EKONOMI

Banka e Shqipërisë: ‘Pragu 1 trilion’, depozitat arrijnë në 1014 miliardë lekë

10:13 - 03.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Depozitat bankare në fund të vitit 2016 kaluan vlerën e 1 trilion lekëve. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rritja e muajit dhjetor e çoi totalin e depozitave në 1014 miliardë lekë ose rreth 7.4 miliardë euro. Pas rritjes me 17 miliardë për dhjetorin, depozitat pësuan një rënie të lehtë me 300 milionë lekë në janar të këtij viti, duke qëndruar megjithatë në pozita të rritjes vjetore. Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë mësohet se, krahasuar me një vit më parë, totali i depozitave bankare është në rritje me 3%. Rritja e depozitave gjatë vitit 2016 është mbështetur kryesisht nga ato në valutë, që në një vit janë zgjeruar me 6.6%.

Nëse një vit më parë raporti mes depozitave në lekë dhe atyre në valutë ishte afërsisht i barabartë, tashmë depozitat në valutë mbizotërojnë, me 52.4% të totalit. Faktorët e rritjes së depozitave në valutë mund të jenë të ndryshme, duke filluar nga prurjet e investimeve të huaja, një përmirësim i tendencës së eksporteve, deri te hipotezat për efektet e tregtisë së paligjshme të kanabisit jashtë vendit. Prurjet e larta të euros gjejnë mbështetje edhe në ecurinë e kursit të këmbimit, ku monedha europiane ka pësuar një zhvlerësim mes 3 dhe 4% në raport me lekun.

Megjithatë, fakti që depozitat në lekë kanë rënë lehtë ndërsa ato në valutë janë rritur ndjeshëm, dëshmojnë edhe një tendencë të lehtë të zhvendosjes së monedhës me të cilën preferohen të mbahen kursimet. Kjo zhvendosje nuk motivohet nga ecuria e normave të interesit për depozitat, që për euron janë edhe më të ulëta se për lekun.

(Gazeta Shqiptare)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.