OPINION

Nuk e braktis dot Lulzim Bashën, sepse nuk braktis dot veten time!

06:08 - 02.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Arian GALDINI

Dje isha kryetar i një partie. Sot nuk jam më. Asgjë nuk ka ndodhur. Nuk u prish qielli, nuk ranë yjet në Liqenin Artificial të Tiranës e as mbeti Lulzim Basha vetëm. Partia që unë drejtoja deri dje, vazhdon të jetë në krah të Lulzim Bashës edhe tani që ka një kryetar të ri. Unë vazhdoj të jem në krah të Lulzim Bashës, edhe pse nuk jam më kryetar i LDE. Gjithçka që ka ndodhur dje është një normalitet demokratik brenda një organizate jo edhe aq të madhe, e cila ka vendosur të funksionojë me parime, të cilat i beson dhe zbaton. Edhe kur këto parime me striktësinë e tyre e fusin organizatën në një ngushticë ku gjasat janë që ta çojnë drejt një vendimmarrjeje të nxituar a më keq akoma, të gabuar, ia vlen barra qiranë. Është fantastike kur një komunitet i vogël politik ia del mbanë të ndërtojë një oaz të së mirës, ku ajo çka ky komunitet beson edhe jetohet, edhe ushtrohet, edhe zbatohet me përpikmëri.
Arian Galdini, si të gjithë njerëzit që kanë guxuar të bëjnë politikë a më tej akoma, të krijojnë parti politike ishte në një dilemë të fortë deri dje.
Së pari, politika dhe partia politike në Shqipëri perceptohen si marifeti dhe plaçka. Me politikë ecet përpara, me parti bëhet plaçkë. Kush merret me politikë, pritet e kuptohet nga kushdo përreth si një pelivan që do me kap ndonjë gjë. Kush bën parti, ia ka dalë të bëjë bandën e vet të vogël, me të cilën mund të vërë gjoba e zërë ndonjë copë gjëkundi.
Kaq e gjithëpranuar është bërë kjo ndjesi e kuptueshmëri, saqë edhe kur ka njerëz të cilët e shohin politikën si shërbesë publike dhe partinë si një instrument për të krijuar vlerë publike, këta duken të pabesueshëm, mashtrues, delirantë ose gjithfarë ligemërtimi.
Pritet nga njerëzit që janë në politikë e që kanë parti, që këta të bëjnë gjithçka për të ecur përpara, të puthin prapanica, të përkulin belin derisa t’u arrijë gjuha te këpucët e të fuqishmëve, të binden verbërisht, të zhbëjnë integritetin dhe asgjësojnë dinjitetin e mbi të gjitha të mashtrojnë, shantazhojnë, implikohen, me këdo e ngado, mjafton që të kapin ndonjë gjë.
Pritet nga këta që kurrë të mos i lëshojnë gjërat që kanë, e gjithmonë të kërkojnë diçka më tepër.
Ja kështu. Ky është modeli, kjo është dijenia e përgjithshme për këtë racë, që ne e njohim si raca e politikanëve dhe kryetarëve të partive politike në Shqipëri.
Politikanët shqiptarë kurrë nuk hapin rrugë, kurrë nuk dorëhiqen, kurrë nuk e lëshojnë partinë apo ofiqin që kanë. Madje, jemi i vetmi vend që në 27 vjet nuk kemi mundur dot të ndryshojmë as elitat dhe drejtuesit e partive të mëdha e as të partive të vogla, as të partive parlamentare e as të partive joparlamentare.
Jemi i vetmi vend ku bëhen tryeza me parti të vogla parlamentare e joparlamentare, që kanë vite të tëra që mbajnë nga një vulë në xhep e rendin nga zyra në zyrë, nga koalicioni në koalicion, nga zvarritja në zvarritje, me shpresën e kërkesën për të kapur ndonjë gjë.
Këtë mënyrë, këtë model, këtë rrugë, Arian Galdini dhe LDE as e duan, as e pranojnë, e as kanë ndërmend ta jetësojnë brenda komunitetit politik që kanë krijuar.
Ky komunitet politik që quhet LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë, kjo parti politike ka ardhur në skenë dhe ekziston, sepse nuk aspiron të sjellë ndryshimin, por synon e qëndron që të jetë vetë ndryshimi.
Arian Galdini nuk e krijoi LDE për të krijuar ndonjë bandë plaçkitëse apo ndonjë instrument për të kapur ndonjë gjë për vete. Kurrë nuk ka pasur nevojë për këtë, sepse asnjëherë nuk e ka siguruar jetesën as nga partitë, as nga politika e as nga shteti. Jetën e tij e ka siguruar si pedagog në universitet, me ndershmëri, integritet dhe zotësi. Edhe zërin publik nuk e ka fituar si porcion shërbese a shpërblese politike a partiake, por veç me meritë, krejt vetanak dhe me shumë mund e sakrifica. Kësisoj, LDE erdhi si një krijesë që objektiv parësor kishte krijimin e një komuniteti politik, që vepron çka flet dhe jeton çka beson, me shembull personal dhe vetëm me shembull personal.
Në një komunitet të tillë, kur një shumicë aktive siç është kryesia e LDE kërkon dorëheqjen e kryetarit, qoftë ky edhe kryetari themelues, me të drejtë apo pa të drejtë, me arsyetim korrekt ose jo, i takon këtij kryetari që të dëshmojë se ai si nismëtari dhe vizionprojektuesi i kësaj partie, i beson idetë dhe parimet mbi të cilat është ngritur ky komunitet politik.
