EKONOMI

Qiratë e dyqaneve ulen në rrugë, rriten në qendrat tregtare

15:31 - 28.02.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Të marrësh një dyqan me qira në një rrugë të kryeqytetit sot kushton shumë më mirë se 10 vjet më parë. Ndryshe është për qendrat tregtare, ku pagesat mujore janë rritur vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Colliers International, në vitin 2006, qiratë në rrugët kryesore të Tiranës arrinin deri në nivelin më të lartë prej 72 euro për metër katror. Sot ato arrijnë maksimumi deri në 40 euro për metër katror, duke shënuar një rënie prej 44%. E kundërta ka ndodhur me qendrat tregtare. Ndërsa në vitin 2010, qiraja maksimale në qendra arrinte në 30 euro për metër katror, aktualisht ajo ka arritur në 50 euro për metër katror, me një rritje prej 67%. Teksa qendrat tregtare po i tërheqin klientët edhe përmes formave të ndryshme të argëtimit, dyqanet në rrugët kryesore po ndiejnë konkurrencën, çka ka ndikuar në uljen e qirave.

Sa variojnë qiratë në Tiranë

Sipas të dhënave nga Colliers, qiraja mesatare e qendrave tregtare në Tiranë, aktualisht luhatet në rreth €20/m2/muaj. Ndërsa qiratë në vendet e preferuara kanë qenë stabël në rreth €50/m2/muaj dhe tregu ka qenë i orientuar nga ofertuesit, veçanërisht për hapësirat parësore të tregtimit me pakicë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për qendrat tregtare që kanë marka të mira dhe që mund t’i ofrojnë tregtuesit me pakicë një numër të lartë konsumatorësh. Qiratë e rrugëve kryesore kanë shënuar një rritje të diferencës mes nivelit më të lartë dhe atij më të ulët, ku më e ulëta është regjistruar në 7 euro/m2/muaj dhe më e larta në 40. Kjo shpjegohet me vjetërsinë e ndërtesës dhe kushtet në rrugët kryesore, referon Colliers. Tregu i rrugëve kryesore është ende shumë i pamaturuar dhe i paqëndrueshëm, çka do të thotë që mund të gjesh një dyqan të nivelit të ulët dhe të nivelit të lartë ngjitur me njëri-tjetrin në rrugët kryesore të Tiranës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.