DOSSIER

“Mamanë e pushkatuan shtatzënë”- Flet Lavdie Nderu Merlika, e bija e çiftit që u dënua me vdekje

12:45 - 04.06.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

AFRIM IMAJ/ Lavdie Merlika (Ndreu), vajza e vetme e Dali Nderut dhe Liri Gegës, dy figurave të njohura të lidershipit historik të dënuar me vdekje në mesin e viteve ‘50, e rindërton ndarjen tragjike me prindërit duke veçuar tri momente kulmore: çastin e arrestimit, lajmin për vdekjen e tyre dhe pushkatimin e nënës shtatzënë.




Xhevit-Qesja-me-femijet

Ka qenë vetëm tetë vjeçe atëherë, por mban mend me detaje rrethanat e tragjedisë dyfishe. Sa kishim shkuar te xhaxhai në Sllovë, kur erdhën dhe i arrestuan papritur, kujton ajo. Thanë se i kapën në kufi duke u arratisur. Pas disa muajsh, mbërriti lajmi se i dënuan me vdekje si armiq të popullit. Çfarë ndodhi më tej, ishte një fatkeqësi më vete, shton Lavdija, duke rrëfyer kalvarin e vuajtjeve në kampin e Shtyllasit, përçudnimin e të tjerëve si familjarë të armiqve e tradhtarëve dhe stërmundimet sfilitëse në kërkim të eshtrave të prindërve që nuk i gjetën kurrë.

Sidoqoftë, për të, pushkatimi i nënës shtatzënë, ka qenë brenga më e madhe. Përtej mëdyshjeve për këtë akt makabër, të denoncuar zyrtarisht nga Hrushovi, vajza e çiftit të dënuar me vdekje, s’ka as dilemën më të vogël për faktin rrëqethës se nëna e saj është pushkatuar shtatzënë. Me dëshmi e prova të pakontestueshme, ajo të krijon bindjen se ka ndodhur pikërisht kështu, pavarësisht përpjekjeve të regjimit për të pohuar të kundërtën…

Zonja Lavdie, prindërit tuaj, dy nga personazhet e njohura të lidershipit komunist, janë pushkatuar në një ditë, me akuzën për tradhti ndaj atdheut dhe tentativë arratisje. Çfarë kujtoni nga ndarja tragjike me ta?

Kanë kaluar vite e dekada qysh atëherë. Isha vajzë e brishtë, kur mbeta jetime, pa nënë e baba. Tashmë jam bërë nënë e gjyshe. Koha shumë gjëra i ka venitur, vitet kanë bërë të tyre, por palca e ndodhive, pasojat, nuk mund të shqiten lehtë. Tri janë momentet kulmore që ruaj nga ajo ndarje tragjike: Çasti i arrestimit të prindërve, lajmi për vdekjen e tyre dhe pushkatimi i nënës shtatzënë. Jam rritur me brengën dhe dhimbjen e tyre. Kam qenë e vogël, shumë e vogël kur jam ndarë me prindërit. Pa përkujdesjen e njerëzve të babait, nuk do të isha kjo që jam. Xhaxhallarët, por sidomos gratë e tyre, kanë bërë gjithçka për të kompensuar dashurinë e prindërve të vërtetë. E them me plotë gojën që jetën time ua dedikoj atyre, përkushtimit dhe përkujdesjes së pakursyer që treguan për mua. Megjithatë…

Megjithatë, pas asaj që ndodhi, “nënë” e “babë” nuk ti nxuri më goja…

Nuk e di çka ka ndodhur në raste të ngjashme, por në rastin tim, fjalët “nënë” e “babë” nuk i kam shqitur kurrë nga vetja. Në shqiptimin e tyre, kam ndjerë gjithnjë diçka hyjnore, të shenjtë. Po, po. Si mund t’u flisja ndryshe atyre që s’më lanë kurrë pa ngrohtësi atërore. Paçka se edhe vet jetonin në mjerim e terror të skajshëm. I kam thirrur baba me plotë gojën, me gjithë shpirt xhaxha Beshirit dhe nënë Mynyres, gruas së tij. Për ta u bëra fëmija i tetë, por më e privilegjuara ndër shtatë të tyre…

E keni fjalën për kohën kur keni humbur prindërit. Po kur jetonit me ta, u kujtohet?

Patjetër që më kujtohet. Me ta jam ndarë kur isha tetë vjeçe. Asokohe jetonim në katin e dytë të një shtëpie private te Rruga e Kavajës. Prindërit kishin ardhur aty fill pas luftës. Babai, me sa mbaj mënd, ishte drejtor i ndërmarrjes së ndërtimit, po shpesh i flisnin gjeneral. Mamaja punonte mësuese në shkollën pedagogjike te rruga e Elbasanit. Unë vazhdoja shkollën te “Hasan Vogli”.

