OPINION

“Mange Tak”, miku ynë i mirë

06:20 - 03.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Jorgji KOTE

 

Mezi po e priste ardhjen e kësaj pranvere në Shqipëri. Shkoi atje në fillim të janarit, në atë acar të pazakontë, që fare lehtë mund ta kishte justifikuar dhe shmangur – mosha, moti, sëmundja e gjatë. Por, ai e sfidoi motin dhe shkoi në Tiranë me bashkëshorten, Myzejenin për të përgatitur me plot dëshirë për të disatën dhe të fundit herë ekskursionin tradicional vjetor në mars të rreth 30 nxënësve të “Shkollës së Jetës” në qytezën e Røndes. Kishte rezervuar dhe biletat e fluturimit për Tiranë.

Gjatë 25 viteve të fundit, Shqipëria ishte bërë atdheu i dytë për Ejvind Johansen, këtë danez të thjeshtë, të urtë e të mençur, që e deshi dhe bëri aq shumë për bashkatdhetarët e tij, siç i konsideronte  shqiptarët. Ndonëse punonjës i thjeshtë i shkollës së njohur popullore në Rønde, në 25 vjet bëri për ne më shumë se shkolla dhe universitete të tëra, sidomos në fushën e investimit njerëzor për të rinj dhe të reja që kishin pasion dhe shpresë për të ardhmen, por mundësi të kufizuara ekonomike.

Ejvindi ka qenë vazhdimisht, por u bë edhe më tepër adhurues i Shqipërisë me ardhjen e demokracisë, pasi kishte dëgjuar me shumë simpati nga miq të tij që kishin qenë për ndihmë në vendin tonë.

Në mesin e viteve ‘90 ai u njoh dhe lidhi jetën pas humbjes së bashkëshortes me mësuesen e anglishtes nga Kruja, Myzejen Nova, e cila në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit në Danimarkë ishte vendosur për një trajnim pikërisht në Rønde, pranë Arhusit, qytetit të dytë më të madh në Danimarkë.

Shkolla e mirënjohur në Rønde ku Myzejeni më vonë filloi të punonte si mësuese është unikale në llojin e vet; aty shkojnë për disa muaj të rinj dhe të reja që kanë mbaruar shkollën e mesme, si nga Danimarka ashtu edhe nga vende të tjera, ku mësojnë profesione dhe zanate të ndryshme praktike për jetën, informatikë, rrobaqepësi, arte, komunikim, pikturë, kulinari e të tjera. Avantazhi i madh i kësaj shkolle qëndron te socializimi, dmth., vendosja e lidhjeve dhe kontakteve të shumta me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme të Evropës dhe me vendës, duke lidhur kësisoj një miqësi, që siç kanë treguar 25 vitet e fundit, u ka rezistuar më së miri kohës dhe sprovave.

Me nismën dhe garancitë praktike të Ejvindit (kjo shkollë ka kritere të rrepta pranimi në çdo drejtim) dhe mbështetjen e drejtorisë së saj, nga viti 1997 e në vijim, aty kanë shkuar çdo vit fillimisht nga dy e më vonë më shumë të reja dhe të rinj nga vendi ynë; fillimisht nga Kruja dhe Fushë-Kruja, por më vonë edhe nga Tirana, Durrësi, Shkodra dhe rajone të tjera. Shumica janë kthyer në atdhe, të tjerë kanë vijuar studimet dhe punën në Danimarkë dhe vende të tjera. Disa prej tyre janë martuar me danezë dhe tashmë punojnë si ekspertë apo këshilltarë në komunë, shkolla, spitale, qendra industriale e tregtare, etj.