Më kanë thënë se nuk jepet dorëheqja para zgjedhjeve. Më thanë se kjo nuk është demokraci, por tepri. Më thanë shumë gjëra. Por unë e gjykova, se gabim apo jo, e drejtë apo e padrejtë, është tejet e rëndësishme për mua dhe LDE që unë të jap vetë i pari shembullin personal se sa vërtetësisht besoj tek idetë dhe parimet mbi të cilat është themeluar LDE.
Mund edhe të mos e kisha dhënë dorëheqjen. Punët personale i kisha shumë mirë. Isha kryetar i një partie që kishte fituar një rol specifik në koalicionin opozitar. Miqësia ime e kahershme me Lulzim Bashën ishte garanci e një rruge të sigurt e me pritshmëri të mbara për mua. Lulzim Basha është treguar tërësisht korrekt dhe fjalëmbajtës me mua dhe LDE. Kontraktualiteti dhe bashkëpunimi im si kryetar i LDE me Lulzim Bashën ishte në gjendjen më optimale të mundshme. Po të mos jepja dorëheqjen, ishte e sigurt se herët a vonë, gjëra të mira do vinin për mua. Ndonjë gjë do e kapja edhe unë…
Por jo.
Nuk ishte, nuk është kjo, ajo çka unë dua e kërkoj. Sikurse e kam përsëritur pareshtur, unë nuk kam nevojë as për LDE, as për PD, as për Lulzim Bashën e as për askënd që të siguroj jetën time e të mirat e mia. Jam bir ish-ushtaraku e prindërit e mi më kanë rritur e mëkuar me mendësinë se unë duhet t’i meritoj gjërat që arrij e duhet t’i arrij veç me zotësi, aftësi, talent, ndershmëri, integritet dhe mirësi e dinjitet.
Prandaj, dorëheqja ime ka natyralitet e më qëndron mirë mua, për çka unë jam si person, si karakter, si formim personal, por edhe si nismëtar i një komuniteti politik ndryshimi.
Unë e dhashë dorëheqjen, sepse nuk dua me kap ndonjë gjë. E dhashë dorëheqjen, sepse nuk kam nevojë për të qenë kryetar partie për të qenë ky që jam. E dhashë dorëheqjen, sepse dua shumë që LDE të jetë partia e lirë dhe e drejtë për të gjithë anëtarët e këtij komuniteti politik. E dhashë dorëheqjen, sepse jam i dashuruar dhe apasionuar me shëndetin moral dhe shembulldhënës të këtij komuniteti politik që quhet LDE.
Nuk ka lidhje dorëheqja ime me Lulzim Bashën. Dorëheqja ime ka lidhje vetëm me LDE. E dua shumë LDE, prandaj edhe e lashë të lirë. Sa për marrëdhënien time me Luzlim Bashën, them se kushdo që ngre iluzione apo aludime e pandehma mbi largimin tim prej tij, gabon rëndë. Prej vitesh me Lulzim Bashën më lidh një miqësi e dëlirë. Prej 1 qershorit 2016, me Lulzim Bashën më lidh një bashkudhëtim politik. Kurrë në jetën time nuk kam prishur e as thyer asnjë kontratë a marrëveshje. Prej 18 shkurtit 2017 me Lulzim Bashën më lidh qëndresa jonë e përbashkët opozitare dhe qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë nuk largohem dot nga Lulzim Basha, pikërisht tani që Lulzim Basha ka zbritur në sheshin e qëndresës opozitare dhe qytetare. Kjo është ajo çka unë kam dashur e kërkuar që ditën e parë që erdhi në pushtet kjo shumicë e kriminalizuar dhe kanabisizuar e mafies estetike. Me të vërtetë e vendosmërisht po ripërsëris këtu, se mua nuk më lidh asnjë interes personal me Lulzim Bashën. Nuk kemi bërë asnjë pazar ne të dy. Nuk i kam kërkuar asgjë e nuk më ka ofruar asgjë. As po qëndroj në krah të tij, sepse po pres të kap ndonjë gjë prej tij. Madje, e kam deklaruar dhe po e rideklaroj se, edhe nëse më ofrohet ndonjë hapësirë, mundësi apo rrugë kandidimi apo përfitimi nga PD, unë nuk do ta pranoj.
E qëruar kjo çështje, dua të kthjelloj qëndrimin tim të vendosur. Që prej 18 shkurtit 2017, unë besoj tek kjo qëndresë opozitare dhe qytetare që po drejton Lulzim Basha. Besoj edhe se rezistenca është i vetmi shteg drejt fitores. Lulzim Basha ma ka mbushur mendjen se është mendjendarë në këtë qëndresë. Përderisa ai është mendjendarë në qëndresë, si mund të largohem unë nga qëndresa, kur unë kam mbi 3 vjet e gjysmë në qëndresë. Në fakt, unë kam 27 vjet në qëndresë. Me dorëheqjen time, nuk mbaroi qëndresa ime, as u largova unë, as braktisa unë ndonjë betejë apo ndokënd. Përkundrazi. LDE ka një kryetar të ri. LDE ka një shëndet moral të përkryer. LDE ka dhënë një model të pandodhur më parë në Shqipëri. LDE është në sheshin e qëndresës opozitare në krah të Lulzim Bashës dhe PD. Ndërsa unë jam ai që kam qenë. Jam mendjendarë për qëndresë dhe përballje finale me qeverisjen e mafies estetike, derisa ta rrëzojmë.
Jam më shumë në krah të Lulzim Bashës sot si jokryetar i LDE sesa dje.
Jam në krah të Lulzim Bashës jo si aleat, por si mendjendarë për t’i shkuar deri në fund kësaj qëndrese opozitare. Derisa t’i rrëzojmë këta bij të shejtanit që vetëquhen Rilindje.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.