DOSSIER

“Mikrobuzit të RTSH-së i hoqën timonin, operatori Lasku iku nga puset e naftës, burg për futbollistët e ‘Naftëtarit’ dhe…”/ Epilogu i ndeshjes së 5 qershorit ‘85

07:30 - 06.06.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Uvil Zajmi




Pjesa e dytë

Memorie.al / Ndonëse sot, më 5 qershor 2023, u mbushën plot 35 vjet, ajo mesditë e së dielës së 5 qershorit të vitit 1988, e njohur si “Revolta” apo “Hejseli” i Kuçovës, (“Qyteti Stalin” siç njihej para viteve ’90-të), mbi atë ngjarje ka mbetur ende një dritëhije enigmatike. Po, sepse, pas takimit “Naftëtari” – “Dinamo”, zhvilluar tri dekada e gjysëm më parë, një turmë e madhe tifozësh, sulmuan arbitrat, hodhën gurë, dogjën makina, etj. Një revoltë e paparë në një stadium shqiptar të para viteve ’90-të. Cila ishte atmosfera në prag të përballjes së dyfishtë për mbijetesë? Si e kujton portieri Bozhiqi, një “ish”, kur babai i tha; të mos luante dhe Ben Vila, kur realizoi golin e vetëm, që shtangu stadiumin? Nga arbitri kryesor Besnik Kaimi, radio-kronisti Fatmir Mneri, operatori Naun Lasku, drejtuesi i ekipit “Naftëtari”, Fatmir Ismaili, futbollisti Koçi, etj., si e kujtojnë ata me rrëfime të rralla atë 90-minutësh dhe ngjarjen që tronditi, jo vetëm një qytet, një shtet, por gjithë Shqipërinë e asaj kohe.

Arben Vila dhe goli që i shtangu stadiumin

Është autori i njërit prej golave me historikë, të një ndeshje e mbetur në kujtesë për çfarë ndodhi. Ish-futbollist i “17 Nëntorit”, kombëtares, Shpresës triumfuese në Tirer të Gjermanisë, dhe një ndër talentet në rolin e sulmuesit të krahut, në vitin 1984, “braktis” bardhe blutë, për t’u transferuar te “Dinamo” ku qëndroi katër sezone. Madje aty e mbylli karrierën. Sot, mbi 60 vjeç, ja si e tregon Vila çastin kur Birçe e futi në lojë, dhe goli që shënoi me këpucët e një futbollisti tjetër të stolit.

Zoti Vila, një “Dinamo” drejt kategorisë së dytë?

Atë sezon e mbaj mend, pas një ndeshje në Turqi për Kupën Ballkanike, në kthim, në doganën e Kapshticës, gjatë një kontrolli, të fshehura në sediljet e autobusit, u gjetën ora dore. Filloi një fushatë e rëndë, lojtarë që merreshin nga Konvaleshenca ku qëndronin të grumbulluar e thirreshin në hetuesinë e Durrësit, deri edhe Burhanin, shoferin e autobuzit e akuzonin. U dha një orientim në heshtje, për shkatërrimin e skuadrës, largimin e disa lojtarëve të konsideruar veteranë.

Nga stoli në fushë, madje thuhet se keni marrë këpucë hua?

Isha i sëmurë, nuk doja të shkoja në Kuçovë, por trajner Bejkush Birçe, këmbënguli, që të paktën, të qëndroja me skuadrën për t’i dhënë kurajo. Papritur, në mes lojë, në “pabesi”, ai më thotë: “Vila, çohu, do futesh, djemtë kanë nevojë për eksperiencën tënde, se ata po e lëshojnë lojën”. Kam marrë këpucët e futbollistit Bisha, me numër 43, (kur unë e kam 41 nr. e këmbës) dhe jam futur në fushë, duke zëvendësuar Topçiun, kur kishin mbetur rreth 30-minuta, për t’u luajtur.

Dhe vjen goli spektakolar…?!