Kësisoj, për rreth 100 shqiptarë dhe familjet e tyre, Rønde e vogël është kthyer në një familje të madhe dhe në një stacion madhor ndërmjetës për destinacionet e tyre të ardhshme. Sot aty dhe në atë rajon jeton një komunitet tejet cilësor shqiptaro-danez, i cili veç të tjerash jep dhe një imazh të pëlqyeshëm për vendin tonë. Dhe kjo në një vend si Danimarka, që renditet në top-listën e demokracisë dhe antikorrupsion. Kur je atje ose në qytete të tjera pranë Røndes, në biseda të ndryshme me vendësit, mund të dëgjosh shpesh të përmenden me simpati shumë emra të rinjsh dhe të rejash bashkatdhetarë.

Ndaj, për Ejvindin flasin me pathos dhe simpati të gjithë nxënësit e mëparshëm dhe të tanishëm bashkë me mësuesit dhe drejtuesit e kësaj shkolle. Bashkë me Cristianin dhe Kirstenin, dy fëmijët e tij që shkëlqejnë si në profesione, ashtu edhe në cilësitë njerëzore, Ejvindi i nxiste vazhdimisht miqtë dhe të njohurit e shumtë që të shkonin në Shqipëri, duke i shoqëruar dhe vetë ata gjatë vizitave në vendin tonë, të cilin ai e njihte me pëllëmbë dhe jo vetëm si turist, por edhe për të ndihmuar në forma nga më të ndryshmet. Kujtdo që i bie rasti të shkojë nëpër shtëpitë e këtyre danezëve që nuk janë të paktë, do të shohë edhe shumë fotografi të tyre të bukura nga vendi ynë.

Vjet në maj, në përvjetorin e 70 të lindjes së Ejvindit dhe të 65 të Myzejenit, në sallën festive të shkollës ishin ftuar 135 miq e shokë, shqiptarë dhe danezë. Është e vështirë të përshkruhet gëzimi dhe hareja e asaj feste të përbashkët shqiptaro-daneze dhe respektit që mikpritësit tregonin për shumicën dërmuese të shqiptarëve që kishin kaluar nga ajo shkollë; mësuesja e muzikës dhe këngëtare profesioniste i emocionoi të pranishmit me një këngë që i dedikoi çiftit tone shqiptaro-danez.

Nga përvoja e gjatë me të huajt në mbi 4 dekada brenda dhe jashtë vendit, kam njohur shumë miq dhe dashamirës të vendit tonë, në kohë “me diell dhe me shi”. Por, siç pohojnë të gjithë ata që e kanë njohur, Ejvindi “hante bukë veç”. Kishte pak fjalë dhe premtime, por shumë punë dhe i kudondodhur sa herë që dikush kishte nevojë për ndihmë dhe mbështetje të çdo lloji. Prandaj bashkatdhetarët, pa përjashtim dhe ndonjë që ai e këshillonte indirekt me taktin e njohur danez e deshën aq shumë. Banesa e tij e vogël dhe modeste çdo fundjavë mbushej dhe vlonte nga humori dhe bisedat miqësore me ta, duke përfshirë dhe gatimin “shqip”. Si skandinav model, Ejvindi dallohej nga qetësia “olimpike”, grindja apo qejfmbetja ishin të panjohura për të. Ishte modest tipik; vihej në siklet, ndaj dhe nuk i pëlqente të flitej apo dhe të shkruhej për punën dhe shërbimet e tij, edhe pse i kishte bërë me mish dhe me shpirt, duke dhënë gjithçka e pa kërkuar asgjë në shkëmbim.

Megjithëse luftoi për shumë për vite e pa u ankuar, por përherë aktiv nuk arriti ta mposhte sëmundjen e  rëndë. Humbja e tij ka prekur e trishtuar të gjithë miqtë dhe dashamirësit e shumtë shqiptarë kudo ku ndodhen. Shumë prej tyre po shkojnë për t’i dhënë lamtumirën e fundit këtij miku të vërtetë. Së bashku me miqtë e tij shqiptarë, që e kanë njohur dhe dashur me zemër, në Shqipëri, në Rønde dhe gjetkë, me ngushëllime dhe mirënjohjen më të thellë e falënderojmë shumë: “Mange Tak”, miku ynë i  paharruar, Ejvind!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.