Si fëmijë, kuptohet nuk kisha si t’i dija peripecitë që kishin kaluar prindërit deri atëherë. Ajo që ndjeja ishte rrallimi i vizitave të miqve AFRIM IMAJ Lavdie Merlika (Ndreu), vajza e vetme e Dali Nderut dhe Liri Gegës, dy figurave të njohura të lidershipit historik të dënuar me vdekje në mesin e viteve ‘50, e rindërton ndarjen tragjike me prindërit duke veçuar tri momente kulmore: çastin e arrestimit, lajmin për vdekjen e tyre dhe pushkatimin e nënës shtatzënë. dhe shokëve të tyre, të cilët dikur hynin e dilnin shpesh.

Pra, një pjesë të fëminisë e keni kaluar në Tiranë, madje në kushte relativisht komode po të kemi parasysh kohën…

Si fëmijë i dy zyrtarëve, krahasuar me moshatarët e tjerë, kuptohet jetoja më mirë. Të tjerët, në pjesën më të madhe, nuk e kishin këtë privilegj. Kam mbresat më të bukurat nga ajo periudhë. Ndër to mbaj mënd dhuratat e prindërve për ditëlindje. Babai, sidomos ishte shumë i dhënë për to. Kur mbusha shtatë vjeçe ai më bleu një fizarmonikë. E ruaj edhe sot atë. Është e vetmja relikë që kam nga ato vite.

Me të u futa në një kurs muzike. Ishte dëshira e babit të bëhesha instrumentiste. Mamaja nga ana tjetër kujdesej të isha e rregullt në shkollë, por edhe në veshje e sjellje. Ajo ishte shumë e dhënë pas guzhinës. Gatimin e kishte pasion. Mbaj mënd sidomos byrekun me shumë petë. E hullonte vet, e përgatiste me kujdes dhe i rrinte te koka deri sa piqej. I hidhte pak yndyrë. Shpesh për këtë babai e xhaxhallarët e thumbonin me shaka, duke i kujtuar origjinën si gjirokastrite. Shumë herë mamaja më merrte me vete në shkollën e saj. Aty më linte për orë të tëra në shoqërinë e vajzave të pedagogjikes. Pak a shumë kështu rrodhi ajo pjesë e fëminisë deri ditën kur ata i arrestuan…

Keni qenë e pranishme ju kur janë arrestuar prindërit?

Atë skenë e kam parë nga afër. Atëherë isha tetë vjeçe. Ato momente i kam në sy edhe tani…

Në dokumentet e sigurimit rezulton se ata janë arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin për në Maqedoni…

Ky është një mashtrim i paskrupull. Ata janë arrestuar në oborrin e shtëpisë së xhaxhait në Sllovë të Peshkopisë. A mund t’i thuash kufi shtetëror, portës së gjyshit ku kishim shkuar për të qëndruar disa ditë?! Marrëzi, marrëzi pafund…

Cila ishte arsyeja që kishit shkuar në Sllovë?

Arsyeja që kishim shkuar aty lidhej me shëndetin e vëllait, Sokolit. Ai ishte dy vjeç dhe vunate nga një sëmundje kronike. Ishte kuruar për të disa herë në spitalin e Tiranës. Mjekët më në fund kishin rekomanduar të frekuentonte klimë malore. Pas konsultës me ta, prindërit vendosën për të shkuar në Sllovë. Aty kemi mbërritur një natë para se t’i arrestonin…

Ishit e pranishme në momentin e arrestimit?

Në Sllovë mbërritëm afër mesnatës. Babai kishte porositur një makinë tip xhip dhe ishim përgatitur për tu nisur në mëngjes herët. Për arsye nga më të ndryshmet makina erdhi aty nga mesdita. Udhëtimi zgjati disa orë. Kur shkuam në fshat, i gjetëm në gjumë. Të nesërmen te shtëpia ku rrinim u gjenden xhaxhallarët dhe të afërmit e tjerë. U bënë mbi 15-20 burra e gra. Kështu ndodhte gjithmonë në raste të tilla. Nga që u bënë shumë, dolën në oborr e po bisedonin. Herë pas here gartë e shtëpisë u servirnin kafe. Aty nga mesdita te porta kryesore u shfaqën policët e armatosur. Të parin kërkuan xhaxha Beshirin. Diçka folën me të në këmbë dhe pastaj u drejtuan nga babai dhe mamaja. Aty për aty nuk mora vesh se çfarë komunikuan me ta, por pashë që u hodhën prangat. Të parit xhaxha Beshirit, pastaj babait dhe mamasë. Në çast njëra nga gratë që ishte në këmbë mbërriti me zë të mbyllur…

Komunikuat me prindërit në këto çaste?

