KULTURË

“Uria” e artistit për artin e madh

09:00 - 15.09.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Nga Luan Rama – Në muret e « Maison d’Albanie » në Paris, Adnan « Veseli sapo ka vendosur 11 tablo të tij në vaj dhe shumica në formate të mëdha. Janë tablo kushtuar nudos femërore, temë aq e vjetër dhe e trajtuar nga pikktorët e botës që në mugëtirat e kohrave. Po tu afrohesh dhe të shohësh ngjyrat, kanavacën, pikas se boja është ende e freskët. Duket se para se ti çojë në atelierin e ri ku do të vendoset këto ditë, ai i ka sjellë më parë këtu një pjesë të punimeve të tij. Eshtë ekspozita e parë e tij në një mjedis franko-shqiptar edhe pse më parë ai ka ekspozuar në galeri të ndryshme. Nëse ditën punon vizatime, pjesën tjetër të kohës ai ia kushton tablove në vaj, ngjyrës, ku gjen hapësirë më të madhe për të shprehur afinitetet e tij, estetikën e tij për të bukurën dhe sprova të tjera në botën e artit. Janë tablo origjinale me ngjyra të qeta, të paqta, që nuk klithin, por ashtu në tone të buta të tërheqin drejt tyre për t’i vëzhguar më mirë, për të shijuar vendosjen e figurave në hapësira të xhveshura që ato të tërheqin vështrimin e vizitorit. Tablotë s’kanë tituj, as vitin dhe firmën e autorit, dhe ti mendon se ndoshta një ditë, piktori mund tu rikthehet, ashtu siç i ka ndodhur me një tablo të vogël punuar para një dhjetëvjeçari, ekspozuar këtu dhe që herë pas here i është rikthyer. Artistët janë gjithnjë të pakënaqur nëse piktturat i kanë ende në atelierë. Detyrimisht ata do tu rikthehen, çka ndodh dhe me letërsinë e shumë shkrimtarëve të mëdhenj. Megjithatë, këto tablo tregojnë për eksperiencën e përftuar në këto tri dhjetvjeçarë të jetës së tij pikturale, kohë kur pasioni për artin e shtyu të emigronte drejt Francës bashkë me një mikun e tij, Artan Bepa, student në Akademinë e Pikturës dhe ai, të cilët përmes ambasadës së Francës, në vitin 1990, hipur si refugjatë në një vapor humanitar, mbërritën në portin e Marsejës. Vinin në metropolin e artit dhe ai udhëtim nëpër det ishte si një ëndërr. Ishin studentë me shije, ku talenti u premtonte të hynin në botën e madhe të artit, por jo gjithçka ishte e lehtë. E imagjinoj « urinë » e tyre artistike, rendjen për të parë galeritë e mëdha, muzeumet, për të ndjeur evenimentet e botës pikturale, tablotë e piktorëve më të mëdhenj, imazhet e të cilave i kishin parë vetëm nër revistat apo librat e artit të kaluara nën dorë. Padyshim, të « uritur » para një Van Gogh, Monet, Degas, Gauguin, Picasso, Modigliani, apo gjithë impresionistët. “Ne vinim nga një shkollë tjetër ku arti modern i shekullit XX ishte i ndaluar”. Bisedoj me Adnanin, e pyes për fillimet e tij dhe me modestinë që e karakterizon, ai më tregon se jo rrallë kopjonte veprat e mëdhenj në Luvër, traditë kjo e vjetër e piktorëve siç ndodhte me Chagall që gjithë ditën e kalonte në Luvër për të kopjuar artitët që i pëlqenin. Ishte mësimi i artit. Dhe duke qeshur ai më tregon sesi i dhënë shumë pas Caravaggio-s, ai shkonte në Luvër dhe kopjonte tablonë “Fallxhorja” e piktorit të madh, por “unë dështova”, thotë ai, pasi ishte e pamundur të kapja finesat dhe raportet e mrekullueshme të dritë-hijes në tablotë e mjeshtrit. “ Dhe pastaj shton: “Para tablove të tij je thjesht një spektator. Nuk mund ta lexosh teknikisht!”




