rralla në Islandë më 18 Maj hapi një Rregjistër me nënshkrimet e 41 nga 47 vendet antare ku do të shënohen të gjitha krimet, humbjet dhe dëmet njerëzore dhe materiale që ka shkaktuar agresini rus në Ukrainë.
Në aspektin ushtarak, nën kryesimin e SHBA-ve dhe NATO-s, vepron aktivisht grupimi me 50 vende i vendeve që kontribuojnë me ndihma ushtarake për Ukrainën. SHBA nga fillimi i agresionit rus i kanë premtuar Ukrainës mbi 37 Miliard Dollarë vetëm për sigurinë. Dihen tashmë arritjet e mëdha në këtë fushë deri sa erdhëm te livrimi i tankeve “ Leopard” dhe “ Abrams “ dhe te dakordësia në Samitin e G7 në Hiroshima më 20 Maj mbi krijimin e koalicionit të madh Perendimor të avionave luftarakë F-16, etj.
Ndërsa, lidhur me anëtarësimin në NATO të Ukrainës, më 31 Maj ishte Takimi i Ministrave të saj të Jashtëm në Lituani, ku u diskutua konkretisht mbi këtë tema e cila pritet të trajtohet me përparësi në Samitin e NATO-s më 11 Korrik në Vilnius. Po të kishte “ këllqe” KPE-ja mund të ulte bashkë Ankaranë me Stokholmin për të kapërcyer ngërçin e krijuar midis tyre. Por kjo nuk mund të bëhej atje në panele.
Pastaj, edhe kohezioni politik gjatë Samtit të Moldavisë nuk është aq i fortë sa dukej nga fotot. Në mesin e 47 vendeve të KPE-së ka shtete, si Serbia me marrëdhënie të favorshme me Rusinë dhe që nuk i janë bashkuar sanksioneve kundër saj; pikërisht më 1 Qershor, Parlamenti zviceran votoi bindshëm kundër furnizimit të Ukrainës me armë të prodhuara në Zvicër! Këtë qëndrim e konfirmoi edhe Hungaria.
Nuk qëndron as ideja se KPE përbën një forum të përshtatshëm dhe të veçantë për vendet e rajonit tonë; në fakt, ato nuk janë “ lënë jashtë” përkundrazi. Në tri 3 dekadat e fundit vendet e Ballkanit Perendimor janë anëtare të BE-së, OSBE-së, KiE-së, shumica dhe të NATO-s, 9 vitet e fundit pjestare aktive të Procesit të Berlinit dhe në mbi 20 nisma shumëpalëshe dhe rajonale. Madje, më 31 Maj, në Samitin e Sigurisë Globale në Bratislavë, BE-ja shpalli një “ plan të ri të rritjes ekonomike për Ballkanin”
Ndërsa përsa i takon idesë së KPE-së si alternativë apo plotësim ndaj anëtarësimit në BE, ajo nuk” ngroh kërkënd, nuk “ngjit kurkund” dhe bart dy të këqia të mëdha:
Së pari, KPE-ja nuk zëvendëson dhe nuk e ngadalëson dot antarësimin në BE.
Kjo mbasi ky proces është kryesisht në varësi të ecurisë së vendeve kandidate në procesin e reformave demokratike, arritjeve dhe të dinamikave brenda BE-së.
Së dyti, kjo hedh hije të mëdha dyshimi dhe mbi vetë anëtarësimin në BE, i cili dhe kështu është venitur si asnjëherë tjetër. Për të mos përmendur vende dhe në rajon që e kanë anëtarësimin në BE më tepër si “ karem” dhe si “gjethe fiku”, apo “krushqi për konvejencë”, por në fakt nuk është se e duan me të vërtetë. Ca më keq akoma, siç treguan dhe zgjedhjet në Turqi, integrimi dhe anëtarësimi në BE po dalin nga “ moda politike”, duke ia lënë vendin sovranizmit, nacionalizmit, populizmit dhe “ izmave” të tjera më joshës.
Së fundi, duke iu rikthyer aspekteve organizative, KPE-ja nuk mund të vazhdojë të funksionojë më kështu. Pa një sekretariat, pa struktura drejtuese dhe teknike, pa program, pa një axhendë, mbi të gjitha pa mbështetje dhe projekte sado të vogla financiare, etj. Nëse vazhdon kështu, KPE-ja do të reduktohet në një forum simbolik, në një lloj organizate jo-qeveritare, duke e ulur më vonë dhe nivelin e përfaqësimit, një platformë pa bosht, pa bukë, pa bereqet dhe pa besueshmëri.
Përfundimisht, shpresat që KPE-ja të kthehej në një arkitekturë të re gjeopolitike në Europë me një autonomi cilësisht më të madhe janë zbehur dhe më shumë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.