Situata ishte e papritur. Në moment më dukej vetja si në ëndërr. Teksa rrija e shtangur para gruas së xhaxhait, dëgjova zërin e mamasë që i thoshte: Amanet djalin, Sokolin! Sakaq, u hodh babai qortueshëm: Amanet Lavdijen se ajo do t’i mbajë mënd të gjitha! Kaq ishte gjithçka. Ku ta dija se ai do të ishte komunikimi i fundit me ta. Tek u ndamë i ndoqa me sy deri sa i futën forcërisht në makinë. Deri në fund mamaja nuk i shkëputi sytë nga unë…

Çfarë dinit në atë kohë për babain dhe mamanë?

E dija që kishin qenë të dy në luftë. Kisha mësuar që babai kishte qenë komandant divizioni dhe mamaja komisare e zonës Vlorë-Gjirokastër. Për këto mbanin disa dekorata që i ruanin në shtëpi. Poshtë e lartë kisha dëgjuar që së fundi kishin pësuar goditje. Nga që isha e vogël, nuk mund ta kuptoja ç’kishte ndodhur me ta. Për mua mjaftonte që ata ndjeheshin mirë me punët që u kishin ngarkuar. Më vonë pastaj e njoha të plotë historinë e tyre…

Ku qëndruat pas arrestimit të prindërve?

Dy vjet ndenjëm te xhaxhai në Sllovë. Pas dy vjetësh na internuan në Shtyllas të Fierit. E mbaj mënd si tani tmerrin e atyre ditëve. Ishin 20 makina që erdhën dhe na morën. Udhëtimi për te kampi i internimit zgjati dy ditë e dy net. Na plasën aty te koçekët e kooperativës, sikur të ishim kafshë dhe jo qenie njerëzore…

Kaq i madh ishte fisi Ndreu që u deshën 20 makina?

Fisi Ndreu ishte një fis i madh dhe i njohur për tradita dhe lidhje të fuqishme me njeri tjetrin. Ndoshta për këtë arsye na mblodhën me kuç e me maç dhe na plasën në Shtyllas. Në Sllovë lanë vetëm nga një grua për çdo familje, por edhe ato për tre muaj, sa të mblidhnin prodhimet e stinës. I fundit hipi në makinë im vëlla, Sokoli. Gruaja e xhaxhait iu lut policëve ta mbante aty, se ishte i sëmurë. “Në asnjë mënyrë!”, u përgjigj prerë eprori i tyre. “Nuk e kuptoni që për këtë qen po shkoni edhe ju aty”, u hodh një tjetër duke e kapur Sokolin prej zverkut për ta hipur në makinë…

Në Shtyllas pastaj nisi një jetë tjetër…

Jeta në Shtyllas ishte një skëterrë e vërtetë, në kuptimin e plotë të fjalës. Një kalvar i tërë vuajtjesh e mundimesh. Çdo ditë aty e kam kaluar me lot në sy. Fakti që për këtë ishin bërë shkaktarë (pa shkak) prindërit e mijë, më brengoste shumë, sado e vogël që isha. Më mundonte një ndjenjë e brendshme përball njerëzve të tim eti dhe mundohesha me mënyrën time, tua shpërbleja me sjellje dhe rezultate në mësime. Frekuentoja shkollën rregullisht dhe njëherazi punoja në arë, merresha me punët e shtëpisë, kujdesesha për Sokolin. Mbarova shtatëvjeçaren në Pojan me të gjitha pesa (ajo ishte nota më e lartë), por mu prenë krahët kur s’më lanë për më tej. Një plagë më vete kjo, që e përjetova shumë keq. Sidoqoftë, tanimë isha më e rritur dhe më e kthjelltë për atë që na kishte zënë.

Sa kohë qëndruat në Shtyllas?

Unë jam larguar nga Shtyllasi në vitin 1971, kur u martova te Merlikët e Krujës. Të tjerët qëndruan aty deri në fillimin e viteve ’90. Në Krujë në një farë mënyre shpëtova nga sfilitjet e kampit të internimit, por jo nga represioni politik që më ndiqte në çdo hap. Sidoqoftë, për nga kushtet e jetesës dhe puna në artistiken e qytetit, nuk kishte të krahasuar me Shtyllasin..

Si jeni njohur me lajmin për dënimin e prindërve me vdekje?