Ishte fundi i takimit, në një kundërsulm të shpejtë, me me tre pasime në vijën anësore, nga sektori përballë, Tahiri për te Jançe, i cili e fut topin në qendër paralel me vijën e 16 metrave, dhe nga një distancë rreth 25 metra, kam gjuajtur me të djathtën, një trinë e plotë e fortë befasuese, “një goditje si me pistoletë, se me asgjë tjetër nuk mund ta shënosh atë gol”, dhe topi që përfundoi, në këndin e poshtëm, djathtas tokazi, të portierit nga porta e dhomave të zhveshjes. Ishte një gol që i shtangu të gjithë. Ai ka qenë edhe i fundit në karrierën time. Pas Kuçovës, luajta një ndeshje për Kupën Ballkanike, dhe aty e e kam lënë futbollin, kur isha 28-vjeç.

Pse gjithë ajo revoltë?

Diçka kishte filluar gjatë lojës, kur tifozët përplasnin gurët çak-çak, bashkë me “vdekje komunizmit”. Ndërsa pas saj, gjuanin me llastik me gurë, e saçma, njëra prej tyre godet edhe shefin e Rendit të Beratit. Xhamat e dhomave të zhveshjes, banjove, dusheve u thyen. Fati ishte se, dritaret ishin me hekura dhe nuk mund të hyje brenda. Mbi tavanin e godinës ndjenim hapa, të personave që kishin mundur të futeshin nga çatia me tjegulla, por nuk komunikonin dot me ne. Dëgjonim fjalë se; do merrnin benzinën e makinave, për t’i vënë zjarrin godinës, që sportistët, arbitra, etj., të dilnin jashtë.

Lojtarët vendas u lejuan të dalin dhe u larguan, duke na lënë ne vetëm aty. Tifozeria, tentuan të futeshin në dhomat e zhveshjes, por bë përpjekje nga policia, për të na ruajtur, se mund të vdisnim, kur trajneri Birçe tha: “Nuk dalim gjallë prej këndej”. Kemi parë tmerr me sy. Deri në mesnatë, kemi qëndruar ashtu, pastaj me një makinë ushtarake të mbuluar, jemi nisur dhe deri në “Urën Vajgurore”, kemi qëndruar të shtrirë, me ushtarët që me automatik në duar, ishin në gadishmëri.

Ju kujtohet skuadra?

Po patjetër, ishte Ilir Bozhiqi, Edmond Kela, Stafa, Kove, Pjerin Noga, Rudi Vata, Agim Canaj, Ndreu, Ibro, Sul Demollari, Jançe, Topçiu, Ermal Tahiri, Eduart Abazi, dhe trajnerët Bejkush Birçe e Ilir Luarasi, që u nda pak vite më parë nga jeta. Duhet të kem harruar edhe ndonjë tjetër, me siguri!

Ilir Bozhiqi, ish-portieri kuçovar i ‘Dinamos’: “I gjithë stadium më shante në kor”

E konsideron ndeshjen më të vështirë dhe më delikate të karrierës, kur atë ditë ka qenë i detyruar të luajë kundër ish-skuadrës, popullit e qytetit që e kishte rritur. Kuçovari Ilir Bozhiqi, ish-zv/ trajner i Kombëtares dhe i “Skënderbeut” të Korçës, na rrëfen me detaje, se si e përjetoi revoltën e qytetit të tij.

Z. Bozhiqi, çfarë ndodhi me “Dinamon” dhe pse qëndruat në Berat para ndeshjes?

Kjo ndodhi për t’iu shmangur atmosferës. “Dinamo”, udhëtoi një ditë para, duke u sistemuar në hotelin “10 Korriku”, aneks i Turizmit në Berat. Atë ditë, erdhi babai im gjatë orëve të paradites edhe më pyeti: “Do luash”? – “Po i them”, pasi kisha marrë edhe besimin nga trajneri Bejkush Birçe.

Si reagoi ai?

Ishte hera e dytë që pas ‘85-ës, që me “Dinamon”, do të luaja në vendlindje. “Mos luaj, – më tha, – sot të gjithë Kuçovën do e kesh kundër, sepse janë të irrituar dhe të sigurt që do të dalin në të parën”! “Do luaj, – iu përgjigja, – pasi te “Dinamo”, ka vlonjatë, shkodranë dhe i bie që ata, të mos luajnë kundër qyteteve të tyre…”! Por, ai kishte problemin tim, se mos përplasesha me tifozët.

Dhe si shkoi ndeshja…

I gjithë stadiumi, më shanin në kor, gjatë gjithë takimit: “Vdekje tradhtarëve, Bozhiqi, i shitur te “Dinamo”. Asnjë shqetësim nuk pata me futbollistët në fushë, sepse kishim raporte të mira. Shpesh, si kuçovar, ndërhyja për të qetësuar situatat. Ndonëse e kishin me arbitrin, i thosha se; “po të donin të favorizonin ‘Dinamon’, e kishin bërë në Tiranë, ndeshjen e dytë”.

