

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas thirrjes së BE që në Veri të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme dhe situata të qetësohet, tha se sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë dhe se nuk mund të ketë asnjë pakicë të privilegjuar.
Në një deklaratë për mediat, Kurti tha se komunat në Veri janë asete të Kosovës dhe se nuk mund të ketë kryetarë të rinj pa zgjedhje të reja.
“Unë e kuptoj që në zgjedhjet që janë mbajtur në veri të Kosovës ka pasur dalje shumë të ulët dhe legjitimiteti është i vakët, mirëpo këta kanë pak legjitimitet e ata të tjerët kanë aspak legjitimitet. Prandaj, pas zgjedhjeve të reja mund të ketë kryetarë të rinj, e nuk mund të ketë kryetarë pa zgjedhje të reja dhe zyrat e ndërtesat e komunave në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok janë asete të Kosovës”, tha ai.
Më tej, Kurti ka deklaruar se gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit, ndërsa ka shtuar se për t’u bërë kjo sa më shpejt adresa për trysni është Beogradi e jo Prishtina, raporton Telegraf.