Lajmin për dënimin me vdekje e mësuam njëherazi me njoftimin për pushkatimin e tyre. Asokohe ishim akoma në Sllovë. E gjithë procedura për hetimin dhe gjykimin e tyre, ishte zhvilluar me dyer të mbyllura. Kur po prisnim me padurim ç’po ndodhte me fatin e tyre, një mbrëmje Radio Tirana dha lajmin e tmerrshëm: Sot u ekzekutuat tradhtarët e popullit Dali Nderu e Liri Gega! Ishte gjëmë e kaluar gjëmës. Nuk doja t’u besoja veshëve për atë që dëgjoja, por mjerisht ishte e vërtetë…

Pra, në të njëjtën ditë humbët të dy prindërit që u ekzekutuan nga e njëjta dorë…

Një tragjedi e tmerrshme, por më e keqja se nuk përfundonte me kaq. Akoma më makabër ishte lajmi për pushkatimin e nënës shtatzënë…

Kur thoni këtë keni parasysh vërejtjen që i bënte Hrushovi Enverit pas Konferencës së Tiranës, apo diçka tjetër?

Në atë kohë, nuk kishim asnjë mundësi të njiheshim me qortimin e Hurshovit për kreun e regjimit të Tiranës. Një mesazh i tillë as bëhej fjalë të vinte tek ne. Me të jemi njohur vitet e fundit nëpërmjet shtypit…

Me një fjalë, e keni ditur më herët…

Patjetër që e kam ditur, madje jo vetëm unë. Për moshën dhe lidhjet e afërta që kisha me nënën, nuk mund të më shpëtonte diçka e tillë. Pastaj, mënyra si u përjetua tragjedia dyfishe nga të afërmit, sidomos nga gratë e xhaxhallarëve, pushkatimi i nënës shtatzënë, veçohej, megjithëse nën zë, si gjëma më e rëndë. Kuptohet, në praninë tonë nuk flitej kurrë për të, por në ligjërimet e vajeve përmendej si plaga më e tmerrshme e asaj që na kishte zënë. Në vitet e mëvonshme kur jetonim në Shtyllas, mes familjarëve bisedohej hapur për ekzekutimin e nënës shtatzënë. Ka qenë një rast ku njëri nga xhaxhallarët në gjendje të pakontrolluar është shprehur publikisht: Enveri nuk vrau dy, po tre nga njerëzit tanë! Deshi zoti e qëlloi me njerëz të mirë, se do përfundonte keq edhe ai…

Po pas viteve ’90, jeni njohur me fakte e dëshmi të tjera për këtë krim makabër?

Jemi njohur me radiogramin e Hrushovit për Enverin dhe përgjigjen mohuese të këtij të fundit mbështetur në një raport fals nënshkruar nga një farë Bekteshi, i njohur asokohe si mjek pediatër(!) Të thuash e neveritshme, është pak, por me sa dimë nuk e ka besuar njeri, pale Hrushovi. Sakaq, duke u interesuar për vendvarrimin e prindërve, kemi mësuar dhe një fakt tjetër që vërteton krimin makabër: eshtrat e prindërve, me urdhër të posaçëm, i kanë djegur me acid! Kemi arritur të takojmë dëshmitarë të ngjarjes, që pohojnë se operacioni i drejtuar nga Kadri Hazbiu është kryer fill pas radiogramit të Hrushovit për të fshehur gjurmët. Me sa duket, barbarët i ka trembur ideja e një ekspertize për verifikime shkencore. Pastaj, te “Panorama”, dje, njëri nga të pranishmit në momentin e ekzekutimit, ka deklaruar se Liri Gega ishte shtatzënë kur u pushkatua…

Pas vite ’90 jeni interesuar për historinë e tyre?

Pas disa vitesh, erdha te dajat dhe më dhanë fizarmonikën që e kisha kujtim nga babai. E ruaj edhe sot si sytë e ballit. Selfixhe Mborja më ka treguar se kur ka studiuar me Lirinë në Firence të Italisë (për Filozofi), ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, ajo mblodhi të gjithë studentët shqiptarë që ishin aty dhe duke dalë në sheshin kryesor të qytetit grisi flamurin e Italisë dhe ngriti flamurin shqiptar. Në shesh ia mori këngës së Pashko Vasës “O moj shqypni e mjera shqypni”. E arrestuan dhe e burgosën. Falë ndërhyrjes së babait, si kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, autoritetet italiane vunë si kusht që Liria të izolohet në Tiranë ku do punonte si mësuese në gjimnazin e vajzave “Nëna Mbretëreshë”. Këtu punoi një vit dhe më pas doli ilegale duke u rreshtuar në radhët komuniste. Në nëntor 1941, u zgjodh komisare e përgjithshme e zonës operative Vlorë, Mallakastër, Gjirokastër. Pas çlirimit punoi mësuese në shkollën pedagogjike në Tiranë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.