Gjatë kohës që ishit të “ngujuar” në dhomat e zhveshjes, a është e vërtetë që ju erdhi familja?

Nuk mund të dilja, edhe prindërit e shqetësuar nuk erdhën, sepse ishte e pamundur. Vetëm një komshi i imi, solli dy bukë të mëdha, djathë e domate. Kujtoj se na prenë edhe energjinë elektrike. Pastaj në mesnatë, na ndihmuan të largoheshim të shoqëruar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Popullore, Fadil Cani.

Kur u kthyet në Kuçovë?

Pas katër ditësh. Të premten luajtëm me rumunët e “Corvinul” (1-1), për Kupën Ballkanike, pas së cilës, jam kthyer në Kuçovë. Ndonëse situata ishte më e qetë, mamaja më thoshte: “Bëj kujdes, janë të acaruar”. Por, asnjë reagim, madje tifozët, më takonin duke më thënë; “Bozhiq, ‘Naftëtari’ nuk ka gjë me ty, nuk na nxore ti nga kategoria”.

Dëshmia e ish-telekronistit dhe gazetarit të njohur, Fatmir Mneri

Gazetari i mirënjohur, Fatmir Mneri, ka qenë radiokronisti i ndeshjes “Naftëtari” – “Dinamo” 0-1. Ai tregon mënyrën sesi u larguan me shumë vështirësi nga stadiumi dhe pohon se; ishte një atmosferë tej mase e elektrizuar në Kuçovë.

“Jemi nisur rreth orës 9.00, me mikrobusin ‘Nysa’ të televizionit, ngjyrë blu. Nuk kemi ndaluar askund, duke konsumuar rrugës pak ushqim, që e kishim me vete. Në transmetim, në kabinë, kam qenë bashkë me kolegun Agron Kaja. Nga ajo ndeshje, formacionet, arbitrat, vëzhguesi, etj., nuk i kam, (pasi kur vite më vonë u dogj gazeta “Koha Jonë”), më humbi blloku, një punë dhjetëvjeçare, plot statistika e midis tyre, edhe ato të atij takimi”, tregon Mneri, radio kronisti i atij 90- minutëshi të paharruar.

Z. Mneri, çfarë situate gjetët në Kuçovë?

Nuk e kemi kuptuar sa e elektrizuar ishte situata. Kërkoj mirëkuptim, nëse shprehem gabim, por gjykoj se; takimi i parë, duhet të luhej në Kuçovë dhe i dyti në Tiranë, për të shmangur çdo situatë. Më ka mbetur në kujtesë se, po rregullohej rruga nga bulevardi kryesor, për te stadiumi, duke e shtruar me çakëll dhe ajo ka qenë “lënda e parë”, me të cilën sulmuan tifozët.

Edhe sot vazhdojnë pretendimet për arbitrimin?

Mbaj mend se, ndërsa vendësit prisnin një gol, që ta çonin lojën në shtesë, në të kundërtën, rreth minutës ‘82, shënon Vila për “Dinamon”. Kur ka ardhur minuta e ‘90-të, flas me sahatin tim, një orë e zakonshme dore, kur unë kam marrë linjën dhe kam thënë rezultatin, duheshin edhe tre-katër minuta të paktën shtesë. Pa mbaruar frazën, arbitri Besnik Kaimi, ka vërshëllyer për fundin e takimit.

Dhashë rezultatin përfundimtar, pa koment, pasi nuk kishte çfarë të komentoja me Shqarrin. Kanë mjaftuar një apo dy persona, të kalonin rrethimin përballë, skenë që e kam parë mirë, pas së cilës, shpërtheu një dyndje totale dhe arbitrat që u nisën drejt dhomave të zhveshjes, që, për fatin e tyre të keq, ishte distancë e gjatë, gati 70-metra, por arritën të futen brenda.

Shpërtheu revolta dhe të gjithë hynë në fushë apo jo…?!

