OPINION

Inteligjenca Artificiale dhe pushteti gjyqësor

09:00 - 13.09.23 Xhezair ZAGANJORI
GSH APP Get it on Google Play

Zhvillimet spektakolare në fusha të ndryshme të shkencës kanë ndryshuar e revolucionarizuar së tepërmi marrëdhëniet mes njerëzve si dhe mes tyre e botës që na rrethon. Në këtë kuadër, sot flitet gjërësisht edhe për Inteligjencën Artificiale (IA), si një fushë e vecantë ndërveprimi me teknologjinë moderne, e cila ka potencialin të rritet e zgjerohet “frikshëm”, duke vepruar e realizuar edhe detyra të rëndësishme e delikate jo vetëm në mënyrë të kontrolluar, por edhe në mënyrë të pavarur nga mendja e dora e njeriut. E kjo ndodh pikërisht për faktin se lindja e zhvillimi i IA synon të imitojë sa më mirë inteligjencën njerëzore, duke krijuar e përsosur kështu vazhdimisht algoritme, që nuk janë gjë tjetër vecse formula apo zgjidhje që realizohen nga makineria…, pasi më parë ti jenë “injektuar” të dhëna apo programe të caktuara. Pra fillimisht kemi input informacioni, e më pas, në mënyrë të automatizuar, edhe output të tij. Pikërisht ky proces i dytë e bën të aftë makinerinë të marrë edhe “vendimet” apo veprimet përkatëse. Në këtë mënyrë, algoritmet bëhen kështu mjete praktike e efektive, duke na lehtësuar e plotësuar sa më mirë punën dhe jetën e përditshme. Por nuk duhet harruar nga ana tjetër se IA mbart me vehte njëkohësisht edhe rrezikun potencial të ndërhyrjes së pakontrolluar në te drejtat dhe jetën e njeriut, gjë që shtron nevojën e kujdesit të vecantë që duhet treguar në zbatimin e zhvillimin e saj.
Për shkak të kësaj rëndësie të jashtëzakonshme, kërkimi shkencor në fushën e IA prej vitesh ka prioritet të dorës së parë në universitetet më të njohura si dhe në qendrat kryesore hulumtuese në shumë vënde të botës. Përparësi kanë patur e kanë fusha të tilla si: Industria Automobilistike, vecanërisht prodhimi i makinave autonome, të kompjuterizuara dhe pa shofer; Prodhimi i Robotëve dhe makinerive e paisjeve elektronike në degë e fusha të ndryshme të punës e jetës; Zhvillimi e përsosja e vazhdueshme e aparateve të telefonisë celulare; Shfrytëzimi i Dronëve, kryesisht për qëllime civile; Zhillimi i aparateve e paisjeve inteligjente në fushën e mjeksisë diagnostikuese, ndërhyrëse dhe kuruese; e të tjerë. Mes qendrave më të njohura të kërkimit dallohet vecanërisht “Silicon Valley”, që është Parku apo Qendra Globale e Teknologjisë së Lartë dhe Inovacionit, e shtrirë në disa qytete të vendosura në jug të San Franciskos, mes të cilëve mund të përmënden qyteti San Jose si dhe universiteti shumë i njohur amerikan Stanford. Në këtë hapsirë ushtrojnë intensivisht aktivitetin e tyre shkencor edhe kompanitë e mirënjohura amerikane Facebook, Google, Tesla, Apple, Microsoft, Amazon, e të tjerë. Një park i tillë në miniature (krahasuar me “Silicon Valley”) po ndërtohet aktualisht edhe në Gjermani, konkretisht në qytetin universitar Tubingen, qe ndodhet në Landin e Baden – Wurtenbergut. Ky park teknollogjik me emrin “Cyber Valley” parashikohet të jetë gati për shfrytëzim në fund të vitit që vjen (2024), pasi të jenë instaluar edhe laboratorët dhe paisjet e tjera moderne nga kompanitë e shumta gjermane e europiane që do të vendosen aty. Synimi është që në këtë hapsirë të zhvillohet me përparësi Inteligjenca Artificiale “Made in Europe”, proces qe do të përfshijë mjaft nga kompanitë dhe universitetet më të njohura të kontinentit tonë.
