POLITIKË

Zgjedhjet, si humbet PD-ja nga ndarja e re territoriale në 3 qarqe

10:59 - 01.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Valentina MADANI

Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së, ka një shqetësim të hershëm, që zë fill dy vite më parë, kur PD-ja u tërhoq nga ndarja e re administrative. Kur kanë mbetur vetëm pak muaj nga zgjedhjet parlamentare, z. Shehi thotë për “Gazeta Shqiptare” se zhvillimi i tyre në një territor më të madh i jep më shumë shanse mazhorancës së majtë që të jetë fituese e 18 qershorit. Pasi sipas tij, harta e re territoriale u bë vetëm nga njëra palë dhe opozita u tërhoq, gjë që mund ta dëmtojë në zgjedhjet e përgjithshme. Dashamir Shehi jep shembuj konkretë se si e majta mund të jetë përfituese e rezultatit, ndërsa opozita humbëse e zgjedhjeve. Aleati i PD-së përmend se tradicionalisht e djathta kishte si elektorat të sajin qytetet, ndërsa e majta kishte fshatrat. Por se me hartën e re administrative nuk ka më ekuilibra politikë, pasi janë bashkuar qytetet dhe fshatrat së bashku, ndërkohë që të dëmtuarit kryesorë janë vetë qytetarët në mbarë vendin.

Shehi, ju jeni pasur propozime konkrete për hartën e re territoriale dy vite më parë, ndërkohë që e kritikuat PD-në se me tërheqjen e saj do të dëmtojë të djathtën. A i qëndroni këtij mendimi dhe për cilat arsye dëmtohet opozita në zgjedhjet e 18 qershorit?

Para dy vitesh diskutuam me disa kolegë të PS-së dhe PD-së që të kishim një hartë territoriale diku me 87 bashki dhe komuna. Pak rëndësi ka numri i tyre. PD-ja u tërhoq, dhe gaboi, ndërsa PS-ja vendosi që harta të kishte 61 bashki. Mendimi im ishte që qytetet e mëdha të ishin bashki më vete, si Tirana, Durrësi, Shkodra, Kavaja, Lushnja etj., ndërsa fshatrat të ishin veçmas. Kam gjykuar që të paktën 12 qytete të ishin bashki më vete, pa fshatrat. Përveç kësaj, rëndesa më e madhe bie mbi kurrizin e shqiptarëve, pasi një fshatar i Zall-Bastarit nuk mund të vijë në Tiranë e të takojë kryetarin e bashkisë, kur shumë mirë mund ta kishte qeverisjen e tij lokale në fshatin e vet. Ose kreu i Bashkisë së Tiranës, nuk mund të merret edhe me administrimin e pyjeve, kur një gjë të tillë shumë mirë mund ta bëjë drejtuesi lokal i fshatit, pasi pyjet janë në fshat dhe jo në qytet. E njëjta gjë mund të thuhet për Bashkinë e Pukës, ku fshatrat me qytetin kanë distancë më të madhe dhe infrastruktura nuk është e njëjtë me atë të kryeqytetit apo qyteteve të tjera të vendit. Po përmend rastin e Kavajës. Qyteti ishte përherë bastion i së djathtës, ndërsa fyshtrat ishin disi të orientuar më majtas. Por me ndarjen e re territoriale, qytetit iu bashkuan edhe fshatrat, dhe e djathta humbi në zgjedhje. Po ashtu edhe në Lushnjë. Qyteti na përkiste neve, kurse fshatrat ishin të majta, por tashmë nuk dihet se kush voton majtas dhe djathtas, për shkak të hartës së re që u miratua vetëm nga njëra palë. Në Korçë opozita në qytet kishte përherë dy mandate më shumë. Me ndarjen e re, e djathta nuk është favorite për shkak të fshatrave. Ndaj, nisur nga këta shembuj, me keqardhje them se kjo mazhorancë e cila është sot në pushtet dhe e miratoi me votat e saj hartën e re është favorizuese e 18 qershorit.

 

(Gazeta Shqiptare)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.