Sigurisht, tifozët ishin në tension dhe humbën çdo shpresë pas golit të “Dinamos”. Them se, kjo situate, shërbeu si shkak. Akoma i kam të fiksuara ato skena. Turma e njerëzve që me gurë, filluan të godisnin dhomat e zhveshjes, ku ishin ngujuar lojtarë e arbitra. Policia ishte në vështirësi, sepse, nga njëra anë turma dhe nga ana tjetër, lojtarët me arbitrat…! Nuk po e përballonte si duhet situatën.

Si u larguat nga stadiumi?

Makina jonë ishte afër me atë të “Dinamos”, së cilës i thyen xhamat dhe hoqën edhe timonin. Ishin të dyja parkuara në një shesh të vogël, pranë dhomave të zhveshjes, në pjesën veriore të stadiumit. Me shumë vështirësi, Ganiu, shoferi u shtri barkas nën makinë dhe arriti të futej nga ana tjetër.

Nuk e di si ka dalë përmes turmës, por ne pasi kaluam nga puset e naftës, e kemi pritur përgjatë rrugës, kur ai erdhi me shumë vonesë. I ulur në sediljen e parë, kisha një triko me vete, të cilën e vura në gjoks, se xhami i parë ishte thyer. Kujtoj se na ka ndaluar policia rrugore dhe na kërkuan edhe dokumentet…!

U shoqërua me shumë zhurmë edhe post-ndeshja. Pse?

Edhe sot kam pyetjen që; nuk i jap përgjigje e nuk e kam kuptuar përmasat e asaj ngjarjeje. Për mua, interpretimi që iu bë, pati ngjyrim politik, më tepër sesa duhet. U konsiderua si revoltë ndaj regjimit. Gjatë ndeshjes, nuk kam dëgjuar të paktën një thirrje kundër sistemit, qeverisë apo shtetit.

Operator i njohur i RTSh-së, Naun Lasku: “Ikëm fshehurazi nga puset e naftës, por kasetën, s’ma morën dot”

Operatori i atij takimi, ka qenë kameramani i njohur dhe veteran i TVSH-së, Nuan Lasku. “Më caktuan mua, se nuk shkonte njeri. Isha 40- vjeç dhe e kisha pasion sportin. Me arbitrin Kaimi, Shapllon dhe Tominin, kishim qenë dikur futbollistë te “Dinamo”, me trajner Gole Sheshin. Kam parë gjithçka, që ka ndodhur atë ditë”, e nis rrëfimin Lasku.

Mbërritët aty dhe gjetët Kuçovën me ethet e një ndeshjeje. Cila ishte përshtypja e parë?

Në stadium, shkuam dy orë para ndeshjes, kur ende nuk ishin hapur portat. Tek-tuk dëgjonim shprehje si; “Sot do bëhet nami, o gjallë o vdekur do fitojmë”. Kisha një kamera “Beta” dhe e vendosa sipër në tribunën qendrore. Në momentin që janë hapur dyert, në pak minuta, stadiumi u mbush plot. Shikoja forca policore më shumë se herët e tjera.

A kishte tension në tribuna pa filluar ndeshja?

Po, sigurisht. Tifozë që i kisha pranë, si gjatë lojës edhe në pushim, për raste të dyshimta, më kërcënonin: “Merre, merre këtë dhe jepi në darkë, se do të thyejmë kamerat dhe nuk vjen më këtu…”!Pas golit, në dhjetë minutat e fundit, njerëzit të acaruar, qëndronin në këmbë, sidoqoftë, nuk më shkonte mendja për keq, ndonëse ndjesinë dhe frikën për kamerën, jo për vete, e pata. Nëse turma me tifozë, mund të reagonte, askush nuk e dinte çfarë ndodhte. Një mendje më thoshte të iki, ta lë ndeshjen, por çfarë do çoj në televizion, nëse s’ka gola dhe raste?!

Çfarë ndodhi aty, a ju kujtohet?

Kur u dëgjua vërshëllima e mbarimit, lojtarët e “Naftëtarit”, iu vërsulën arbitrave, ndërsa në tribunën poshtë meje, pati një zënkë midis zyrtarëve të “Dinamos”, dhe tifozëve vendës. Pastaj, papritur nga të katër anët, por më shumë nga ajo përballë, u hodhën gurë, të cilët përplaseshin në ajër, me njëri-tjetrin. E kam mbyllur kamerën dhe u struka, kur dikush nga ata të qytetit që më njihte, Agim Meta, më bërtiti: “Naun, çfarë bën aty? Ik se do të mbysin, është bërë nami përjashta”!

