Kryesore

Ylli Manjani: Debati me Edi Ramën në “Whatsapp” për hashashin

06:44 - 01.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani pohon se ka debatuar me kryeministrin Rama pas deklaratës së tij se Ushtria duhet të ndërhynte për hashashin. Duke folur në “Dritare” të Rudina Xhungës, ish-ministri tha se në atë qëndrim nuk kishte asgjë personale dhe se kishte debatuar me Ramën, jo në mbledhje qeverie por nëpërmjet mesazheve në “Whatsapp”.

Ushtria të ndërhyjë për hashashin, pse e bëtë atë deklaratë?

Nuk ishte vendim i askujt, ishte një qëndrim i përgjegjshëm i Ministrit të Drejtësisë, jo personal. Po të ishte personal, ka zgjedhje të tjera personale.

Epo ishte si bombë ajo. Ju hodhët një bombë.

Nuk hedh bombën Ministri i Drejtësisë, bomba kishte ndodhur në territor dhe kjo është një nga tezat e tjera të rrezikshme që ka Kryeministri, që fajin e ka ai që flet. Nuk sheh problemin që e kemi në territor por ti që e thua pse e thua. Çfarë domethënë kjo dhe kjo është një tezë tjetër për të cilën unë e Kryeministri nuk ishin në dakordësi.

Iu kërkoi llogari Kryeministri përse folët për këtë gjë?

Mbaj mend që kemi bërë një debat me mesazhe në Whatsapp. Jo në mbledhje qeverie. Ça mbledhje qeverie, ku flitet aty.

Çështja e hashashit është një fakt, ka ndodhur në Shqipërinë e dy viteve e gjysmë të fundit, pra deri në momentin që unë dhashë atë deklaratë. Dhe nuk e dhashë për të fyer askënd dhe nuk thashë në deklarimin tim që fajin e ka Ministri i Brendshëm. Tjetër gjë që Ministri i Brendshëm u ndje fajtor dhe doli menjëherë të reagonte. Unë nuk thashë që Ministrja e Mbrojtjes ka faj për këtë punë e cila doli menjëherë. Nuk thashë asgjë nga këto. Unë thashë që ky fenomen ekziston dhe duhet ta pranojmë, ky fenomen duhet ta luftojmë, ta shkulim nga toka dhe nga koka e çdo shqiptari sepse nuk na nderon. Këtë duhet ta bëjmë me çdo mjet, duke përfshirë edhe ushtrinë. Unë nuk thash të dali ushtria. Thash ekzakt këtë gjë, fenomeni ekziston dhe duhet ta luftojmë. Fenomeni ekziston edhe sot e kësaj dite, ja pasojat e të cilave po i vuajmë edhe sot. Sepse 8 ton drogë që kalojnë nga dogana e askush nuk mban përgjegjësi dhe kjo është e papranueshme. E lëmë sasinë e parave dhe të drogës por imazhi që përçohet tek shtete fqinje, që në Shqipëri ka vetëm drogë dhe asgjë tjetër, sigurisht që nuk e nderon as Ministrin e Drejtësisë, as Kryeministrin, as Parlamentin.

Pra, nuk i ndryshoni asgjë asaj deklarate, ushtria do ju dukej zgjidhje.

Jo se do më dukej zgjidhje, por e theksoj ka qenë një deklaratë e përgjegjshme e Ministrit të Drejtësisë. Një Ministër i përgjegjshëm ngre çështje dhe ofron e zgjidhje.

Në njëfarë mënyre ju i keni provuar të gjitha qeveritë, që nga z. Nano, z. Berisha, z. Rama. kë mund të veçoni tani që i shikoni gjërat nga larg?

Unë besoj që z.Nano ishte shkollë politike. Unë kam mësuar nga Fatos Nano, ai ishte njeriu që insistoi. Në atë kohë unë punoja në OSBE, kisha një rrogë të mirë e nuk kisha ndonjë detyrim që t’i bashkohesha shtetit. U njohëm nga OSBE-ja dhe Nano insistoi që unë të afrohesha pranë tij, ishte viti 2002 kur ai u emërua Kryeministër, pas historive të katarsisit, që kanë qenë një spektakël në vetvete dhe një shkollë politike ndonëse shumë veta e kritikojnë atë për mënyrën sesi u bë. Por, sidoqoftë një model transparence ajo ka qenë. Për herë të parë në politikën shqiptare, literalisht nuk pipëtinte ,njeri po ta kujtojmë ato kohë. Por një model transparence brenda forumeve të partisë e dha Fatos Nano. E dyta, ka shumë njerëz që thonë që Fatos Nano , për shkak të dembelizmit apo arsyeve të tjera, ishte një njeri tolerant. Por ai ishte një njeri që njihte shtetin, administratën. Vlerësonte në mënyrë të jashtëzakonshme letrën, firmën, procesin, kjo është e vërteta e Fatos Nanos.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.