Megjithatë, piktori mëson, ashtu siç ndodhte me piktorë të shquar të shekullit XIX që nga Europa e veriut dyndeshin drejt Firenzes apo Romës e Vatikanit për të parë “Sikstinën” e artit. Kështu autorët e rinj mësojnë më mirë si ta trajtojnë hapësirën në një kompozim, raportet me figurën, revievi i ngjyrës, drita, etj. Për vite me rradhë ai shkonte në galerinë “Blondel” ku ndiqte ekspozitat e mjeshtërve modern si Mayio, apo Vanhover që spikaste me tablotë tij plot dritë. Po kështu në galeritë e Rue de Seine apo galeria “Claude Bernard » në Rue des Beaux-Arts, atje ku ekspozonin më parë Picasso, Bacon, Matisse, etj. « Ndiqja ekspozitat e piktorëve të shquar francezë Mata apo Morales ku secili kishte origjinalitetin e tij spikatës, apo një ekspozitë të skulptorit Cezar, pak kohë para se të vdiste, në një homazh mjaft modern dhe politik që bënte mbi Francis Bacon. Një virtuoz i jashtëzakonshëm ». Ishte koha kur u angazhua nga një galerist francez në Rue Vieille du Temple. Mori pjesë dhe në ekspozita kolektive. Tek flasim për Rilindjen italiane i përmend kohën kur shkruaja një libër për poetin, piktorin dhe dramaturgun francez Jean Cocteau dhe kur isha habitur që mbi shumë piktorë ai vinte Piero della Francesca. – Po është një piktor monumental dhe dekorativ njëkohësisht. Tabloja e tij me Krishtin e shtrirë është nga më befasueset. Më parë Jezuja nuk pikturohej i shtrirë… »
Vitet kalonin, dhjetvjeçarët gjithashtu, e megjithatë « uria » vazhdon, pasi vetë jeta e artistit është një mësim i përhershëm. Tashmë përmes eksperiencave të tij, Veseli brymosej duke përsosur kështu shijet, estetikën e tij për të bukurën, ngjyrën, edhe pse vizatimi për të ishte i përditshëm. Flasim për Durer, idhullin e tij të vizatimit dhe ai më tregon për profesorin e tij të vizatimit Lutfi Capunji, atëherë kur adoleshent donte të bëhej piktor. E kujton me nostalgji pasi nga duart e tij kaluan breza pitorësh O. Vorpsi, S. Thaçi e shumë të tjerë. Pastaj tregon nostalgjinë e madhe për Harrilla Dhimo, piktor me shumë kulturë ku ishte i shtëpisë në studion dhe në familjen e tij. – « Po nudon e parë, kur e ke vizatuar ? – e pyes unë. – Para se të vija tek nudo, unë më shumëp ikturoja peizazhet. Edhe sot peizazhi më pëlqen shumë. Në ekspozitën e piktorëve të rinj në Tiranë në vitin 1989 kisha një peizazh me një frymë kubiste. Por lidhur me nudon, nudon e parë e realizova në vitin 1988, në një dhomë të shtëpisë time. – E keni atë pikturë ? – Po, e kam, – qesh ai, – e ruaj si një relike. Në vitet ’80 nudot ishin të ndaluara nga regjimi. Duheshin vetëm portretet entusiazte të puntorëve dhe fshatarëve, fytyrat e qeshura, por që në fakt nuk kishin fare lidhje me lumturinë e vërtetë. Mbaj mend relievet e vjetra monumentale të maternitetit me nudo të mrekullueshme apo relieve nudo në Bankën Kombëtare, si dhe në mozaikët e saj të cilat i kishin shpëtuar shkatërrimit. Vështroj tablotë e tij, nudon e madhe në fund dhe i them : – Tabloja në sfond më risjell disi kohën e Modiglianit. – Ai qesh. Modigliani është gjithashtu një idhull i ngjyrave, formave elokuente, hiret e trupit femeror si askund tjetër. Kjo është vërtet një tablo e bukur, pasi pavarësisht frymës, çdo piktor ka origjinalitetin e vet. « Modiglianin e kam parë në një ekspozitë të madhe në Palais du Luxembrourg në Paris. Tashmë isha përballë tij. Kisha një ndjesi të rrallë. I pëlqej linjën. Po kështu më tërheq vemëndjen tabloja që është në vitrinë, gruaja me flokët e pushpuritura, që mua nga larg më kujton tablotë e Balthus, por që përsëri është e tij. Shpesh e njëjta frymë i bashkon shumë artistë. Tek modeli në tone blu, figura imcake dhe me linja interesante, personazhi i qenit, po në ato tone, i jep ngrohtësi figurës fillikate, e bën atë më njerëzore. Ja pse Balthus apo piktorë të tjerë, në kompozimet e tyre fusin kafshë shtëpiake. Macet e Balthus janë të famshme. Dhe ndoshta kjo tablo e Veselit është më e bukura e kësaj ekspozite.

Biseda na rrëmben dhe ne i rikthehemi përsëri pikturës së Rilindjes italiane dhe pikturës klasike. Kur e pyes për projektet e ardhme në krijimtarinë e tij ai më flet për Eduart Manet, për impresionistë dhe klasikët, të cilët i ka parë me qindra herë, por duke zbuluar gjithnjë diçka të re jashtë figurës njerëzore, një mjet të veçantë kompozicional. P.sh. tablonë e Manet « Dejeuner sur l’herbe » (Dreka në lirishtë) e imagjinon pa personazhet në qendër por duke ruajtur peizashin përreth, një frymëzim i veçantë ; apo një tablo të Courbet, një prej pitorëve më të mëdhenj të nudos në fundin e shekullit XIX, autori i tablove « Psyché » apo « Origjina e botës ». Duket që piktori kërkon shtigje të reja për pikturën e tij. Ai e sheh atë në dinamikë, lëvizje, transformim, rikrijim dhe në kërkime origjinale. Kështu i ndodh dhe me Velasquez, një nga të parapëlqyerit e tij. E ka merak që nuk ka shkuar në Madrid, në muzeun « El Prado » për të parë më shumë Velasquez, më shumë Ribera, Zurbaran… Pastaj biseda i rikthehet përsëri Shqipërisë, mjeshtërve të tij kohës së akademisë së artit, atëherë kur pëlqente shumë vizatimet e Jukniut dhe Lulanit apo « shkolla shkodrane » siç e quan ai apo të piktorëve si Shijaku, Nallbani, Oseku etj. I vjen keq që disa nga bashkëstudentët e tij nuk e kanë vazhduar aventurën pikturale edhe pse kishin shumë talent, dhe ai më përmend piktoren Merita Selimi.
Vështroj ende tablotë dhe largohem me një ndjesi të këndëshme, me këto nudo të gëzuara e të trishta, ku piktori ka kërkuar një « shfaqje » të re në prezantimin e tyre. Një pikturë e mirë të risjell menjëherë në mëndje tablotë e mjeshtërve të mëdhenj. Vallë kjo ndodh ngaqë ky piktori vinte dikur nga një botë e mbyllur dhe ku modernia ishte e ndaluar dhe ku kishte aq shumë « uri », aq shumë artistë të uritur që donin të pikëtakonin mjeshtrit e mëdhenj ?…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.