Zbrita, ndërkohë shoh dy makina policie, të kthyera me rrota sipër, që po digjeshin. Në ato situate, ku secili ikte të shpëtonte kokën, e vetmja rrugëdalje, ishte ajo nga puset e naftës. Kemi ecur me orë, drejt Urës Vajgurore, në rrugën automobilistike, ec e kthe kokën nga mbrapa, deri kur ka ardhur makina e TVSH-së, ndërkohë sapo kishte rënë errësira.

Kasetën e ndeshjes, si e ruajtje?

Kisha një eksperiencë, kur për votime në Shkup me gazetaren Afërdita Sokoli, policia na ndaloi dhe më kërkuan kasetën. Unë e kisha fshehur në gjoks atë me filmime dhe në kamera kisha vënë një bosh. I dorëzova atë dhe na liruan. Kështu veprova edhe në Kuçovë. “Mos ia kanë marrë kasetën”?, kishte thënë dikush…?! “Nuk ka mundësi, kur nuk ia morën në Shkup, këtu Laskut s’ia marrin dot”, ishte përgjigjur drejtori, Edi Mazi, që po na priste në televizion.

Kasetën ma mori Vladimir Grillo dhe më tha se, do të më jepnin një të re, se atë do e fusnin në arkiv. Pamjet u panë të nesërmen në “Rubrikën Sportive”. Pasi dorëzuam kasetën, bashkë me teknikun Dhimitër Todi, (që sot ndodhet në Gjermani) dhe e shoferin Gani Xhaferri, që fatkeqësisht nuk jeton, shkuam në shtëpi, thuajse pas mesnate.

Ish – shefi i Klubit Sportiv “Naftëtari”, Fatmir Ismaili: “Më dërguan punëtor, në Fabrikën e Tullave”!

“Nuk ishin parë në Kuçovë aq shumë forca policie speciale, që pakënaqësisë dhe padrejtësisë në fushë, nxiti situatën në stadium që u kthye në revoltë. Nuk u kursyen gurët mbi policinë, që e

detyruan të tërhiqet e, të futen në godinën e vjetër të stadiumit, bashkë me ne. Populli i inatosur, nuk largohej, duke shkatërruar gjithçka: makina që digjeshin, midis tyre e shkatërruar edhe ajo e “Dinamos”. Në mënyrë urgjente erdhën forca policie nga Berati, Fieri Lushnja, si dhe nga Tirana. Vetëm pas 5-6 orësh situata u normalizua.

Ç’ndodhi të nesërmen e asaj dite, në “Qytetin Stalin”?

Mëngjesi i 6 qershorit, u shoqërua me terror, që kishte nisur që pas mesnate. Ajo ditë ishte plot ankth e pasiguri, me arrestime që vazhdonin e që e kishin rritur panikun në popull. Në qendra pune, shkolla, nga organizatat e Partisë, për të analizuar ngjarjen, u organizuan mbledhje ku kërkohej hapur ndëshkimi i akteve të dhunës dhe thirrjet kundër Partisë. Me dhjetëra të rinj të piketuar nga policia, mbushën dhomat e izolimit dhe prindërit e tyre që qanin në dyert e policisë. Fotografit të qytetit, i morën filmat e ndeshjes, duke i shfaqur në mur e skanuar fotot e rebelëve, kështu i quajtën. Në Komitetin e Partisë, u thirrën në grupe; trajnerë, drejtues, sportistë, ndërkohë që kjo ngjarje, morri vëmendjen edhe nga shumë media të huaja

Pas atyre mbledhjeve, si u trajtua ajo ngjarje dhe çfarë masash u morën?

E trajtuan si revolt sportive, jo politike dhe pati mjaft të dënuar me 3 dhe 6 muaj burg, midis tyre edhe Naim Halilaj, me motivacionin; si nxitës i saj. U burgosën edhe dy futbollistë të ekipit tonë, ndërsa mua si shef klubi, me çuan si punëtor, për gjashtë muaj, në Fabrikën e Tullave. “Naftëtari” u pezullua ua 5-vjet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe thuajse gjysma e ekipit, ende pa mbaruar jehona, me urdhër Partie do të përfaqësonin “Tomorrin” e Beratit. Humbi kështu dhe u shkatërrua një traditë, një vazhdimësi, për të cilën u deshën vite të ri ngrihej, por në nivelet e larta asnjëherë më.