Po në Drejtësi, e vecanërisht në Gjykata, sa dhe si mund të shfrytëzohet Inteligjenca Artificiale? Në pamje të parë duket sikur në fushën e drejtësisë nuk ka shumë hapsirë për përdorimin e saj. Sigurisht që për zbulimin dhe hetimin e veprave penale, mekanizmat e policisë, hetuesisë apo prokurorisë, kanë sot mundësinë e përdorimit të mjeteve e metodave të shumta inteligjente e të sofistikuara në punën e tyre. Sidoqoftë, kjo duhet bërë në përputhje me ligjin kombëtar dhe aktet ndërkombëtare, sepse jo cdo gjë që është e mundur teknikisht, është automatikisht e lejueshme në praktikë. Ndryshe do ta pësonte keq si individi, ashtu edhe familja e shoqëria. Po në gjykata, a mund të shkohet deri aty sa që mantelin e gjyqtarit ta veshë edhe një robot? Kjo temë në fakt është sot shumë e rëndësishme e mjaft ngacmuese. Ka që thonë se përderisa thelbin e pushtetit gjyqësor e përbën pavarësia dhe paansia e gjyqtarit, pse jo në këtë rol të mos vendosen edhe robotët, të cilët, si të tillë, janë në gjëndje të garantojnë realisht këto cilësi esenciale për dhënien e drejtësisë, pasi i trajtojnë palët në mënyrë të ndershme e krejtësisht të barabartë. Vihet në dukje gjithashtu se robotët janë të ftohët e pa asnjë lloj ngarkese ndaj palëve në procesin civil, penal apo apo administrativ. …. Në të kundërt njerëzit në detyrën e gjyqtarit, sado të arsimuar, të përgatitur e me integritet të jenë, mund të bëjnë gabime e mund të ndikohen nga ngarkesa e punës apo streset e ditës. Këtu duhen shtuar edhe paragjykimet, emocionet, simpatitë apo antipatitë personale, ndërhyrjet, preferencat, e të tjerë. Ato shtojnë gjithashtu se ndërsa Monteskje kritikon ne punimin e tij “De l”Esprit des lois” (Në Frymën e ligjeve) Sulltanin që mban në dorë të tre pushtetet, sot, vecanerisht në regjimet diktatoriale apo edhe autoritare, ka kryetarë shtetesh e qeverish që pavarësisht deklarimit formal, me mjete e metoda të ndryshme, tentojnë gjithnjë të shtijnë në dorë të tre pushtetet, perfshi këtu edhe pushtetin gjyqësor. Prandaj, kjo formë e gjykimit, me procedurë gjyqesore online ose me robot, është tentuar të zbatohet për cështje shumë të vogla apo të parëndësishme, në Kinë, Estoni e ShBA. Megjithatë, aktualisht vazhdon të mbizotërojë dukshëm mendimi se gjykimi i cështjeve, vecanërisht i cështjeve penale, nuk mund dhe nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë nga robotët. Sipas këtij koncepti, vendimi gjyqsor duhet të jetë ekskluzivisht rezultat i veprimtarisë humane, pasi vetëm njeriu në detyrën e gjyqtarit është në gjëndje të shqyrtojë, dialogojë, analizojë e vlerësojë në tërësi të gjitha aspektet faktike e ligjore të cështjes, e mbi këtë bazë të marrë vendimin konkret…Vecanërisht për procesin penal ekziston mendimi se “Gjyqtari ka shume nevojë për besueshmërinë e dëshmitarëve, gjë që normalisht mund të sigurohet e realizohet vetëm në sallën e gjykimit….”.
Megjithatë, përvec sa më sipër, padyshim që ka shumë fusha e mundësi të tjera për të shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale edhe nga ana e pushtetit gjyqësor. Disa prej tyre po zbatohen ndërkaq në shumë vënde të botës. Eshte fakt i pamohueshëm se sot IA, po të zbatohet sic duhet, ja lehtëson dukshëm punën gjyqtarit dhe e bën më të plotë e më efektive angazhimin e tij në gjykatë.
Përgjithësisht vlerësohet se hapi i parë që duhet të bëhet në këtë drejtim është zbatimi i projektit e-Akte, përmes të cilit eleminohen gradualisht që në shkallën e parë të gjitha dosjet fizike gjyqësore, duke krijuar në vënd të tyre për cdo cështje dosjen përkatëse elektronike. Fillohet me dosjet civile e administrative, për të përfunduar brënda një afati të caktuar edhe me dosjet penale. Përfundimi i kësaj faze krijon mundësinë për të vazhduar më tej me programe të vecanta në cdo fushë gjykimi, apo për grup-cështjesh të caktuara, që në një periudhë të dhënë paraqiten si problem specifik në një gjykatë konkrete.
Kështu për shembull, në Gjykatën e Shkallës së Parë te qytetit Hechingen të landit Baden – Ëurtmeberg në Gjermani, po zbatohet një projekt pilot i vecantë përmes ndihmës së Inteligjencës Artificiale. Eshtë përgatitur një Software i ri me emrin Codefy që mbështet gjyqtarët në gjykimin civil. Përmes këtij programi strukturohen vetiu në mënyrë të përmbledhur e përballë njëritjetrit në një tabelë elektronike, argumentet e kundërargumentet e palëve, të paraqitura si rregull nga avokatët respektive. Përvec kësaj, programi konsulton e sistemon të gjitha aktet e dosjeve civile, në varësi të rëndësisë së tyre për cështjen konkrete. Po mbi këtë bazë, vetëm me një klik, gjyqtari mund ta gjejë menjëherë cdo dokument që dëshiron, pavarësisht volumit të dosjes elektronike. Në këtë mënyrë, vetëm përmes këtij programi, vlerësohet se për cdo dosje civile, gjyqtari kursen nga 60% deri ne 75 % të kohës së mëparshme të punës.