Pas viteve ’90-të, a u përkujtua ndonjëherë në Kuçovë, kjo ngjarje?

Me niciativën e Petrit Balliut, ish-Drejtor i Zyrës së Punës, në vitin 1993, u përkujtua kjo ngjarje, duke vendosur një pllakat afër stadiumit “Bashkim Sulejmani”. Por, gjatë trazirave të ‘97-tës, fatkeqësisht, bashkë me gjithçka tjetër, u hoq e u dëmtua edhe ajo.

Aleksandër Koçi, ish-sulmuesi kryesor i ‘Naftëtarit’: Më dënuan me burg, bashkë me disa futbollistë të tjerë”. Aleksandër Koçi, sulmuesi kryesor i “Naftëtarit”, ndër shënuesit e shquar të futbollit shqiptar, sot nga Greqia, ku jeton prej vitesh, i rikthehet ngjarjes dhe pas tre dekadash e gjysëm, rrëfen versionin e tij.

Zoti Koçi, si do ta përmblidhje atë takim?

Një “Dinamo” e favorizuar ende pa u zhvilluar ndeshjet. Ardhja e forcave të rendit nga qytetet e tjera, krijimi një atmosfere të tillë, pastaj arbitrimi. Kujtoj që, disa orë para fillimit, u mbyllën dyert dhe tifozët e zjarrtë, që nuk kanë pushuar gjatë gjithë ndeshjes. Pasi “Dinamo” shënoi golin, i jam kërkuar arbitrit, duke i thënë; pse e përfundove lojën para kohe? Pastaj loja që ndërpritej vazhdimisht, njerëz që protestonin e tentonin të futeshin në fushë. Më pas, gurë, njerëz në fushë, një kaos total, ndërsa ne futbollistë e arbitra, nën mbrojtjen e sampistave, kemi nxituar të futemi në dhomat e zhveshjes.

Dhe pas kësaj, një proces gjyqësor publik për të gjithë…?!

Bashkë me shumë tifozë, u arrestuan edhe futbollistë, midis tyre edhe unë. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinemasë së qytetit, një proces i hapur dhe nën akuzë, ishin kryesisht: Halilaj, Ajet Dume, Gazmend Mema, S. Meta, R. Makashin, të cilët u dënuam me burgim.

Ju kujtohet skuadra e asaj dite?

Po patjetër, ishin: Y. Vrusho, Hoxha, A. Dume, R. Makashi, M. Bonjaku, S. Meta, G. Gega, B. Fraholli, E. Voda, A. Meta dhe unë, A. Koçi. Trajner, figuronte P. Angjeli, por skuadrën e drejtonte Fatbardh Deliadhisi. Nuk luajtën për shkak të dënimeve nga ndeshja e parë, B. Dyli dhe K. Haxhiraj, ndërsa V. Skurro luante me “Tomorrin”, F. Xhyberi me “Bylis”, ndërkohë që A. Prifti dhe M. Korroveshi, e kishin lënë sportin.

“Ndeshja paqes së madhe”, në janarin e ’90-tës

Kur treshja e arbitrave me Arsen Hoxhën, L. Vasilin dhe B. Gurin bashkë me futbollistët e të dyja skuadrave, kanë dalë në fushë, ka shpërthyer entuziazmi. Jemi vetëm dy vite pas ndeshjes dramatike të 5 qershorit 1988 dhe nga “Naftëtari”, si rezultat, janë larguar mjaft lojtarë, e skuadra luan në të dytën. Po kështu edhe nga “Dinamo” kampione në atë sezon, nuk ka disa nga protagonistët e 1988-ës. Bëhet fjalë për të mërkurën e 14 janarit të vitit 1990, kur në Kuçovë, u organizua takimi miqësor, “Naftëtari” – “Dinamo”, që përveç rezultati 4-4 (A. Meta, A. Haxhiraj, B. Fraholli, Edmond Abazi e Rudi Vata, autorë të golave), fundi i ‘90-të minutave, u shoqërua me duartrokitje pa mbarim, në një stadium të tejmbushur. Të tilla i kanë patur raportet, marrëdhëniet historike, dy klubet, ndryshe nga ajo çfarë ndodhi në mesditën e së dielës, së 5 qershorit të 1988-ës…! Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.