Po kështu, në gjykata të ndryshme janë përgatitur Software të vecantë, në varësi të një grupi të caktuar cështjesh që përbëjnë problem në një periudhë kohore të dhënë. Kështu, Gjykata e Shkalles së Pare në Frankfurt am Main, ku është aeroporti më i madh i Gjermanisë, po zbaton prej vitesh një program që seleksionon e ballafaqon pretendimet e palëve për mijëra e mijëra kërkesa që kanë për objekt kompensimin për shkak të vonesave apo anullimit të futurimeve. Program të ngjashëm ka zbatuar edhe Gjykata e Shkallës së Parë të Shtutgartit, ku ka qendrën Kompania Mercedez – Benz, për shkak të kërkesave të shumta me objekt kompensimin dhe korigjimin e defekteve lidhur me përshtatjen e marmitës se makinës (rreth 8 mijë cështje),…. e të tjerë. Programe të ngjashme janë zbatuar edhe në disa nga Gjykatat e Larta të Landeve gjermane, pasi është përfunduar edhe aty më parë projekti e-Akte. Kështu për shembull, Gjykata e Lartë e Shtutgartit (Oberlandesgericht) po zbaton një sistem të quajtur “IBM – Asistence”, përmes të cilit sistemohen e përpunohen të dhënat e të gjitha dosjeve elektronike gjyqësore. Më pas bëhet edhe klasifikimi i tyre, bazuar në objektin e padisë. Ndërkaq, disa nga Ministritë e Drejtësisë së Landeve gjermane kanë përgatitur një platformë të vecantë me emrin IBM – Suchplatform (Platforma e Kerkimit), përmes së cilës gjykatat orientohen shpejt për kuadrin ligjor që i duhet të konsultojnë e zbatojnë për zgjidhjen e konfliktit konkret. Aty pasqyrohen gjithashtu në vijimësi e kohë reale edhe ndryshimet ligjore relevante të miratuara nga parlamenti i landit resperktiv.
Sic shihet, në gjykatat gjermane tendenca është e qartë. Synohet që hap pas hapi, Software të marrë gjithnjë e më shumë detyra nga gjykata apo gjyqtari i cështjes konkrete. Për më tepër, objektivi aktual është të zhvillohet sa më shpejt edhe një portal i vetëm në nivel federal, me titull Drejtësia në Inteligjencën Artificiale, në mënyrë që të zbatohen e nxitën në vijimësi risitë më të fundit në këtë fushë. Kjo do të thotë që të gjitha sistemet e IT në gjykatat e të gjitha landeve si dhe ato në nivel federal duhet kenë akces e të zbatojnë njëkohësisht këtë program, në mënyrë që të kenë mundësinë në të ardhmen për të zhvilluar sëbashku kuadrin e plotë të Inteligjencës Artificiale në sistemin e drejtësisë në të gjithë vëndin, me fokus kryesor pushtetin gjyqësor.
Interesi për përdorimin gjithnjë e më të gjërë të Inteligjencës Artificiale edhe nga pushteti gjyqësor konstatohet në fakt në shumë e shumë vënde europiane. Sidoqoftë, mes tyre dallohet rasti i Estonisë, e cila prej vitesh është realisht pararojë në shfrytëzimin sa më efektiv thuajse në të gjitha fushat e jetës të arritjeve më të fundit të zhvillimit dixhital. Në këtë kuadër, politika e drejtësia e këtij vendi janë perpjekur të përdorin sa më shumë Inteligjencën Artificiale edhe në sallat e gjykimit, duke kërkuar e gjetur mjaft mundësi për optimizimin e automatizimin sa më shumë të procedurave gjyqësore. Ky proces quhet shpesh Legal Tech dhe është zbatuar me mjaft kujdes edhe në disa nga shtetet e ShBA, si në Kaliforni, Florida e New York. Përsërisim se në këto raste, fokusi kryesor është zhvillimin i programeve komjuterike autonome, në mbështetje të punës së përditshme të gjykatave, përfshi këtu edhe probleme në dukje më pak të rëndësishme, sic janë orientimi i saktë i kërkimit shkencor dhe jurisprudencës relevante, anonimizimi i vendimeve gjyqësore, e të tjerë.
Nga sa më sipër, pavarësisht hezitimeve të gjertanishme për përdorimin e mundshëm të robotëve në detyrën e gjyqtarit, është e qartë që shfrytëzimi i Inteligjencës Artificiale po zgjerohet gjithnjë e më shumë në gjykata, pasi përmes saj përmirësohet dukshëm rutina gjyqësore, shmangen sa më shumë gabimet, zvogëlohet backlogu, rritet cilësia e vendimeve, konsolidohet jurisprudenca gjyqësore, e të tjerë. Padyshim që të gjitha këto rrisin transparencën, parashikueshmerinë në dhënien e drejtësisë si dhe besimin e qytetarwve ndaj pushtetit gjyqësor.
F u n d
Tirane, 12.09.2023





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.